Me rastin e vdekjes së Roger Scruton-it po publikojmë esenë e tij: „Pse u bëra konservator“. Për shkak se eseja është e gjatë ajo do të ndahet në shume pjesë. Natyrisht nuk biem dakord me çdo ide të Scruton-it por prapë menduam ta postojmë këtë ese pasi e shohim si shkrim goxha me vlerë.
U rrita në një kohë ku gjysma e anglezëve votonin partinë konservatore në zgjedhjet e përgjithshme dhe njëkohësisht kur thuajse të tërë intelektualët anglezë e shihnin termin „konservator“ si term abuziv. Të ishe konservator do të thotë të ishe në anën e pleqërisë dhe jo të rinisë, në anën e së shkuarës dhe jo të së ardhmes, në anën e autoritetit dhe jo të inovacionit, në anën e strukturave përkundrejt spontanitetit dhe jetës. Një intelektual pra nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të mohonte konservatizmin. Zgjedhja ishte ndërmjet reformës dhe revolucionit. A duhet përmirësuar shoqëria pak nga pak apo duhet fshire çdo gjë dhe nisur nga e para? Në përgjithësi, bashkëkohësit e mi parapëlqenin mundësinë e dytë dhe e kuptova se çfarë do të thoshte kjo kur isha në Paris në Maj të 1968s. Dhe po atëherë zbulova thirrjen time.
Në rrugën e ngushtë poshtë dritares sime studentët po bërtisnin dhe po thyenin gjëra. Dritaret prej xhami të dyqaneve duket sikur u sprapsën për pak, u drodhën dhe dhanë shpirt teksa refleksionet e tyre u zhdukën dhe ranë në fragmente të dhëmbëzuara në tokë. Makinat fluturuan në ajër dhe ranë anash me lëngje që rridhnin nga plagë të padukshme. Ajri ishte i mbushur me thirrje triumfante teksa shtyllat u shkulën nga dheu një nga një dhe u grumbulauan për të formuar një barrikadë kundër furgonave të policisë që po vinin.
Furgoni- i njohur si „paniere de salade“ për shkak të rrjetës së telave që mbulonte dritaret- erdhi me kujdes në cepin e Rrugës Descartes, ndaloi dhe nxorri volli një grup policësh të frikësuar. Policët u përshëndetën me copa kalldrëmi dhe disa prej tyre ranë në tokë. Një prej tyre po rrotullohej në tokë duke mbajtur me dorë fytyrën nga e cila rridhte gjaku drejt gishtave të tij të shtrënguar. Pati një thirrje të ekzaltuar, polici i plagosur u fut në furgon dhe studentët vrapuan në një rrugë njëkalimshe duke u tallur me „derrat“ dhe duke u hedhur në rrugë e sipër kalldrëm.
Atë mbrëmje erdhi një shoqe: kishte qenë tërë ditën në barrikada me një grup teatral nën komandën e Armand Gatti. Ishte shumë e emocionuar nga ngjarjet, të cilat Gatti, një ndjekës i Antonin Artaud, i shihte si kulmi ti teatrit situacionist- transfigurimi artistik i një absurditeti i cili është kuptimi i jetës së përditshme borgjeze. Fitore të mëdha ishin arritur: policë të plagosur, makina në flakë, ulërima sloganesh dhe shkarravitje me grafiti. Borgjezia ishte duke ia mbathur dhe së shpejti Fashisti i Vjetër dhe regjimi i tij do luteshin për mëshirë.
Fashisti i vjetër ishte de Gaulle, kujtimet e luftës së të cilit po i lexoja atë ditë. Kujtimet fillonin me një fjali goditëse- „Tërë jetën kam pasur një ide të caktuar mbi Francën“- një fjali kaq e ngjashme në ritëm por kaq e kundërt në kuptim me një fjali tjetër e cila fillonte kështu- Në kërkim të kohës së humbur: „Për një kohë të gjatë kam fjetur i lumtur“. Sa e mrekullueshme ishte të zbuloje një politikan i cili fillonte vetëkritikën e tij me një sugjerim- dhe kishte vërtet diçka të fshehur mbrapa maskës së guximshme të fjalëve të tij. Po njësoj u habita me përshkrimin e funeralit shtetëror të Valery- gjesti i parë publik i de Gaulle mbi çlirimin e Parisit- pasi dhe kjo tregonte prioritete të paimagjinueshme për një politikan anglez. Imazhi i kortezhës teksa u nis për në Notre Dame, gjenerali krenar i pari ndërmjet vajtuesve, dhe tek-tuk ndonjë snajper gjerman duke parë poshtë nga çatia. Të tëra këto më kishin impresionuar. I papërmbajtur, krahasoja dy figurat e Parisit nga lart, atë të snajperit dhe atë çfarë pashë vetë nga dritarja e quartier latin (lagjes latine), pra trazirat. Kishin lidhje me njëra tjetrën si po-ja dhe jo-ja, afirmimi dhe mohimi i idesë kombëtare. Sipas vizionit Gaulle-ist, kombi nuk përkufizohet thjesht nga institucionet dhe kufijtë, por nga gjuha, feja dhe kultura e lartë; në kohëra trazirash dhe luftërash janë pikërisht këto gjëra shpirtërore që duhen mbrojtur dhe ripohuar. Funerali i Valery ishte rrjedhojë e natyrshme e këtij botëkuptimi. Në atë moment bëra lidhjen e Francës së de Gaulle-it me varrimin e Valery-t- ajo thirrje e të vdekurve e cila më mësoi, më shumë se fjalët e çdo politikani, kuptimin e vërtetë të idesë kombëtare.
