~ Paradigma e rreme.
Ditët në vijim do jenë të mbushura me demagogji. Partitë dhe lobet e ndryshme që kanë zënë vend të rehatshëm në pozicione të caktuara gjeopolitike përtej aspiratës kombëtariste, do të lëshojnë qentë e kufirit, analistët do të pozicionohen nëpër llogore. Nga njëra anë do të kemi nga ata njerëz që do t’i quajnë zotimet moment historik, dhe nga ana tjetër do të shfaqen të tjerë, që do t’i quajnë zotimet “tradhti kombëtare”.
Për ne, vlerësimi më objektiv i mundshëm është ai që niset nga një subjektivizëm i plotë, e ky subjektivizëm është pikëpamja kombëtariste. Subjektivizmat e pjesshme ua lëmë atyre që vlerësojnë sferat e mëdha gjeopolitike më shumë se vetë kombin. Prandaj ne këtu edhe pse pro-perëndimorë në njëfarë mase, kurrë nuk do të themi “Zoti në qiell dhe Amerika në tokë”. Zoti për ne, nëse nuk flet shqip ndërmjet gjuhëve të tjera nuk është Zot, kurse në tokë ka së pari Shqipëri, e pastaj Amerikë, Europë etj.
~ Pax Economica
Ne mendojmë që fatkeqësia më e madhe e gjithë negocimeve të derimëtanishme ka qenë përjashtimi i ngadaltë i dimensionit përkufizues të Shqiptarëve të Kosovës, atij etnik. Çështja e Shqiptarëve të Kosovës është çështje etnike, jo humanitare, e as ekonomike, aq më pak çështje e përplasjes së qytetërimeve apo problem fetar. Rrjedhimisht, zotimet e nënshkruara nga të dyja palët në një masë të madhe nuk kanë atë rëndësi historike që disa njerëz po përpiqen t’ua mveshin, pasi ekonomizimi i kësaj çështjeje përbën një rrugë qorre në raport me elementin politik që duhet të ishte i pranishëm në formën e tij të kulluar etnike. Të tjerat janë pasojë.
~ Frymë, jo konkretësi
Zotimet e nënshkruara përshkohen nga një frymë e status quo-së politike, deri në një moment të mëtejshëm. Moratoriumet njëvjeçare të njohjes e të çnjohjes pasqyrojnë aspiratën e qeverisë Trump për ta tërhequr zvarrë në kohë problemin e njohjes së ndërsjellë, premtimi i fshehtë këtu qëndron në paraqitjen e një fryme politike të ngecjes në vend për të dyja palët, nuk sugjerohet asgjë përfundimtare, por vetëm një takim i dytë, në varësi të fitores në zgjedhje të ekipit Trump ose jo.
~ Realizueshmëri, jo realizim.
Studimet e realizueshmërisë paraqesin, nuk vendosin. Megjithatë në rastin e liqenit të Ujmanit është e paqartë sesi mund të arrihet një përdorim i përbashkët nga pala serbe dhe ajo Shqiptare e Kosovës. Edhe pse 2.7 km katror nga ky liqen i përkasin serbisë, e 9.2 Kosovës, ende nuk është bërë e qartë sesi ky liqen do të përdoret në mënyrë të përbashkët, sidomos pas deklaratave të mjegullta të Grenell mbi “rëndësinë tërësisht ekonomike” të këtij studimi e jo politike.
~ Gjeo-Eskaton.
Fryma e veçantë Trumpiste e ndërmjetësimit mishërohet tek përfshirja e Izraelit tek zotimet. Këtu zotimet marrin një ton gjeopolitik por edhe eskatologjik.
