Qeverija shpëtimtare e Mehdi beut shkaktoj dobarem një të mirë: i dha fund një herë e mirë luftës qesharake – që vazhdoi afro 3 vjet resht dhe me aqë nxehtësië -ndërmjet Pleqve dhe të Rijve. Sepse mrenda njaj vjeti, kur sundoi – apo donte të sundonte – rinia shqiptare, u muer vesh se në Shqipni s’ka as Pleq as të Rij, por ka vetëm Orjentala e Okcidentala…
Dhe nder këta – si u kuptue fare kjartas – ka…nga mosha…pleq e të rij
E kuptuet?
Deviza luftarake “Pleqt apor tw Rijt?” -aty para 3 vjetsh -morri fund papritë e pakujtue. Së paku aty kah prendvera dinamike e vjetit 1934 s’ju mbush mâ mendja ndokuej me e shkarravitë kalemin rreth njatij problemi që u paraqitë e u trumbëtue ma parë -nga autorët e ndryshem, pleq e të rij, – si “me një rëndësí vitale për kombin shqipëtar”. Me një fjalë: Pleqt dhe të Rijt zhbrazne sa zhbrazne -shumë herë mâ fort në havá dhe me fishekë qorre -dhe pa me e pritë fitorjen – në një ditë të bukur prendverore dinamike – i futne dyfeket ner arka të harimit…
Dhe shkaku i vërtet i asaj dishfate plot paknaqësië -per të dyja anët -s’u muer vesht ashtu fare mirë. Shumkushi mund të kujtonte se autorëve të ndryshëm – pleq apor të rij -ju sos fitili i kandilit të mendimeve apor ju këputë pêji i Ariadnes per labirinthe të problemit të vet…dikush mund të kujtonte bilè se njaj pêj u këput para kohe nga forza maggiore e rrethanave t’ona…
Sido kjoftë: problemi “Pleqt apor të Rijt” vojt ner ne me sa e sa probleme tjera – si qeni në rrusht. Dhe mjerisht tepër shpejt! Sepse mu n’at moment që po fillonte masllahati me u bâ i interesançem, -kur doktorët e ndryshëm literata (Zavalani në “Illyria”, Sh. Samiu në “Kuvend. Kombëtar”, Z. Psimi në “Leka”) po mundoheshin me i dhanë shpirt njaj embryoni, të dalun keqas nga barku i s’amës, -mu n’at moment pothuej ngordhi edhe kreatyra. Dhe – helbetè – redaktorët e revistës “Leka” s’u kursyene, si mbas zakonit, me i bâ asajë shërbimet e fundshme, funerale e pershpirtnije, në numrin V të përkohshmes së vet e në mâ të bukren kohë, në Majin e prendveres dinamike të vjetit 1934
Na pëlqen këtu para së gjithash të çfaqim mendimin se problemi “Pleqt apor të Rijt” u kap nga autorët e ndryshem – me pak e aspak përjashtime – si gomari i Qerosit, per bishti e jo per kapistre. Nuk âsht vendi këtu t’i njehim një nga një fajtorët e atij keqpërdorimi fatal. Fakt asht vetëm që pothue te seicili autor – plak apo i ri – nuk shihet një bazë e sigurtë filozofike, socjologjike apo edhe historike, mbi të cilën të jetë perqendrue problemi ashtu si duhej. Perkundrazi pothue te seicili autor – plak apor i ri – shohim vetëm interesa e inate të ditës, interesa e inate efemere, të çfaquna aty për aty sa me shfrye kundra ndoj kundershtari a armiku vocrak, sa me e lajkatue vetdijen literale apor edhe sa me u mprojtë para një sulmi të paqenun. Vjen mandej që e shumëta e autorëve të ndryshëm -pleq apor të rij -as s’e kishin mendjen me u shtërngue (=koncentrue) rreth ndojë pike së caktueme, dhe kësodore, tuej rahë seicili (uj) në havan të vet, u pshtjellue problemi “Pleqt apor të Rijt” dhe u bâ një kaçamak turli-turli pikëpamjesh, një çorbë derri me gjithëfarë nënkuptime e prapamejtime, një tutti-frutti orjentalo-okcidentale, a mâ mirë: një olla-podrida komiko-tragjike e shpirtit t’onë të pacaktim e të padrejtim
Don Quichotte par excellence!…[1]
