“Connectography” i Parag Khanna-s ka qenë një ndër librat që më ka lënë më shumë përshtypje gjatë studimeve të mia. Për arsyen e vetme se tregon idene globaliste të çuar në maksimumin e mundshëm logjik të saj. Parag Khanna na përshkruan një botë ku nuk kanë më rëndësi hartat territoriale. Ajo që kanë rëndësi janë hartat që tregojnë ndërlidhjet mes vendeve. Nuk ka më shumë rëndësi cili ka armët më të mëdha apo më të mira dhe gjeopolitika klasike nuk të ndihmon më të kuptosh marrëdhëniet ndërmjet shteteve të botës moderne.
Natyrisht vështrimi Khaanist është shumë reduktues. Gjeopolitika klasike përmendet tek-tuk por rëndësia e konflikteve klasike mbetet e vogël. Amerika reduktohet në një fuqi e cila supozohet të ruajë rendin botëror ndërkohë që fuqi të tjera bëjnë gjëra të tjera (çdo fuqi supozohet të specializohet në diçka, pak a shumë si vizioni rikardian i tregtisë ndërkombëtare).
Nëqoftëse lexon librin e Khanna-s do shohësh shumë harta. Harta të cilat tregojnë rrjetet hekurudhore, detare, rrugore, ajrore, rrjetet telefonike, rrjetet e internetit etj. Këto harta tregojnë ndërlidhjen e botës moderne. Dhe ajo çka bie në sy është se vendet më të pazhvilluara ekonomikisht janë ato më pak të ndërlidhurat. Vende si Kina, Japonia, Korea, Amerika etj kanë rrjetet më të dendura të mundshme. Dy pika të errëta në hartë janë Rusia dhe Afrika. Afrika konfirmon atë që thotë modeli. Natyrisht nuk ka studime shkencore reale dhe përpjekje për të kuptuar se çfarë shkakton çfarë (varfëria moslidhjen apo moslidhja varfërinë), por le të pranojmë se është e vërtetë.
Nga ana tjetër Rusia është një faktor i çuditshëm në teorinë e Khanna-s. Khanna e sheh Rusinë si një shtet idiot i cili nuk di të përfitojë nga të mirat e globalizmit, për një arsye a një tjetër. Dhe është e vërtetë. Nëse gjërat bëhen siç duhet çdo shtet mund të përfitojë ekonomikisht nga globalizmi (por edhe mund të shkatërrohet më tej. Shih rastin shqiptar, vendet e Europës Lindore dhe terapinë shok etj). Problemi ama është më i thellë se kaq.
Problemi momentalisht quhet Koronavirus ose Covid19. Në botën e post-skarcitetit ku jetojmë problemi në shumicën e rasteve ka qenë mungesa e kërkesës dhe jo e ofertës. Stimulime fiskale, stimulime monetare, çdo përpjekje për të rritur kërkesën. Por harrohet se krizat mund të fillojnë dhe nga mungesa e ofertës. Në një sistem kaq delikat të marrëdhenieve ekonomike botërore, ku një tështime e nje gjigandi prodhues kthehet në pneumoni për shtetet e tjera, krizat e ofertës nuk janë të çuditshme. Duhet ta shohim veten si me fat në fakt. Me fat që nuk ka pasur ndonjë ndërprerje të rrugëve të furnizimit deri më tani.
Një mungesë nafte, një virus, një fatkeqësi natyrore e cila prek një nga shtetet kryesore të rrugëve të furnizimit botëror do të ishte katastrofë për të gjithë. Ka një teori mbi rënien e qytetërimeve. Teori përtej filozofirave interesante që thonë se civilizimet bien për shkak të feminizimit të njerëzve apo grykësisë së drejtuesve. Është teoria e kompleksitetit. Kjo teori si bazë ka idenë se sistemet shumë komplekse ekonomike janë një bekim për sa kohë ekzistojnë. Egjipti i lashtë krijoi një hierarki politikë dhe një kulturë të lartë të paparë. Nga ana tjetër shoqëria egjiptiane ishte shumë komplekse. Mjaftonte që një hallkë e zinxhirit të prishej dhe tërë piramida shoqërore binte. Kjo ndodhi, e krizat e ushqimit, krizat klimatike etj, të cilat sulmuan bazën e piramidës: bujqit që prodhonin ushqimin. Mbasi kjo pjesë e piramidës ra askujt nuk i hynte në punë kultura e lartë dhe për pasojë ai qytetërim u shkatërrua. Disa njerëz u kthyen në nomadë, të tjerët emigruan etj.
