I. Në këtë ese do të marrim shkas nga raste historike që përbëjnë objekt studimi në të drejtën ndërkombëtare publike për të mundësuar shtjellimin e një reflektimi mbi vetë të drejtën ndërkombëtare. Kjo do të thotë që përqëndrimi ynë tek rastet specifike nuk do të jetë më shumë se një nxitje hyrëse për të justifikuar argumentimin e mëpasshëm, i cili përbën thelbin e kësaj sprove. Interesi ynë pra ravijëzohet në termat e një analize dhe qasjeje teorike ndaj të drejtës ndërkombëtare më tepër se sa një analizë juridiko-historike. Teza që shtron kjo ese është se e drejta ndërkombëtare publike themelohet mbi nje negativitet. Ndryshe mund të shprehemi se prania e një mungese përshkon gjithë fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kjo që sigurisht shtrihet tek dega e së drejtës që mbulon këto ndërveprime. Solipsizmi politik është qëndrimi teorik në sferën e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare që shpreh pamundësinë e njohjes së sigurt të asnjë shteti tjetër veç vetes. Pasojat logjike të këtij qëndrimi shfaqin pamjaftueshmërinë e marrëdhënies për të justifikuar të drejtën ndërkombëtare si edhe vetveten. Marrëdhënia ndërkombëtare shpreh pikërisht kufizimin e njohjes së shtetit tjetër në të njëjtën kohë që deklaron njohjen e tij. Kjo pamjaftueshmëri, theksojmë në ese, vjen prej natyrës solipsiste të politikës ndërshtetërore në përgjithësi. Rezultat i përfundimit të analizës është riktheksimi i domosdoshmërisë së të drejtës ndërkombëtare në përgjithësi.
II. Në fillim të shekullit të kaluar u shfaq një dukuri interesante në marrëdhëniet ndërkombëtare e cila quhet sot në doktrinë si ‘diplomaci e fshehtë’[1]. Ky fenomen nuk duhet kuptuar si i prodhuar në atë kohë kur shprehemi se u shfaq, por duhet vendosur në kontekstin e duhur politik dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare përsaqë shfaqja e këtij fenomeni përbën sinonimitet me zbulimin e tij. Pikërisht zbulimi i diplomacisë së fshehtë dhe dënimi i saj si fenomen negativ në marrëdhëniet ndërkombëtare në periudhën moderne përbën risinë e vërtetë. Fshehtësia në marrëveshje ndërshtetërore është e vjetër sa vetë shtetet, por ajo e zbulimit në dritën e një strukture të rregulluar të marrëdhënieve ndërkombëtare të njohur si e drejta ndërkombëtare ushqen një strukturim të mëtejshëm të vetë kësaj të drejte në formën e traktateve të shkruara e publike. Nga ana tjetër mund të përmendim rastin historik më flagrant të periudhës së luftës së fundit ku papritur një marrëveshje ndërshtetërore shkelet pa asnjë pendesë duke treguar kështu edhe natyrën e vërtetë dhe të fshehur të marrëveshjes. Pushtimi i paparashikuar (të paktën zyrtarisht) i BRSS nga ana e Gjermanisë përbën një rast interesant të lëkundshmërisë së çdo traktati të kuptuar në termat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Mund të përmendim edhe deklaratat e ShBA-ve në lidhje me armët e shkatërrimit në masë që zotërontë Iraku para shpalljes së luftës, gjë që doli e pavërtetë më pas. Pikërisht këto dhe raste të tjera të ngjashme do të jenë hapja e rrugës për të na mundësuar një reflektim mbi themelin solipsist të së drejtës ndërkombëtare publike.[2]
Përkufizimi i përgjithshëm se e drejta publike ndërkombëtare është një sistem i rregullave juridike me shtrirje ndërkombëtare që përcakton marrëdhëniet mes vendeve si pasojë e vetë zgjerimit dhe rritjes së marrëdhënieve mes tyre, na duket jo më pak se i pamjaftueshëm në përgjithësinë e vet.[3] Rastet e mësipërme e të tjera si ato në çdo periudhë historike tregojnë që evoluimi i së drejtës ndërkombëtare nuk mund të jetë mbështetur vetëm mbi shtrirjen e ndërshkëmbimeve, pikërisht sepse pamjaftueshmëria e marrëdhënies tregon dy gjëra: vërteton natyrën e lëkundshme të së drejtës ndërkombëtare dhe e dyta, tregon se vetë marrëdhënia është e pamjaftueshme për të justifikuar të drejtën.