Por për hatrin e së vërtetës duhet të pohojm prap se prap se brenda gjithë njaj tymi e pshtjellimi të luftes tragji-komike ndërmjet Pleqve dhe të Rijve mund të dallohen nja dy-tri rryma pak a shumë karakteristike. E para qe ma fort me një ngjyrë thjesht politike dhe kishte për objekt sulmimi kulltuket qeveritare. Bajraku i të Rinjve (neoshqipëtarë të Tiranës!) kishte mbishkrimin e padukëshem: “Ulu ti, të hypi unë!”…dhe flamuri i Pleqve ishte…“Besa!”. – Rryma e dytë u kanalizue në një mëndyrë misterioze nëpër fletët e revistës “Leka”. Koncepsioni i asaj reviste serioze – rreth temës perkatëse – u duk ma fort se i çuditëshem dhe i pa vend, sepse ajo e vetmja, në të gjithë miletin shqiptar, e kuptoj luften ndërmjet Pleqve dhe të Rijve si një luftë ndërmjet generacioneve të ndryshme, d.m.th. ndërmjet pleqve dhe të rijve nga mosha; a thue se s’e di gjithë bota se lufta ndërmjet generacioneve, se lufta ndërmjet atit e të birit (Filipit e Lekës!) s’âsht tjetër veçse një luftë e dhanun prej Zotit e një luftë e amshueme, për të cilën na flet me aqë dramaticitet historija e leteratyra. Jo, kurrsesi, problemi Pleqt apor të Rijjt s’ka punë me njatë luftë e me generacjone në pikëpamje biologjike-socjologjike! –
Por, nejse, s’âsht puna jonë e as vendi këtu me hulumtue hollë e stërhollë se deri ku kanë dashtë redaktorët e ruvistes “Leka” me çue húta kah Athina apor me humbë shteg në fushën e gjanë të realitetit ndërmjet Sham-it e Bagdat-it. -Rryma e tretë mandej qe e vetmja, e cila iu afrue pak a shumë thelbit të problemit, tuej e cilësue luftën ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve si një luftë mendsiënash e botëkuptimesh, a ma mirë: si një luftë ndërmjet Orjentalizmes dhe Okcidentalizmes në vendin t’onë. Mjerisht vetëm që këjo rymë nuk pati jetë të gjatë dhe u shduk aty shpejt -ndo nga mungesa e forcës së mendimeve, ndo edhe nga forza maggiore e rrethanave të ndryshme – si njata ujna që shkojn e vdesin në shkretië
Me t’ardhmen e qeverisë shpëtimtare të Mehdi beut morën hov përsëri njato tri ryma; porse me ndrimin e rrethanave ndruen edhe koncepcjonet dhe lufta ndermjet Pleqve dhe të Rijve u przië me sa e sa desiluzjojne t’idhta – nga të dyja anët -dhe flaka e saj u shue aty shpejt nga një lodhje shpirtnore dhe nga një rezignacjon tragjik e moral…
Lufta ndërmjet Pleqve dhe të Rijve ka marrë fund përgjithëmonë…
Lufta ndërmjet pleqve dhe të rijve – nga mosha – ka per të vazhdue simbas ligjëve t’amshueme – (dasht Zoti!) – deri në mbarimin e botës…
Por lufta, ma e rrepta që e pret djalërin shqiptare asht ante portas! Kjo luftë dallohet nga tjerat nëpër drejtimin e saj kundrejt një anmiku të padukëshem, por aqë ma të rezikshëm për qindresën e sajë e për shpëtimin e kombit. Lufta e ardhme asht luftë e djalëriës shqiptare kundra anmikut në zemer të vet, asht luftë mendsike krijuese kundra një mendsije destruktive, asht luftë botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errsine, asht lufta e Okcidentalizmes shqiptare kundra Orjentalizmes shqiptare…
Dy fronte anmiqsore e shkyjnë sot zemrën e Kombit t’onë. Asht mirë që t’i rrëfejmë djalëriës shqiptare se ku gjinden shatoret e llogoret e saja…
Orjentalizma shqiptare asht padyshim një sistem mendimesh, ndjenjash edhe instinktesh, si çdo sistemi tjetër jeteset, me një botëkuptim dhe filozofië të tijën. Dhe si dallohet dhe veçansohet secila filozofië e seicili botëkuptim nëpër disa pikëpamje karakteristike ashtu dallohet e karakterizohet edhe orjentalizma shqiptare neper disa shprehje symptomatike e jetëfilozofike.
