Meqë ndodhemi në një faze tejet të nxehur të diskutimeve me natyrë ideologjike në Europë, jam i detyruar të bëj disa sqarime paraprake mbi kuptimin e Pozicionit të Tretë. Fare qartësisht, Pozicioni i Tretë mëton se ka arritur të kapërcejë spektrin politik klasik, kështu që ndodhet “Përtej së majtës e të djathtës”. Pa e vënë këtë deklaratë në një kontekst të caktuar, do rrezikonim ta ngatërronim me ideologji të tjera, pararendëse ose jo, që përziejnë elementë nga e djathta dhe e majta.
Pozicioni i Tretë lindi në vorbullën e Luftës së Ftohtë, ku pretendoi se kërkonte krijimin e një Rendi Të Ri Botëror, një rendi që do i kundërvihej aspiratave utopike të komunizmit dhe atyre shpërbërëse të kapitalizmit. Kundër së majtës – kundër idesë revolucionare komuniste për një shtet botëror të kuq. Kundër të djathtës – kundër globalizmit dhe shthurjes së identiteve kombëtare. Uluritësit tanë postmodernë, shpesh parapëlqejnë ta etiketojnë “Pozicionin e Tretë” si “Neo-fashizëm”, pa marrë parasysh se ekzistojnë nja pesë a gjashtë ideologji të tjera (Psh Nacionalizmi i Bardhë) me aspirata të ngjashme të cilat duhen marrë e klasifikuar me kujdes e jo hedhur në koshin e plehrave të diskutimeve të çala dhe tendencioze. I mbani mend akshfobitë?
Në pamje të parë Pozicioni i Tretë duket sikur është thjesht një ripaketim i kombëtarizmit, për të shmangur gjuetinë e shtrigave që u bëhet termave të rrezikshëm sot për sot. Megjithatë historia nuk është kaq e thjeshtë. Pozicioni i Tretë, pra po të marrim si referencë pararendësin më të hershëm, para luftës së dytë botërore e deri në ditët e sotme, shfaqet si më shumë i prirur ndaj një të majte autoritare internacionaliste, me elemente të nacionalizmit etnik, si dhe së fundmi, me zhvillimet më të reja të së ashtuquajturës “Nouvelle Droite”, me një tendencë anti-perëndimore që kulminon deri në një glorifikim të diktaturave të Botës së Tretë.
Gjithçka fillon me një fraksion të vogël të së majtës gjermane. Ernst Niekisch ishte një mësues shkolle i angazhuar me kohë të pjesshme në aradhet e demokracisë sociale në Gjermani. Pas disa zhgënjimesh dhe zënkave me anëtarë të partisë, ai u largua duke i kthyer sytë me pozitivitet drejt zhvillimeve më të fundit në Bashkimin Sovjetik. Gazeta e Niekisch, Ëiederstand (Rezistenca) u kthye në pamfletin kryesor prej ku propagandohej sinteza e re ideologjike. Nacional-Bolshevizmi. Sipas gjykimit të Niekisch, Partia Nacional-Socialiste Gjermane, kishte bërë disa gabime drejt udhës për pushtet, më i pafalshmi mes së cilëve ishte dorëheqja nga “socializmi i vërtetë” që nënkuptonte largimin nga idetë ekonomike centralizuese dhe kundër pronës private që Nacional-Socialistët e hershëm propozonin.
Praktikisht, ajo që Niekisch kërkonte së bashku me Nacional-Socialistët e hershëm, ishte një Stalinizëm gjerman, një përputhje interesash që nuk ndodhi kurrë, mes Gjermanisë dhe Rusisë, ku më pas këto të dyja do mund ta ndanin botën si të donin. Ky bosht i ri gjeopolitik, do ta tërhiqte njëherë e mirë Gjermaninë nga lindja, duke e shtrënguar fort bashkë me Rusinë në një të ardhme të re, ku strumbullari praktikisht do ishte Rusia, për shkak të pozicionit gjeografik krejt të përshtatshëm për të pasur një thellësi strategjike, periferia e së cilës do ishte Gjermania. Ndërkaq, Gjysmëunaza e Europës Lindore do të tejkalohej, me një okupim të përbashkët Gjermano-Sovjetik të kësaj hapësire.
