Në këtë artikull do të bëjmë një paraqitje të shkurtër të modelit Big Push dhe do ofrojmë kritikë mbi një pikë të këtij modeli. Teoria Big Push është një ndër teoritë moderne te zhvillimit ekonomik e cila përpiqet të shpjegojë industrializimin e shteteve, si ndodh ky industrializim dhe cilat kushte duhet të arrihen që të ndodhë. Origjinalisht si model u konceptua nga Rosenstein-Rodan ne 1943 por u modifikua më vonë nga Murphy, Shleifer dhe Vishny ne 1989. Jane po këta autorë të cilët përdorën Game Theory për ta shpjeguar teorinë më qartë.
Modeli Big Push ka dy ide kryesore në thelb. Fillimisht se teknologjia luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Natyrisht pa teknologji nuk ka industrializim. Ideja e dytë kryesore është pyetja që ngrenë këta autorë: Kur ndodh një industrializim i tillë? Cilat kushte duhet të piqen?
Si fillim do merremi me pikën e parë.
Marrim modelin e mëposhtëm. Kostot margjinale pra pagën po e shënojmë me 1. Në rastin e një konkurrence perfekte, edhe çmimin po e shënojmë me 1. Por nuk jemi në kompeticion perfekt dhe dhe kosto margjinale ndryshon. Marrim parasysh se një kompani e industrializuar përdor një sasi punë për të prodhuar një sasi outputi α > 1. Në këtë rast kosto margjinale 1/α. Çmimin në këtë rast po e shenojmë me a= α-1/ α. F është kosto fikse e punës.
Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh të ardhurat agregate po i shënojmë me y. Në këtë rast y = π + L, ku π tregon përfitimin dhe L tregon të ardhurat e punës (paratë të cilat shkojnë te punëtorët dhe jo si përfitim i kompanisë).
Përfitimet e kompanisë së indsutrializuar pra mund të paraqiten me formulën: π = ay – F. Përfitimet agregate me formulën: Π(n) = n(ay − F) ku n është numri i sektorëve të industrializuar në këtë ekonomi. Të ardhurat agregate y(n) = Π(n) + L = L−nF/1-na.
Derivimi i të ardhurave agregate na jep formulën e mëposhtme: dy(n)/dn = π(n)/1-an.
n si indikator ishte i rëndësishem që në formulën ku pamë të ardhurat agregate. Derivimi na tregon që është dhe më i rëndësishëm seç e mendonim. Nëse në formulën e mëparshme kuptuam rëndësinë e sektorëve të industrializuar në një ekonomi mbas derivimit kuptojmë se ndryshimi i të ardhurave agregate mbas industrializimit të një njësie më shumë(një kompani më shumë), është më i madh se sa thjesht përfitimet që kjo kompani ka. Këtu kemi të bëjmë me një efekt shumëfishues keynesian. Ideja këtu është se rritja e përfitimeve të një kompanie sjell shpenzime dhe investime nga kjo kompani nga të cilat përfitojnë kompani të tjera të cilat gjithashtu shpenzojnë dhe përfitojnë. Dhe një rritje e vogël sjell në një efekt shumëfishues në ekonomi.
Secili sektor ekonomik i cili industrializohet sjell eksternalitete pozitive në sektorët apo kompanitë e tjera sipas këtij modeli. Industrializimi = me rritje fitimesh = eksternalitete pozitive dhe efekt shumëfishues. Nuk bën sens pra dëshira e industrializimit të një sektori të vetëm pasi sektorët përmbushin njëri-tjetrin. Kritika e vetme e kësaj pjese të modelit është fakti se fitimi barazohet direkt me investim apo shpenzim(konsum). Në botën e sotme kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.
Madje sot quhet Trickle Down Economics. Shpeshhere paratë qëndrojnë të ngrira në sistemin financiar, fitimet mund të përdoren për stock buybacks ose dhe në përgjithësi mos të shpenzohen më tej dhe të shkojnë në llogari të fshehta ne ishujt Cayman. Mund të jetë sepse, ashtu siç kritikojnë shumë autorë, sipërmarrësit e sotëm përqëndrohen më shumë të vlera e aksionerëve se sa te shëndeti afatgjatë i kompanisë apo për arsye të tjera. Kjo ama duhet pasur në mendje në krijimin e një modeli industrializimi të ekonomisë shqiptare. Që përfitimet të përkthehen në eksternalitete pozitive për tërë ekonominë duhet dhe kërbaçi i shtetit herë pas here. Ky është mendimi ynë të paktën.