Si ma të paren karakteristikë t’orjentalit shqiptar duhet t’a marrim proverbin e çdo çelepirgjiu të pashpirt – (një bonmot mjerisht që asht bâ bilè fjalë popullore!)
“Haja qenit, pija qenit
Edhe bjer’ karadyzenit!”
Orjentali shqiptar i pret të gjitha të mirat për vete – çelepir – nga të tjerët; bota për tê asht një burim i pashterrun mjetesh, qejfesh e lezetesh, të cilët aj i shfrytëzon me çdo mëndyrë e metodë, pa pyetë se ku nget e ku vret. Detyrë të ndershme apo sakrifica vetmohuese karshi botës përanë s’njef kurr jo, orjentali shqiptar. Përkundrazi ushujza orjentale, e pangijshme, i ngjitet trupit kolektiv dhe shoqnor dhe ja thith gjakun pa asnjë droje e skrupullë. Dhe në vend që t’u turpnonte për veprën shkatrrimtare të veten, orjentali shqiptar bahet edhe ma kryenalt, ma kapadají, ma qejflí…dhe i bje karadyzenit.
Orjentali shqiptar s’njef turp a mare, a ma mirë: aj s’ka cipë që t’i nxihet. Prandej karakterizohet edhe nga thanja -pothue popullore;
“Atje posht, ner ata ripa,
Her’ ma hipe, her’ t’a hipa!”
Orjentali shqiptar asht i zoti për të gjitha…turpet. Shet bab’ e nanë, dín e imán, besen e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e pervetem që t’i shkojë kungulli mbi uj, vetëm që mos t’i prishen telat e karadyzenit.
Idealet e orjentalit shqiptar janë kulltuku e llokma; për t’i sigurue vehtes këto të mira përdor aj çdo mjet: bâhet, kuer e do nevoja, edhe patriot e trathtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reakcjonar…e bilè edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet asht orjentali kryekëput renimtar, asht destruktiv…dhe bashkohet me të tjerët si njata ujq që vehen së bashku në pre…porse edhe si njata ujq që e shkyjn shokun e vet kur dobsohet apo plagoset udhës.
Sepse orjentali shqiptar i ka instinktet e ujkut monoambulant, t’ujkut tek. Dhe deviza e tij karakteristike që e percjell nër shtegtime të jetës asht – prap një thanje pothue popullore:
Kudo rafsha, mos u vrafsha!
me kuptimin: Ubi bene, ibi patria! Vendi, ku yshqehet dhe mâjet orjentali shqiptar asht Atdhe, asht vatan për tê. Jo sepse e don, por sepse e shfrytëson. Dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje dhe skrupullë. “Sepse u shkatrue një shtet, sepse u shprish një komb, sepse u rrënue një botë…ç’ka?”
“Après moi le déluge!”[2]
Dhe e kërkon e vërteta të deklarojm me kambëngulje që: kësi farë orjentalash gjinden si ner pleq si edhe ner të rij shqiptarë…
Porse e vërteta na detyron edhe per një konstatim tjeter per kah orjentalizma shqiptare! Asht një gabim i trash kur thohet shumë herë se orjentalizma na ka ardhë sefte nga Azia, apo nëpër religjonin mohamedan, apo edhe nga poplli tyrk. Jo, kurrsesi, orjentalizma e jonë âsht një dhanti (= darovë) fatale e kristianizmit, me gjithë që e një kristianizmi euro-aziatik…
Po spjegohemi!