Nga ana jonë ne mendojmë për një element aq të ngulitur në mendjet politike e civile, në veprimet dhe startegjitë ushtarake etj., sa edhe të paartikuluar në peshën e vetë thelbësore. Teza jonë është se e drejta publike ndërkombëtare themelohet mbi një negativitet të shprehur në fomrën e mungesës. Mund të themi se kjo mungesë ka një natyrë radikale, pra të rrënjosur dhe rrjedhimisht të pashlyeshme e inherente në natyrën e politikës. Për të shtjelluar këtë ide duhet së pari ta emërtojmë saktësisht. Solipsizmi politik është themeli negativ (kuptuar si mohues) mbi të cilin ngrihet dhe ushqehet e drejta ndërkombëtare publike.
Le të analizojmë konceptin filzofik të solipsizmit në aspektet e ndryshme doktrinore për të arritur tek dimensioni i tij politik, i pa trajtuar më parë sipas dijenisë sonë.
Solipsizëm vjen nga latinishtja, specifiksht nga togfjalëshi solus që do të thotë vetëm (ose i vetmuar), dhe ipse që përkthehet si vete ose vetja. Pra termi shpreh një qëndrim me vetveten në vija të përgjithshme, por që në regjistrin gjuhësor filozofik merr trajtën e idesë se vetëm për veten dhe mendjen tonë mund të jemi të sigurt se ekziston. Pasojat logjike të këtij qëndrimi arrijnë në shpalljen e pasigurisë së njohjes së botës objektive, apo të mendjeve të tjera. Pasoja e parë e solipsizmit ishte pra pasiguria e mundësisë së çdo njohjeje përtej mendjes dhe vetes. Ky është solipsizmi epistemologjik. Pasoja e dytë është me natyrë metafizike dhe shprehet se meqënëse asgjë jashtë mendjes sime nuk është e sigurt atëherë asgjë nuk ekziston jashtë mendjes sime ose se gjithçka që ekziston është prodhim i mendjes sime.[4]
Të dy përfundimet logjike të solipsizmit filozofik shprehin radikalitetin e këtij qëndrimi. Ne do të kufizohemi tek përpunimi i pasojës së parë të qëndrimit solipsist përsaqë vendosja jonë në kushtet e politikës dhe së drejtës e përjashton trajtimin metafizik në një nivel koherent logjikisht. Solipsizmi politik mund të kuptohet si njohja e mundshme e sigurt vetëm e shtetit tënd. Me shtet këtu kuptojmë entitetin si mënyrë të qeni të një kombi të caktuar në gjithë artikulimin e vet politik, ushtarak, civil etj. Pra njohja e mundshme e sigurt vetëm e shtetit tënd duhet parë nga këndvështrimi i siubjektit që ndërton marrëdhëniet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, pra që vepron në fushën e të drejtës ndërkombëtare nëpërmet subjektit shtet. Ky subjekt është domosdoshmërisht qeveria që zhvillon politikat e jashtme. Kështu që njohja e mundshme e sigurt e shtetit të cilit i përket, sigurisht që i përputhet kushteve dhe gjendjes së qeverisë. Në këtë qëndrim nuk përjashtohen implikimet në nivel social duke qenë se gjykimet dhe paragjykimet e popullit ndikohen kryesisht nga ato të drejtuesve të shtetit tek të cilët do të përqëndrohemi.
