- Arsimi i Lartë në Shqipëri para viteve 90
Në përgjithësi ekziston një mit sipas të cilit arsimi gjatë regjimit komunist ka qenë më superior se sa i sotmi. Edhe pse kjo mund të ketë baza faktike, e vërteta është se ndryshimi i periudhave kohore dhe vetë historisë që ka kaluar Shqipëria ka një rol shumë të rëndësishëm.
Me ardhjen në pushtet të partisë komuniste, populli shqiptar në raport me arsimin ishte shumë mbrapa krahasimisht me vendet e tjera. Rreth 85% e popullsisë ishte analfabete në atë kohë dhe është e vërtetë se përpjekja që bëri partia në atë kohë për ta luftuar këtë fenomen ka qenë kolosale dhe efektive pasi rreth viteve 80, ky fenomen ishte zhdukur thuajse plotësisht. Gjithashtu nuk mund të vihet në diskutim përpjekja kolosale që bëri regjimi komunist në zgjerimin e arsimit në vend përfshi këtu ndërtimin e shkollave dhe përgatitjen e stafit që do edukonte brezat e ardhshëm. Kjo u realizua përmes vënies në fuqi të Reformës në Arsim që ndodhi në vitin 1946 e që shpalli arsimin të detyrueshëm. Deri në vitin 1953 numëroheshin në total 15 shkolla të ulta profesionale, 24 të mesme teknike e pedagogjike dhe 6 shkolla të larta. Sipas një studimi zyrtar të Bankës Botërore në vitin 2006 numëroheshin 700 mijë shqiptarë të cilët ndiqnin arsimin e mesëm dhe 40 mijë mësues. Ishte e qartë se theksi ishte vendosur në formimin e përgjithshëm dhe se krahasimisht me vendet e tjera Shqipëria mbetej ende mbrapa në arsimin e lartë. (Duro, 2012).
Arsimin e lartë mund ta frekuentonin të gjithë ata që kishin marrë diplomën e pjekurisë. Përveç atyre studentëve të cilit kishin arritur rezultate të shkëlqyera gjatë shkollës së mesme, të gjithë të tjerë ishin të detyruar që të kryenin një provim përpara profesorëve dhe vlerësimi bëhej sipas sistemit me pesë nota. Gjithashtu pjesë e arsimit të lartë ishin organizime vullnetare të cilat kishin si qëllim përfshirjen e studentëve në shoqëri dhe nevojat që paraqiteshin. Edhe pse kjo tregon për një bosht ideologjik komunist që indoktrinohej tek të gjithë studentët si pjesë e edukimit, kishte edhe vlera pozitive pasi përfshirja në punë komunale ndihmoi të gjithë shtetin e prapambetur shqiptar të asaj kohe që të zhvillohej.
U ndërtuan shumë rrugë, hekurudha, toka pjellore vetëm nga kontributi i studentëve dhe kjo pavarësisht se buronte nga një ideologji komuniste ndihmoi në përmirësimin total të shtetit. Synimi ishte forcimi i disiplinës së vetëdijshme dhe të gjithë punonjësit dhe studentët e kishin detyrim zbatimin korrekt të disiplinës, shkelja e së cilës dënohej deri në përjashtim nga shkolla apo edhe burgim. Hedhja e bazave të institucioneve të arsimit të lartë kishte si synim përgatitjen e specialistëve në fushën e ekonomisë, kulturës, historisë, inxhinierisë etj. Pra po hidheshin bazat e edukimit të studentit për ta përgatitur atë që të bëhej një qytetar i përgjegjshëm i cili do ti shërbente popullit dhe atdheut në përfitim të të gjithë Shqipërisë (Kambo, 2005).