Ideja e Niekisch dhe shokëve të tij nuk pati jehonë të gjatë as në Gjermaninë e atyre kohëve, e as në veshët e Leninit që e denoncoi si një ide të shtrembërt, që merrte nga komunizmi çfarë i leverdisej, dhe nga nacionalizmi gjithashtu. Kështu lindi pararendësi i parë i Pozicionit Të Tretë, dhe jo pa bujë.
Ndërkaq, krahu tejet i majtë i Nacional Socialistëve, Strasserizmi, i quajtur kështu sipas mbiemrit të vëllezërve Otto dhe Gregor, u hoq qafe nga pararoja e re Hitleriane që ua përmbysi tavanin mbi kokë gjatë Kristallnacht, ose heqjes qafe të opozitës brendapartiake. Në këtë turmë të hequrish u përfshi dhe Ernst Rohm, i cili ndihej sikur kryengritja e Hitlerit dhe fitorja, kishte qenë vetëm një gjysmë-revolucion. Këto zhvillime zakonisht nuk njihen dhe aq shumë nga historianët, prandaj edhe kjo opozitë brendapartiake shpesh portretizohet si një krah i moderuar e i pafajshëm, kur në të vërtetë çka kërkonin ishte diçka thellësisht më radikale dhe me jorealiste sesa plani i Hitlerit. Nga kleçka e parë kalojmë në të dytën.
Kleçka e dytë ndodh gjatë Luftë së Ftohtë dhe përbën bazën e reflektimit mbi situatën e sotme të Pozicionit të Tretë. Idhtar i këtij Pozicioni dhe konsolidues i mëtejshëm ishte njëfarë intelektuali amerikan i kundërvënë më së pari ndaj Bllokut Perëndimor, i quajtur Francis Parker Yockey. Përgjatë Luftës së Ftohtë fillimisht, Pozicioni i Tretë u bë i paqartë në aspiratat e tij. Në të njejtën kohë që propagandohej tejkalimi i spektrit politik majtas djathtas, dhe kundërshtia ndaj Bllokut Perëndimor e Lindor, propozohej edhe një taktikë situacioniste sipas së cilës rreziku i vërtetë ishte “Qytetërimi Amerikan” i kontrolluar nga çifutët, kurse modeli Stalinist ofronte një alternativë Anti-Zioniste që do ishte në gjendje të shpëtonte Europën nga armiku i vërtetë. E në fakt, Yockey kërkonte një Perandori mbarëeuropiane por jo të anuar nga Amerika, por nga Bashkimi Sovjetik.
Propozimet e Yockey-t u refuzuan nga një pjesë e madhe e fashistëve të kohës duke u cilësuar si “Neo-Straseriste”
Si provë për “Neo-Straserizmin” e Yockey-t, u dha një postulat i rëndësishëm që është i vlefshëm edhe sot. Duhet një lloj “kuqo-bojëkafëzimi”, një aleancë “kuqo-bojëkafësh”, ku të kuqtë janë komunistët, e bojëkafët janë Strasseristët e vjetër, të quajtur kështu sipas uniformave bojëkafe të SA-së (Sturmabteilung).
“Pozicioni i Tretë” përgjatë këtyre dekadave kishte disa karakteristika kryesore:
- Anti-Imperializmi tendencioz, kur Amerika pushton, është e ligë, kur Bashkimi Sovjetik pushton, ai në të vërtetë i çliron popujt.
- Glorifikimi i diktaturave të botës së tretë si bastione të fundit kundër Amerikës, dhe si luftë e popujve të shtypur.
