Teksa mbërrita në Birkbeck College e gjeta veten në zemër të establishmentit majtist i cili drejtonte akademinë britanike. Birkbeck College i cili kishte qenë më parë Instituti i Mekanikës i themeluar nga George Birkbeck në 1823, i përkushtohej edukimit të njerëzve që punonin me kohë të plotë. Ishte i lidhur me idealistët socialistë të Shoqatës së Edukimit të Punëtorëve dhe kishte lidhje të forta por të fshehta me Partinë Laburiste. Dështimi im në fshehjen e ideve të mia u dallua shpejt. Për shkak të mosmiratimit të këtyre ideve mendova se ishte koha për të filluar një karrierë tjetër.
Për shkak të misionit të Birkbeck-ut si qendër për edukimin e të rriturve, leksionet fillonin në orën gjashtë dhe dita ishte zakonisht e lirë. I përdora mëngjeset për të mësuar për provimin e avokatisë: qëllimi im ishte të bëja karrierë në një fushë që nuk u jepte shumë avantazh utopistëve dhe të pakënaqurve. Në fakt kurrë nuk e praktikova profesionin e avokatit dhe e vetmja gjë që mora nga këto studime ishte një përfitim intelektual- gjithsesi një përfitim për të cilin gjithmonë kam qenë mirënjohës. Ligji në çdo pikë të tij është i kufizuar nga realiteti dhe vizionet utopike nuk kanë vend në ligj. Për më tepër „common law“ anglez tregon se ka një dallim ndërmjet pushtetit legjitim dhe atij jo legjitim, se pushteti mund të ekzistojë pa shtypje dhe se autoriteti është forcë e gjallë e veprimit njerëzor. Zbulova se ligji anglez është përgjigja ndaj Foucault-s.
I frymëzuar nga studimet e reja fillova të kërkoj për një filozofi konservatore. Në Amerikë ky kërkim mund të bëhet në universitet.
Departamentet amerikane të shkencave politike i inkurajojnë studentët e tyre që të lexojnë Montesquieun, Burke, Tocqueville dhe “Baballarët themelues”.
Leo Strauss dhe Eric Voegelin kanë lëvizur nga konservatorizmi metafizik i Europës Qëndrore në atë Amerikan, duke formuar kështu shkolla mendimi politik efektive dhe te qëndrueshme.
Jeta intelektuale amerikane përfiton nga patriotizmi amerikan, i cili e ka bërë të mundur mbrojtjen e institucioneve dhe traditës pa pasur frikë nga tallja apo paragjykimi. Ka përfituar gjithashtu prej Luftës së Ftohtë, e cila mprehu gjykimet e vendasve ndaj armikut marksist në një mënyrë e cila kurrë nuk ndodhi në Europë
Në vitet 70 në Britani filozofia konservatore ishte preokupimi i disa eremitëve gjysmë të çmendur. Duke kërkuar librarinë e universitetit tim gjeta Marksin, Leninin dhe Maon por nuk gjeta Straussin, Voegelinin, Hayekun apo Friedmanin. Gjeta çdo version mujor, javor apo tremujor te revistave socialiste por asnjë revistë konservatore.
Në Angli ka dominuar për një kohë të gjatë ideja se konservatorizmi nuk është më një kredo sociale apo politikë e përshtatshme për një person inteligjent.
Ndoshta, nëqoftëse je fëmijë prindërish të pasur, mund të trashëgosh besimet e tyre konservatore, në të njëjtën mënyrë që mund të trashëgosh një problem në të folur apo një mjekër Habsburgësh.
Por nuk mund të arrish vetë tek këto konkluzione – dhe në asnjë mënyrë nëpërmjet një procesi të arsyeshëm apo të menduarit seriozisht.
Por ja ku isha në fillimin e viteve 70, akoma akoma me tronditjen e 1968s si dhe me të rejën, shkaktuar nga studimet ligjore, tashmë me një set të artikuluar besimesh konservative.
Ku mund të kërkoja për njerëz që ndanin mendimet e mia, për mendimtarë të cilat i kishin shprehur ato në detaje, për teori sociale, ekonomike dhe politike që tu jepnin mendimeve forcë dhe autoritet të mjaftueshëm në forumet e opinioneve akademike?
