Reforma agrare: Nga Noli tek Qeveria e Stabilitetit Kombëtar. Pjesa I.

Prona është vetë jeta. Ose të paktën një aspekt kyç i zhvillimit të një kombi. Pjesëtimi I tokës përgjatë historisë Shqiptarë ka marrë forma të shumëllojshmë të cilat përbashkohen në një pikë të vetme: Ngahera ky pjesëtim ose shpjesëtim siç do tregojmë më poshtë,I ka vënë vulën instalimit të një dinamike shoqërore  apo një tjetre, që me forcën e përmbysjes, sakaq më tepër për hir të pushtetit sesa të kombit, i ka dhënë formë të ardhmes së Shqipërisë.

Kujtesa e shkurtër është mallkimi I Shqiptarit, helmi që gëlltisim përditë është paaftësia ose mosdëshira e të mbajturit mend të së kaluarës. Shtuar kësaj, një pushtet dinak kërkon një popull të paaftë, dembel e të lodhur. Prandaj në Shqipëri e ardhmja do jetë gjithmonë në rrezik nëse e kaluara nuk na shërben si mësim.

Pra le të kujtojmë, sesi njëherë e një kohë, në Shqipëri pati disa rrymë e frymë, të së ashtuquajturës reformë agrare,  të cilat premtuan disa herë emancipimin e një klase, zhvillimin e një kombi, dhe në fund ndërsyen babain kundër të birit e vëllain kundër vëllait.

Shqipëria ka qenë historikisht vend agrar. Deri në shpalljen e Pavarësisë  në vitin 1912, dinamika shoqërore  përbëhej më së shumti nga pronarë të mëdhenj tokash – të mbiquajtur latifondistë, fshatarë me pak tokë, dhe fshatarë pa tokë që detyroheshin të punonin në tokat e latifondistëve. Kjo klasë pronarësh të mëdhenj, që quheshin me qësendi shpesh “agallarë” e “bejlerë” ishin grupe individësh të cilët I kishin shërbyer interesave të Perandorisë Osmanë – e cila mëpastaj I kishte shpërblyer me lloj-lloj ofiqesh.

Perandoria Osmane dështoi në procesin e industrializimit. Aty nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, i Sëmuri i Bosforit mbahej gjallë nga fuqitë e mëdha, kryesisht Britania që kërkonte një kundërpeshë. Kështu edhe Shqipëria nën hyqmin e Perandorisë Osmane e humbi shansin e industrializimit duke mbetur kështu po ajo ekonomi mbi 90% agrare dhe blegtorale. Praktikisht Shqipëria kishte ngecur në baltë kurse vendet e tjera  të asaj kohe zotëronin fuqi të pallogaritshme ekonomike dhe ushtarake.

 – Nga Ismail Qemali tek Noli.

Qeveria e Ismail Qemalit as nuk u përpoq të trondiste rendin e vjetër. Shqipëria dukej si një parcelë feudale, toka e së cilës ishte e ndarë vende-vende në zotërim të pak familjeve të mëdha. Tokat e latifondistëve nuk u ndanë në popull, vetëm çifligjet shtetërore kaluan nga zotërimi Osman, në zotërimin e shtetit –foshnjë, Shqiptar.

I vetmi që premtoi një reformë agrare ishte Noli. Vënia në zbatim e Revolucionit të Qershorit parashikoi edhe ndarjen e tokës për fshatarët pa tokë. Megjthatë Noli i gjendur përballë shumë zjarresh, përpiloi thjesht një shpronësim të çifligjeve shtetërore, dhe jo shpronësim të pjessshëm apo të plotë të pronarëve të mëdhenj të tokave. Dekreti i Nolit ua jepte fshatarëve tokën falas, me kusht që ata t’ia paguanin vlerën e saj shtetit pjesë-pjesë. Për pasojë, fshatarët nuk mund ta jepnin me qera tokën apo ta shisnin pa ia kthyer vlerën e saj në lek shtetit. Reforma agrare e propozuar nga Noli ngeli gjerësisht e pazbatuar.

