Keynes dhe tragjedia greke

Kur lexon titullin lexuesi mund te mendojë se po flasim për krizën greke dhe keynesianizmin. Dhe në fakt shumica e artikujve që përmbajnë fjalët Keynes dhe tragjedi greke për këtë gjë bëjnë fjalë. Por këtu do flasim për diçka tjetër.

Keynes në rininë e vet ishte i fiksuar mbas tragjedive të lashta greke. Kjo për faktin e thjeshtë sepse temat që diskutonin kishin të bënin dhe me ekonominë. Pavendosmëria, probabiliteti dhe dilemat morale janë tema që janë shumë të pranishme si në tragjeditë greke dhe si në realitetin ekonomik. Carabelli na jep një përshkrim të detajuar për mënyrën se si tragjedia greke ndikoi Keynesi në shumë mënyra por ne na intereson një pjesë tjetër e historisë.

Cammarosano, të cilin e kemi përmendur në artikuj të mëparshëm, gjithashtu e dinte mirë lidhjen e Keynes me tragjedine greke. Madje në një pjesë në librin e tij mbi Keynesin ai na tregon se si Keynesi krahasonte ekonomine proteksioniste botërore te viteve 30 me tragjedinë greke. Zgjidhja ishte aty: më pak proteksionizëm. Keynesi që donte të mirën e përgjithshmë në atë kohë, pak a shumë si liberalët e sotëm që shohin vetëm argumente ekonomike dhe jo politike, e shihte këtë si dilemë morale. Zgjidhja ishte po situata politike nuk e lejonte. Kjo përbëntë tragjedi.

Këto rreshta që kisha lexuar para 6 muajsh mbi Keynesin më erdhën në mendje pas leximit të një artikulli të Foreign Policy. Michael Pettis në këtë artikull argumenton se problemi i imbalancave tregtare amerikano-kineze nuk është problem thjesht i Trumpi apo i Xi Jinpingut ashtu si nuk është as problem i ri. Gjithashtu është problem i pashmangshëm. Nuk është faji i një grupimi politik në Amerikë apo në Kinë që kjo po ndodh. Por sipas tij ky problem ka zgjidhje dhe pa proteksionizëm.

Problemi i imbalancave tregtare është gjithashtu problem të cilin Amerika e ka dhe me vende si Gjermania dhe Japonia. Dhe masa në të cilin ky problem është prezent te këto vende, në nivel absolut mund të mos jetë më keq se Kina, por në nivel relativ është.

Por ku qëndron vërtet problemi sipas këtij autori? Problemi kryesor sipas autorit qendron te fakti se rrogat mbahen të ulëta si në Gjermani, si në Japoni ashtu dhe në Kinë. Kjo sipas tij sjell probleme për të dyja anët: dhe për vendet me sufiçit tregtar dhe për ato me defiçit tregtar. Kjo ne vendet në sufiçit sjell problemin e rrogave të ulëta dhe një popullise të pakënaqur me nivelin e jetesës. Në këtë rast fitojnë vetëm kompanitë por ky fitim nuk rishpërndahet në asnjë mënyrë në popullsi. Vendet si Kina, Gjermania etj, duke mos ditur se ku ti çojnë paratë e sufiçiteve i injektojnë ato në sistemin financiar amerikan. Në këtë rast në Amerikë kemi problemin tjetër. Sistemi bankar dhe financiar amerikan, i mbingarkuar me para dhe duke mos ditur ku ti çojë jep kredi më shumë seç duhet dhe kthen shoqërinë amerikane në një shoqëri të mbështetur në konsum me anë të kredive. Rrogat dhe në rastin amerikan nuk ngrihen. Autori jep zgjidhjen: Te dyja anët të ngrenë rrogat dhe SHBA-të gjithashtu të nxjerrin ligje për kufizimin e lëvizjeve të tilla financiare. Kështu rivendoset balanca. Njësoj si rasti i mësipërm Keynesian kjo alternativë sugjeron një botë ku disa gjëra të marra si të mirëqëna. Supozon se Kina, Gjermania, Japonia dhe Amerika dhe elitat financiare dhe ekonomike të tëra këtyre vendeve janë të gatshme të ulen në një tavolinë për të rënë dakord më njëra tjetrën. Supozon se elitat e brendshme do jenë dakord me të tilla ndryshime etj.

