Të bësh shtet me sigurimsa.

Ekziston një narrative neo-enveriste në Shqipëri sipas të cilës demokracia ka dështuar dhe shkaku i këtij dështimi ishte paaftësia dhe njëfarë karakteri gjenetik shpellar i Sali Berishës dhe demokratëvë të tjerë të cilët me injorancën e tyre të plepave ndërtuan një kaos të paligjshmërisë, varfëri, prapambetje.
Nga ana tjetër epoka enveriste propagandohet si një oaz i qetësisë, rendit, zhvillimit, arsimimit, emancipimit e të tjera si këto. Enveri vetë tregohet si një njeri i ashpër, ama jo i kamur.
Tezë që ka tërheqjen e vet edhe ndër të rinjtë të cilët shohin një realitet të zymtë dhe bombardohen me propagandën e kinostudios në media kombëtare shoqëruar me ankesat e vazhdueshme të ish inxhinierëve, teknokratëve dhe byroistëve që të paktën atëhere kishim ushtri dhe fabrika. Tani “asgjë”.

(Kiço Mustaqi:
Tani unë të dal sot dhe të kërkoj falje pse Enver Hoxha bëri hidrocentrale, pse hapi shkolla, ngriti spitale, uzina e fabrika e futi njerëzit në punë?! Por mund ta konsideroj edhe si një nacionalizëm, deri diku të tepruar…
Mua më vjen keq se kaluam nga ai sistem ku shteti funksiononte mbi bazën e ligjeve dhe rregullave në një sistem të pretenduar demokratik, por që në fakt është një sistem anarkik…Nga ana tjetër, unë Babalen nuk e duroj dot të më bëhet si pjesëtar i familjes.)

Nga ana tjetër dështimi i Sali Berishës dhe demokratëve të tjerë për të ndërtuar një Shqipëri si gjithë Europa, të industrializuar, moderne, ku aftësia vlerësohet më shumë se flamuri i PD-së në makinë vetëm sa e ushqen më shumë këtë nostalgji. Mos të flasim për teorinë e shokut të Gramoz Pashkos, katastrofën ekonomike piramidale ose borxhet për fushatë të qeverisjes së fundit.

Gjithsesi pyetja ime është: Nëse këta njerëz për 50 vite u ushqyen me këtë frymë nacional-bolshevike të jetesës si në rrethim, nëse ishin kriminelë por të paktën atdheun e donin dhe s’lejonin të shkelej nga pushtuesit dhe banditët, pse këta aparatçikë po e “tolerojnë” këtë sistem?

Agron Tufa thotë se janë me dyzina ish oficerë të sigurimit në polici, sistem gjyqësor, madje edhe në parlament. Të gjithë e njohim valixhen e zezë të hetuesit Baba Taku. A nuk ishte gjyqtar komunist Fehmi Abdiu i cili i thoshte Fatos Nanos që të hiqnin ligjin kundër trafikut të armëve? A nuk i shiti Pandeli Majko tanket e vjetra të Enverit deri në Chad? A nuk jane bijtë e byroistëve të gjithë rilindasit e sotshëm që po shesin Shqipërinë me PPP? A nuk nisën privatizimet në kohën e Nanos për të vazhduar tashmë me neoliberalizmin toniblerist të Ramës? A nuk shiti drogë nipi i Enverit dhe më pas doli palagur? A nuk e kanabizuan vendin drejtorët e Saimir Tahirit ish sigurimsa?
Ku ishte ky nacionalizëm, ky kujdes për pronën publike, kjo dhembshuri për klasën punëtore?

E vërteta është se Enverit dhe enveristëve për 50 vite nuk ju plaste minimalisht për Shqipërinë dhe proletarët në aleancë me fshatarësinë. Ata e çuan popullin deri në uri për të mbrojtur pushtetin e tyre. Zgjodhën formën më të egër të marksizëm-leninizmit nga frika se antistalinistët do i spastronin, ashtu si u spastruan në gjithë Europën Lindore.
E në 30 vitet e tregut të lirë të vetmen gjë që trashëguan nga socializmi ishte ndjesia se i perkasin një klase shtypëse, jo asaj te shtypur. Urrejtja per ish “barktharët” dhe perpjekja me çdo kusht për tu pasuruar dhe për të ruajtur privilegjet e një kaste me një mijë fije. Ndryshe nuk do kishim këtë braktisje dhe këtë shkretëtirë socialiste, perveç disa shfryrjeve të OP-së së Qorrit.

Ka ekzistuar në kohën e Adenauerit një akuzë e majtistëve gjermanë se po rehabilitonte ish nazistët. Në emergjencën e ndërtimit të shtetit të pasluftës atij iu desh të merrte teknokratë nazistë të cilët tashmë e kishin braktisur ideologjinë ama kishin aftësitë organizative dhe burokratike për ta çuar shoqërinë përpara.
Terroristët e majtë të RAF-it akuzonin se kancelari Kurt Georg Kiesinger ishte thjesht një nazist dhe justifikonin çdo atentat ose grabitje banke për ta shembur atë establishment.
Të tjerë nazistë u rehabilituan në SHBA (Von Braun çoi njeriun në hënë ndersa Lauri Törni ish SS stërviti Green Berets).

Këta njerëz kishin një të kaluar të errët mirëpo kontributi i tyre në shoqëri ju dha të paktën një gur varri me një mbishkrim të respektuar. Nëse i lëmë menjanë dosjet e komunizmit dhe hapim vetëm dosjet e korrupsionit (ashtu si thotë Fatos Klosi) çfarë kanë bërë “nazistët” tanë për të merituar respektin në shoqëri?

Kur një prift italian po e pyeste at Zef Pllumin së per ç’ndihma konkrete kanë nevojë shqiptarët dhe ku t’i çonte at Zefi i tha “në daç me ndihmue shqiptarët, formo Njeriun”.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019