Përkujtesë

Partia Demokratike u vendos në dy dhomat e katit të parë të ndërtesës 15 në Qytetin Studenti. Shokët Arben Imami dhe Azem Hajdari fjetën në zyrë për dy javë. Studentë dhe anëtarë themelues u turrën nëpër Tiranë për të rekrutuar të afërm, kolegë dhe miq, për 300 firmat e nevojshmë me ligj për të regjistruar një parti. Studenti Shinasi Rama supozohej të firmoste si i katërt. Simbolikisht ai firmosi si i trembëdhjetë, teksa ndiente që pjesëmarrja e tij në grup do ishte jetëshkurtër.

Tre javë më vonë Rama ishte i pari që braktisi PD-në, duke argumentuar që formacioni kishte tradhtuar idealet e lëvizjes. Dymbëdhjetë vjet më vonë, në apartamentin e tij ne Nju Jork, Rama tha që Pashko dhe Berisha kishin bërë punët e pista të Ramiz Alisë, duke krijuar një opozitë të kontrolluar. Ai më vonë gjithashtu foli për planin e madh të Ramiz Alisë sipas të cilit studentët do të ngrinin krye duke kërkuar njëfarë pluralizmi, të ndjekur nga legalizimi i një opozite me lojalistë në krye. “Shndërrimi i lehtë do t’i konvertonte komunistët në kapitalistë, por pushteti do të qëndronte tek familja dhe tek kasta”, shkruante ai. “Strategjitë tona të vjetra kanë marrë fund, për hapa të rinj nuk kishte model”, thoshte Sofokli Lazri, këshilltari me influencë i Ramiz Alisë. Në të njejtën kohë, Lazri që vdiq në 2002-shin, më tha që Alia dhe kryesia e partisë u përpoqën të bënin një “shpërngulje të influencës” të cilën ai e shpjegoi më nënqeshje si përdorimi i pushtetit të  dikujt për të mbështetur dikë tjetër.

Teksa mbetet e paqartë se sa ia doli Ramiz Alia për të implementuar një “shpërngulje të influencës” nëpërmjet një skeme te koordinuar, e nepërmjet një plani të madh që në ato ditë të rrëmujshme dukej i pashpresë, ai të paktën ndihej i lehtësuar që figura të njohura kishin marrë drejtimin e opozitës, dhe që këto entitete nuk ishin forcat tradicionale anti-komuniste të cilave ai u frikësohej, kombëtaristë, apo monarkistë, as protestues të egërsuar të rrugëve. Përkundrazi, Partia Demokratike udhëhiqej nga intelektualë të lidhur me regjimin. Atyre mund t’u zihej besë.

Mbledhja e treqind firmave për regjistrimin e PDs u bë me vështirësi. 80.000 njerëz kishin brohoritur formimin e partisë, por shumë pak ishin të gatshëm për ta vënë emrin në letër. Procesi deshi katër ditë, dhe kërkoi firmat e 103 studentëve. Zgjedhja e kryesisë ishte akoma më e vështirë. Në një votim të hapur e të improvizuar më 13 dhjetor tek kinemaja e Qytetit Studenti, grupi krijoi një “Komision themelues” me 22 anëtarë, përfshirë këtu shtatë studentë dhe një grua.

Mbledhja e parë e Komisionit Themelues u bë menjëherë pas votimit. Arben Imami, Azem Hajdari dhe Sali Berisha u ulën në krye, dhe profesori 29 vjeçar i filozofisë Eduard Selami shërbeu si sekretar, pozicion të cilin do ta mbante në katër vitet e ardhshme. Komisioni formoi komitete për të organizuar njerëz nëpër rrethe, për të elaboruar platformën politike, dhe koordinuar marrëdhëniet me mediat, kontaktet e huaja dhe financën. Azem Hajdari u zgjodh unanimisht si udhëheqës i përkohshëm.

Aleksandër Meksi dhe Genc Ruli u vunë në krye të përmbushjes së statutit të partisë, duke përdorur statutin e Partisë së Punës si doracak “Atje ku ata thoshin po, ne thoshim jo”, kujton Ruli. Dikush në Zvicër u dërgoi me faks statutin e Partisë së Gjelbër të Kosovës, por vetëm gjysma e faksit mbërriti.

