Ekziston një ide, ngulitur thellë në kokën e shqiptarëve se Shqipëria është si një ishull në mes të askundit. Shqipëria nuk ka armiq, ose dhe nëse ka, ata nuk shkojnë deri në ekstrem dhe të nisin luftë me ne. Maksimumi fillojnë luftë me Kosovën ose vrasin emigrantët tanë nëpër burgje por nuk na bëjnë dot të ngrihemi nga kolltuku ku shajmë qeverinë në Facebook dhe ti thërrasim mendjes se nuk jemi një ishull. Kemi armiq dhe në këtë botë të globalizuar gjithashtu jemi shumë të prekshëm nga ndryshimet e mëdha ekonomike që ndodhin.
Periudha e depresionit të madh të viteve 20-30 nuk para përmendet shpesh në libra historie për efektin që ka pasur në Shqipëri. Është e kuptueshme deri diku pasi nuk ka statistika të sakta por dhe pa statistika të sakta kuptohet që dicka ndodhi. Ulje e remitancave të emigrantëve që çoi në problem me balancën e pagesave dhe në probleme të tjera ekonomike, emigrantë që ktheheshin në vendin e tyre pasi nuk siguronin dot jetesën në vendet ku kishin emigruar etj. Rënia e tregtisë në tërë botën bëri që dhe tregtia e jashtme shqiptare të pësonte goditje. Industria dhe bujqësia falimentuan, njerëzit udhëtonin kilometra të tëra për të blerë thaës me misër që mos të vdisnin urie, borxhet me Italinë u shtuan etj. Historia na bën të kuptojmë se ndodhi të tilla nuk duhen marrë lehtë.
Gjatë periudhës së komunizmit, është më e vështirë të kuptohet se si krizat ekonomike globale ndikuan në ekonominë tonë. Duke qenë pjesë e bllokut lindor, dhe më pas totalisht të izoluar, krizat ekonomike ndodhnin për arsye të tjera, pra jo për arsyet e bllokut perëndimor. Por më pas erdhi sistemi kapitalist. Shqipëria përqafoi globalizmin. Nga vitet 90 deri 2008, përveç flluskës dot com, e cila nuk ndikoi Shqipërinë, për shkak të sistemit primitiv dhe jo aq të dixhitalizuar ekonomik nuk pati kriza të tjera ekonomike. Dhe nëse flluska dot com na ndikoi, deri në fillim të viteve 2000, ishim të rrënuar vetë dhe nuk kuptuam gjë. Por më pas ekonomia filloi të rritej. Rritje e vazhdueshme madje. Ndonëse politikanët mbushnin xhepat GDP vazhdonte të rritej. Natyrisht GDP nuk është çdo gjë por të paktën është diçka. Në 2008-ën kjo ndaloi. Dhe jo vetëm në Shqipëri por në tërë Ballkanin dhe në tërë botën.
Reçensioni i madh pati pasoja dhe për Shqipërinë. Kur pyet njerëzit ç’mendojnë për këtë dukuri, shqiptari mesatar do përgjigjet: Po ne në krizë jemi gjithmonë. Nuk pyesim për kriza. Kjo është mendësi e gabuar. Nëse presim që kriza të jetë si situatë kohe lufte, atëherë e kemi gabim. Të tilla kriza na prekin gjithsesi. Një kompani e mbyllur këtu, një vend pune më pak atje, më pak eksport mallrash këtu, e më pak tregti atje. Mbas 2008-ës rritja e ekonomisë shqiptare ka qenë mediokre. Nuk do ishte ekzagjërim të thoshim se, përvec një ndryshimi të vogël ekonomik, ekonomia jonë është thuajse në nivelet e 2008-ës persëri. Pra kemi humur dymbëdhjetë vjet rritje ekonomike normale. Ndoshta jo veç prej Reçesionit të Madh por dhe për arsye të tjera. Dhe ku jemi tani? Tani koronavirusi po bën kërrdinë në botë. Dhe jo vetëm me numrin e të vdekurve por dhe nga ana ekonomike. Po shohim shifra që si kemi parë që prej depresionit të madh.
Në Amerikë deri tani 10 milionë veta janë regjistruar si të papunë. Bursat po bien kudo në nivele të frikshme pavarësisht ndihmave ekonomike dhe uljeve të taksave. Në Angli po flitet për “nivele borxhi si mbas kohëra luftërash”. Natyrisht, ka persona që thonë që çdo gjë do kthehet në normalitet mbasi periudha e izolimit të kalojë. Problemi është që askush nuk e di se sa do të zgjasë periudha e izolimit. Gjithashtu duhet përmendur se kompanitë që falimentuan nuk kthehen dot më mbrapsht. Shteti mund të ndërhyjë për të ndaluar falimentet me dhënie kredish, falje parash etj por dhe borxhi shtetëror e ka një limit. Po dëgjohen zëra se ky nuk është thjesht një reçesion i madh por një depression I madh. Dhe kur perëndimi dhe vendet me ekonomi të fuqishme tremben, Shqipëria duhet të dridhet nga frika. Deri tani ka ekzistuar iluzioni se çdo gjë vazhdo normalisht dhe gjithmonë do ketë kohëra të mira.
Bursa në Amerikë vazhdonte në rekorde të papara më parë dhe, përtej ndonje problem të vogël tek-tuk, asnjë shtet i madh nuk ka pasur dhimbje koke të mëdha. Në ditë me diell dhe shtetet e vogla dhe të pafuqishme ngrohen në diell. Dhe duke u ngrohur vazhdojnë me korrupsionin si zakonisht, shpenzojnë ato pak para që kanë me tendera dhe koncesione, harxhojnë paratë e fondeve të emergjencës me mendimin se ditët me diell zgjasin gjithmonë. Por ditët me diell nuk zgjasin gjithmonë. Dhe tani duhet ti bëjmë ca pyetje shumë të vështira vetes. Si do duket ekonomia shqiptare mbasi kjo krizë të kalojë? Sa do jetë rritur inflacioni? A do rritet çmimi për ushqimet bazë të shportës?
Në Europë po lexojmë për probleme me të korrat pasi punëtorët emigrantë nuk mund të punojnë në fushat europiane më për shkak të virusit. Sa do ulen remitancat prej emigrantëve tanë jashtë? Si do e ndryshojë kjo balancën e pagesave? Sa do rritet borxhi shtetëror? Si do paguhet ky borxh? A do kemi mundësi në radhë të parë të marrim borxh mjaftueshëm apo do i lëmë kompanitë të falimentojnë? Sa kompani kanë falimentuar deri tani? Sa biznese të vogla?
Nejse, për ta mbyllur duhet thënë diçka. Iluzioni i paprekshmërisë dhe i të qenit ishull që kemi pasur deri tani do thyhet. Dhe deri diku kjo jep shpresë. Faza e parë e ndryshimit është të kuptosh problemin. Shpresojmë vetëm që problemi mos të na shkatërrojë totalisht.
This blog post has been Digiproved © 2020