Disa dijetarë islamikë e quajnë ISIS-in fole të havarixhëve (al-Khawārij). Këta kanë qenë sekti i parë që u shkëputën nga kalifati i Aliut pasi ky i fundit pranoi të bënte marrëveshje me njërin prej armiqve të tij mbi të drejtën e trashëgimisë së kalifatit. Paralelizma të tillë përvijohen duke marrë parasysh faktin se havarixhët ishin grupi i parë që kërkuan heqjen e një kalifi përmes një kryengritjeje. Gjithashtu ata praktikonin takfirizëm shkarazi e pa ndërmjetësim.
Të bësh takfir do të thotë të përjashtosh një besimtar nga besimi duke e reduktuar atë në gradën e një felëshuesi, rrjedhimisht ai mund të vritet. Havarixhët besonin se besimtarët mund të dëbohen thjesht, nëse ata janë kundërshtarë të grupit, automatikisht konsiderohen si felëshues, gjithashtu nëse ata bien në mëkat, e njejta udhë ndiqet.
Idetë e kryengritjes dhe takfirizmit janë tipare të forta të krahut xhihadist të fondamentalizmit islamik, sepse nga njëra anë, fondamentalizmi kërkon kthimin e gjithë komunitetit mysliman mbrapa në “epokën e artë” të sundimit të kalifateve Rashidun e Umajad, ku siç e dimë pushteti kohor dhe ai shpirtëror ushtrohej nga një person i vetëm, udhëheqës i fesë dhe komandant i ushtrisë, kalifi.
Duke kuptuar më së miri se koha nuk kthehet mbrapsht me tiparet e saj të vjetra, fondamentalistët kanë zgjedhur të punojnë për arritjen e këtij qëllimi me metoda të reja, që janë të larmishme si në rastin e një xhihadizmi të armatosur, e si në rastin e subversionit politik. Në këtë pjesë të dytë e në atë pasardhëse do të merremi me xhihadizmin e dhunshëm. Fondamentalizmi kërkon çuditërisht të kthehet mbrapa nëpërmjet një fillimi të ri radikal, kjo e bën atë revolucionar në thelb. Të shkatërrosh mekanizmin modern me anë të mjeteve moderne.
Identifikimi i tipareve bazë të kryengritjes dhe takfirizmit nëpërmjet paralelizmave me sekte të vjetra si havarixhët, që në ditët e sotme përfaqësohen nga Ibadizmi i shtetit të Omanit, është i pamjaftueshëm për të kuptuar krahun xhihadist të fondamentalizmit apo edhe vetë ISIS-in.
Do të shkojmë ca më tutje, duke mohuar edhe mundësinë e përpilimit të një gjenealogjie udhëheqësish xhihadistë, pasi të gjithë i kemi dëgjuar nëpër lajmë si Bin Ladenin ashtu dhe Abu Bakr Al-Bagdadin. Në vend të narrativës mediatike që e konsideron lindjen e grupeve xhihadiste si një vijë e ndërprerë shpërthimesh ekstremizmi në lindjen e mesme dhe më tej, propozojmë një proces të pandërprerë zhvillimi dhe intensifikimi të aktiviteteve fondamentaliste në botën islame. ISIS nuk është një ngjarje e gozhduar arbitrarisht në kohë, e as rikthimi i përrallës nga e kaluara si një fantazmë profetike e parashikuar nga Muhamedi, përkundrazi, ISIS përfaqëson kulmin e zhvillimit të një ideologjie që zanafillën e saj e ka tek një mendimtar i shekullit të njëzet i quajtur Said Kutb.
“Besojmë se rregullat dhe mësimet e Islamit janë të kuptueshme, ato përfshijnë punët e njerëzve në këtë botë e në tjetrën…islami është një ideologji e një besim, një shtëpi dhe një etni, një fe dhe një shtet, një shpirt e një punë, një libër e një shpatë”
Këto janë fjalët e Hassan al-Banna, themeluesi i Vëllazërisë Myslimane (Jamāʿat al-Ikhwān al-Muslimīn). Teksa idetë e al-Banna gjejnë aplikim të gjerë politik, ato të Said Kutb frymëzuan breza të tërë xhihadistësh. Libri më i lexuar i Said Kutb titullohet “Shenja në Rrugë” (Ma’alim fi al-Tariq) i përkthyer në shqip nga Ymer Musa e i botuar nga shtëpia botuese Logos-A në vitin 1998.