Ideologjia Trumpiste në Amerikë është kapur fort pas protestantëve evangjelikë, idhtarë gjeopolitikë të një pranie të fortë të Izraelit në rajon, dhe idhtarë eskatologjikë të një apokalipsi me ngjyra të forta hebraike. Në këtë kontekst Trump si gjest tijin ndau frontet në mënyrë përfundimtare mes lindjes dhe perëndimit, duke dashur t’ia bëjë të qartë tërësisht Serbisë, se nuk mund të luajë nga të gjitha anët, e Kosovës, se Izraeli parimisht nuk i’a mohon njohjen prej elementit të supozuar fetar. Pasojat e dakordësimit të Serbisë për lëvizjen e ambasadës në Jeruzalem kanë filluar të shfaqen, aleatët e saj në Lindje po shtrembërojnë buzët. Nga ana tjetër Turqia nuk pajtohet me hapin e marrë nga Kosova. Këto pasoja tregojnë qartë se ndarja e madhe lindje-perëndim nuk është edhe aq fiktive. Në këtë kontekst, pika unike e nënshkrimeve, është qartazi më shumë Atlantike sesa Euro-Atlantike.
~ Loja me maska
“Marrëveshja” e fundit e ekipit Trump është unike, jo vetëm në kuadër të situatës delikate Kosovë-Serbi, por edhe në kuadër të interesave të ekipit Trump. Kohët e fundit ekipi Trump është përpjekur t’i shtojë vetes kapital politik me anë të arritjeve të marrëveshjeve diplomatike parazgjedhore. Ka dy kleçka të rënda përsa i përket anës ekonomike. Pika mbi Mini-Schengen-in do ta shkatërrojë krejtësisht mundësinë e Kosovës për t’i bërë konkurrencë Serbisë ekonomikisht. Kosova me deficitin e madh tregtar rajonal, nuk mund t’i bëjë ballë Serbisë, sidomos në kuadër të një Mini Schengen-i, të cilin e kemi zbërthyer në një video tonën. Ky lëshim ekonomik është prapaskena politike e Paqes Ekonomike. Së bashku me frymën e treguar në një pikë tjetër për t’i siguruar dalje në Detin Adriatik Serbisë, një aspiratë e hershme gjeopolitike e saj, prapaskena politike thellohet, duke treguar se paqja ekonomike, fundja nuk është aq paqësore sa duket. Një Serbi që dominon eksportet dhe bën tregti lirisht në portet Shqiptare në kuadër të Mini-Schengen-it, është një propozim tejet i kobshëm për palën Shqiptare.
~ “Simbolizmi është përrallë”
Pavarësisht prapaskenës politike të një Serbie të fortë në rajon që dominon ekonomikisht “partnerët” e saj më të vegjël Ballkanikë, Richard Grenell guxon t’a quajë mbushjen e barqeve më të rëndësishme sesa dinjitetin kombëtar të Shqiptarëve. Nuk mund t’a ushqesh familjen me simbolizma, thotë Grenell, duke thënë më vonë në mënyrë qesharake se “marrëveshja” siguroi njohje ekonomike. Grenell harron se vetë ekipi i tij kërkon përparimin e disa simbolizmave, e se këto simbolizma siguruan rritjen ekonomike të vetë Shteteve të Bashkuara. Nëse realiteti i çështjes së Shqiptarëve të Kosovës është “përrallë” për Grenellin, atëherë ai duhet t’a dijë më mirë se të tjerët që njëherë e një kohë edhe UÇK-ja ishte përrallë madje për vetë Shqiptarët e Kosovës. Megjithatë përralla e dikurshme u bë realitet, ashtu sikundër ka shumë gjasa që përralla e sotme e realitetit etnik të bëhet realitet në të ardhmen. Sipas Grenellit, realiteti i Shqiptarëve del përrallë edhe kur ai thotë që konflikti Serbi-Kosovë është konflikt i perceptuar. Nga ana tjetër, realiteti pas përrallës ekonomike të “marrëveshjes” nxjerr në pah një fakt tjetër. Marrëveshja në përmasën e saj ekonomike dhe politike s’është tjetër veçse një shaka e hidhur.
This blog post has been Digiproved © 2020