Përkufizimi i Sovranitetit – Carl Schmitt

Sovran është ai që vendos mbi gjendjen e jashtëzakonshme.[1]

Vetëm ky përkufizim mund të qartësojë këtë koncept kufijë. Ndryshe nga terminologjia e pasaktë që gjendet në literaturën popullore, koncepti kufijë nuk është koncept i vagullt, por një i tillë që i përket sferave më të jashtme. Ky përkufizim i sovranitetit pra duhet të asociohet me një rast skajor dhe jo me rutinën. Së shpejti do të bëhet e qartë që gjendja e jashtëzakonshme duhet kuptuar si referent ndaj një koncepti të përgjithshëm në teorinë e shtetit, dhe jo thjesht si një konstukt i aplikuar në çdo vendim emergjence ose në gjendje rrethimi.

Pohimi që përjashtimi është vërtet i përshtatshëm për përkufizimin juridik të sovranitetit ka një themel sistematik, ligjor dhe logjik. Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme është një vendim i njëmendtë. Duke qenë se një normë e përgjithshme, siç përfaqësohet nga një recetë e zakonshme ligjore, nuk mundet kurrë të qarkojë përjashtimin total, vendimi që gjendja e jashtëzakonshme reale ekziston, nuk mund të derivohet krejtësisht nga kjo normë. Kur Robert von Mohl tha që sprova e ekzistencës së një emergjence nuk mund të jete një e tillë juridike, ai supozoi që një vendim në sensin ligjor, duhet të derivohet komplet nga përmbajtja e një norme. Por kjo është çështja. Në sensin e përgjithshëm sipas të cilit Mohl-i artikuloi argumentin e tij, nocioni është vetëm një shprehi e liberalizmit kushtetues, pra dështon të kapë kuptimin e pavarur të vendimit.

Nga perspektiva praktike ose teorike, nuk ka rëndësi nëse një skemë abstrakte, e përparuar për të përkufizuar sovranitetin, është e pranueshme apo jo. Për një koncept abstrakt, në përgjithësi nuk ka për të patur argumente, jo më pak në historinë e sovranitetit.

Ajo për të cilën flasim është aplikimi konkret, kjo do të thotë kush vendos në një situatë konflikti, çfarë e përbën interesin publik ose shtetëror, rendin dhe sigurinë publike, shëndetin publik, e kështu me rradhë. Gjendja e jashtëzakonshme,jo e kodifikuar në rendin ligjor ekzistues, mund të karakterizohet më së miri si një çështje me rrezik ekstrem, rrezik për ekzistencën e shtetit, ose të tilla si këto. Por nuk mund të kufizohet faktualisht, e të jetë konform ndaj një ligji të paraformuar.

Është pikërisht përjashtimi i jashtëzakonshëm që e bënë të rëndësishëm subjektin e sovranitetit, pra të gjithë çështjen e sovranitetit. Detajet e sakta të një emergjence nuk mund të parashikohen, e askush nuk mund të thotë çfarë mund të ndodhë në këtë rast, sidomos kur bëhet fjalë për një emergjencë ekstreme dhe se si duhet eliminuar. Parakushti si dhe përmbajtja e kompetencave gjyqësore në këtë rast duhet të jene te pakufishme. Nga pikëpamja kushtetuese liberale, nuk do të kishte fare kompetenca gjyqësore. Udhëzimi më i plotë që kushtetuta mund të japë është të tregojë kush mund të veprojë në këto lloj rastesh. Nëse një veprimi i tillë nuk vendoset nën kontroll, nëse nuk frenohet sipas logjikës së ndarjes së pushteteve, siç është rasti në një kushtetutë liberale, atëhere bëhet e qartë se kush është sovrani.

