Dyzet Vjet Vetmi

Çfarë kanë të ngjashme hyrja e Gjermanisë në zonën Euro, politikat e normave të ulëta të interesit të BQE, lidhja e ekonomisë taivaneze me atë kineze, deflacioni i vazhdueshëm japonez, ngritja e vendeve si Malajzia, Indonezia etj dhe shumë ngjarje të tjera të tilla? Përveç faktit se janë probleme ekonomike?

Në shikim të parë jo dhe aq shumë. Janë probleme ekonomike që kanë ndodhur në vende të ndryshme në vite të ndryshme dhe në pamje të parë jo shumë të ngjashme me njëra tjetrën. Këtu te Brerore gjithmonë marrim shembuj edhe të huaj për të kuptuar se çfarë mund të shkojë keq dhe me vendin tonë dhe se çfarë duhet bërë. Në rastet kur kemi folur mbi politizimin e tregtisë apo mbi problemet e inflacionit apo ekonomisë reale kemi kapur çështje shumë konkrete. Në këtë rast problemi është më i përgjithshëm.

Rasti gjerman. Njeriu i sëmurë i Europës u bë më mirë mbas Euros. Problemi? Fakti se tërë eksportet nuk bazohen më mbi konkurrencën e vërtetë por mbi monedhën e zhvlerësuar artificialisht. çfarë ndodh nëse Euro kolapsohet dhe Gjermania duhet të bëhet sërisht kompetitive? Duhen ndërrmarë reforma që ndoshta nuk do u pëlqejnë të gjithëve.

Rasti i BQE-së. Rasti i BQE-së nuk është rast i veçcantë. Është e vërtetë që rasti i BQE-së është rast pak ekstrem krahasuar me rastet e tjera por trendi që ai ndjek është i njëjtë. Duke filluar nga vitet 80, me përjashtim të rritjeve ekstreme të normave të interesit gjatë kohës Reagan, trendi ka qënë ulje e vazhdueshme e normave të interesit. Jo direkt në normat që po shohim sot por graduale. Nëse më para 5% quhej normë normale interesi sot quhet 2% ose 0%(në Europë e Japoni).

Gjithashtu vitet e fundit po shohim rritje të niveleve të borxhit të shteteve sovrane të cilat nuk janë parë që në kohën e depresionit të madh dhe para Luftës së Dytë Botërore.  Në një artikull që po lexoja dje nga Die Welt, po ndodh që politikanët, me qëllim apo jo, lexojnë vetëm pjesët e Keynes-it ku thuhet se shpenzimi i shtetit duhet rritur, por harrojnë pjesët e tjera. Një kontribut në kujtesën e dobët te politikanëve është fakti se ata duhet të rizgjidhen dhe se masat ekonomike që duhen ndërmarrë por që nuk do jenë popullore me njerëzit nuk i bëjnë mirë imazheve të mirëstolisura.

Rasti taivanez. Pak a shume rreth viteve 80-90 ekonomia e Taivanit nuk kishte më Bum-in e mëparshëm. Ekonomia u ngadalësua dhe Taivani kishte dy zgjidhje: Ose të bënte ekonominë më kompetitive me reforma strukturale ose të hapte ekonominë më shumë ndaj Kinës. Natyrisht Taivani zgjodhi të hapte ekonominë ndaj Kinës. Fundja pse të lodhte kokën shumë Taivani?

Rasti i deflacionit japonez. Duke filluar qe nga dekada e humbur dhe më tej, Japonia ka pasur probleme të mëdha me deflacionin. Duhet kuptuar që një deflacion që zgjat dekada nuk është një deflacion afatshkurtër normal. Ekonomia ka një problem më të madh se sa duket. A gjeti Japonia këto dekada zgjidhje ndaj deflacionit? Jo, nuk gjeti. Zgjodhi të vazhdojë me uljen e normave të interesit dhe me injektim parash në treg. Zgjodhi të rrisë dhe borxhin diku te 300% e GDP.

