Në raportin e vitit 2019 mbi kapacitetet ushtarake të vendeve të botës nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, vërejmë se gjendja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë është tepër e nderë. Zotërojmë një forcë aktive prej 8000 ushtarësh, ku nuk përmendet prania e një rezerve. Nga këto 8000 ushtarë 500 futen në kategorinë e një force paramilitare, pra jo të pajisur mirë për luftim ballë-për-ballë. Vihet re gjithashtu mungesa e plotë e një force ajrore luftarake, e një force detare së paku me kapacitet mbrojtës, si dhe e një force tokësore të mbështetur nga tanqe. Në nuk jemi specialistë ushtarakë, e ndoshta ndonjë mund të tregojë me gisht terrenet tona malore të papërshtatshme për tanqe, por do bënte mirë t’a kthente gishtin nga ato lloj tanqesh të specializuara për luftë në terrene të ashpra siç është tanku Izrealit Merkava. [1]
Në përshkrimin e shkurtër mbi aftësitë ushtarake të Ushtrisë Shqiptare, ia vlen të vëmë theksin tek disa pika. Së pari, paragrafi i shkurtër kushtuar specializimit të Forcave të Armatosura, tregon se këto Forca janë të afta më tepër për të ruajtur sigurinë e brendshme e për të ndihmuar në rast katastrofash natyrore sesa për të mbrojtur territorin. Kjo provohet nga përmendja diku më poshtë se hapësira ajrore e Shqipërisë patrullohet nga Greqia dhe Italia. Së dyti, përmendet fakti se Shqipëria pothuaj nuk zotëron kapacitete industriale brenda vendit për të mbështetur Forcat e Armatosura me pajisje, përveç disa kompanive publike që prodhojnë municione dhe armë. [2]
Në faqen dedikuar Serbisë, shohim se ajo vazhdon të rrisë shpenzimet vjetore ushtarake. Përveç ringritjes së forcës ajrore, me ndihma që vijnë kryesisht nga Rusia, Serbia është mëse e aftë për të mbrojtur kufijtë e saj, por edhe e aftë për të kërcënuar Kosovën fqinje. Serbia zotëron një forcë aktive prej 28.150 ushtarësh si dhe një rezervë prej 50.000 ushtarësh. Qiejt e Serbisë nuk patrullohen nga askush tjetër përveç vetë serbëve. [3]
Nga ana tjetër, Kosova, ndodhet e kryqëzuar, nga njëra anë ndodhet presioni i ndërkombëtarëve për të mos e kthyer forcën mjerane të sigurisë prej 2500 ushtarësh aktivë e 800 rezervistësh në një ushtri të vërtetë, dhe nga ana tjetër, nga konfliktet e brendshme mes kaçakësh dhe delirantësh.
Megjithatë ekziston një ndryshim. Serbia nuk ndodhet në NATO, kurse Shqipëria po. Kosova nuk llogaritet fare. Por edhe aderimi i Shqipërisë në NATO në vetvete nuk mjafton. Kush merr vesh nga politikat e jashtme midis shteteve, arrin të kuptojë fare mirë që traktatet janë po aq të brishta sa dhe vetë ekzistenca e shteteve që besojnë më tepër se ç’duhet në besnikërinë ndërkombëtariste mes shteteve.
Mjafton përmendja e rasteve të hidhura në të kaluarën tonë. Ishte rasti i pushtimit Italian të Shqipërisë, kur ushtria shqiptare vlerësohej si jetime nga të huajt, si në mëshirë të fatit, e zaptuar nga italianët, e pajisur keqazi, por në fakt e vërteta është që edhe në ato kohëra, Ushtria Shqiptare përmbante një kapacitet prej 12.000 ushtarësh, e mbështetur nga një xhandarmëri më e specializuar prej 3000 ushtarësh. [4]
Asokohe bota bëri një vesh shurdh e një sy qorr, kinse Shqipëria nuk ekzistonte. Por teksa ajo ekzistonte në letër, realiteti ishte i ndryshëm. Në të vërtetën lakuriqe të një kaosi të marrëdhënieve ndërkombëtare që është bërë karakteristikë e shekullit të fundit, Shqipëria ndodhej në prag. As aty as këtu. Në të vërtetë, ligji ndërkombëtar ekziston më tepër si një deklaratë boshe sesa një listë normash me fuqi konkrete.