– Mbreti Zog

Çuditërisht, ishte Mbreti Zog ai që premtoi shpronësim të pjesshëm të tokave të latifondistëve, në të mirë të fshatarësisë Shqiptare. Ky hap i guximshëm u bë me qëllim zhvillimin e një klase kapitaliste në vend. Edhe pse Reforma Agrare e propozuar nga Zogu përqëndrohej kryesisht tek shpronësimi i çifligjeve shtetërore, nuk mungonte një klauzolë për shpronësim edhe pse të pakët, të pronarëve të mëdhenj. Zogu gjithashtu u mundua t’i detyronte pronarët e mëdhenj për t’u kujdesur për tokën, përndryshe edhe ajo që mbetej do të shpronësohej nga shteti. Mjafton të themi që shpeshherë Zogu e përdori këtë klauzolë si kërcënim ndaj familjeve të mëdha me të cilat ai ndodhej në konflikt, por ashtu si çdo reformë tjetër agrare e propozuar nga një pushtet i butë, edhe kjo mbeti e pazbatuar në masë.

– Monizmi

Me mbërritjen e Komunizmit në Shqipëri, në shtetin ende agrar hyri Ideologjia, por edhe Kërbaçi. Sado negativ, shteti Shqiptar tashmë udhëhiqej nga një ideologji e cila e pajiste të ardhmen e Shqipërisë me një vizion të shtetit. Vizioni i cili duhej zbatuar pavarësisht pengesave. Kështu në vitin 1946 nisi të zbatohej me anën e kërbaçit Reforma Agrare. Slogani  fillestar i komunistëve ishte “Toka i përket atij që e punon”. Megjithatë fshatarësia Shqiptare e cila në këtë situatë luante një rol të dyfishtë, shumë shpejt do zhgënjehej. Roli i parë që i delegohej fshatarësisë ishte për nga natyra pragmatik. Komunizmit të ardhur në pushtet me dhunë e jo me konsensus, i duhej një mazhorancë në popull për të legjitimuar pushtetin e saj. Këtë mazhorancë e gjetën tek fshatarësia, masa më e madhe popullore që kushtëzohej nga një mungesë zotërimi të mjeteve të prodhimit. Roli i dytë ishte ai ideologjik. Nga hiri i fshatarësisë do të lindte proletariati. Në terma ekonomikë kjo përkthehej në një tranzicion ekonomik të vendit nga ekonomia e orientuar nga bujqësia e blegtoria, tek një ekonomi e orientuar nga industria.

Ekzistonte një paradoks i qartë: Komunizmi ishte ideologjia e klasës punëtore, Shqipëria nuk e zotëronte një të tillë. Prandaj sistemi në një mënyrë a një tjetër, përmes fabrikimit të konsensusit do të krijonte klasën punëtore në Shqipëri. Duheshin paqtuar fshatarët për t’i hapur udhë proletarizimit të vendit, dhe më pas një kolektivizimi të mëtejshëm i cili do t’a reduktonte tokën e fshatarësisë deri në pikën e shterimit të saj në disa parcela të vogla, në disa kopshte private. Kështu, Monizmi e ktheu orientimin ekonomik 180 gradë. Në vitin 1950 industria përbënte 23.1% të  GDP-së, kurse bujqësia, 60.1%. Tridhjetë vjet më vonë industria përbënte 59.2% të GDP-së, kurse bujqësia, 23.4%. Kur erdhi koha për kolektivizim të mëtejshëm, fshatarët preferuan më mirë t’i thernin bagëtitë sesa tua jepnin fermave shtetërore. Ekonomia e vendit udhëhiqej tërësisht me dorë të hekurt. Shteti thoshte fjalën e fundit. Toka e dhënë dikur fshatarit për përdorim, ishte vetëm një kujtim I largët, E zëvëndësuar nga kooperativat dhe fermat shtetërore.

Burime: Vjetari Statistikor i Shqipërisë, 1991.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020