Udha

I. Si bëhet bashkimi kombëtar? Në fillim bashkimi duhet jetuar. Në vetëdijen tonë duhen zhdukur të gjitha gjurmët e kufijve të rremë. Duke nisur që nga televizori i shtëpisë e deri tek ikonat kombëtare i që i mbajmë afër zemrës. Duhen përjetuar hallet e të tanëve përtej kufijve të rremë, duhet të marrim frymë me të njejtin ritëm si vetë ne-ata, përtej kufijve të rremë. Kjo kërkon një investim të madh shpirtëror. Pasi të jetohet bashkimi kombëtar, duhen gjetur mënyra konkrete për t’ia arritur synimit. Disa mendojnë se valëvitja e flamujve mjafton për të nxjerrë një energji simbolike të fshehur nëndhë, paksa e ngjashme me ritualet e shamanëve të kohëve të shkuara që yshtnin perëndi mizore duke vizatuar rrathë dhe shigjeta. Një gjë ëshë e sigurt. Bashkimi kombëtar nuk do të bëhet pas dyerve të mbyllura. Një gjë tjetër është akoma dhe më e sigurt. Bashkimi kombëtar nuk është fundi. Është vetëm fillimi i një lufte më të madhe.

II. Në vendet post-komuniste të Europës Lindore ekziston një fenomen shumë i bukur. Një mospërputhje e plotë mes të vërtetave qeveritare dhe atyre popullore. Në Rumaninë post-komuniste, librat e kleriko-fashistit Corneliu Zelea Codreanu shiten e blihen shesheve. Mençuria popullore mjafton për të hapur dyer aty ku qeveria nxiton t’i mbyllë. Në këtë nëntokë intelektualësh, simpatizantësh, partizanësh zien një realitet tjetër nga ç’duket në sipërfaqe. Grushti i medias nuk i përshkon dot këto realitete, prandaj ndërton të sajat. Pika 1.8 e Nenit 1 të Pakos Ahtisaari mbi zgjidhjen e statusit të Kosovës, apo më qartë, zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë thotë:

“1.8 Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë bashkim me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti.”

Pikë mëse e rëndësishme për “statusin” e Kosovës shqiptare e integruar në kushtetutën e shtetit shqiptar të Kosovës, përkatësisht në pikën tre të Nenit 1. Lajmet e këqija duhen dhënë përpara lajmeve të mira.Pasi Marti Ahtisaari zgjidhi çështjen shqiptare në Kosovë, atij iu dha çmimi Nobel për paqen botërore, ose europiane, ashtu siç iu dha i njejti çmim Peter Handkes në letërsi ca kohë më përpara. Më së fundi morëm vesh që Ahtisaari-n e ka zënë koronavirusi.

III. Shakatë e  “Nacioneve të Bashkuara” janë të holla.  Sot për sot në Kosovë, ekzistojnë dy rryma. Njëra fare mirë mund të quhet Ahtisaari-ste, ose Kosovariste, kurse e dyta Kombëtariste. E para na kujton se vetëm pushteti në këtë botë jep verdiktin mbi lejimin e ekzistencës të kombeve apo shkatërrimin e tyre. Dokumenta si Karta e të Drejtave të Njeriut apo të ashtuquajturit ligje ndërkombëtare janë po aq të përthyeshme sa qëndrimet e shteteve ndaj njëri-tjetrit. Në shpikëm kombin kosovar – çirren Ahtisaar-istët. Meqë ju shqiptarët e Kosovës nuk zotëroni asgjë përveç asaj që ju japim neve, mbyllni gojën dhe pranoni mitin e kombit kosovar, ose mitin e Betejës së Kosovës, pra bëhuni pjesë e Serbisë. Ngado, të tjerë që flasin dhe bëjnë historinë e Shqipërisë.

Megjithatë, njerëzit e dinë dhe e kuptojnë të vërtetën. Populli Shqiptar kupton aq shumë sa s’ka, veçse duhet të gjejë kurajon të flasë. Bashkimi Kombëtar fillon nga poshtë, jo nga lart. Fillon nga e vërteta popullore e mospërputhshme me të vërtetën qeveritare apo ndërkombëtare. Ndërkohë ca figura të çuditshme kanë vendosur të luajnë lojra gjatë kohës së pandemisë. Një shkarkim anti-kushtetues, një bast politik i lënë pezull, figura që mundohen ti përngjasojnë me sa fuqi kanë vetë Krishtit.

IV. Deklarata e plotë e Merkel mbi shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi është si më poshtë:

“Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është vendosur dhe është i pathyeshëm”
Termi realpolitik është term gjerman. Por kjo duhet kuptuar si nga ata që sot kujtojnë se aleancat janë të përhershme, por dhe nga ata që kujtojnë se interesat e shteteve duhen kthyer në armiqësi deri në vdekje. Një rast interesant i armiqësive deri në vdekje është ideja se hegjemonia perëndimore është djalli i botës dhe shtypësi i popujve. Prandaj duhet hedhur tutje në favor të një organizimi të ri botëror. Një rendi të ri. Kështu fliste Jugosllavia. Edhe Rusia Sovjetike. Edhe simpatizantët e tyre komunistë të sotëm.

Një Mur Berlini duhet të bjerë. Përndryshe fuçia e barutit e quajtur Ballkan mund të plasë sërish.

Bashkimi Kombëtar fillon nga poshtë.

 

 

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020