Një ide shumë interesante në psikën e shqiptarëve politikë është ideja e internacionalizmit. Këtu nuk po flasim për diasporën që ndodhet dhe larg dhe ndoshta ka ndoshta nuk ka interesa për të menduar mbi mëmëdhenë. Nuk po flasim mbi inferioritetin e shqiptarit mesatar, përpjekjet e tij për tu dukur gjerman, italian, amerikan a kush dreqin e di se çfarë. Po flasim mbi shqiptarin si kafshë politike. Kafshët e vërteta politike në Shqipëri janë të rralla por dhe ato që janë janë të shtrëmbëruara.
Fillojmë me elitën politike. Elita politike është internacionaliste. Që nga llogaritë bankare, shtëpitë dhe shkollimet e fëmijëve jashtë vendit, që nga adoptimi i çdo gjëje të huaj si trendy dhe cool dhe deri te shitja e vendit kujtdo që është gati ta blejë. Kasta nuk njeh komb por njeh thjesht paranë. Kasta nuk e ka problem ta kthejë vendin në një vend me somalezë apo nigerianë për sa kohë rrogat të mund të mbahen të ulëta. Mirë kasta, po të tjerët çne internacionalistë lind pyetja?
Të tjerët janë të shumëllojshëm. Ke persona majtistë. Ka dy lloj lëvizjesh kryesisht. Lëvizjet e tipit të parë nga njëra anë mbajnë lidhje me grupe të majta kudo në Europë. Komunistë grekë, komunistë serbë, laburistët e Anglisë. Nuk ka shumë rëndësi. Ideja është e tille: kapitalizmi po i shfrytëzon të tëra vendet. Nuk duhet konkurrence mes shteteve e cila mund të çojë në nacionalizma, fashizëm etj, por duhet të dalim kundër kapitalizmit shfrytëzues në përgjithësi. Me tërë këto lëvizje të majta në këto vende solidarizohemi totalisht. Vetëm kështu luftohet kapitalizmi shfrytëzues. Partitë dhe lëvizjet e tilla në shumicën e shteteve pretendojnë se solidarizohen me çdo të dobët në këtë botë. Këto lloj lëvizjesh mbështesin kurdët ashtu siç mbështesin palestinezët. Mbështesin të vrarët, të lodhurit, të varfërit dhe të vobektët. Për një moment drejtuesit e këtyre lëvizjeve na ngjajnë me Jezusin.
Një Jezu Krisht politik ama. Problemi qëndron te fakti se solidarizimi anti-kolonialist me Sankara-në, Guevaran etj ka pasoja gjeopolitike. Për momentin fatmirësisht nuk kemi ndonjë shtet si Bashkimi Sovjetik i cili pretendon se është shpëtuesi i të varfërve dhe të lodhurve të kësaj bote. Por nëse Kina apo dikush tjetër pretendon të marrë këtë rol nuk duhet të çuditemi nëse këto lëvizje në emër të idealit shesin vendin. Fundja partizanët dhe shumë të tjerë vërtet luftonin kundër ushtrive pushtuese, por për sa kohë këto ushtri nuk ishin të kuqe. Nëse ishin merrnin ndihma nga këto shtete apo ushtri për të ngritur komunizmin në vendin e tyre. Komunizmi shqiptar fundja u krijua ndër të tjera dhe me anë të „konsulentëve“ jugosllavë. Por për sa kohë nuk ekizston një vizion real dhe i fortë i së majtës, i cili ndjek pasoja gjeopolitike duke fshehur faktin se gjeopolitika ekziston dhe duke e zëvendësuar me fjalën solidaritet, nuk ka ndonjë rrezik të madh nga këto lloj lëvizjesh. Deri diku duhen mëshiruar madje. Sepse nuk kanë shans suksesi.
Te lëvizjet e tipit të dytë pastaj ndryshon puna. Këto lëvizje nuk mbështesin Corbyn-in si radikal i të majtës, si majtist më klasik se sa e majta e tanishme e fiksuar mbas korrektesës politike etj. Këto lëvizje bëjnë aleanca me parti të majta aktuale, qofshin të majta dhe thjesht në emër. Po gjeopolitika e këtyre lëvizjeve? E paqartë. Pak osmanizëm këtu, pak nacionalizëm dhe anti-serbizëm atje por kryesisht e paqartë. Përtej takimeve me internacionalen socialiste dhe proklamimeve nacionaliste mbi bashkimin kombëtar nuk dihet alinjimi i këtyre partive. Nacionalizmi i tyre ngjan deri diku i dyshimtë. Duke qenë se këto lloj lëvizjesh po fitojnë terren duhet të dihet më saktë se çfarë lloj internacionalizmi duan vërtet.
