Mbajtja e protestave parashikohet qartë në Kushtetutën e Shqipërisë.
Neni 47
1. Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar.
2. Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj.
Me kaq kuptojmë se forma e mospajtimit që justifikohet brenda një rendi kushtetues, është vetëm ai lloj grumbullimi publik që synon shfuqizimin e një apo disa vendimeve të qeverisë. Kështu ndodhi me lëvizjen e jelekverdhëve në Francë, pasi Macron vendosi të aktivizojë disa masa shtrënguese që vështirësonin ekonomikisht jetët e francezëve. Kështu ndodhi edhe me protestën kundër armëve kimike në Shqipëri, që për të thënë të drejtën ishte mbarëpopullore. Kaq për protestat, ato qëndrojnë brenda rendit liberal, në një raport të drejtë me kushtetutën dhe shtetin.
Brenda këtij rendi kushtetues, parashikohet edhe ndërrimi i qeverive, ku metoda e vetme është vota.
Kështu, ne të gjithë të paktën ligjërisht ndodhemi të kyçur brenda një rrethi vicioz zgjedhjesh, mospajtimesh paqësore, debatesh dhe ushtrimi të së drejtës për të folur, për aq kohë sa nuk kërcënojmë rendin në tërësi. Liberalizmi edhe pse shpallet si një teori politike që mbi të gjitha mbron lirinë, ai kurrë nuk do të lejojë sisteme që e konkurrojnë, edhe pse nga pikëpamja e palës tjetër, kjo përbën manifestim të lirisë.
Çdo sistem i përmbahet këtij parimi, të nënkuptuar ose jo. Përjashtim përbëjnë vetëm ato parti me një ideologji jo-liberale që arrijnë të vijnë në pushtet përmes mjetesh liberale, dhe më pas shfuqizojnë parime themelore të rendit liberal. Këto janë dukuri të çuditshme në historinë e politikës botërore që zor se shpjegohen thjeshtësisht, ose shpjegohen përmes difekteve në kushtetutën e një vendi.[1]
Por le të kthehemi tek protesta. Protestat që synojnë të përmbysin një qeveri me anë të mospajtimit, do bien ndesh me dhunën e shtetit që natyrisht nuk do lejojë përmbysjen e një qeverie me anë të dhunës që njëherazi shfuqizon dhe atë pjesë të kushtetutës që legjitimon ndërrimin e qeverive me votë. Kështu, nga një anë qëndron dhuna e shtetit që legjitimohet nga dhuna e protestës, më pas vjen shumëfishimi i dhunës së protestuesve si përgjigje ndaj dhunës së shtetit.
Këtu qëndron rreziku i shndërrimit të një proteste në revolucion. Pakashum kështu u shndërruan protestat Ukrainasë ndaj vendimeve të qeverisë pro-ruse, në një revolucion mbarëpopullor që u pagëzua me emrin “Revolucioni i Dinjitetit”. Nga ana tjetër, ekziston jo vetëm rreziku i shuarjes së protestës në fjalë, prej shterimit të vullneteve pjesëmarrëse, me pasojë shuarjen e një kauze në tërësi. Gjë që ka ndodhur shpesh në Shqipëri. Kauzat në Shqipëri ndërrohën si këpucët. Çfarë mënyre e përkryer për të demoralizuar një popull!
Por kjo kauzë ç’është? Folëm shumë pak për kauzën sapo protesta e Klodian Rashës shpërtheu, sepse duhej shqyrtuar dinamika e ngjarjes, për të arritur në një përfundim. Disa nuk e dinë ç’është kauza sepse veç vrasja e një 25 vjeçari nga mbrapa, i tmerron. Tmerri shndërrohet në mllef, dhe mllefi shkatërron ç’të gjejë përpara. Protesta të këtilla shpërthejnë me egërsi të madhe dhe digjen shumë shpejt. Nuk po parashtrojmë këtu ndonjë implikim moral të kësaj dhune shkatërruese, por vetëm një të tillë pragmatik. Dhuna e shtetit nuk kapërcehet dot nga dhuna e popullit pa zhvendosjen e protestës në rrafshin e revolucionit. Madje dhe në ato raste historia njeh plot revolucione të dështuara. Ndoshta në rastin tonë vlen shprehja “Më mirë një ditë si luan sesa 100 ditë si dele”, por ndoshta edhe shprehja “I duruari i fituari”. Dhe në aspektin historik, revolucionet në Shqipëri bashkë me gjakun kanë sjellë edhe një grusht matrapazësh në pushtet.
Pasi ashtu siç shteti nuk i frikësohet të parashikueshmes, pra shpërthimeve të dhunës pa organizim nga populli, edhe matrapazët nuk i frikësohen të parashikueshmës, mënyrës sesi ata erdhën në pushtet, dhunës së organizuar. Skenaret e mëtejshme mund t’i imagjinoni vetë.
Uruam që vullnetet pjesmëarrëse në protestën për vrasjen e Klodian Rashës të mos shterojnë, por duke patur parasysh mungesën e skajshme të kulturës politike në Shqipëri, ku agjentët elektorale dhe grupe të tjera të interesit me lehtësi mund të kapin timonin e një proteste duke shfrytëzuar thjesht përgjigjen emocionale të protestuesve, për axhenda tyret, kësaj here jo vetëm që nuk urojmë shterimin e vullneteve, por shumëfishimin e tyre, në një përpjekje më të madhe, që kapërcen si shfrimin e kotë, jehona e të cilit do jetë zhurma, gjakun nëpër rrugë, që paralajmëron ardhjen e një përbindëshi, por edhe delerinë që aq shpesh karakterizon periudhen pas shuarjes së një proteste.
Problemi është politik, dhe zgjidhja është politike, por kjo s’do të thotë që duhet ringjallur 97a, një periudhë po aq apolitike sa edhe fryma e konsensusit në liberalizëm. Qoftë kjo një luftë e gjatë!
- Shih nenin 48 të kushtetutës së Vajmarit ↑