Gjithsesi duhet të përmendim dhe pjesën e dytë të kësaj teorie. Kur ndodh ky industrializim? Ky industrializim ndodh kur firmat e shohin që ka përfitim. Nëse π = ay − F >0 industrializimi ndodh. Nëse është më e vogël se 0 industrializimi nuk ndodh. Nëse është afer mund të ndodhë nëse shteti ndërhyn. Duke mos dashur ta ndërlikoj çështjen po e shpjegoj thjesht. Nëse kostot e punëtorëve janë më të mëdha se përfitimi që nxirret nga industrializimi, industrializimi nuk ndodh. Këtu duhet shtuar diçka. Është e vërtetë që një pjesë e madhe e përfitimit është dhe kosto e ulët e punës por duhen parë dhe arsye të tjera. Psh nuk mund të ndërtojmë në Shqipëri fabrikë smartphonesh pasi dhe nëse do ishte e mundur të prodhoheshin përfitimi do ishte i ulët nëmos hiç. Do krijoheshin kompani mumie të mbajtura gjallë me borxhe të lira ose nga shteti. Mundësia për të përfituar pra është shumë e rëndësishme.
Gjithsesi kalojmë dhe njëherë te modeli. Sipas autorit shteti nuk duhet të ndërhyjë në rastet kur përfitimi është i pamundur por as në rastet kur është i sigurt. Në rastin e parë ka para që shpenzohen kot, në rastin e dytë prapë shpenzohen kot pasi kompania apo sektori në fjalë do industrializohej si me ndihmën por dhe pa ndihmën e shtetit.
Me këtë ide biem dakord. E vetmja kritikë që kemi në pjesën e dytë është fakti se jo vetëm kompanitë shpenzojnë para. Gjithmonë punëtorët në këtë model shihen si problem. Problem sepse mund të ulin përfitimet e kompanive dhe detyrimisht investimin apo konsumin që këto kompani mund të bëjnë. Por nëse shohim fillimin e modelit dhe të ardhurat agregate aty përfshihet dhe L pra pagat e punëtorëve.
Si shpjegohet ky paradoks? Këtë se dimë pasi duhen pyetur autorët të cilët kanë zhvilluar modelin por përfundimet që nxjerrim ndryshojnë. Shohim se jo vetëm kompanitë por dhe punëtorët mund të kenë eksternalitet pozitiv me anë të konsumit të tyre. Duhet pasur ama gjithashtu kujdes sepse mbështetja vetëm në konsum mund të sjellë dy probleme kryesore: problemi i parë është konsumi i tepërt në një ekonomi të hapur. Modeli i mësipërm, dhe jo vetëm ky model por dhe modelet zhvillimore në përgjithësi merren me ekonomi të mbyllura. Konsumi në një ekonomi të hapur sjell probleme të cilat i kemi përmendur te artikulli mbi Gjeopolitiken e Absorbimit.
Problemi i dytë është se konsumi mund të tolerohet për sa kohë është i brendshëm, dhe duhet të stimulohet në fazën e dytë të zhvillimit të një ekonomie, por faza e parë e zhvillimit është duhet të ketë investime intensive të cilat duhen bërë nga kompanitë. Kjo nuk tregon se po mbajmë anën e kompanive (kujtoni kërbaçin që përmendëm) por tregon se është thjesht rruga e duhur për industrializim. Në faza të tjera zhvillimore nuk jemi aspak kundër konsumit. Nëse një shtet, në një mënyrë apo një tjetër gjen burime dhe për konsum dhe për industrializim, konsumi mund të stimulohet njëkohësisht me kompanitë të cilat industrializohen. Efekti shumëfishues do ishte dhe më i lartë në një rast të tillë.
This blog post has been Digiproved © 2019