Në të VIII-tin shekull -aty kah vjeti 740 mb. Kr., do me thanë 600 vjet para se me shkelë Turku n’Atdheun tonë -u bâ Shqipnia provincë e Bizantit, nën Leonin III., të quejtun Isaurios. Dhe nga ky despot i mnershëm u ngushtuen të gjithë shqiptarët me u da ngâ kisha romane (=okcidentale) e me u fundos ner labyrinthet e errëta të kishës bizantine (orjentale) s’atëherëshme. Por s’ishte aqë fort ndamja (skizma) kishtare sesa njaj shpirt i administratës bizantine, plot angth e myk, që u pllakos si një shpirtër e zezë, si një hieje murtaje mbi mbarë kombin shqiptar.
Se shka don me thanë “spiritë bizantine” e di pothue seicili që ka këndue ndopak ner fletët e historisë së kulturës dhe literaturën kulturëfilozofike. Na këtu po mjaftohemi tuej përmendë vetëm se byzantizma historike âsht po njëllojo me orjentalizmen shqiptare që u përshkrue mâ nalt. Shqiptari i shkret ja ka thith langun njasaj byzantinizme shkatrrimtare mrena 12 shekujve të kaluem -qysh nga vjeti 740 -dhe âsht kalbë dalëngadalë në trup e në shpirt të vet, tuj i u shprishë kësodore fuqitë e tija mâ të thjeshtat e mâ fisnike kolektive-kombëtare. Po, shqiptari, dikuer, ka qenë kolektivist e universalist; ka pasë një dashtnië të pervlushme dhe një besim të pafundt ndaj Zotat e qiellit e të tokës, ndaj vendin dhe trashigimin e të Parëve dhe ndaj vllaznit e vetë shqiptarë. Vala e nxehtë kolektiviste-aristokratike dhe drita e flakët politike-filozofike që dridhen edhe sot ner amanetet e pluhunosuna të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe ner sa e sa tradita malësore-shqiptare na lanë me kuptue naltsin shpirtnore dhe heroizmën vetflijuese të të Parëve t’onë dikuer.
Porse të gjitha njato vetijë, të nalta e ndrtuese-kolektiviste, shkuen dam e huq nëpër helmin shkatrues të byzantinizmes. Sepse shi në mbarështrimin shoqnor e politik, d.m.th. ner marrëdhanjet e shqiptarit me shqiptarin dhe ner marrëdhaniet e shqiptarit me shtetin, eprorët e tij u futë e u përhapë spirita byzantine si një epidemi renimtare dhe e deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit në një bollë amorfe e sysfingore. Genjusi i popullit ja ka gjetë mandej formulën karakteristike, tuej e kristalizue të gjithë filozofiën e saj, perfide e simahore, në thanjen shekullore:
Bugjun jarën!
Si i tha nënprefekti djalit të ri që po hynte rishtas kryetar komuneje! -“Biro, ato që ke mësue ner kurse e ner libra hidhi me nj’anë. Po deshte të jesh një nëpunës i mirë, të lavdohesh dhe të nderohesh, mbaje popullin me premtime. Sjelle vërdallë nga një ditë më tjetrën, deri sa të merzitet, dhe mos i kryej asnjë punë”
Qé shpirti bizantin, mikrobi i demoralizimit e i bastardhimit të kombit shqiptar; e qé edhe murtaja shpirtnore e sa e sa kombeve tjerë. Dhe në qoftë se Mohamedanizma heroike e dikuershme, në qoftë se kombi genjal arab dhe turmat hovplote e ngadhnimtare të Turkmenëve u shprishen shpirtnisht dhe ranë poshtë qysh para se me e pushtue Stambollin (1453), kuptohet vetem e pervetem nga fakti që njaj mikrob shkatrrimtar u infiltrue qyshë heret -qysh nga luftimet bizantine – arabe (720 e tëhu!) -ner zemra të tyne. Tyrkia e pastajme s’ka qenë tjeter veçse trashigimtarja dhe kujdestarja e miraz-it bizantin, dhe fesi i kuq – një krijesë greko-bizantine – u pranue si një symbol i atij trashigimi
Dhe s’âsht çudi që Ataturku genjal – me një gjest prap simbolik – e flaki fesin matanë dhe e shkëputi zemrën e kombit të vet, kryeqytetin, nga pellgu i miazmave pestilence të Stambollit.