Megjithatë Said Kutb famën më të madhe e mori pas vdekjes, ku librat e tij u pranuan gjeresisht nga Vëllazëria Myslimane.
Kutb mendonte se bota islame pa një kalifat, kishte rënë në mëkat të thellë, e se madje dhe myslimanët që e pranonin këtë situatë, nuk ishin nga ata të vërtetët. Kutb vendosi në piedestal një të “vërtetë” revolucionare.[1] Bota mund të ndahej vetëm në dy pjesë, atë të besimtarëve, dhe atë të dreqit. [2]
Ai gjithashtu pajtohej me doktrinën e al-Banna sipas të cilës kushdo që bëhet mysliman zëvëndëson besnikërinë e tij ndaj kombit me besnikërinë ndaj islamit në përgjithësi. [3]
Vetëkuptohet sesi ideja e Kutb për një grup të vogël revolucionarësh të cilët vetëm ata e dinë të vërtetën për shoqërinë e xhahilëve, dhe degradimin e muslimanëve pa kalifat në një gjendje xhahilzmi do të katapultohej dekada më vonë tek doktrina e Al-Qaeda dhe Bin Laden.
Ajo çka lihet shpesh në errësirë është se Kutb jo vetëm kërkonte luftë kundër shoqërive perëndimore, por edhe luftë kundër vetë myslimanëve, kundër udhëheqësve shekullarë të myslimanëve në lindjen e mesme, sepse sipas tij edhe këta udhëheqës së bashku me partitë e tyre ishin larguar nga rruga e të vërtetës duke e nxjerrë sheriatin jashtë kuadrit ligjor të shteteve përkatëse. Po kamikazet?
Historia e kamikazeve është më e ndërlikuar. Sulmet e para kamikaze u bënë nga një organizatë shiite, Hezbollahu. Cilësoheshin si taktikë e mirë për të frikësuar armiqtë. Më vonë këto sulme filluan të përdoreshin nga Hamas në Intifadën e dytë kundër Izraelit.
Aty nga fundi i shekullit të njëzet Abdullah Yusuf Azzam, një dishepull i Kutb themeloi Al-Qaedën së bashku me Osama Bin Laden. Të tjerat dihen. Slogani i tij “Vetëm xhihad dhe pushkë” e globalizoi xhihadin, prandaj ai sot njihet si “Babai i Xhihadit Global”, edhe pse idetë e tij erdhën nga diku tjetër.
Azzam ishte një revolucionar i devotshëm, i devotshëm ndaj revolucionarizimit të edhe vetë termit “xhihad”, që nuk do të kufizohej më në suaza kombëtare, por do të kthehej në një revolucion global kundër xhahilëve. Ide paksa e ngjashme me revolucionin komunist, apo jo?
- “Islami nuk do t’ia dijë për etiketat dhe titujt të cilat kjo shoqëri ka adoptuar; ato kanë një gjë të përbashkët, jeta e tyre nuk bazohet tek nënshtrimi i plotë ndaj Allahut. Në këtë kontekst, ato kanë të njejtat karakteristika si një shoqëri politeiste: karakteristikat e xhahilëve.” – Shenja në Rrugë nga Said Kutb. Faqe 106 ↑
- “Në këtë botë ka vetëm një grup që i përket Allahut, të gjitha grupet e tjera janë të dreqit dhe të rebelimit.” – Po aty. Faqe 130 ↑
- “Islami themelon vetëm një marrëdhënie që lidh njerëzit së bashku përpara Allahut, e nëse kjo marrëdhënie themelohet fort, atëherë të gjitha marrëdhëniet e tjera të themeluara tek gjaku, eleminohen” – Po aty. Faqe 130 ↑