Roger Scruton – Pse u bëra konservator (III)

Kur lexova mendimin e Burke mbi revolucionin francez isha i prirur të pranoja mendimin liberal humanist të revolucionit si triumf i lirisë mbi shtypjen. Një çlirim i njerëzve nga zgjedha e pushtetit absolut. Kjo ndodhi pasi nuk njihja një botëkuptim tjetër. Ndonëse kishte teprime – dhe asnjë historian i ndershëm nuk e ka mohuar këtë fakt – mendimi zyrtar humanist thoshte se ato duheshin parë si dhimbjet e lindjes së një rendi të ri, rend i cili do i ofronte botës një model të ri të sovranitetit popullor. Për këtë arsye supozova se dyshimet e hershme të Burke- të shprehura kur revolucioni ishte në fazat e para, kur mbreti nuk ishte ekzekutuar akoma dhe as terrori nuk kishte filluar – ishin thjesht reagime alarmiste ndaj një eventi të keqkuptuar. Ajo që më interesoi tek  “Reflektimet” ishte filozofia politike pozitive, e dallueshme nga tërë literatura majtiste e cila ishte në modë nga konkretizimi i saj absolut dhe nga leximi i psikës njerëzore në format e saj të thjeshta dhe të paekzaltuara. Burke nuk po shkruante mbi socializmin por mbi revolucionin.

Gjithsesi më bindi se premisat utopike të socializmit shkojnë dora dorës me një vizion totalisht abstrakt të mendjes njerëzore- një version gjeometrik i proceseve tona mendore të cilat kanë vetëm një lidhje të vagullt me ndjenjat dhe mendimet me të cilat njerëzit jetojnë. Më bindi se shoqëritë njerëzore nuk janë dhe nuk mund të organizohen rreth një plani apo qëllimi, se historia nuk ka drejtim dhe se nuk ka diçka të tillë si progresi shpirtëror apo mendor. Për më tepër ai theksonte se format e reja të politikës, të cilat përpiqen ta riorganizojnë shoqërinë rreth ndjekjes racionale të lirisë, vëllazërisë, barazisë apo ekuivalenteve të tyra moderniste, janë në fakt forma irracionaliteti prej militantësh. Nuk ka asnjë mënyrë se si njerëzit mund të ndjekin në mënyrë kolektive qëllime si liria, barazia dhe vëllazëria, jo thjesht për faktin se këto qëllime janë shumë pak të përshkruara dhe thjesht të përkufizuara në mënyrë abstrakte, por sepse arsyeja kolektive nuk funksionon në atë mënyrë. Arsyeja kolektive njerëzore mblidhet rreth një qëllimi të përbashkët vetëm në kohë urgjente – kur ekziston një rrezik që duhet zhdukur ose një pushtim i cili duhet arritur. Gjithsesi, një formë racionaliteti kolektiv shfaqet në këto kohëra dhe e ka emrin luftë.

Për më tepër – dhe ky ishte një kokluzion i cili më tronditi  kur e pranova- çdo përpjekje për ta organizuar shoqërinë sipas këtij lloji racionaliteti do të përfshinte po të njëjtat kushte: deklarim lufte kundrejt një armiku real apo imagjinar. Prandaj ekzistonte dhe gjuha e çjerrë dhe militante e literaturës socialiste, proza anti-borgjeze e mbushur me urrejtje, një shembull i së cilës mu ofrua në 1968 si përligjia përfundimtare e dhunës poshtë dritares së papafingos sime, por shembujt e ndryshme të së cilës, duke filluar me Manifestin Komunist, përbënin dietën themelore të studimeve të mia në universitet. Literatura e shkencave politike majtiste është literaturë konflikti, në të cilat variablet kryesorë janë ato të identifikuara nga Lenini:  “Kush? Kujt?”.

Fjalia hapëse e kujtimeve të de Gaulle-it ishte formuar me gjuhën e dashurisë, mbi një objekt dashurie – dhe në një mënyrë spontane kisha rezonoja me këto formulime në vitet e luftës studentore. Aluzioni i de Gaulle-it ndaj Proust-it është mbi një përjetim mjeshtëror të dashurisë së nënës dhe mbi një parandjenjë të zbehtë të humbjes së saj.

Tre argumentet e tjera të Burke më lanë një përshtypje të ngjashme. E para ishte mbrojtja e autoritetit dhe bindjes. Autoriteti ishte për Burke burimi i rendit politik dhe jo gjëja e neveritshme dhe e ligë që mendohej të ishte nga bashkëkohësit e mi. Shoqëria, argumentonte ai, nuk mbahet së bashku nga të drejtat abstrakte të qytetarëve, ashtu si supozonin revolucionarët fracezë. Ajo qëndron së bashku nga autoriteti- me të cilin kuptohet e drejta për tu bindur, dhe jo thjesht fuqia për ta sjellë këtë bindje me detyrim. Dhe bindja, nga ana tjetër është virtyti parësor i qenieve politike, dispozita e cila e bën të mundur qeverisjen e tyre, dhe pa të cilën shoqëritë do të thërrmoheshin dhe binin në “pluhurin dhe dheun e individualitetit”.

Këto mendime më dukeshin të vetëkuptueshme, kurse bashkëkohësve të mi, tronditëse. Në fakt Burke po mbështeste pikëpamjen e vjetër të njeriut në shoqëri, si subjekt ndaj një sovrani, kundër pikëpamjes së re të tij, si qytetar i një shteti. Ajo që më çuditi ishte kur Burke demonstroi duke mbrojtur këtë pikëpamje të vjetër se kjo pikëpamje ishte një mbrojtëse shumë më efektive e lirive të individit se sa ideja e re, e cila ishte e bazuar mbi premtimin e pikërisht këtyre lirive, vetëm se në mënyrë abstrakte, universale dhe të papërkufizuar. Liria reale, konkrete, liria që nuk mund të përkufizohet, merret apo dhurohet, nuk ishte e kundërta e bindjes por ana tjetër e saj. Liria abstrakte joreale e intelektit liberal nuk ishte gjë tjetër përveçse mosbindje fëminore, e amplifikuar në anarki. Këto ide më gjallëruan pasi shpjegonin atë çka kisha parë në 1968. Por kur i shpreha këto mendime në 1979 në një libër me emrin “Kuptimi i konservatizmit”, shkatërrova atë çka mbetej nga karriera ime akademike.

Argumenti i dyte i Burke që më bëri përshtypje ishte mbrojtja e tij e traditës, paragjykimeve dhe zakoneve përkundrejt planeve të iluminuara të reformuesve. Kjo mbrojtje kishte të bëntë, përsëri, me studimet e mia mbi estetiken. Që kur isha nxënës isha ndeshur me mbrojtjet e gjata të Eliot dhe F.R. Leavis të traditës artistike dhe letrare. Isha çuditur nga eseja e Eliot e quajtur “Tradita dhe Talenti Individual”, në të cilën tradita shfaqet si diçka e cila përparon në mënyrë konstante por të vazhdueshme, e cila ribëhet me çdo shtesë ndaj saj, dhe e cila përshtat të shkuarën ndaj të tashmes dhe të tashmen ndaj së shkuarës. Ky konceptim i cili përpiqej të shpjegonte llojin e modernizmit eliotian (një modernizëm i cili është i kundërti i modernizmit i cili ka mbizotëruar në arkitekture), gjithashtu shpëtoi studimin e të shkuarës, dhe e ktheu dashurinë time të klasikëve në art, letërsi dhe muzikë. Në një pjesë të vlefshme të psikës sime si qenie njerëzore moderne.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020