Ai vendos nëse ka një emergjencë ekstreme dhe gjithashtu çfarë duhet bërë për ta eliminuar. Edhe pse ai qëndron jashtë sistemit të vlefshëm ligjor, ai prapëseprapë i përket atij, sepse është ai që duhet të vendosë nëse kushtetuta duhet pezulluar në tërësinë e saj. Të gjitha tendencat e zhvillimit modern kushtetuesi drejtohen tek eliminimi i sovranit në këtë sens. Idetë e Hugo Krabbe dhe Hans Kelsen, të cilat do shtjellohen në kapitullin vijues, janë në përputhje me këtë zhvillim. Megjithatë, nëse përjashtimi ekstrem mund të dëbohet ose jo nga bota, nuk është pyetje juridike. Nëse dikush zotëron besim dhe shpresë tek gjendja e jashtëzakonshme, kjo varet nga bindjet filozofike sidomos nga bindjet filozofiko-historike ose metafizike.

Ekziston një numër prezantimesh historike që merren me zhvillimin e konceptit të sovranitetit, por ato janë përmbledhje shabllon të formulave abstrakte nga të cilat mund të nxirren përkufizime të sovranitetit. Askush nuk është shqetësuar për të shqyrtuar frazeologjinë e shumë përsëritur por komplet boshe që përdoret për të paraqitur pushtetin më të lartë prej autorëve të famshëm të konceptit të sovranitetit. Që ky koncept lidhet me çështjen kritike, me atë të gjendjes së jashtëzakonshme, u zbulua shumë kohë më përpara nga Jean Bodin.

Ai qëndron në fillim të teorisë modern të shtetit për shkak të veprës së tij “Of the True Marks of Sovereignty” (kapitulli 10 i librit të parë të Republikës) dhe jo prej fjalisë shpesh të cituar (“sovraniteti është pushteti absolut dhe i përjetshëm i një republike”). Ai diskutoi konceptin e vet në kontekstin e shumë shembujve praktikë, dhe gjithmonë kthehej te pyetja: Deri në çfarë mase është sovrani i varur nga ligjet, dhe deri në çfarë mase është i përgjegjshëm për rendet sociale? Kësaj pyetjeje të fundit shumë të rëndësishme ai i’u përgjigj se zotimet janë lidhëse sepse bazohen në ligjin natyror; por në raste emergjente lidhja me parimet e përgjithshme natyrore pezullohet. Në përgjithësi, sipas tij, princi është i lidhur prej detyre me rendet ose njerëzit, deri në masën kur përmbushet premtimi i tij në interes të popullit; ai nuk është i lidhur në mënyrë të tillë nën kushtet e nevojës urgjente. Këto nuk janë në asnjë mënyrë teza të reja. Pika vendimtare e konceptit të Bodinit është se duke i’u referuar emergjencës, ai reduktoi analizën e marrëdhënieve mes princit dhe rendeve në një mundësi të thjeshtë ose/apo.

Kjo është ajo çka është vërtetë mbresëlënëse në përkufizimin e tij mbi sovranitetin; duke e konsideruar sovranitetin si të pandashëm, ai përcaktoi çështjen e pushtetit në shtet. Arritjet e tij akademikedhe themeli i suksesit të tij qëndrojnë kështu tek integrimi i vendimit tek koncepti i sovranitetit. Sot rrallëherë ka ndonjë përmendje të konceptit të sovranitetit që nuk përmban citimet e zakonshme nga Bodin. Por asgjëkundi nuk gjendet i cituar citati bërthamë nga ai kapitull i Republikës. Bodin-i pyeti nëse përkushtimet e princit ndaj rendeve ose popullit e zhbënin sovranitetin e tij. Përgjigja i referohej rastit në të cilin bëhet e domosdoshme të dhunohen zotime të tilla, të ndryshohen ligjet ose të pezullohen plotësisht sipas kërkesave të një situate, një kohe dhe një populli. Nëse në këto raste princit i është dashur të konsultohej me senatin ose me popullin përpara se të vepronte, ai duhet të ishte i përgatitur për t’i lënë subjektet e tij ta mënjanojnë atë. Bodin-i e konsideroi këtë si diçka absurde sepse, sipas tij, rendet nuk janë zota mbi ligjet; ato nga ana e tyre duhet të lejojnë princin t’i mënjanojë. Kështu sovraniteti do të kthehej në një lojë midis dy palëve: Ndonjherë do të sundonte populli e ndonjherë princi dhe kjo do të ishte kundër çdo arsyeje dhe çdo ligji. Për shkak se autoriteti i aftë për të pezulluar ligjin e vlefëshëm – qoftë ky i përgjithshëm ose në një rast specifik – është shenja aktuale e sovranitetit, Bodin kërkonte të derivonte nga ky autoritet të gjitha karakteristikat e tjera (shpalljen e luftës dhe paqes, përzgjedhjen e nëpunësve civilë, të drejtën e faljes, apelin përfundimtar e kështu me radhë).