- Nacionalizmi etnik, jo si ruajtje e një ndërgjegjeje kombëtare dhe zgjidhje e këtyre çështjeve specifike në varësi të kontekstit nga shteti në shtet, por si bërthamë e krijimit të një perandorie, dhe gjithmonë në funksion të aspiratave të Rusisë.
Shumë shpejt, me rëniën e Bashkimit Sovjetik, Pozicioni i Tretë, me pragmatizëm pushoi së pretenduari që ishte i tretë e një alternativë e re, por iu atashua një Rusie që po ndryshonte, por që nuk po perëndimizohej. Grupet radikale Nacional-Bolshevike Ruse nisën të shikojnë një rreze drite në horizont që do u përforconte mundësitë e një “hovi të madh përpara”.
Ky hov u përqëndrua më së pari në Europën Lindore dhe në disa lëvizje disidente në Perëndim, lëvizje që shpeshherë edhe bënë sinkretizma të mëtejshme, duke marrë tendencat anti-perëndimore glorifikuese të botës së tretë nga Pozicioni i Tretë e duke e përzier me një ultra-nacionalizëm absolutist. Në Itali u bë një sinkretizëm i tillë në formën e organizatës radikale “Terza Posizione”, por që fundja nuk provoi të jetë i pëlqyeshëm nga homologët në Rusi.
Le të prekim pyetjet që kanë rëndësi për Shqipërinë. A na vlen kjo teori rusofile e Pozicionit të Tretë?
Natyrisht që jo. Pozicioni i Tretë në Rusi e ai i Nouvelle Droite në Francë, krahas viktimizimit të botës së tretë, ka përvetësuar shkëlqyeshëm edhe viktimizimin Jugosllav, ku Sllobodan Millosheviç cilësohet si hero socialist, dhe Serbia si popull i shtypur nga NATO dhe Amerika. Pra radhës së gjatë prej diktatorësh të shtypur, si Kim Jong Un, Gaddafi e Saddam Hussein, i shtohet dhe Millosheviçi i rrëzuar pa të drejtë nga karrigia sipas këtyre ideologëve.
Pozicioni i Tretë sikur të ishte sllavofil, do quhej unitarizëm i sllavëve. Por si çdo unitarizëm që vjen nga një aktor me fuqi më të mëdha se fqinjët, mbizotëron Moskovizmi, pra diktati nga Mëma Rusi, dhe përqafimi që kjo mëmë e dashur i bën Europës Lindore sa për zgjerimin e një thellësie strategjike që i ka munguar Rusisë në Perëndim. Mendoni pak, nëse Rusia sulmohet nga Perëndimi e jo nga Lindja, sa kohë do i duhej pushtuesit për të arritur qendrat e rëndësishme të banuara?
Prandaj edhe idhtarët e Pozicionit të Tretë sot i kundërvihen fort Luftës në Ukrainë, si një tjetër konflikt që bëhet për të mirën e Amerikano-Zionizmit perëndimor. E forta në këtë histori është injorimi i plotë që u bëhet dëshirave të vetë popullit Ukrainas. Sikur Ukraina ka rëndësi vetëm nëse i atashohet një narrative Perëndimore ose Lindore.
Por jo, teoria e Pozicionit të Tretë sot ka më shumë kuptim nëse e kuptojmë si një Pozicion i dytë i rilindur. Atje ku utopia e Leninit mori fund, bashkë me të dhe pasardhësit e tij, aty Pozicioni i Tretë nxorri fytyrën e vërtetë duke u bërë I Dytë papritmas. Bashkë me këtë ndërrim krahësh u qartësua dhe fakti se Kombëtarizmi Shqiptar nuk mund të bëjë pjesë në këtë formacion ideologjik. Ndërkaq si për ironi të fatit, Pozicion i Tretë ndërkombëtar dalëngadalë po bëhet Europa Lindore. Si e gjendur njëmendësisht mes Lindjes dhe Perëndimit.
This blog post has been Digiproved © 2019