Burke më erdhi në ndihmë. Ndonëse jo i lexuar shumë në atë kohë në universitetet tona ai gjithsesi nuk ishte hedhur tutje dhe quajtur idiot, reaksionar apo absurd.
Ai ishte thjesht jo në përputhje me kohën, interesant vetëm për shkak se kishte gabuar në çdo gjë përsa i përket revolucionit francez. Studiohej pra për të ilustruar një episod të patologjive intelektuale.
Studentëve u lejohej akoma që ta lexonin, zakonisht në lidhje me Tom Paine, një figurë shumë më pak interesante; dhe herë pas here dëgjoje të flitej për një filozofi Burkeane e cila ishte pjesë e konservatorizmit britanik të shek 19.
Burke më interesonte akoma dhe më shumë për shkak të rrugës intelektuale që kishte përshkuar. Vepra e tij e parë, ashtu si dhe e imja, ishte në estetikë. Dhe ndonëse nuk e konsiderova të rëndësishme filozofikisht “Esenë mbi Sublimen dhe të Bukurën”, kuptoja se, në klimën e duhur kulturore, mund të përçonte një ndjenjë të fuqishme mbi kuptimin e gjykimit estetik dhe të vlerës së paçmuar që ai zë në jetët tona.
Mund të them se e ardhmja e karrierës sime si oshënar akademik mund të shihej qysh në fëmijëri, me reagimet e mia të hershme ndaj arkitekturës moderne dhe ndaj përdhosjes së peizazheve fëminore nga “kutitë pa identitet” të rrethinave. Në adoleshencë mësova që gjykimet estetike kanë rëndësi, që estetika nuk është thjesht një mendim subjektiv, i paargumentuar sepse i paargumentueshëm, dhe që nuk ka rëndësi për askënd përveç vetes tëbde. Pashë – ndonëse nuk kisha filozofinë për ta justifikuar – se gjykimi estetik ngre një gjykim mbi botën, se ky gjykim vjen nga një imperativë sociale e thellë dhe se ka rëndësi për ne, ashtu siç kanë rëndësi dhe njerëzit e tjerë për ne kur përpiqemi të jetojmë në një komunitet me ta.
Dhe kështu pra më dukej se estetika e modernizmit me mohimin e së shkuarës, vandalizimin e peizazheve dhe të pamjes së qytetit dhe me përpjekjen për ta zhdukur historinë nga bota, ishte gjithashtu një mohim i komunitetit, shtëpisë dhe qendrueshmërisë. Modernizmi në arkitekturë ishte një përpjekje për ta ribërë botën në një mënyrë të tillë sikur të përmbantë veç individë atomikë, të dizinfektuar nga e shkuara dhe të cilët jetojnë si milingona në guackat e tyre metalike dhe funksionale.
Ashtu si dhe Burke bëra kalimin nga estetika në politikën konservatore pa ndjerë ndonjë asimetri intelektuale, duke besuar se në çdo moment isha në kërkim të një ndjesie të humbur të të pasurit
“shtëpi”. Dhe supozoj se, brenda kësaj ndjesie humbjeje është dhe besimi i vazhdueshëm se ajo që ka humbur mund të rikapet, ndoshta jo ashtu siç ishte kur na shpëtoi nga duart në fillim, por ashtu siç do jetë kur të rifitohet dhe rimodelohet për të na shpërblyer të tërëve për lodhjen e ndarjes; për lodhjen e cila është dënimi që vjen nga mëkati ynë fillestar (shënim i përkthyesit: këtu autori nuk nënkupton mëkat fillestar në një sens fetar por mëkati fillestar= modernizmi dhe shkatërrimi i së shkuarës).
Ky besim është bërthama romantike e konservatizmit, i cili mund të gjendet i shprehur në mënyra të ndryshme te Burke dhe te Hegeli por dhe tek T.S.Eliot, poezia e të cilit kishte ndikimin më të madh tek unë gjatë viteve të adoleshencës.
This blog post has been Digiproved © 2020