Rikthimi i Amerikës

Amerika e Biden është ajo që njohëm ne. Është Amerika që zuri një vend të rëndësishëm në ndërgjegjen e Shqiptarëve. Është Amerika multilaterale, udhëheqëse e rendit liberal botëror. Është Amerika që eksportonte demokraci dhe “paqe” në të gjithë botën, që shponte veshët e së majtës, e cila në pafuqinë e saj për të ndryshuar punët e botës, hungëronte si buçe e ngujuar në kolibe për “Perandorinë Amerikane”, shtypëse e popujve të lirë. Po të njejtin rol luajti e majta e pafuqishme në epokën Trump, veçse kësaj radhe problem u bë mungesa e ndërhyrjeve, braktisja e kurdëve në Lindjen e Mesme, dhe lufta ndaj Kinës madhështore që çliroi popujt e shtypur të Afrikës duke u ofruar për të luajtur rolin e një kreditori të ri.

Megjithatë këto gjëra nuk na hyjnë në punë edhe aq shumë, përveçse si tema të këndshme për biseda kafenesh. Nuk na intereson shumë se ç’bën Biden përsa i përket politikës së brendshme. Bie fjala, administrata Biden mund të thellojë përçudnimet racore të Amerikës, por gjëra të tilla nuk na interesojnë.

Po i bëjmë një autopsi administratës Trump. Veçantia e Trump përtej unilateralizmit ishte vënia në dukje e rrezikut kinez. Europa e përçarë nuk donte t’ia dinte për valën e re të kuqe. Entuziazmi i marrëveshjeve ekonomike me Kinën e kishte kapluar kontinentin e vjetër deri në atë pikë, sa çdo perspektive e ardhshme për një vizion europian të guximshëm, kishte marrë fund.

Trump premtoi ndryshime të mëdha, vendosi tarifa, por në fund fare deficiti tregtar pakashum ngeli po aty ku kishte qenë në 2016n. Trump gjithashtu vendosi të çukasë kokat europiane duke ua bërë të qartë se Amerika nuk është e gatshme të tolerojë parazitizmin e përqindjeve mbi kontributet në NATO. Gjithashtu Trump u tërhoq nga Lindja e Mesme për t’ia lënë fushën e hapur Rusisë. Tashmë Rusia praktikisht e ka blerë Sirinë, një gur shahu më shumë. Kjo pra ishte administrata Trump. Një Amerikë e izoluar, unilaterale.

Trump iku. Erdhi koha e kundërrevolucionit. Qëndresa e fundit e establishmentit Amerikan na vjen në formën e Joe Biden, një veteran i Pax American, një ortak i klasës së mesme. Një Amerikan proprie dicti.

Në Amerikë paskan votuar të vdekurit? Mos u habisni. Amerikanët fundja nuk janë mbinjerëz. Edhe në Amerikë ka ruzhdie dhe dushk. Ka vota të vjedhura dhe procese të manipuluara. Kjo ishte pra qëndresa e fundit. Siç thonë amerikanët  “just another day in the office”.

Neve duhet të na interesojë kjo dreq politike e jashtme. Ç’do bëjë Biden për Shqipërinë? Ja, këto pyetje duhet t’i bëjmë vetes. Përsa i përket çështjeve të tjera, goja llap e shpina dap. Fatmirësisht Biden ka luajtur një rol pozitiv në lidhje me Kosovën dhe Shqipërinë. Por edhe Biden nuk është i përkryer. Biden kërkon atë paqen e vjetër që i hyn në punë gjithkujt dhe askujt në të njejtën kohë.

Për Joe Biden të gjithë duhet ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se ai do mbeshteste një bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Biden nuk i ka punët mirë me Rusinë, por qëndrimet mbi Kinën mbeten të paqarta. Biden është zotuar se do krijojë një rrjet vendesh me demokraci të theksuar që Kina do e ketë të pamundur ta injorojë. Megjithatë mbetet për t’u parë.

Të tregohemi pra gjakftohtë. S’ka precedent as për dasëm e as për funeral. Mos të harrojmë se kombëtaristëve nuk i’u hyn në punë politika e brendshme e Amerikës. Nuk duhet të çajmë kokën as për rebusin e pazgjidhshëm Izrael-Palestinë. Palestina nuk e njeh Kosovën e nuk planifikon ta njohë. Izraeli e njeh.

Amerika e Joe Biden nuk do e shpëtojë Shqipërinë po as nuk do e mbysë. Ka dhe më keq po ka dhe më mirë. Të mirat duhet t’i presim nga vetja.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020