Në kontrast me prezantimet tradicionale, kam përshkruar në studimin tim mbi diktaturën se edhe autorët e shekullit XVII-të që merreshin me ligjin natyror, e kuptonin çështjen e sovranitetit si të lidhur pashmangshmërisht me vendimin mbi gjendjen e jashtëzakonshme.

Kjo është sidomos e vërtetë tek Samuel von Pufendorf. Çdokush bie dakort që pavarësisht antagonizmave që shfaqen në shtet, çdo anë kërkon të mirën e përgjithshme, dhe pikërisht aty qëndron bellum omnium contra omnes. Por sovraniteti (pra vetë shteti) qëndron në vendosjen e kësaj polemike, pra, në përcaktimin përfundimtar se çfarë kushteton rendit publik dhe sigurinë, në përcaktimin se kur ato shqetësohen, e kështu me rradhë. Rendi publik dhe siguria e shfaqin veten shumë ndryshe në realitet, në varësi nëse një burokraci ushtarake, një trup vetë-qeverisës i kontrolluar nga fryma komercialiste apo një organizatë partiake radikale vendos kur është siguria dhe rendi dhe kur rrezikohet ose kërcënohet. Fundja, çdo rend ligjor bazohet në një vendim, dhe gjithashtu koncepti i rendit ligjor, që aplikohet si diçka e vetë-dukshme, përmban brenda tij kontrastin e dy elementëve të dalluar të normës juridike dhe vendimit. Si çdo rend tjetër, rendi ligjor qëndron tek një vendim dhe jo tek një normë.

Nëse vetë Zoti është sovrani, pra ai që vepron si përfaqësuesi i tij i njohur në tokë, ose perandori ose princi, ose njerëzit, pra ata që e identifikojnë veten në mënyrë të drejtpërdrejtë me popullin, çështja gjithmonë qëndron tek subjekti i sovranitetit, tek aplikimi i konceptit në një situatë konkrete. Që nga shekulli i XVI, juristët që diskutonin çështjen e sovranitetit i nxirrnin idetë e tyre nga një katalog përcaktues dhe vendimtar i tipareve të sovranitetit që në thelb mund të gjurmohen tek pikat kryesore të Bodin. Të zotërosh aksh pushtete do të thotë te jesh sovran. Në gjendjen e mjegullt ligjore të Rajhut të vjetër Gjerman, argumenti mbi ligjin publik ndiqte këtë udhë: Përderisa njëri nga treguesit e shumtë të sovranitetit ishte padyshim i pranishëm, atëherë edhe treguesit e tjerë të dyshimtë duhet të ishin të pranishëm. Polemika gjithmonë qendërzohej rreth një pyetjeje, Kush ka autoritet në ato çështje për të cilat nuk ekzistojnë marrëveshje pozitive, përshembull, një kapitullim? Me fjalë të tjera, kush është përgjegjës për atë për të cilën kompetenca nuk është parashikuar?

