Sekreti është të jetuarit rrezikshëm!

Ky është mësimi i Nietzsche-s nëpërmjet të cilit vetëm në pamje të parë do të mund ta bashkangjisnim me shqiptarin para dhe pas-tërmet. Në fakt, një bashkangjitje e tillë do të ishte një gabim i pafalshëm. Të jetuarit rrezikshëm ka të bëjë me përqafimin e rrezikut dhe jo me fshehjen nën një grushti parash që kursehen tek siguria e ndërtimit. Ne nuk e duam rrezikun sepse në të kundërt do të ndërtonim sigurt. Rreziku që përbën kundërvënia ndaj biznesmenit e politikanit, ndaj parasë korruptuese e dorëzimit ndaj jetës që ajo premton do të mundësonte një ekzistencë të tillë. Nuk kemi të jetuar të rrezikshme përsaqë çdo shkelje që është bërë në ndërtime e dokumentacion ngrihet mbi bindjen dhe sigurinë se strukturat ligjore e shtetërore nuk do të veprojnë. Edhe krimineli e merr kot statusin e të fortit në këtë gjendje.

Megjithatë diçka u shfaq qartë me tërmetin dhe gjendjen që ai krijoi. Së pari se boshllëku i pakufijshëm i mungesës së strukturave përkatëse për raste të tilla emergjencash duhet të mbushet nga prania e kryeministrit. Përpjekja për të mbushur boshllëkun në fakt e nxjerr atë akoma më shumë në pah përsaqë në çdo rast kërkohet komunikim live me ekspertin në vend dhe jo me politikanë gjithçkabërës, qoftë edhe nga halli. Së dyti, jemi dakord me idenë që ka qarkulluar që ditën e parë se ky tërmet tregoi qartë se kombi ekziston ndërsa shteti jo. Sigurisht, kur themi shteti e kemi për strukturat e tij, edhe pse duhet ngritur pyetja mbi ekzistencën e shtetit më në përgjithësi në rastin e një rreziku ushtarak. Pra është e rëndësishme të kuptohet nëse jemi shtet sepse jemi komb apo kombi ka një ekzistencë të pavarur e shteti vegjeton prej të drejtës publike ndërkombëtare e traktateve të ndryshme.

Nga ana tjetër, meraku i qeverisë është mospërhapja e lajmeve panikndjellëse. Ka diçka perverse në këtë merak që gjendja e jashtëzakonshme mundëson lehtësisht të zgjidhet. Ndërsa shqetësimi për lajmet e mediave është refreni i ditës, me sa duket nuk po vihet re se burimi më i madh i përhapjes së panikut e thellimit të traumës është vetë prania qeveritare. Ndërsa të rinj e të reja janë të gjysmuar në gjakun familjar, fëmijë të vegjël tashmë kanë ngelur jetim, e pak kuptojnë, prindër që humbën statusin e prindit, nëpër ekranet shqiptare imponohen dhunshëm fytyra burrash dhe grash të moshës së tretë që qahen e përloten kur shefi i madh është pranë sepse kanë ftohtë e kanë frikë të futen në banesë. Ndërkohë që trupat ende skanë zënë vend në dhe, 60 vjeçarë nëpër zona më pak të prekura qahen sikur të ishin fëmijë pa asnjë lloj dinjiteti që të kuptojnë prioritetin që thërret në vende të tjera.

Ky reflektim s’ka të bëjë fare as me përçmim e as me kritikë por me vënien në dukje se përballë gjakftohtësisë së të rinjve dhe heshtjes së fëmijëve, brezi që trashëgoi vendin për ta zhvilluar në demokraci është i pari që dorëzohet e zvarritet. Përballë shpirtrave të rinj që vërtetë dolën nga nëndheu për të ndihmuar trupat nën rrënoja, shfaqet përditë paniku që përhap dorëzimi, frika, përlotja e më pak të prekurve para politikanit që është tashmë gjithçka sepse nuk ka asgjë. Mos ndoshta ky është një eksperiment i sëmurë për të treguar anën e dobët të kombit atë që na solli në këtë pikë, e për ta shmangur pikërisht atë pjesë të kombit që ziente nëndheshëm?

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019