Një rast tjetër është Memorandumi i Budapestit. Fuqitë e Mëdha të asaj kohë, mes të cilave Amerika, Britania dhe vetë Rusia u zotuan të garantonin integritetin territorial të Ukrainës, nëse kjo e fundit do të dorëzonte armët bërthamore të ngelura aty që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Ukraina duke patur besim në fuqinë hyjnore të një traktati ndërkombëtar, dorëzoi armët. Pjesën tjetër të historisë e dimë.
Hans Morgenthau argumenton se ligje të tilla pa një përforcues janë të kota, por nëse një përforcues do ishte në fuqi në formën e një shteti sovran, nuk do kishim të bënim më me një ligj ndërkombëtar, por me ligjin e aksh shteti, prej nga rrjedhin dhe disa ide mbi domethënien e vërtetë të hegjemonisë në kohët tona.
Por le të kthehemi prap në kohë.
Raporti i vitit 1980 na ofron një panoramë krejt tjetër. Shqipëria gjatë kësaj periudhe të diktaturës komuniste zotëronte një forcë aktive prej 41.000 ushtarësh, dhe një rezervë prej 100.000 ushtaresh. Këtyre numrave të stërmëdha i shtohej një arsenal i kompletuar tanqesh dhe patrullimi ajror. Gjithashtu në brigjet tona qëndronte krenaria e flotës detare, tre nëndetëse sovjetike. [5]
Krahas kësaj armatosjeje dhe një shërbimi ushtarak të detyrueshëm, qëndronte dhe një rrjet i madh bunkerësh betoni, centimetër më centimetër. Çdokund ku mund të vije bunkerë, ato nguleshin në tokë, një shenjim i përbindshëm i çdo cope tokë të Shqipërisë.
Ironia e fatit është që ato bunkerë sot janë kthyer në mjete argëtimi, por edhe në aksesorë muzealë si për t’i rikujtuar Shqiptarëve “klimën paranojake” në të cilën armiku ndodhej kudo.
Por nuk është për t’u habitur pohimi se në të vërtetë armiku ndodhej kudo, sot akoma më shumë, ai ndodhet i fshehur në pasigurinë e një ligji ndërkombëtar fasadë, të papërforcuar nga askush, ose nga dikush i ulur në fronin e botës.
Pasiguria e këtij ligji ndërkombëtar bëhet shkak i pranisë së një mundësie armiqësie të hapur me çdo fqinj tonin, fqinj të zhurmshëm që akoma nuk pranojnë të heqin dorë nga pretendimet territoriale. Mbase bunkerët në atë formë nuk na duheshin, por na nevojitej mendësia e bunkerizimit, edhe pse aksidentalisht kjo mundësi i ra në duar një kaste kriminelësh që më tepër kujdesej të mos përfundonte si Çaushesku sesa për sigurinë e kombit.
Por a na duhet sot mendësia e bunkerizimit?
Shqipëria e djeshme duket sikur ngjan me Izraelin e sotëm. Izraeli, i rrethuar me armiq nga të katër anët. Izraeli i shërbimit ushtarak të detyrueshëm që këmbëngul me thonj e dhëmbë për ekzistencën e vet. Izraeli i armatosur deri në dhëmbë e i gatshëm për të luftuar deri në fund për çdo pëllëmbë toke.
Kurse Shqipëria e sotme ngjan me një tragji-komedi nga ato të lëna në mëshirë të fatit. Një varkë që tundet sa andej-këndej. Zhvendosja e aspiratave nga një ushtri e fortë dhe e mirëpajisur për tek një ushtri viktimash dhe qiej greko-italianë, është një nga provat më lakuriqe të ç’interesimit të shtetit shqiptar për të ardhmen e tij brenda këtyre kufijve të sotëm, dhe në mënyrë përfundimtare për të ardhmen e mbarë kombit Shqiptar.
Prandaj, herës tjetër, kur shkrimtarët tanë postmodernë të shkruajnë për dashuriçka në kohëra bunkerësh dhe armiq të padukshem, le t’i kujtojnë vetes se thjesht po bëjnë tellallisjen e radhës ndaj pushtetit në fuqi dhe aspiratave të imponuara por shtuar kësaj, le t’i përsërisin vetes çdo ditë para pasqyrës.
Komunistët pa komb u zëvëndësuan nga liberalët pa komb
Komunistët pa komb u zëvëndësuan nga liberalët pa komb…
O Zot lësho një bubullimë!
Referenca:
- The Military Balance 2019 nga IISS. Faqe 87 ↑
- Po aty ↑
- The Military Balance 2019 nga IISS. Faqe 143 ↑
- Mbreti Zog: Pas Dyerve të Mbyllura nga Erald Kapri. Faqe 39 ↑
- The Military Balance 1980. Faqe 33 ↑