Historia e këtij populli ndër më të lashtët në rajon por edhe në Europë, me një gjuhë kaq të veçantë, çelësi i gjithë gjuhëve të botës siç do ta përkufizonin disa gjuhëtarë. Ky territor që shpeshherë është kthyer në fushëbetejë për shumë fise, principata, perandori dhe shtete të tjera, secila nga këto për hir të interesave të tyre.
Historia e këtij territori nis që nga periudha e antikitetit me ilirët, vazhdon me arbërit e më vonë me shqiptarët. Gjatë ndryshimit të fiseve duke arritur deri në ditët e sotme janë ndryshuar shumë sisteme politike kulturore dhe ekonomike.
Duke mos e çuar kontekstin e shkrimit në kohët e hershme të njerëzimit po e marrim që nga shpallja e pavarësisë së shtetit tonë të dashur, që nga viti 1912.
U bënë shumë përpjekje për ta rindërtuar, dhe me të drejtë, kishim me çfarë mburreshin dhe me çfarë të justifikoheshin. Ishim një territor i copëtuar në thërrmija atomi, u bashkuam dhe formuam një shtet të konsoliduar. Kur nisën reformat për zhvillim, euforia mbizotëroi e kujtuam se çdo gjë do shkonte për mrekulli. Por në momentin e parë që doli një vështirësi, i kthyem sytë mbrapa dhe u justifikuam se nuk mund të ecnim shumë përpara, se kemi qenë një popull i pushtuar nga nje perandori e madhe, e dashur pa dashur, ky pushtim la pasojat e veta.
Ishte një arsyetim me vend, por askush nuk ua kishte fajin atyre shqiptarëve që në ato kohëra për interesin e tyre vetjak, për ca pushtet dhe emër shitën interesat kombëtare. Ndoshta sistemi i kaluar nuk i kishte mësuar që të ishin shtetas të një vendi e të punonin për veten e tyre, ishin mësuar të shisnin çdo gjë pasi fundja “është e osmanëve, jo e jona”.
Ajo periudhë iku, dhe erdhi një tjetër. Bashkë me të një ndërgjegjësim më i madh, se duhet bërë shtet, e në një formë apo tjetër duhet ndërtuar. Prapësëprapë po kërkojmë ndihmën e të tjerëve, se vetë nuk ia arrijmë, sepse nuk kemi “nivelin e tyre”. Sepse përsëri sistemi i kaluar na ka lënë në këto “rrethana”. Shtetet fqinje sa vinin e konsolidoheshin të gjithë, në njëfarë mënyre krenoheshin me ato çka kishin arritur, duke krahasuar të kaluarën me të tashmen. Ne përsëri, faji i osmanëve.
Vitet kaluan, u bëmë shtet i mirëfilltë, na njohën të gjithë. Edhe ne si gjithë të tjerët zgjodhëm një sistem qeverisës, me dëshirë apo jo, ky është problem më vete.
Nisëm përsëri me reforma, hapa më të mëdhenj se më parë, përparuam akoma më shumë.
Por përsëri teksa doli një vështirësi e re, i kthyem sytë mbrapa, jo një apo dy vite, por me shekuj. E ka fajin pushtuesi osman, më vonë ai italian, më vonë ai gjerman e deri më sot. Përsëri u viktimizuam, por mbase me të drejtë, sepse ishim shteti i vetëm në rajon që u ndëshkuam nga lufta e dytë botërore më shumë se të gjithë, në të gjitha drejtimet. Me mbërritjen e tranizicionit situata u përmbys edhe njëherë. Erdhëm në një sistem krejt ndryshe, të gjithë ëndërronim për të, do ishim më në fund të lirë e të pavarur. Përsëri në udhën e reformave, kësaj here me hapa kolosalë, deshëm të linim mbrapa të shkuarën e të merreshim me të ardhmen pasi koha nuk premtonte. Bashkë me reformat erdhën sërish dyshimet, edhe pretendimet e mëdha me ardhjen e këtij viti të ri.
Ah jo, harrova, përsëri na pllakosën problemet. Po tani kush e ka fajin? Nisim me osmanët, për të përfunduar tek gjermanët, italianët, e në fund si qershia mbi tortë, komunizmi. Përsëri me viktimizim.
Kush dreqin e ka fajin në të vërtetë? Këto sisteme që kanë kaluar apo ky viktimizim i një pafajësie të rremë? Mos vallë e ka fajin sistemi, se ne vritemi për një pëllëmbë tokë, se e ushqejmë vetë korrupsionin për faktin se nuk duam të rrimë në radhë, sepse duam të dukemi e ta parakalojmë të dobëtin, mos vallë e ka fajin sistemi ku i rrisim fëmijët me një frymë viktimizuese, se kemi hequr kështu e ashtu, ky sistem që na është pllakosur në mendje se nuk mund të ndryshojmë për shkak të fajeve që na i ka dikush tjetër?
Në këtë kohë të kthesh sytë nga qielli me shpresë se do të bjerë një mrekulli, është e kotë. Të presësh nga të tjerët është e kotë. Kush s’kërkon s’gjën!
Në ballë të problemit qëndron mentaliteti. I cili duhet ndryshuar krejtësisht. Asgjë nuk arrihet me dhunë, asgjë nuk arrihet pa punë, askush nuk të dhuron diçka pa e merituar.
This blog post has been Digiproved © 2020