Proteksionizmi nuk është zgjidhja e duhur argumenton autori. Ka mënyra të tjera për të ulur imbalancat tregtare. Pyetja që bëjmë ne është: a janë të mundshme?

Keynes ashtu si dhe Pettis në këtë artikull janë stereotipi i ekonomistit par excellence. Ekonomistët thonë: Ekonomia rritet sipas këtij modeli apo atij modeli nëse plotësohen kushtet 1,2,3. Pyetja është a plotësohen gjithmonë?

Është deluzionale të shpresosh që këto kushte do realizohen gjithmonë në botën ku jetojmë. Pra tragjedia në këtë rast nuk ështs aspak tragjedi. Është deluzionale mund të thuash që të duash të arrish dicka në kushte të caktuara politike. Tragjedia greke që Keynes e përktheu në ide ekonomike, ideja e dilemës se politikës ndaj ekonomisë dhe dilemave të tjera të ndryshme morale është thjesht një keqkuptim. Keqkuptim i krijuar nga një shikim i botës me sytë e ekonomistit.

Lind pyetja: A ka ndonjë vlerë të qenit si Keynes-i apo në këtë rast dhe Pettis-i? Nëse ishin deluzionalë pse duhet të jemi si Keynes-i apo Pettis-i? Fillimisht duhet thënë se Keynesi ndryshoi. Më vonë filloi të merrte shumë në konsideratë dhe sfondin politik të kohës. Nga ana tjetër duhet thënë se vërtet mund të jetë deluzionale por të paktën është një ideal i drejtë për të cilin duhet të përpiqemi. Natyrisht këtë nuk mund ta bëjë politikani që gjendet në mes të 100 kontingjencave dhe rrethanave të kohës. Këtë duhet ta bëjë intelektuali që përpiqet të ndikojë politikanin me mendimet e tij. Dhe nëse e mira  nuk arrihet duhet të paktën të kuptojmë se çfarë është e mira.

Po në një vend si Shqipëria, e mbytur nga kontingjencat dhe e pafuqishme për të vendosur ndonjë ideal botëror? Natyrisht mund të zgjedhim të bëhemi Che Guevarist apo persona që mendojnë se do thyejnë dominancat e fuqive botërore. Mund të bëhemi persona që mendojnë se Shqipëria do jetë fortesë në Adriatik kundër imperializmave të ndryshëm. Këtu është problemi i vetëm që kjo si mënyrë të vepruari është joshëse por e çmendur.

Mundet, dhe këtë propozojmë dhe ne, të mendojmë se si të mbijetojmë. Intelektuali shqiptar, ndonëse në një vend të varfër, nëse nuk është maskara por intelektual i vërtetë, nuk ka shumë dilema. Nuk do ketë dhe nuk duhet të ketë dilema të tipit: Nacionalizmi i keq sepse nëqoftëse janë të tërë nacionalistë kombet përplasen me njeri tjetrin. Apo proteksionizmi i keq por mund të bëhet dhe pa proteksionizëm më mirë.

Nuk do ketë dilema sepse të tëra këto(nacionalizëm, proteksionizëm) po përdoren nga një shtet apo një tjetër në njëfarë mënyre.

Përgjithësisht mund të themi se nuk duhet të ketë asnje lloj ndjenje faji apo dileme për sa kohë kjo është për të mirën e Shqipërisë. Apo në raste më të pafavorshme për kombin(ashtu si dhe tani), për mbijetesën e Shqipërisë.

Vlen të thuhet: Keynesianizëm nëqoftëse duhet, Liberalizëm nëqoftëse duhet etj. Drita në fund të tunelit nuk duhet të jetë Keynes-i por e mira e kombit shqiptar.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019