Po e nisim këtë botim të katërt të veprës sonë mbi “Tekstet shqipe, e ekzistencën dhe përdorimin e tyre” me emrin e të famshmit qytet të Krujës i cili del në dokumentet mesjetare mbi Shqipërinë që në pjesën e dytë të shek IX, në përmbledhjen e parë shumë të rëndësishme të dokumenteve mbi Mesjetën Shqiptare, bërë nga tri autoritete nga më të njohurat në lëmin e albanologjisë. E nisim me emrin e Krujës, po përmbledhja AD është e pasur, në të dy vëllimet që arritën të botohen prej saj, edhe në onomastikë, e pakta që nga viti 1081, kur emri i vendit tonë del nën trajtën që ai u përdor nga vendësit vetë, Arban, duke gjetur në atë përmbledhje edhe vetë emrin e sotëm të banorëve, më 1368, nën trajtën Shcepudar.
Në Sinodin Fotinian e Fotiusi ose Foti ishte patrik i Konstantinopolit në vitet 858-95, me ndonjë interval, e sinod, që u mbajt në kryqytetin e Bizantit, e ku morën pjesë edhe tre peshkopë nga Shqipëria, ai i Durrësit, Lukiani, ai i Stefaniakës (Mati), Kozmai, dhe ai i Krujës, Davidi. Dokumenti, greqisht ka qenë dëmtuar dhe emrit të Krujës nuk i lexohet gërma e parë, po botuesit e AD I, 48, 57, e kanë stabilizuar dhe stabilizimi i tyre është pranuar përgjithësisht (shih ndër të tjerë Farlati VII 35; Sufflay, Stadte 18; Çabej, SGj I 292, “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, me bibliografi; nga ne “Leksiku” parabuzukjan, në SF 1981, nr.2, 166).
Pra trajta e parë që kemi nga emri i Krujës, është ajo me “o” siç gjendet shpesh ndër dokumente edhe më pas. Duke folur për këtë trajtë, Çabej po aty shkruan se “plurali kronj, kronje dëshmon për një singular kron. Ky plural te Budi është kroene, sot Kroenëzat pranë Reçit në Malsi të Madhe”. Sot emri i pashquar Krua, Krue, i shquar bëhet Kroi, Kroni; dhe në shumës, Krojet, Kronet. Çabej, po aty, diskuton mbi etimologjinë e fjalës dhe përfundon se “gjithsesi mund të kemi të bëjmë me një fjalë të burimit indoevropian”. Është fjalë e mbarë gjuhës dhe i përket fondit bazë të shqipes. Po japim, kronologjikisht, disa nga emrat e vendeve dhe të personave shqiptarë me të cilët janë të pasur AD (shifra e parë tregon vëllimin, e dyta vitin).
“Arbanon”, sipas Ana Komnena IV 8 dhe XIII 5, “si thuhet dhe në Shqipërinë Mesjetare, p.sh. te Gjon Buzuku XVIII, IV: “gjithë popullinë e kërshtenë ndë Arbanit”. Që më 1166, kjo trajtë del në vend, në emrin e peshkopit të Arbërit, “Lazaro episcopo Arbanensis”. Më 1208, princi i Arbërit quhet Demetrio Arbanensi principi”.
Më 1621, Pjetër Budi ka për të përdorur trajtën me “ë” “upeshkëpi cë Arbënit”, trajtë që ka për t’u përgjithësuar por pa u zhdukur trajta me “a”, të cilën e dëgjojmë edhe sot tek emri i fshatit “Arbana” pranë Tiranës. Historikisht së pari, emri i popullit tonë, del nën trajtën “Albanoi”, më 1043, te historiani bizantin Mihail Ataliati, po kjo trajtë me “I” ka dalë që në shek. II te gjeografi aleksandrin, Ptolemeu, për fisin ilir “Albanoi”, është po ajo trajtë siç e thoshin të huajt. Po që në shek. VI para erës sonë, gjeografi dhe historiani grek Hekateu i Miletit përdorte trajtën “Abroi”, për një fis ilir të viseve tona, e metatezuar, ajo është “Arbër”.
“Vrecus” dhe “Briego” (breg I 1210), Bardanes (bardhan, I 1218); Bracca (brraka, I 1271). Blenisti (i:e, si në Mirditë, Blinishti I 1272); Bucus (buka, I 1273). Gropa (I 1273). Clange (qengji, I 1274). Lallmi (I 1275). Bessosia (bësëziu I 1279). Vogliq (i 1288). Lecenis (lëqeni I 1304). Spata (Shpata I 1304). Bardus (bardhi I 1321). Katuna (I 1322). Burmad (burrëmadh, I 1335). Cereto (qerret I 1335). Grkinja (gërqinja I 1335). Mira (I 1335). Der (derr I 1335). Barda (I 1336). Bisti (bishti II 1343). Kudsi (kudhësi II 1348). Kruimada (kryemadhi, II 1348). Kastrioti (II 1368).
Schepudar (shqipëtar II 1368). Është shkruar edhe Schipudar që afrohet dhe më shumë me fjalën e sotme; dhe Schapudar, dhe Scaputare, respektivisht 1383, 1402, 1442, përherë në Drisht. Për herë të parë “shqipëtar” si emër i popullit që nis të zëvëndësojë emrin “arbër” haset te “Concili provinciaali” (bot. shqip 1706, 105 “Kuvendi i Arbërit”): aty flitet për “giuhën e Shqipëtarëvet” në origjinal “Schippetarevet”.
Ndërsa emrin e vendit Shqipëri e gjejmë për herë të parë në fund të shek XVIII, në gojën e bejtexhiut kolonjar Hasan Zyko Kamberi si një shumës, ende për emër të popullit. Kështu gjejmë në Veri, më 1836 për herë të parë “Shkyptari” si emër populli, i cili gjatë shek. XIX, do të zëvëndësohet me “Shqypni”.
“Lepore (II 1369), Busolatus (buzëlatë, II 1372). Çogi (zogi, zogu II 1380). Trimovich (II 1382). Mur (II 1388). Pirg (II 1388). Pronia (II 1400). Uljar (ujar II 1395). Samarixiis (samariq, II 1395). Glieraglati (gjeregjati, II 1401). Fundina (II 1402). Arbenexi (arbëneshi II 1455).” Etj.
Shkëputur nga libri “Tekstet Shqipe dhe Shkrimi i Shqipes në vitet 879-1800”
This blog post has been Digiproved © 2020