Sigurisht që të gjitha këto flasin për një brumosje të madhe ideologjike të popullit shqiptar qysh prej periudhës së arsimit. Lëndë bazë ishin edhe ato të filozofisë marksiste dhe tek lëndët me karakter shoqëror shihej qartë një indoktrinim komunist. Ato lëndë të cilat kishin karakter më shkencor edhe pse disi më të shkëputura nga ideologjia marksiste, plotësoheshin përmes shërbimit të detyruar që kryenin të gjithë studentët duke mos shpëtuar askush nga kjo brumosje ideologjike. Detyrimi shoqëror që kishte çdo shqiptar kundrejt popullit dhe atdheut të tij kishte një rëndësi të lartë në atë periudhë dhe vetë lëndët dhe degët e arsimit të lartë ishin të orientuara drejt plotësimit të atyre fushave për të cilat kishin më tepër rëndësi në atë periudhë kohore. Ishte e qartë për udhëheqjen se brezat e ardhshëm do të ishin ata të cilët do të merrnin përsipër sfidat dhe zgjidhjen e tyre në shërbim të të gjithë shtetit.
Me gjykimin që ne sot mund ti bëjmë asaj periudhe, është e qartë se brumosja ideologjike komuniste ishte diçka jo demokratike dhe ndikonte tek liria e popullit. Por nëse shohim kontekstin historik në të cilin gjendej Shqipëria në ato vite, bëhet disi më e kuptueshme tendenca e brumosjes ideologjike. Ishte pikërisht ajo ideologji e cila frymëzoi popullin e atëhershëm shqiptar që të ndërtonte Shqipërinë. Ishte pikërisht kjo ideologji dhe sistem i hekurt që u formua që bëri të mundur kalimin e shtetit Shqiptar nga një vend blegtoral në një vend industrial dhe blegtoral, duke ndërtuar rrugë, duke vendosur hekurudha, duke furnizuar akoma edhe fshatrat më të humbur me elektricitet si dhe lufta e jashtëzakonshme që u bë kundër analfabetizmit në edukimin e përgjithshëm të shtetasit shqiptar.
Në këtë kontekst, mund të argumentojmë se studentët në atë kohë kishin një ide pozitive për shkollimin pavarësisht rreptësisë fenomenale apo fuqisë ideologjike që propagandohej në atë kohë. Ata e ndienin dhe e përjetonin ndërtimin e shtetit Shqiptar. Kuptonin se kishin një rol të rëndësishëm në formimin e të ardhmes së Shqipërisë dhe se formimi i tyre kishte një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për përmbushjen e kësaj ëndrre të përbashkët. (Golemi&Misja, 1987)
Sigurisht që përtej frymëzimit ideologjik të përbashkët, kishte edhe përfitime personale. Ishte e qartë se një specialist i cili kishte mbaruar arsimin e lartë merrte një pagë më të madhe se sa dikush që kishte mbaruar vetëm arsimin e mesëm. Gjithashtu rritej edhe pozita shoqërore tek e cila ai merrte pjesë, gjë e cila ka qenë mjaft e rëndësishme në atë kohë. Por më e rëndësishmja nga të gjitha, ishte fakti që shteti komunist i asaj kohe garantonte në mënyrë të padiskutuar punësimin e dikujt që kishte mbaruar arsimin e lartë, diçka e cila lë me gishte në gojë shtetin e sotëm pavarësisht tendencave të evropianizimit që janë bërë qysh prej rrëzimit të sistemit komunist. Ishte e garantuar në kohën komuniste për këdo që mbaronte arsimin e lartë që mund të zinte një punë në shtet dhe me një rrogë të kënaqshme për atë kohë. Ky sigurisht që ishte një motivim më tepër për studentët që të përfundonin edukimin e tyre pasi kështu do mund të garantonin të ardhmen e tyre e të familjes së tyre. Pozita shoqërore që kishte një person i cili kishte mbaruar arsimin e lartë, ishte e një rëndësie të madhe për atë kohë.
Më poshtë do paraqesim një tabelë e cila tregon rritjen e numrit të studentëve në raport me arsimin e lartë në Shqipëri.
Në vitin 1946/7 raportuan 53 studentë; në 1950/1=208 (ose 304); 1952/3=391; 1954/5=1429; 1955/6=1595 (ose 3411); në 1956/7=1923; 1960/1=6700 (ose 6703); në 1962-63=11,687; në 1970/1=25469. Shifrat tregojnë një rritje vjetore mesatare prej 123%. Ndërsa nga viti 1994-2012 rritja mesatare ka qenë rreth 11% për të gjithë sistemin, me variacione mbi 17% gjatë 2003-2007. Ndërsa arsimi privat ka pasur një rritje mesatare deri në 80% (sot zë rreth 21% të numrit të studentëve).