Pra solipsizmi politik ndërsa pohon njohjen e sigurt të vetes në gjithë nivelet (krim, jetë private, jetë publike, organizime politike, ndjeshmëri popullore e ushtarake, kushte klimaterike, pasurore nëntokësore, historike etj, pra një mikrokozmos i vërtetë) njëkohësisht mohon mundësinë e njohjes me siguri, me të njëjtën siguri, të shtetit tjetër. Qoftë ky shtet armik, bashkëpunëtorë, aleat etj. Pamundësia e kësaj njohjeje në thellësi dhe në totalitetin e vet shprehet më së miri në rastet historike të përmendura më sipër.
Rezultati i kësaj gjendjeje është një dyshim i përhershëm si në rastin e lidhjes së një marrëveshjeje (psh. në lidhje me respektimin e saj nga pala tjetër, apo edhe me qëllimin e vërtetë të lidhjes së marrëveshjes) ashtu edhe në rastet e një neutraliteti apo qëndrimi armiqësor. Në një nivel më të thellë, një shtet (duke folur në përgjithësi) e ka të pamundur të zbulojë me siguri se si, pse, dhe nga kush është origjinuar në të vërtetë një traktat i cili përfshin dypalë a më tepër. Përpjekje e këshilltarit mbi marrëdhëniet ndërkombëtare i cili është edhe filozof me një ideal të caktuar në lidhje me politikën dhe vendin e tij, apo plani i hershëm i një diktatori për të zaptuar territoret e një vendi dhe që ka pritur momentin e duhur, apo akoma edhe më, ndikimi i lobingjeve korporatiste me interesa të caktuara ndërkombëtare, por edhe thjesht një nevojë e qartë politike apo ekonomike mund të jenë shkaqet origjinale prej të cilave erdhi impulsi që përfundoi në artikulimin e një traktati ndërkombëtar.
Në të gjitha këto raste, qoftë edhe më banali apo më seriozi, shteti i cili unë drejtoj dhe njoh me siguri (që përbën edhe kufirin pozitiv të njohjes sime të sigurt politike) nuk mund të sigurohet (dhe mjaftohet) kurrë për njohjen që i ofron pala tjetër në mënyrë rrënjësore. Shkaku origjinal mund të jetë historik, kulturor, politik, etnik, fetar etj., që në fakt tregon pamundësinë e njohjes përfundimtare-fillestare dhe të sigurt të marrëveshjes, përsaqë marrëdhënia nuk mund të përfshijë totalitetin e shtetit tjetër.
Platoni në ndarjen që bën mes grekëve dhe të tjerëve përdor termin barbar për gjithë të tjerët. Kritika e ka dërrmuar qëndrimin e filozofit duke e cilësuar atë si diskriminuese, ksenofobe, përjashtuese, reduktuese etj. Duke ndjekur logjikën e solipsizmit politik mund ta lexojmë qëndrimin e Platonit jo si përjashtimi dhe diskriminimi i çdo populli tjetër në raport me superioritetin e grekëve por si e vetmja mënyrë për tu shprehur realisht në atë kohë dhe në ato kushte. Platoni ishte njeri me horizonte të gjera por sigurisht që kuptonte se njohja e një persi apo çfarëdo kombi tjetër nuk mund të themelohej në të njëjtën mënyrë si njohja e athinasve. Ata ishin barbarë në këtë kuptim, specifikisht për të shprehur këtë themel negativ në njohjen e sigurt të tjetrit. Barbari ishe barbar dhe jo pers, apo kinez sepse njohja e sigurt e tij ishte e pamundur dhe vlerësimi i persit si pers mund të tregojë nxitim dhe papjekuri politike (le të na shërbejë si kujtesë imazhi i Kalit të Trojës). Bota ishte e ndarë në barbarë dhe jo barbarë, dhe kjo sepse të dytët mund të njiheshin në totalitet.[5]
Për të shpalosur sa më mirë të jetë e mundur esencën e solipsizmit politik duhet të analizojmë edhe një nga konceptet dhe forcat politike më të rëndësishme në ekzistencën e një shteti, atë të sovranitetit. Pikërisht sovraniteti shpreh njëkohësisht pozitivitet dhe negativitet në raport me solipsizmin politik. Ndërsa një nga qëndrimet themelore të konceptit politik të sovranitetit thekson se pavarësia e punëve dhe esencës së brendshme të një shteti është një nga aspektet e pashlyeshme të sovranitetit, pra theksohet refuzimi zyrtar i hapjes ndaj tjetrit si mundësi njohjeje totale dhe të sigurt nga ana e këtij të fundit, në të njëjtën kohë i njejti koncept tregon pikërisht mbylljen nëpërmjet pohimit të sovranitetit prej pamundësisë së njohjes totale dhe të sigurt të shtetit tjetër, që potencialisht mund të ndërhyjë në punët e brendshme.
