Lexuesit e faqes sonë e dinë që ne nuk jemi liberalë për sa i përket bindjeve ekonomike. Në disa artikuj kemi pasur qëndrime keynesiane, në disa të tjera proteksioniste etj. Por dhe dogmatizmi i tepërt është i dëmshëm. Keynesianët e sotshëm po i mbyllin sytë ndaj disa fakteve dhe kjo përbën problem.
Kapim krizën e 2008. Argumentimi Keynesian është I tillë: pati derregullime nga ana e shtetit, më konkretisht akti Gramm-Leach-Bliley I cili lejoi përdorimin e depozitave për investime në derivative nga ana e bankave. Akti Gramm-Leach-Bliley harroi mësimet e nxjerra nga depresioni i madh dhe akti Glass-Stegall dhe lejoi përzjerien e investment banking me commercial banking.
Gjithashtu mospasja e rregullave mbi kompanitë që merreshin me vlerësimin e riskut të kredive (në këtë rast konflikti I interesit që ekziston pasi bankat paguajnë këto agjensi dhe këto agjensi ndihen deri diku të detyruara të thonë “fjalë të mira”) coi në këtë krizë. Mospasja e rregullave për sa i përket dhënies së tepruar të kredive çoi në këtë situatë.
Nga ana tjetër ekonomistët liberalë argumentojnë se ishte pikërisht ndërhyrja e shtetit që çoi në këtë krizë. Normat e ulëta të interesit çuan në një çmenduri blerjesh shtëpish në masë. Ishte pikërisht ndërhyrja e shtetit që bëri të mundur dhënien e kredive të këqija- kështu të paktën thonë liberalët. Gjithashtu për sa i përket agjensive që merren me vlerësimin e riskut të kredive?
Dhe aty fajin e ka shteti pasi nxorri monopolin e agjensive të tipit NRSRO. Thënë shkurt shteti ka disa kritere që duhen plotësuar për ti çertifikuar si legjitime këto agjensi. Kjo çon në monopolizim dhe kjo bën që mos të ketë konkuerrencë të lirë mes agjensive gjë që çon në mashtrime, skandale etj. Për më tepër thonë liberalët, akti Gramm-Leach-Bliley nuk shkaktoi krizën.
Bankat më të prekura si Goldman Sachs etj nuk e kishin shumë të ekspozuar sektorin e commercial banking ndaj atij të investment banking. Por autorët nuk shpjegojnë se pse pati nevojë kaq të madhe për likuiditet, pse, nëqoftëse shteti nuk do kishte ndërhyrë, këto banka do kishin pësuar kolaps, dhe bashkë me to dhe depozitat e qytetarëve. Po kjo nuk ka shumë rëndësi. Për mendimin tonë të dyja anët kanë argumente të sakta dhe argumente të pasakta. Derregullimi ishte problem por gjithashtu problem ishin dhe normat shumë të ulëta të interesit në një kohë që nuk kishte nevojë për të tilla norma. Problemi ynë qëndron diku tjetër. Nëse shikojmë më vëmendje argumentet liberale, përveç argumentit të ndërhyrjes së shtetit si problematike, gjithashtu një argument që gjithmonë përmendet është “keynesianizmi që krijon flluska”.
Kriza e 2008 ishte një flluskë që plasi dhe flluska të tjera mund të jenë në krijim e sipër. Në një artikull interesant nga Klajd Bregu i publikuar në Mises Institute, një flluskë e re po krijohet në Amerikë. Bëhet fjalë për kredidhënien në sektorin e korporatave. Kreditë në këtë sektor shihen si kredi pa risk shumë të lartë. Dhe sipas autorit po përsëritet i njëjti gabim që u bë në 2008 në kreditë subprime.
Normat e ulëta të interesit gjithashtu e ndikojnë këtë kredidhënie të guximshme dhe më tej. Në kohërat e koronës, disa prej këtyre kredive, për mos të thënë shume prej këtyre kredive, mund të mos ripaguhen dot më. Kjo do çonte në një ripërsëritje të krizës së 2008 por në përmasa dhe më të mëdha për shkak të situatës së pandemisë ku jemi.
Mund të mos biem dakord totalisht me zotin Bregu për sa i përket shkaqeve pse kjo “flluskë potenciale” është në krijim e sipër, por biem dakord me zotin Bregu dhe me liberalët në përgjithësi për sa I përket fenomenit të përgjitshëm. Ekonomia e flluskave dhe ekonomia e “Leben auf Pump”, ose të jetosh me borxhe në gjermanisht, janë fenomene që po shihen shumë më shpesh kohët e fundit.
Liberalët, dhe këtu po flasim për liberalët teorike, për liberalët që lexojnë dhe ndjekin Hayek-un, Friedman-in apo Mises, thonë se “neoliberalizmi” është mit. çdokush u hedh fajin neoliberalëve dhe kështu zgjidhet tërë problemi. Ndonëse kemi kritikuar shumë gjera mbi liberalizmin, ka dhe ca gjëra për tu kritikuar mbi keynesianizmin. Dhe këtu nuk po flasim për keynesianizmin e librave, pasi debati do ishte totalisht ndryshe, por po flasim për keynesianizmin në botën reale. Po jetojmë në një ekonomi ku çmimet e aseteve duhet tërë kohës të ngrihen. Duhet të ngrihen se ndryshe fillojnë e plasin flluskat. Po jetojmë në një botë ku nje vend si Japonia nuk ka pasur rritje reale GDP diku te 30 vjet. Po jetojmë në botën e borxhit. Në botën e parasë së lirë dhe në botën e Quantitative Easing (lehtësim kuantitativ ose thënë më thjeshtë printim parash).
Dhe më e bukura është që asnjë “Keynesian” nuk po e hap gojën për të tilla çështje. Keynesianët vazhdojnë i bien fyellit në një vrimë. Derregullimi, deflacioni që rregullohet me ulje normash interesi dhe paketa fiskale etj. Problemi ama është më I madh. çfarë kimerash janë krijuar duke bashkuar papërgjegjshmërinë politike dhe teorite keynesiane? çfarë kimerash janë krijuar që e shohin si normale uljen e normave të interesit dhe lehtësimin kuantitativ në kohëra jo krize?
Dikush si Donald Trump psh është kimerë ekonomike. Kërkonte uljen e normave të interesit kur ekonomia ishte në gjendje të mirë dhe nga ana tjetër ulte taksat për kompanitë e mëdha. Asnje Keynesian me mend në kokë nuk do e justifikonte veprimin e parë. Liberalët do justifikonin veprimin e dytë.
Çdo doktrinë ekonomike duhet të përmirësohet, të evoluojë idetë jo vetëm në universitete dhe libra teorikë po dhe ne politikat ekonomike reale të ndërmarra nga shtetet. Asnjë keynesian nuk po pyet se pse nuk ka rritje të madhe ekonomike ndonëse normat e interesit janë të ulëta kudo.(normalisht po flasim për situatën para koronës).
Faji pra i keynesianëve reale (jo keynesianëve kimera) është fakti që nuk po ngrenë pyetje. Në rastin më të keq mosbërja e këtyre pyetjeve mund të shihej dhe si njëfarë rehatimi me ekonominë e kimerave. Derisa të kuptojmë se cilat janë problemet reale me ekonomitë botërore rrofshin normat e ulëta të interesit dhe paraja e lirë!