Rasti i rritjes ekonomike të vendeve si Malajzia, Indonezia etj është shpërthimi i kësaj rritjeje ekonomike. Zakonisht rritja bazohet në një industri të veçantë ose në flukse financiare. Në rast se këto flukse ndalojnë apo industria rrëzohet apo kërkesat globale ndryshojnë, këto vende do kenë krizë.

A dalloni ndonjë ngjashmëri tani mes rasteve? E vetmja ngjashmëri është që 40 vitet e fundit, mënyra e të bërit politikë në rrafshin ekonomik ka ecur sipas sloganit: Zgjidh të bësh gjënë më të thjeshtë të mundshme, më me pak kokëçarje dhe që nuk të kushton vota të humbura. Zgjidh të arrish rritjen ekonomike pa pyetur për pasojat. Zgjidh ta zgjasësh dehjen me para të lirë dhe kredite dhe pak më shumë. Pra zgjidh rrugën e rehatshme.

Kritikëve u pëlqen të përmendin Kinën. Vendet diktatoriale apo autoritare janë më mirë në këtë drejtim thonë ata. Por harrojnë se dhe Kina ka pafund probleme të vetat. Duke filluar nga borxhet në nivel lokal, qytetet fantazmë, fllucka imobiliare etj. Mos të përmendim pastaj Rusinë që nuk arrin dot as GDP-në italiane ndonëse ka popullsi më të madhe se të Italisë.

Marksistët e kanë përgjigjen në majë të gjuhës. Nëse i pyet pse po ndodh kjo që po ndodh nuk të thonë pse janë ndërmarrë reforma të gabuara por do të thonë pse ndodhi „ngecja“ e ekonomive në vitet 80 dhe 90, pra nga mbiakumulimi në kapitalizëm. Këtu marksistët janë shumë të ngjashëm me proponentë të tjerë të „shkatërrimit për ndërtim“. Marksistët thonë se duhet të ketë luftë apo dicka tjetër që të shkatërrohet dicka në mënyrë që të rindërtohet prapë.

Por ndryshe nga të tjerë që e shohin këtë si pashmangshmëri marksistët ofrojnë komunizmin si zgjidhje dhe dalje nga rrota që rrotullohet pa mëshirë. Problemi është që të dy grupet i shohin ekonomitë në mënyrë shumë fataliste. Të dy grupet nuk mendojnë thellë thellë se teknologjitë e reja ofrojnë mundësi të reja ekonomike dhe të dy grupet nuk kanë besim se reformat do ndryshojnë ndonjë gje thelbësore.

Por ne nuk jemi fatalistë. Reformat funskionojnë. Nuk mund të bëhemi fatalistë kur nuk është bërë përpjekje për reformë në radhë të parë. Dyzet vitet e fundit të mendimit ekonomik kanë qenë të karakterizuara nga neoliberalizmi , Keynesianizëm me pika për të „ndrequr“ pak problemet që krijon neoliberalizmi, përtacia intelektuale dhe mosdëshira për të gjetur zgjidhje reale.

Tani po Shqipëria ku hyn këtu mund të pyesë dikush. Këto probleme prekin dhe Shqipërinë. Për momentin nuk kemi kohë të mendojmë për të tilla probleme pasi nuk kemi politikanë që mendojnë për zhvillim në radhë të parë.

Por nëse kemi politikanë që mendojnë për zhvillim, duhet të dimë se zhvillimi nuk duhet të ndodhë në një plan afatshkurtër dhe “me rehat të madh”. Nuk duhet të kthehemi në një Bangladesh që ka një sektor si tekstilet dhe mbështetet vetëm te ai sektor. Nuk duhet të kthehemi në një Azi të viteve 90 e cila ishte shumë e varur nga rrjedhjet financiare të shpejta. Që vërtet mund të vinin shpejt por të cilat dhe iknin shpejt. Plani për ekonominë shqiptare duhet të jetë plan afatgjatë.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019