Carl Schmitt përkufizon këtë marrëdhënie ndërshtetërore në kuptimin e shteteve si “unitete politike të shenjuara nga jashtë prej kufijve të vendosur, papërshkueshmëri, ‘impermeable’, që qëndrojnë kundrejt njëri tjetrit duke e mbajtur vetë vendimin mbi ekzistencat e tyre (‘sovranitet’ do të thotë pikërisht që i huaji nuk vendos çështjen e ekzistencës politike).”[6] Pikërisht në këtë përkufizim qartësohet qëndrimi ynë duke shprehur se sovraniteti thekson pamundësinë e njohjes sonë nga tjetri pikërisht prej pamundësisë së njohjes së tjetrit (me të njëjtin totalitet dhe siguri) prej nesh.
III. Solipsizmi politik pra është ai dimension i marrëdhënieve ndërkombëtare që na tregon se e drejta ndërkombëtare nuk vjen thjesht dhe vetëm prej marrëdhënieve ndërshtetërore, por prej pamjaftueshmërisë së vetë marrëdhënieve për të shpalosur esencën e tjetrit dhe të vetë marrëdhënies. Kodifikimi i detyrimit të publikimit dhe përjashtimit nga njohja ndërkombëtare të çdo traktati të fshehtë, sanksionet dhe përgjegësitë shtetërore, organizatat ndërkombëtare, si edhe kodifikimi gjithnjë e më i strukturuar e në zgjerim i të drejtës ndërkombëtare së bashku me institutet e tjera të saj (dhe sidomos problemi i vendosjes së rregullave absolute e të përgjithshme të shtrëngimit), tregojnë pikërisht nevojën e ndërtimit të mëtejshëm të nje fushe veprimi me shenja, rregulla dhe ndëshkime të caktuara dhe të njohura përsaqë çdo marrëdhënie me tjetrin-shtet ka themel negativ në formën e një pamundësie apo më mirë të themi në formën e pranisë së një mungese.
Mungesa prezente si pamundësi e njohjes së sigurt të shtetit tjetër shenjon domosdoshmërinë e të drejtës ndërkombëtare publike. Ky themel negativ nuk duhet të çojë në mendime pesimiste mbi marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi por duhet të shërbejë, me natyrën e vet negative, për të theksuar rëndësinë e të drejtës ndërkombëtare që pikërisht prej këtij vendthemelimi merr shkakun real të strukturimit të vet. Pamundësia e njohjes së sigurt e totale të shtetit tjetër ashtu siç është e mundur me veten, nuk duhet të tregojë pamundësinë e vetë marrëdhënieve përsaqë pavarësisht dyshimit që ngjall tjetri prej pamundësisë së njohjes së plotë, ekzistenca, ndërshkëmbimi dhe raportimi janë të pashmagshëm e madje të domosdoshëm. Kështu që me theksimin e këtij fakti njëkohësisht ritheksojmë edhe një herë atë të vlerës dhe domosdoshmërisë së të drejtës ndërkombëtare publike.