2. Papunësia dhe Arsimi
Punësimi konsiderohet si një nga sfidat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe luan një rol veçanërisht të rëndësishëm në ato vende të cilat kanë kaluar tranzicionin e sistemit komunist ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kalimi i një ekonomie plotësisht të centralizuar në atë të tregut të lirë si dhe ndryshimet politike që ndodhën pas viteve 90 në Shqipëri sollën ndryshime të mëdha e të rëndësishme në tregun e punës. Grupmosha që e vuajti dhe vazhdon ta vuaj këtë ndryshim janë të rinjtë tek të cilët shfaqet më tepër fenomeni i papunësisë.
Siç e përmendëm edhe në nëntemën e mësipërme, nga vitet 1945-1990, punësimi garantohej nga shteti dhe ky ishte argumenti kryesor i cili vërteton tezën se perceptimi mbi universitetin gjatë regjimit komunist ishte në tërësinë e tij pozitiv. Gjatë periudhë post-komuniste, tregu i punës pësoi ulje të ndjeshme në sektorin publik si dhe në atë bujqësor. Në sektorin publik kishte një rënie dramatike nga 850.000 të punësuar në vitin 1991 në 176.000 në vitin 2004. Arsyeja kryesore ishte pikërisht ndryshimi i funksionimit të tregut. Sipas të dhënave të INSTAT, rezulton se punësimi në sektorin shtetëror nga viti 2001 e më tej ka përbërë jo më shumë se 20% të punësimit total, madje ka pasur rënie (Banka Botërore 2006).
Një ndryshim në raport me tregun e punës e shohim të ndodhë nga viti 2014-2017. Pavarësisht se shifrat tregojnë për një rënie të papunësisë tek të rinjtë, e vërteta është se ka ndikuar së tepërmi edhe emigrimet e shumta që kanë bërë studentët në vendet jashtë Shqipërisë, një fenomen ky i cili vazhdon të ketë shifra alarmante. Në tabelën e mëposhtme pasqyrohen këto luhatje në tregun e punës për të rinjtë:
Vitet | 2014 | 2015 | 2016 | 2017 |
Total (në %) | 32,5 | 33,2 | 28,9 | 25,9 |
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT kjo përqindje është rritur në vitin 2018 me 28.3% për të rinjtë nga mosha 15-24 vjeç.
Të gjitha këto të dhëna na tregojnë për një paaftësi të shtetit për të përthithur në tregun e punës të rinjtë të cilët kanë një arsim përkatës. Kjo gjë bën që shumë të rinj ta shohin arsimin e lartë me një pikpyetje të madhe pasi kanë frikë se pavarësisht investimit të tyre për të studiuar, do mbeten sërish pa punë. Ky nuk është një mentalitet rinor i devijuar nga realiteti, por është i mbështetur në shifra zyrtare si dhe në eksperiencën personale të shumë studentëve të cilët kanë humbur shpresë tek arsimi dhe kërkojnë që të ndërmarrin nisma të ndryshme për të ngritur biznese apo për të emigruar jashtë vendit.
Është e vërtetë se papunësia ka prekur shumicën e studentëve të cilët kanë përfunduar arsimin e lartë në bachelor dhe madje edhe në shumë raste edhe ata studentë që kanë mbaruar studimet në master. Pjesa më e madhe e këtyre studentëve të diplomuar zgjedhin që të punësohen në vende që nuk kanë lidhje me profesionin për të cilin kanë studiuar, siç janë të ashtuquajturat “Call-Center”, pasi nuk gjejnë vende pune në fushën për të cilën kanë studiuar apo perspektiva për një pagë të kënaqshme është e ulët. Kjo papunësi çon edhe në fenomene të tjera që ndërlidhen siç janë emigrimet, grabitjet, dhuna e shumë të tjera.
