Me ardhjen e çdo përvjetori që shënon diçka të rëndësishme, më së pari është e nevojshme të hedhim një shikim mbrapa. Ky artikull, po shkruhet posaçërisht për ty lexues, e këto shkronja në ekran të përkasin ty më shumë se çdokujt tjetër, fundja ti je bashkëudhëtari jonë, në këtë udhëtim që zuri fill prej një ndjesie që na kaploi të gjithëve. Ndërto mbi to, nëse mundesh.
Sens i kohës. Mbase është gjëja më e vështirë për tu kuptuar e përthithur në mendësinë tonë.
Tranzicioni i Dytë Shqiptar, nisi ashtu siç nisin të gjitha tranzicionet, në kohë delikate. Koha delikate në kronologjinë tonë ishte degradimi i plotë i sistemit monist, dështimi i të cilit bashkë me shpresën për ndryshim solli paqartësitë e veta. Shqiptarët besuan se me ardhjen e kohëve të reja do ishte e mundur mbërritja e një kohe të shpagimit. Do rikthehej liria intelektuale, do “hynim” njëherë e mirë në Europë por mbi të gjitha kombi ynë do ishte një i pandarë, në vazhdë të mbështetjeve nga aleatët tanë të rinj. Ajo çka harruam ishte fakti që në tokë nuk mund të instalohet parajsa, por nëse duam diçka afër përsosmërisë, duhet të punojmë shumë për ta arritur. Shqiptari në fillimet e Tranzicionit të Dytë u pushtua nga ethet e arit, një sëmundje që sot justifikohet nga mungesa e tejskajshme e të mirave në monizëm. Koha e re u ra shqiptarëve befas si një rrufe në kokë.
Çorientimi ndodhej në qendër të kësaj kohe. Tranzicioni i Dytë pra i la shqiptarët në pragun e diçkaje të re, të zhveshur nga e mëparshmja, por akoma të papërgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e asaj që do vinte më pas. Megjithatë vëmë re se në vitet 1991-2000, shpresa nuk mungoi, edhe pse mungonin mjetet. Shpresa ishte tipari i një shpirti kombëtar të karikuar me energji të reja. Shpirt që vepronte pavarësisht rrethanës. Ky entitet eterik shqiptar, nuk e kishte humbur akoma ndjesinë e një kolektiviteti pozitiv, kolektivitet jo mbeturinë e monizmit, por e atyre forcave të nëndheshme që me anë të klandestinizmit i rezistuan monizmit.
Më vonë shpirti firoi, dhe vendin e tyre e zunë mjetet. Por këto mjete, qoftë politike, teknologjike apo sociale, hasën në humnerën e shpirtit shqiptar. Në vend se të prodhonin cilësi, prodhuan sasi, dhe këtë sot e shohim kudo, mjafton të hapim televizorin, të ndjekim një leksion në auditor, të degjojmë hallet e mikut në kafene, të skllavërohemi dymbëdhjetë orë në punë me shpresën e një page mujore që edhe mund të mos vijë.
Papritmas politika shqiptare u shpall si politikë e botës. Dhe me këtë deklaratë i vuri një barrierë të fortë qenies shqiptare. Qytetari I botës synoi ti zinte vendin qytetarit të tokëzuar në banesën e tij historike. Një vend kaq i vogël në pështjellim, kërkon të hyjë në botë, duke shpërbërë veten e tij si kusht fillestar për “tu integruar”. Përralla e shpagimit mbaroi pa marrë hov mirë.
Brerore lindi si një kundëpërgjigje ndaj krizës shpirtërore shqiptare. Krizë e lindur në Tranzicion, e që do marrë fund vetëm po i shkuam Tranzicionit deri në fund si shqiptarë, e jo si banorë të një Bote abstrakte pa thelb, por si banorë të Botës Sonë Shqiptare të cilën e njohim mirë, por nganjëherë edhe e mohojmë duke e varrosur në dollapin e ëndrrave që kërkojnë shumë përpjekje për tu realizuar.
Kjo kundërpërgjigje u themelua në ndjesinë e emergjencës. Nëse nuk do fillonim të vepronim tani, kjo botë do të zhdukej në heshtje. Veçse nuk duam ti bëjmë elegji e të përfundojmë si heronj tragjikë.
Simboli jonë është dielli I pasdimrit. Pas çdo fundi, vjen një fillim i ri. Fundi I shpresës fillestare të Tranzicionit, nuk është veçse fillimi I një shprese të re, dhe I një dinamike të re.
Idetë janë të vjetra, por brezi I ri, dhe me këtë nuk duam të themi atë çka thuhet zakonisht, rinia amorfe e hedhur anë e kënd, po aq abstrakte dhe e pakuptimtë sa edhe bota pa botë shqiptare.
Ky brez I ri supozohet se është I zhytur në sens të kohëve të tanishme. Duke përjetuar sensin e kohës, I kanë dhënë mundësi vetes të jenë shkëndijat e reja drejt së ardhmes. Është sa vendim radikal, aq edhe barrë e mbajtur mbi shpinë.
Brerore nuk synon të jetë një parti me aparatçikë e militantë. Partitë me përkufizim janë parte, pjesë së një të tëre, që më shumë sesa pajtim, frymëzojnë përçarje dhe pozicionime në grupe interesash. Brerore si projekt, qendron përtej partive, sepse fundja idetë mund të jenë të vjetra por koha e re thërret për mënyra organizimi të reja.
Krahas së qenit larg aspiratave për të korrigjuar një skenë politikë që me kokëfortësinë e saj nuk lë vend për korrigjim, Brerore gjithashtu shpallet si një projekt open-source. Me open-source duam të themi se çdokush mund të hyjë në kodin e saj dhe ta përmirësojë pa u ndjerë i vëzhguar prej njëqind sysh. Brerore nuk është piramidë, por fushë me pika të ndërlidhura. Piramida I përket partive të së shkuarës, ku shpesh degjeneron në mendime përjashtuese të tipit leninist.
Gjithashtu për tu bërë pjesë e jona, nuk është e nevojshme një CV e ngarkuar apo snobizmi që I bashkangjitet shpesh tipave akademikë e të pispillosur. Mjafton vullneti për shkëndijë, e për veprim, por që të kemi vullnet duhet të kemi një shpirt e një prirje. Mbi të gjitha vullneti duhet të disiplinohet jo të vrapojë me nxitim drejt skenareve fantastike.
Në fund të fundit kapaciteti I njerëzve është I ndryshëm, ne nuk mund të themelojmë një barazi fiktive në formën e përrallisjeve dhe nënvlerësimit të njerëzve. Ajo çka na sheshon të gjithëve në potencialin tonë edhe në kontribut, është përmbushja e prirjeve individuale deri në maksimum – të shkrira në grup. Secili në prirjen e në pozicionin e tij është mbret.
Brerore synon të jetë një kulturë e re, e nëpërmjet kësaj kulture, edhe njeriu më i zakonshëm të gjejë vendin e tij pa pasur frikë për pasojat. Le të jetë mozaiku jonë një doracak e një shtysë për ata njerëz që vlojnë nga brenda.
Është vetëm fillimi.
This blog post has been Digiproved © 2019