Qytetërimi i sotëm është botëror. Të paktën ai materiali. A e mendon ndokënd çdo ndodhte nëse secili nga vendet e mëdha papritur do kthehej në autarki? Diabetikët amerikanë nuk do merrnin dot ilaçet e prodhuara në Kinë. Industria kompjuterike kineze do donte shumë kohë që të merrte veten mbasi Amerika nuk do mund të eksportonte më mikroçipet e veta etj.
Por supozojmë se ndalimi duhet të jetë i menjëhershëm. Nuk ka më koronavirus por një virus aq vdekjeprurës sa Ebola dhe me infektivitetin e koronavirusit. Ç’ndodh? Kolaps total i ekonomisë botërore.
Ajo pra që shohim është se shkëputja e një hallke të zinxhirit botëror mund të çojë në kolaps botëror. Në një situatë të tillë, Rusia, ndonëse jo vend i pasur dhe ndonëse vend i korruptuar dhe i drejtuar nga oligarkë, nuk duket aq idiotesk sa në fillim. Përpjekjet ruse për autarki në industrinë ushqimore, në sferën e internetit etj, janë parë si qesharake nga perëndimi. Dhe disa prej tyre dhe kanë qenë. Propagandohej ideja se Rusia është e fortë, se Rusia mund të prodhojë çdo gjë vetë, ndërkohë që oligarket dhe politikanët kalonin pushimet në Europë. Pak a shumë si shqipëria enveriste. Por përtej pisllëqeve oligarkike dhe propagandës ka dhe një avantazh rasti rus. Avantazhi është moskolapsi total në rastin e prishjes së hallkës së një zinxhiri.
Kjo ide po përqafohet kohët e fundit dhe nga Kina e cila po përpiqet të arrijë autarkinë e vet. Investimet në fushën e mikroproçesorëve kompjuterikë etj tregojnë se Kina e kupton shumë mirë rrezikun real që i kanoset. Lufta tregtare i tregoi Kinës se çfarë mund të ndodhë nëse globalizmi zhbëhet.
Teorikisht çdo fuqi e madhe ka potencialin për të krijuar një autarki të vetën. Natyrisht me anë të një sfere influence pasi, përveç vendeve si Rusia, të cilat kane resurse të bollshme, pjesa tjetër e vendeve nuk kanë mundësi të arrijnë një autarki absolute. E çfarë ndodh me vendet e vogla në të tilla raste? Këtë nuk mund ta dimë. E vetmja gjë që mund të dimë është se rënia e një qytetërimi konsumi do të thoshtë më pak konsum ose konsum më pak cilësor për vendin tonë. Përtej kësaj ka errësirë. Mund të fuqizohemi nëse kuptojmë mendësine e botës së re dhe reagojmë në kohë.
Mund të kolonizohemi ndoshta dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë për ato pak burime apo fuqi punëtore që kemi (jo më kolonizim financiar), mund dhe të kthehemi në një stad të mëparshëm zhvillimi. Mund të arrijmë një gjoja-autarki të tipit enverist etj. Por çfarëdo të ndodhë duhet kuptuar se vjen një moment që gjërat nuk shkojnë më ashtu siç pritet të shkojnë. Një virus përhapet, një vullkan shpërthen dhe rrugët e furnizimit bien. Jetojmë në një botë më delikate seç mendohet. Jetojmë në një botë më të papërgatitur se kurrë ndaj impakteve që mund të rrëzojnë piramidën. Dhe po ra baza ashtu si dhe në Egjiptin e lashtë bie pjesa tjetër. Pyetja që duhet të ngremë është: a duhet ta pranojmë rënien e bazës si një skenar të mundshëm dhe të parapërgatitemi apo të vazhdojmë të shkruajmë libra në oborrin e faraonëve derisa fermerët mos të prodhojnë më ushqim?
This blog post has been Digiproved © 2020