Përtej internacionalistëve të majtë ka dhe internacionalistë të djathtë. Këtu nuk po flasim mbi neoliberalët shqiptarë që se kanë problem futjen e çdo lloj pakistanezi në Shqipëri thjesht për të mbajtur rrogat të ulëta dhe të cilët e shohin Shqipërinë si një kontejner ku ka forca punëtore. Jo, e kemi për fjalën për lëvizje të cilat e përbuzin këtë model. Bëhet fjalë për lëvizje që e shohin Shqipërinë si pjesë të një Europe të bardhë, të krishterë(ndoshta dhe pagane). Janë grupime që adhurojnë Le Pen, Orban, Salvini dhe çdo lloj nacionalisti europian, pa pyetur nëse qëllimet gjeopolitike të këtyre partive apo individëve janë të favorshme për kombin shqiptar.
Përtej lajthitjeve të grupimeve politike ka dhe lajthitje të cilat nuk shprehen politikisht por të cilat janë të shpërndara në popullatë. Nga njëra anë janë internacionalistët të cilët e quajnë veten qytetarë të botës. Këta persona se shohin veten si qytetarë shqiptarë por si Diogjeni shprehen se i përkasin botës. Në fund të kazanit pastaj janë dhe personat që janë internacionalistë sepse çdo gjë është e ndërlidhur dhe sepse dashuria do fitojë në fund. Këtë e kanë kuptuar mbas ca seancave me guru në Tiranë.
Por duke parë tërë këtë larmishmëri internacionalizmash del pyetja pse? Pse janë përhapur kaq shumë këto rryma? Kush i ka përhapur këto rryma? Dhe më e rëndësishmja, pse psika e shqiptarit ka nevojë për të tilla rryma? Apo nuk ka nevojë dhe janë si qelbi i përhapur artificalisht nga persona dashakeqës? Dhe e fundit si ka mundësi që këto teori janë të përhapura dhe në kohëra urgjente si kjo e jona? A nuk lufton organizmi vetë kundër ideve të cilat janë të dëmshmë për atë organizëm?
Individët mund të shpjegohen më thjeshtë. Me anë të globalizimit teoritë internacionaliste gjithashtu përhapen më shpejt. Kjo, shoqëruar me nje mospërfillje ose më saktë dhe shkatërrim të vlerave, identitetit dhe krenarisë kombëtare nga ana e shtetit, bëjnë që individi të drejtohet diku tjetër dhe jo nga kombi. Natyrisht dhe individi duhet fajësuar por sa mund të fajësosh një të etur që nuk pi ujë në mes të shkretëtirës? Jo dhe aq. Sepse nuk pi ujë ngaqë nuk ka ujë.
Po lëvizjet e ndryshme politike? Në rastin e tipit të dytë të majtë mund të themi që si nacionalizmi si internacionalizmi janë komponentë të cilët përdoren për të fituar pjesë të ndryshme të elektoratit. Gjithashtu mund të përdoren për „mbulim“. Mbulim të indentitetit të vërtetë, cilido qoftë ky, derisa të vijë momenti i përshtatshëm për heqjen e maskave.
Në rastin e tipit të parë të majtë është thjesht një budallallëk klasik i majtë. Ndoshta i financuar nga dikush me qëllim dobësimin e forcave nacionaliste, por prapë budallallëk.
Në rastin e lëvizjeve djathtiste është dëshpërimi i cili i shtyn aty. Dëshpërimi që Shqipëria nuk shihet si vend europian nga europa perëndimore. Është e kundërta e Fishtës që e quante Europën kurvë. Sipas këtyre lëvizjeve jemi ne kurva në këtë mes sepse nuk kemi bërë si do Europa. Jemi islamizuar, kemi bërë gjëra që nuk duhet ti bënim, kemi kafshuar pra mollën e ndaluar që na largon nga Europa. Dhe tani duhet të bëjmë çdo gjë që të rikthehemi në këtë origjinën tonë europiane. Dhe ka shpresë. Pasi gjysmë-europianë jemi. Por jo të plotë. Kurrsesi të plotë.
Larmia e këtyre lëvizjeve është befasuese deri diku. Gjithashtu befasuese janë dhe arsyet pse këto lëvizje dhe ide janë të përhapura në Shqipëri. Pse na shqetëson kjo? Sepse jemi në situatë emergjente. Amerika apo Europa Perëndimore dhe mund tia lejojë vetes luksin e internacionalizmit por ne nuk mundemi. Ndryshe mbarojmë.
This blog post has been Digiproved © 2020