Referenca:
- “Regjistrimi i traktateve e ka origjinën e vet në mbarim të Luftës së I-rë Botërore. Ai mund të konsiderohet si shprehje e reagimit të thellë që hasi në opinionin publik diplomacia e fshehtë d.m.th. praktika mjaft e përhapur, sidomos e Fuqive të Mëdha, që lidhnin marrëveshje të fshehta për të ndarë sferat e influencës ose për të realizuar qëllime të tjera në dëm të të tjerëve, sidomos të vendeve të vogla.”
Arben Puto, E Drejta Ndërkombëtare Publike, Botimet Dudaj, Tiranë, 2008, fq. 19. ↑ - Sigurisht që rastet historike janë aq të shumta sa edhe ngjarjet historike edhe pse mund të përmendim rastin më aktual të akuzave të SHBA-ve ndaj Republikës Popullore Kineze në lidhje me marrëdhëniet e supozuara tregtare që kjo e fundit zhvillon me Republikën Demokratike Popullore të Koresë, edhe pse zyrtarisht sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në fuqi ndaj saj qëndrojnë sanksione të caktuara
ekonomike. ↑ - “E drejta ndërkombëtare, pra, mund të përcaktohet si një tërësi normash juridike, që rregullojnë marrëdhëniet mes shteteve.” Ky përkufizim i Arben Puto, pavarësisht kritikës që i drejton këtij si të pamjaftueshëm, në fakt është i vetmi i logjikshëm që vjen si rezultat i argumentave, po të Puto, se marrëdhëniet ndërkombëtare kanë lindur me shtetet dhe evoluimi i tyre lidhet me atë të së drejtës ndërkombëtare, në fakt nuk shpreh asgjë më tepër se e drejta ndërkombëtare është pasojë e marrëdhënieve, duke mos dhënë një përkufizim të kënaqshëm të vetë marrëdhënieve dhe natyrës së tyre. Eseja përpiqet të theksoj natyrën specifike të marëdhënieve si të tilla, për të arritur tek artikulimi i shkakut themelues të vetë së drejtës ndërkombëtare. Arben Puto, E Drejta Ndërkobëtare Publike, Botimet Dudaj, Tiranë, 2008, fq. 6. ↑
- Për një përmendje edhe të qëndrimeve kryesore sipas doktrinave në historinë e filozofisë, të shihet, W. L. Resse, Dictionary of Philosophy and Religion, Humanities Pres Inc, 1980. ↑
- “…armiqësia midis njerëzish farefis quhet grindje, midis të huajsh, luftë…” dhe më tej “Unë mendoj se popujt grekë janë të bashkuar nga farefisnia dhe zanafilla e përbashkët, dhe dallojnë prej barbarëve nga raca dhe nga gjaku.” Tek këto momente të Republikës duket ngjyrimi i solipsizmit politik të Platonit në momentin që shprehet lidhja zanafillore e grekëve dhe që në fakt tregon mundësinë e të vetmes njohje të mundshme të sigurt, ndërkohë që për barbarët thuhet se ndryshojnë nga raca dhe gjaku, si pamundësi për ti njohur në atë mënyrë që ti referohet për atë çka janë. Platoni, Republika, PHOENIX, CEU & Shtëpia e Librit, Tiranë, 1999, fq. 211.Mbi qëndrimin e Aristotelit në lidhje me këtë çështje dhe implikimet me konceptin e skllavërisë, të çlirët nga leximi ynë shih: Aristotel, Politika, Plejad, Tiranë,2003. ↑
- Carl Schmitt, Constitutional Theory, Duke University Press, London, 2008, fq. 382. ↑
This blog post has been Digiproved © 2019