Dreqi me të birin.


Ndërmjet allishverisheve të rrjetosferës së këtyre ditëve, spikat nevoja për njohje të zanafillës së koronavirusit. Disa thonë që koronavirusi është armë biologjike e ndërtuar nga aksh fuqi e madhe për t’i rënë në qafë botës. Koronavirusi erdhi ose nga Kina, ose nga Amerika. Ra si ndëshkim nga Allahu për kinezët që vrisnin ujgurët, thonë disa të tjerë. Një mullah në Iran ra pre e vetë ndëshkimit prej krijuesit të gjithësisë teksa kënaqej sesi pirgjet e kufomave në Wuhan bëheshin kapicë njëra mbi tjetrën. Bechir Ben Hassen, një klerik tunizian gjithashtu u shpreh në mënyra të ngjashme.

Ca të tjerë presin ardhjen e apokalipsit. Koronavirusi erdhi nga masonët, alienët, njerëzit-hardhuca, zhapikët në bërthamën e globit apo edhe fantazmat, gogolët, agjentët e CIA-s, adoleshentët e pakënaqur me gjyshërit dhe prindërit. Çdokush nxiton të japë variantin e tij, duke injoruar faktorin kryesor i cili duhet të na bëjë ta kruajmë kokën mirë. Kalbëzimi moral i disa klerikëve, apo paranoja e ngecur në palat e letrave të aluminit mbi kokën e konspiracionistëve ka shumë pak rëndësi. Bien në sy portale të panumërta që kërkojnë klikime me lajme kobzeza mbi koronavirusin. Mushkëri të çara, impotencë koronavirusale, gjak nga goja, viktima dhe bebe të sëmura e të vdekura gabimisht tek rreshtat e një shkrimi në portal. Edhe në kohët e panikut, mediat leshko kërkojnë 0.10 dollarëshin e klikimit.

Do të mjaftohemi me një imagjinatë të shfrenuar. Përfytyroni sikur koronavirusin e solli një lejlek nga qielli me shportë për arsye që nuk dihen ([1]por edhe mund t’i qëndroni tezës së kësaj videoje duke kuptuar sesi rrënimi ekonomik në komunizëm ua zbret përtokë dinjitetin një populli të lashtë duke i bërë të hanë gjarpërinj dhe shushunja për të mbijetuar).

Shqiptarët duhet të njohin jo shkakun e koronavirusit, por arsyen pse u përhap me kaq shpejtësi, duke çuar rrënim dhe mjerim kudo. Mjaftojnë disa fjalë për të dhënë verdiktin. Bota jonë postmoderne karakterizohet nga shtysa për kapërcimin e barrierave, drejt një ndërlidhjeje përfundimtare, drejt një kompleksiteti teknologjik dhe ekonomik i cili lëviz vektorët e tij nga njëri cep i botës tek tjetri. Synimi përfundimtar i përzierjes së popujve, përbuzjes së kulturave, shpërfilljes së komuniteteve dhe lokalizmit është mbërritja tek një popullatë e vetme, e ngjashme me planet e kontit Kalergi, një popullatë botërore ku ndasitë politike futen nën rrogoz për hir të shkëmbimeve ekonomike, ku mendimi i aktorëve të Hollivudit vlen më shumë sesa ai i ekspertëve, dhe ku kultura vendase nuk është më shkak për dhënie kuptimësie dhe festimi kolektiv, por një dorezë e konsumit. Të gjitha këto fenomene, jo me pasoja të vogla, përmblidhen tek përkufizimi “globalizëm”, i cili tregtinë e lirë e vlerëson mbi të gjitha si mekanizëm ekonomik. Vorbulla e njejësimit të popujve e shndërron kulturën në mjet konsumi.

Ku jemi tashmë? Le t’ju tregojmë sesi bëhet politikë me koronavirusin. Secili ka gjetur këndin e tij anës dhomës për të dhënë mendime. Agjentët e bursës e cilësojnë si “një grip të thjeshtë”, por nxitohen të fshehin fytyrat kur NASDAQ bie me njëmijë pikë nga kriza botërore. [2]Slavoj Zizek bën thirrje për instalimin e komunizmit, pasi e vetmja alternativë është “kaosi i një bote pa kontroll”.

Ky kaos na ka sjellë deri këtu. Për të mos shkundur e tundur zinxhirët e furnizimeve, mjeshtrat e ndërlidhjes menduan të sakrifikonin disa jetë njerëzish, por u shkoi huq. Italia numëron vdekjet me qindra, kurse vendet e tjera nxitojnë të mbyllin kufijtë e të angazhohen në shtetrrethime panikosëse.

Papritmas të gjithë po e kuptojmë se siguria qe liberalizmi kërkon t’i imponojë botës, s’është veçse një iluzion, pasi bota na qëndroka mbi themele të dobëta, shkurt, ndodhet gjithmonë në prag të katastrofës. Megjithatë, një botë që ndërton sigurinë e saj jo mbi iluzionin por mbi situatat e volitshme kombëtare, zotëron mundësi më të mira për të mbijetuar sesa një botë e tregtisë së lirë pa frena që rrënohet sapo godet një virus. E teksa monedhat elektronike si Bitcoin bien përtokë, bizneset falimentojnë, kufijtë mbyllen, njerëzit ngujohen nëpër shtëpi duke shpenzuar pak më shumë kohë me familjet e tyre, ndoshta kësaj here mund të vëmë mend njëherë e mirë, duke i vënë pikësëpari një pikëpyetje të madhe të ardhmes që na është premtuar nga aplikuesit e shock-doktrinës në Shqipëri. Ndërlidhja është një proces, jo një fakt i kryer, prandaj kemi akoma kohë për t’i qëndruar ballazi me mospajtim në mendjet tona.

[3]Dje pashë ashtu si padashje, që cilësia e ajrit në Tiranë ishte përmirësuar së tepërmi. Ky ajër tashmë është i mirë për tu futur në mushkëri. Por nga cili armik kemi frikë më shumë? Nga ai që na vret ngadalë apo ai që na vret shpejt? Ajri pastrohet, toka shpëlahet nga gjurmë këpucësh, rrotash, gomash. Duket sikur njeriu nuk është akoma gati për të qenë pronar i tokës. E keni pyetur ndonjëherë veten pse “Plani për Zhvillim të Qëndrueshëm” përmban fjalën “i Qëndrueshëm”? Mbase jo, por fjala e saktë në anglisht është “sustainable”, që mund të përkthehet në “të përmbajtshëm”. Duhet pra zhvillimi i përmbajtshëm, por çfarë do të përmbahet? Këtë do ta lë për një artikull tjetër.

Nuk ka dyshim që njerëzit për nga vetë natyra e tyre do mundohen ta vonojnë vdekjen, por vonimi i vdekjes nuk ka asnjë lloj vlere nëse jeta jetohet si kafshë. Prandaj, kur të mbarojë kjo krizë e madhe, le të dalim nëpër rrugë të shikojmë njëri-tjetrin, dhe të pohojmë faktin e dhimbshëm por të nevojshëm, Dreqi është kjo ndërlidhje, kjo shtysë për globalizim, për toka të askujt dhe kulturë të vënë në muze për konsum, i biri është koronavirusi.

Referenca:

  1. https://www.youtube.com/watch?v=TPpoJGYlW54
  2. https://www.rt.com/op-ed/482780-coronavirus-communism-jungle-law-choice/
  3. https://air-quality.com/place/albania/tirana/ac52a31e?lang=en&standard=aqi_us

 

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020