Kaqë sa per stambollinjt e Shqipniës së sotshme – pleq apor të rij!
Sa per okcidentalizmën shqiptare âsht fort zor me bâ fjalë ner ne; sepse shqiptarët e sotshëm -(përjashtimet e vërtetojnë rregulln!) – gjinden aqë larg nga okcidentalizma e vërtetë sa do të na duheshin gjuhënat e meleq-ve apo edhe burizanat e Jeriho-s që të na kuptonte pak a shumë bota arbnore. Vet djelmnia e shkollueme e ka gabim kur kujton se okcidentalizma përmbahet vetëm ner veshje e mbathje evropjane, apo në të ndejunit plot kokwtytwsiw ner sallona, ner danse e “me kafè shantanta e balerina” (si thotë Patër Fishta), apor edhe me kryemjen e ndojë detyre pro forma sa me rëmbye një rrogë të majme etj. etj…(Na këtu, helbetè, po flasim me popullin xhahil dhe jo me engjikllopedistat e patentuem – dalun zoras nga ndonjë deriçkë universiteti “bon pour l’ Orjent!”
E prandej po i sjellemi edhe popullit dhe po i themi se okcidentalizma e vërtetë diftohet piksëpari në kryemjen e një detyre të ndershme – fund e maje për hatër t’asaj detyre dhe pa me qenë i shtyem nga zori, nga ndonjë dishir i prujtun apo nga shkëlqimi i ndonjë fitimi materjal. Bilè okcidentali i vertet karakterizohet nëpër mëndyrën se si aj i ngarkon vetes -fare vetdashas -dëtyrë të randa, jashta detyrëve ordinare e të domosdoshme. Heroizëm s’kërkohet prej askuej, porse lartësia morale e një okcidentali matet me graden e vetmohimit dhe vetflijimit rreth një ideje së naltë…rreth një ideje që s’ka punë me kulltuke, me llokma e me meashe
Si thotë gjermani Immanuel Kant? -“Vepro gjithmonë në një mëndyrë t’atillë që sjellja jote të jetë shembull dhe regullë mbarëvajtje per të gjithë!” Kështu flet imperativi kategorik, neni i parë i detyrës së përditëshme të një okcidentali…
Inglizi e lartëson vehten me një sjellje “gentleman like” kundrejt tjerëve dhe me parimin: “allways fair play!”, d.m.th. pranon, nderon dhe çmon çdo njeri a priori si të një grade me vetvehten…pa qellime e prapamejtime orjentale…
Francezi shtyhet edhe mâ tej dhe kërkon për çdo njerí: “…liberté, égalité, fraternité!…”
Dhe këto të gjitha kerkohen dhe detyrohen tek çdo njerí – i madh a i vogël, pasanik apo i vorfën, shkollar apor bilmez -jo neper premtime materjaliste apo neper friksime të ndonjë gogoli theologjik, por vetem e pervetem n’emën të një njerzimi të nalt (höheres Menschentum), i cili pështetet mbi njato të drejta hyjnore (ius divinum sive naturale) që kanë mbijë në zemrën e çdo njeriu – pak a shumë normal…
Dhe karakteristika mâ e flakshme e ndjenjave të një okcidentali âsht mu njajo dhimbje mëshire dhe flijëplote që drejtohet kundrejt çdo kreatyre nevojare -qoft këjo: njeri, shtazë, zog apo edhe një perdheskë e shkretë -por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjer, kundrejt çdo populli varfanjak…e mâ së forti kundrejt kombit të vet në rezik. Shpirti fisnik (der Adel) i një okcidentali (=njeriu) të vërtetë rrëfehet kryekput në mënyrën se si merr aj pjesë ner dhimbje e brenga të botës peranë…
Si thotë një Goethe për njeriun e vërtetë? -“Edel sei der Mensch, hilfreich und gut; denn das allein unterscheidet ihn von allen Wesen, die wir kennen!”[3]