3. Emigracioni tek të rinjtë
Faktori kryesor i cili shpie rreth 30% të studentëve shqiptarë që të kërkojnë të largohen nga vendi ynë është pikërisht papunësia. Emigracioni është një fenomen jo i ri për shqiptarët. Me rënien e sundimit të regjimit komunist, shqiptarët u dyndën në ambasadat e huaja për tu larguar nga atdheu i tyre në kërkim të një jete më të mirë. Edhe pse ky fenomen ishte deri diku i kuptueshëm për ato vite të para të përmbysjes së regjimit komunist, tashmë mbetet një problem serioz pasi akoma edhe në vitet e sotme numri i azil kërkuesve është gjithnjë e më shumë në rritje. Edhe pse në total ekzistojnë grupmosha të ndryshme që synojnë të largohen nga Shqipëria, ajo që mbetet më shqetësuese është largimi i studentëve.
Studentët të cilët kanë mbaruar studimet e tyre akademike janë e ardhmja e Shqipërisë dhe fuqia punëtore e saj. Ajo çka e bën fenomenin e emigracionit edhe më problematike është pikërisht fakti që zakonisht, studentët të cilët kanë mbaruar me rezultate të larta, janë të parët që vendosin të emigrojnë. Është e qartë se me arritjet e tyre akademike e kanë edhe më të lehtë për të zënë një vend punë në vendet e zhvilluara Evropiane. Por duke marrë parasysh se Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për numrin e të rinjve të papunë, bëhet lehtësisht e kuptueshme se përse kaq shumë të rinj zgjedhin që të largohen. Shto këtu edhe faktin që pagat të cilat mund të marrin jashtë, janë shumë herë më të larta nga ato që mund të marrin brenda Shqipërisë.
Ky fenomen paraqitet me kalimin e viteve edhe tek frekuentimi i studentëve në fushën e arsimit të lartë në degë të ndryshme. Përveç emigracionit i cili kryehet nga ata studentë të cilët kanë mbaruar studimet e tyre, janë të shumtë edhe ata të cilët zgjedhin që ti bëjnë studimet e tyre jashtë Shqipërisë në vendet të tjera Evropiane, sidomos në ato fqinjë. Më poshtë do të paraqesim një tabelë ku pasqyrohet numri i studentëve që ndjekin studimet akademike në Shqipëri në degët që ofrohen në vendin tonë e ku duket qartazi rënia e numrit total të studentëve që ndjekin arsimin e lartë:
Viti shkollor / akademik | 2014-15 | 2015-16 | 2016-17 | 2017-18 | 2018-19 |
Fushat e studimit | |||||
Shkenca arsimi | 13,654 | 11,236 | 11,779 | 10,689 | 10,062 |
Arte dhe shkenca humane | 17,588 | 17,095 | 17,278 | 15,441 | 14,348 |
Shkenca sociale, gazetari dhe informacion | 10,462 | 13,073 | 10,004 | 12,259 | 14,086 |
Biznes, administrim dhe ligj | 42,089 | 41,523 | 36,471 | 30,233 | 33,447 |
Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë | 10,473 | 6,719 | 7,816 | 6,325 | 7,060 |
Teknologji e Informacionit dhe komunikimit | 9,560 | 8,260 | 7,487 | 8,228 | 10,016 |
Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim | 18,728 | 18,005 | 18,480 | 18,730 | 20,019 |
Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari | 10,171 | 8,383 | 7,086 | 4,564 | 4,999 |
Shëndet dhe mirëqenie | 22,780 | 21,550 | 20,900 | 19,837 | 20,727 |
Shërbime | 5,022 | 2,433 | 2,306 | 3,088 | 4,279 |
Fushë e panjohur | 2,017 | 0 | 0 | 0 | 0 |
Gjithsej* | 160,527 | 148,277 | 141,410 | 131,833 | 139,043 |
Problematika më e madhe në raport me emigracionin e studentëve nga Shqipëria është ajo e atyre që kanë ndjekur degën e mjekësisë. Është bërë problem real largimi i këtyre studentëve, sidmos në zona të tilla si Gjermania ku ofrojnë mundësi të shumta. Kjo vret më së tepërmi popullin shqiptar pasi largimi i mjekëve do të sjellë probleme serioze në të ardhmen për mjekësinë në vendin tonë duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë tek shëndeti publik. Por akoma edhe largimi i atyre studentëve në fushën e arsimit, ekonomisë, inxhinierisë e shumë të tjerave, edhe pse nuk duke në ditët e sotme, brenda një periudhe jo më shumë se njëzet-vjeçare do të sjellë pasoja serioze për të gjithë kombin.
This blog post has been Digiproved © 2020