Më 15 dhjetor, Gramoz Pashko, Azem Hajdari dhe Genc Ruli ia dorëzuan statutin e partisë dhe treqind firmat ministrisë së drejtësisë. Dy ditë më vonë PD mbajti konferencën e parë për shtyp. Njëqind gazetarë dhe spektatorë, përfshirë disa anëtarë të shtypit të huaj, u ulën në karrige të rreshtuar këndshëm, teksa Preç Zogaj, një anëtar i komitetit të medias, dhe folësi i partisë Genc Pollo, një historian i ri që fliste anglisht, gjermanisht dhe italisht, iu adresuan turmës. Teksa flisnin, një gazetar nga radiotelevizioni shtetëror u turr në dhomë dhe i dha Zogajt një copë letër. “Ndaloni, kemi një lajm të rëndësishëm…PD është legalizuar!” Zogaj deklaroi me kënaqësi.

Turma shpërtheu në duartrokitje dhe brohoritje “Liri, demokraci!” veprimtarët e PDs përqafonin njëri-tjetrin me gëzim dhe disa nga ta qanë. Ky afrimitet nuk zgjati shumë.

Më 23 dhjetor PD mbajti mitingun e parë si parti e ligjshme. Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin Demokratik të Qytetit Studenti. Themeluesit e partisë qëndruan në një skenë të vogël, para një tabele të madhe në të cilën shkruhej “Rroftë Demokracia”, shumica prej tyre vishnin pardesy të bardha, uniforma e re klasës politike të re.

Aleksandër Meksi lexoi një telegram nga partia më e madhe Shqiptare në Kosovë, LDK, duke sinjalizuar një marrëdhënie ndërmjet dy partive që luajti një rol në politikat e ardhshme.

Dy javë më vonë PD botoi gazetën e parë opozitare të vendit, Rilindja Demokratike. Gazetarët e rinj të Tiranës punonin ditë e natë nga një zyrë e vogël me një karrige, një tavolinë, dhe një makinë shtypshkrimi. Për herën e parë në pothuaj pesëdhjet vjet Shqiptarët zotëronin një alternativë ndaj organeve të partisë komuniste dhe grupeve të saj satelit.

“Nuk mund t’a merrni me mend kënaqësinë tonë kur pamë gazetën e parë opozitare në Shqipëri”, tha Blendi Fevziu, njëri prej gazetarëve të rinj të gazetës që u bë personalitet televizioni më vonë. Gazeta shitej zyrtarisht për një lek por kopje të shkëmbyera dorë-më-dorë e dhjetëfishonin sasinë e leximeve. Në vazhdimësi me qëndrimet e kujdesshme të PDs, gazeta respektonte Ramiz Alinë dhe përqëndronte kritikën e saj tek burokracia. “Rilindja Demokratike tregohej e kujdesshme” më tha Frok Çupi, redaktor krysor i gazetës “Ne nuk i sulmonim komunistët, as Hoxhën”.

“Ai ishte një perëndi Shqiptare, nëse do merreshim me ato punë, do të kishim humbur çdo gjë”. Një çështje veçanërisht e ndjeshme ishte fati i të burgosurve politikë – pakashum një mijë ndodheshin pas hekurave. Si Opozitë anti-komuniste PD duhej të kishte kërkuar lirimin e tyre, por disa nga kryesia e partisë thoshin se lirimi i të burgosurve do të provokonte elementët konservatorë të regjimit. Frika e tyre e patreguar ishte që as qeveria e as opozita nuk kishin influencë mbi këta njerëz të persekutuar e të përjashtuar.

Disa vinin nga familje të respektuara me kredenciale të forta anti-komuniste; ata sillnin një kredibilitet moral që kryesia e kompromentuar e PDs nuk e zotëronte. Në fund, PD bëri thirrje për lirimin e të burgosurve politikë duke i pranuar ato në parti. Por Gramoz Pashko, Berisha e të tjerë, nuk i dhanë shumë vëmëndje vuajtjeve të tyre, duke iu shmangur bisedave për rehabilitim dhe kompensim. Rilindja Demokratike i nxirrte shumë rrallë deshmitë tragjike të arrestimeve, deportimeve dhe ekzekutimeve. Në këtë pikë demokratët dhe komunistët ishin dakort: asnjëra palë nuk donte të përballej me të shkuarën e tmerrshme.

Shkëputur e përkthyer nga libri “Modern Albania: From Dictatorship to Democracy” me autor Fred Abrahams

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020
  • Post author:
  • Post category:Huazime