Por nuk qe vetëm një Goethe e nuk qenë shokët e tijë, idealista e poetë, e nuk qenë as religjonet evropjane vetëm që predikuen per njat shpirt fisnik e të perdhimshemm. Jo, qysh para Goethe-s ka qenë anglezi David Hume, i cili larg çdo sentimenti fetar, kërkonte përhapjen e ndjenjave shoqnore-njerzore, i cili kërkonte një “fellow-feeling” ndërmjet të madhi e të vogli e ndërmjet zengjini e fukaraje. Mbas tij erdh prap një Adam Smith, një Saint Simon, një Charles Fourrier, një Robert Owen etj. etj., që tuj u pshtetë mbí të drejtat hyjnore-njerzore (les droits des hommes) kërkuen me e përhapë njat fellow-feeling edhe në sheshin mâ materjalistin e jetës sonë: në politiken ekonomike…
Mjerisht historia e ka dashtë ndryshe…dhe çereku i saj mu aty kah fillimi i shekullit të kaluem një rrokullitje të prapshme. Me zmadhimin e industriës dhe me hovin e tregtisë së pakufijshme u njallën në njerziën evropjane sa e sa dishire e epshe orjentale, u prmbysen Zotat e nderit e të pafajniës dhe bota okcidentale u përmbyt nga valët e kapitalizmit të “nalt” (Hochkapitalismus), të pashpirt e plot grykësië…Dhe pasojat e asaj prapavajtje i ndjen sot çdokushi dhe bilé fëmija në barkun e s’amës
Dhe s’âsht çudi që në kohën e fundit kanë fillue me u përhapë and-e-kand ideologiëna kolektiviste apo edhe etatiste-diktatorjale, të cilat duen ta bâjn shtetasin me pahir okcidental, shka don me thanë: të vlefshëm për vehte e për të gjithë!
Sepse kjo âsht e saktë: okcidentalizma e vertetë përmlidhet në kryemjen e përplotë së një detyre së përshtatshme shejtnisht me vetflijimin për nji idé të naltë shoqnore
Nga kjo pikëpamje âsht mâ okcidental gjandari shqiptar i detyrës, ushtari bilmez i rojës kufitare dhe bulku i shkretë dhjetarak…sesa nëpunësi e zyrtari i kafehaneve me një çarçaf dipllome “bon pour l’Orjent
Prandej e kanë gabim; bile gabim të trashë; kuer thonë disa se shkolla europjane të bân okcidental me doemos
Jo, kurrsesi! Duhet dijtë se edhe n’Europë nuk janë të gjithë okcidentala e të kulturuem. Mana n’Europë ka njerz (europjanë të lindun!), të cilët me gjithë shkolla të kryme, me deftësa, e doktorata, me diploma e dekorata shkencëtare janë (njerz) të poshtër e edepsëza, janë vagabonda e mashtrimtarë, e janë kriminela të dorës së parë. Bilé-bilé statistika kriminalistike na difton se krimet mâ të rafinueme e mâ të poshtra janë krye deri më sot nga njerëz me shkollë dhe jo aqë nga populli i pakënduem e xhahil
Të gjitha këto kuptohen nga fakti se shkolla a mâ mirë: mësimi i shkencave e shvillon shumë mâ fort intelektin se karakterin. Dhe meqenëse edhe n’Europë lindin njerz me karaktere të dobët, dhe meqenëse intelekti tërhiqet gjithmonë nga karakteri; ka edhe evropjanë që janë mjaft të zot ner shkenca e shkrime publike; por edhe mjaft të zot për çdo krim e poshtërsië orjentale
Dhe ngjanë edhe n’Europë që shumë herë diploma universitare paraqet vetëm një qyrk delmeje okcidentale mbi trup të një ujku orjental!…
Dr. Krist Maloki
Shkëputur nga “Hylli i Dritës, Vjeta 1937, 1”
- “Don Kishot i njëmendtë” ↑
- “Pas meje, u përmbyttë bota” ↑
- “Qoftë njeriu fisnik, bujar dhe i mirë, pasi vetëm këto veti e veçojnë nga qeniet e tjera” ↑