Natyrisht isha naiv- po aq naiv sa shoqja ime. Por argumenti që vijoi është një argument të cilit shpeshherë i jam rikthyer në kujtimet e mia. çfarë, e pyeta, propozon të vendosësh në vend të kësaj borgjezie të cilën e urren kaq shumë, dhe te cilës i detyrohesh për lirinë dhe mirëqenien e cila të mundësoi që të luash me barrikadat e tua prej lodre? Cili vizion i Francës dhe i kulturës së saj të bën të sillesh në këtë mënyrë? Isha pompoz deri në shëmti; por për herë të parë në jetën time,teksa e gjeja veten në anën tjetër të barrikadave, përtej njerëzve që njihja, ndjeva një rrymë inati politik që të më përshkonte trupin.
Ajo u përgjigj me një libër: „Fjalët dhe gjërat“ e Foucault, bibla e 68-shve, teksti i cili duket se justifikonte çdo formë transgresioni duke treguar se bindja është thjest disfatë. Është një libër dinak, i kompozuar me gënjeshtra satanike. Është libër i cili përvetëson në mënyrë selektive fakte në mënyrë që të tregojë se kultura dhe njohuritë nuk janë asgjë tjetër përveçse „diskurse“ të pushtetit. Ky libër nuk është libër filozofie por ushtrim retorike. Qëllimi i tij është përmbysja dhe jo e vërteta dhe në aty argumentohet se- në një mënyrë nominaliste e cila është shpikur pa dyshim nga Babai i Gënjeshtrave – se e vërteta ka nevojë për presje të kthyer mbrapsht, se e vërteta ndryshon nga epoka në epokë, se e vërteta është e lidhur me një formë të ndërgjegjes, me epistemën, e cila u imponohet te tjerëve nga klasa e cila përfiton nga propagimi i saj. Shpirti revolucionar i cili kërkon për gjëra të cilat ti urrejë gjeti te Foucault një formulë të re literare. Kërkoni kudo për pushtetin, u thotë ai lexuesve të tij, dhe do e gjeni. Aty ka pushtet ka shtypje. Dhe aty ku ka shtypje ekziston e drejta për të shkatërruar. Në rrugën poshtë dritares sime ishte përkthimi i këtij mesazhi në vepra.
Shoqja ime tani është një borgjeze e mirë si gjithë të tjerët. Armand Gatti është harruar dhe veprat e Antonin Artaud ngjajnë të çuditshme dhe demode. Intelektualët francezë i kanë kthyer kurrizin 68‘ dhe Louis Pauwels, poeti më i madh i tyre i pasluftës, shkruajti nekrologjinë e inatit të tyre adoleshentesk. Po Foucault? Ka vdekur nga SIDA si rezultat i arratisjeve në banjot me avull të San Francisco të cilat i vizitonte gjatë vizitave të mirëpaguara si intelektual i famshëm. Por librat e tij janë në çdo listë leximi në universitete kudo në Europë dhe Amerikë. Vizioni i tij i kulturës europiane si një forme e institucionalizuar e një pushteti shtypës mësohet kudo si fjalë e shenjtë. U mësohet studentëve të cilët nuk kanë as kulturën dhe as fenë për ti rezistuar kësaj doktrine. Vetëm në Francë shihet si mashtrues.
Në 1971 kur lëviza nga Cambridge për tu bërë lektor i përhershëm në Kolegjin Birkbeck në Londër, isha kthyer në konservator. Mesa pashë atje kishte vetëm një konservatore tjetër dhe ajo ishte Nunzia- Maria Annunziata- zonja napoletane e cila shërbente ushqimin në Dhomën e Përbashkët të Kolegjit. Nunzia revoltohej dhe njëkohësisht tallej me lektorët duke ngjitur foto të Papës tek banaku.
Një nga lektorët të cilin Nunzia nuk e duronte dot, ishte Eric Hobsbawm, historiani i Revolucionit Industrial. Vizioni i tij marksist mbi Britaninë është kthyer tani në ortodoksinë e cila mësohet në shkollat britanike. Hobsbawm erdhi si refugjat në Britani duke sjellë me vete përkushtimin marksist dhe anëtarësinë në Partinë Komuniste ,një anëtarësi të cilën e mbajti derisa nuk mundej më – Partia për fatin e tij të keq u shpërbë nën turpin e gënjeshtrave të cilat nuk mund të përsëriteshin më. Padyshim, në mirënjohje të karrierës së tij heroike, Hobsbawm-it iu dha nga Zoti Blair titulli i dytë më i lartë të i cili mund të jepet nga mbretëresha- titullin e „Shoqëruesit të nderit“.
Kjo histori ka rëndësi të madhe për një konservator britanik. Për shkakun e vetëm se është simptomë dhe simbol i asaj që ka ndodhur me jetën intelektuale që nga vitet 60. Duhet të reflektojmë mbi faktin se Universiteti i Oxford-it, i cili i dha diplomë nderi Bill Clinton-it, për arsyen e vetme se për ca kohë ai vintë rrotull në hapësirat e këtij universiteti, i refuzoi të njëjtin nder Margaret Thatcher-it, studentes më të famshme të këtij universiteti mbas kohës së luftës dhe gruas së parë kryeministre në Britani. Duhet të reflektojmë pak dhe mbi disa persona të tjerë të cilët kanë marrë diploma nderi nga institucione akademike britanike- Robert Mugabe përshembull, ose Zonja çaushesku- ose mundet dhe thjesht të përpiqemi të numërojmë me gishtat e dorës numrin e konservatorëve të cilët janë zgjedhur të jenë pjesë e Akademisë Britanike.
This blog post has been Digiproved © 2020