Sikur të kish pasur gojë ky tërmet, do thonim se toka ulëriti, për tu përcjellë atyre që mban përsipër një të vërtetë lakuriqe. Tërmeti po aq sa ngjarje konkrete ishte dhe një kumtues metaforik, i plasave të sistemit, plasa që paralajmëruan mbërritjen e rrënojave konkrete, e bashkë me to edhe rrënojën sistemike që doli haptazi për herë të parë e paaftë për tu fshehur.
U desh të ndodhë diçka vdekjeprurëse, diçka tek e cila njeriu nuk vë dot dorë, që të zgjoheshim nga letargjia. Ra ky mort e u pamë, thotë një titull libri i shumëpërsëritur. Teksa kjo katastrofë sheshoi dallimet mes njerëzve, jeta e fishkët, tipar i secilit prej nesh u shpalos në tërësinë e saj.
Natyrës ske ç’i bën, por kur vullnetit të saj të verbër i mbivendoset një mungesë e gjykimit njerëzor, katastrofa merr një karakter të dyfishtë, duke na reduktuar potencialisht në gjethe të cilat i merr era, po aq pjesë të natyrës sa edhe indiferenca e saj amorale.
Është stërthënë se sistemi jonë, ose shteti, është themeluar mbi pasjen e dukjeve, pa cilësi në vetvete. Njerëzit rrëmojnë si e si të ndjekin fitimin e radhës, të pandërgjegjshëm për atë çka vjen më vonë, e kë prek, përveç vetes së tyre, e gjithnjë me një shpresë, ose më mirë, përllogaritje, nga të cilat dalin monedhat e shifrat. Shteti tek ne nuk i jep frymë një bashkësie, por një konkurrence pa rregulla ku funksionon ligji i xhunglës. I forti mbijeton, i dobëti shkërmoqet nën rrënoja.
Prandaj edhe kjo bashkësi pa një të përbashkët në gjendje normale, nis e reflekton mbi situatën e saj në gjendje të jashtëzakonshme. Ligji i xhunglës, bashkë me dallimet që krijon, venitet, dhe situata e re lyp gjetjen e një bashkësie.
Në rastin shqiptar fatmirësisht pamë se kombi nuk paskësh firuar në erë, veç se paska pritur nëntokë, të dalë bashkë me tërmetin. Njeriu paska pritur vullnetin e natyrës për të shpalosur cilësinë e vet, pasi vetë paskësh qenë i paaftë për ta shpërfaqur në gjendje normale. Kjo është e vërteta më e hidhur, sesa mungesa e një shteti që i jep frymë kombit. Ky komb i dalë nga thellësitë e tokës me dhunë, pret të futet sërish, e me ngadhënjimin e shtetit, të bjerë në gjumë letargjik.
Tërmeti na tha fillimisht se mbi tokën tonë kemi ndërtuar vendçe, pa kujdes. Kemi ngritur fasada të bukura, kemi stërholluar e spërdredhur çdo vijë e kënd të mundshëm që na ndjell kënaqësi shqisore, por kemi harruar skeletin e ngrehinave. Populli i jep vetes një shtëpi prej letre me fjongo.
Së dyti, na tha se rojtari ynë i madh përsipër, mbylli një sy e një vesh përkundër këtyre ndodhive. Populli i dha vetes një fashë për të mbyllur të dyja sytë.
Së treti, tërmeti me nënqeshje na tregoi se pallatet e kohës së xhaxhit ishin të mirëpajisura, me përbërje “shteti”, për t’i qëndruar lëkundjeve. Fantazmat janë prej mishi e kocke.
Reflektimi që nis nga gjendja normale për të kaluar tek gjendja e jashtëzakonshme, përfundon tek gjendja paradoksale. Aty ku bashkësia shpaloset përgjatë katastrofave natyrore, ku natyra na mundëson politiken, rrjedhimisht, e paarsyeshmja të arsyeshmen, dhe ku rojtari del në pah ashtu siç është, një ngordhësirë e cila ka kohë t’i bjerë me shkop e kamxhik shqiptarëve, me qëllim ruajtjen e dukjes së saj si një oktapod i fortë me tentakula të gjithështrira.
Një përmbledhje na e përmbush këtë panoramë.
Në kohën e xhaxhit kishte shtet e ushtri, pa komb. Në gjendjen e jashtëzakonshme ka komb, por pa shtet e ushtri. Kurse në gjendjen normale, nuk ka as shtet, as komb, e as ushtri.
Shqiptari duhet të ulet të mendojë, të shikojë thellë brenda vetes, e nëmos për idealizëm, për leverdi të konsiderojë shpalljen e një normaliteti të ri, në të cilin nuk është i nevojshëm morti për “t’u parë”
This blog post has been Digiproved © 2019