Në një dell më të njohur u pyet, Kush supozohet të ketë pushtet të pakufishëm? Prandaj dhe diskutimi mbi gjendjen e jashtëzakonshme, mbi extremus neccesitatis casus. Kjo gjë përsëritet me të njëjtën strukturë ligjore-logjike në diskutimet e të ashtuquajturit parim monarkik. Edhe këtu gjithmonë ngrihet pyetja se kush ka të drejtë të vendosë për veprimet mbi të cilat kushtetuta nuk ofron dispozitë; pra kush ka kompetenca për të vepruar kur sistemi ligjor dështon t’i japë përgjigje çështjes së kompetencës. Debati nëse shtetet individuale Gjermane ishin sovrane sipas kushtetutës së vitit 1871 ishte çështje me rëndësi politike minore. Megjithatë shtysa e argumentit sërish del në pah. Pika thelbësore e përpjekjes së Max Seydel për të provuar se shtetet individuale ishin sovrane kishte të bënte më pak me çështjen sipas së cilës të drejtat e mbetura të këtyre shteteve ishin ose jo përfshirëse se sa me pohimin sipas të cilit kompetenca e Rajhut ishte ose jo e përkufizuar nga kushtetuta, që në parim do të thotë e kufizuar, ndërsa kompetencat e shteteve individuale ishin në parim të pakufishme.

Sipas artikullit 48 të kushtetutës gjermane të 1919, gjendja e jashtëzakonshme deklarohet nga presidenti i Rajhut, por është nën kontrollin e parlamentit, të Rajhshtagut, i cili në çdo kohë mund të kërkonte pezullimin e saj. Kjo dispozitë korrespondon me zhvillimin dhe praktikën e shtetit kushtetues liberal, i cili përpiqet të shtypë çështjen e sovranitetit nëpërmjet një ndarjeje dhe kontrolli reciprok të kompetencave. Por vetëm rregullimi i parakushtit që qeverisë yshtjen e pushteteve të jashtëzakonshme korrespondon me tendencën kustetuese liberale, dhe jo përmbajtja e artikullit 48. Artikulli 48 ofron pushtet pa kufi. Nëse aplikohet pa kujdes, do ofronte të njëjtin pushtet pa kufi si artikulli 14 i Kartës Franceze të 1814, që e bënte monarkun sovran. Në qoftë se shtetet individuale nuk kanë më të drejtën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, sipas mendimit mbizotërues të Artikullit 48, ato nuk e gëzojnë më statusin e një shteti. Artikulli 48 është pika aktuale e referencës që i përgjigjet pyetjes nëse shtetet individuale gjermane janë me të vërtetë shtete.

Nëse masat e ndërmarra në një përjashtim mund të qarkohen nga kontrolli i përbashkët, duke imponuar një afat kohor, ose përfundimisht, siç kryhet në proçedurën kushtetuese liberale të qeverisjes në gjendje rrethimi, duke renditur pushtete të jashtëzakonshme, çështja e sovranitetit do të konsiderohej më pak e rëndësishme, por kjo nuk do të thotë se do të eliminohej. Një jurisprudencë që merret me çështje të përditshmërisë nuk ka asnjë interes për konceptin e sovranitetit. Vetëm e njohshmja është shqetësim i saj; çdo gjë tjetër është një “shqetësim”. Jurisprudenca e këtillë ballafaqon çështjen esktreme me hutim, sepse jo çdo masë e jashtëzakonshme, jo çdo masë emergjente policore apo dekret emergjence është domosdoshmërisht një përjashtim i jashtëzakonshëm. Ajo çka e karakterizon gjendjen e jashtëzakonshme është parimisht autoriteti i pakufijshëm, që do të thotë, pezullimi i të gjithë rendit ekzistues. Në një situatë të tillë është e qartë se shteti qëndron, teksa ligji tërhiqet. Ngaqë përjashtimi është i ndryshëm nga anarkia dhe kaosi, rendi në kuptimin juridik mbizotëron, edhe pse nuk është i llojit të zakonshëm.

Ekzistenca e shtetit është provë e padyshimtë e superioritetit të tij mbi vlefshmërinë e normës ligjore. Vendimi e çliron vetveten nga të gjitha nyjet normative dhe bëhet me të vërtet absolut.

Shteti e pezullon ligjin në gjendjen e jashtëzakonshme, në bazë të së drejtës së tij për vetë-ruajtje, siç do të thuhej. Dy elementet e konceptit “rend ligjor” atëherë zhbëhen në nocione të pavarura, dhe kështu dëshmojnë pavarësinë konceptuale të ndërsjellë. Ndryshe nga situata normale ku momenti autonom i vendimit tërhiqet në një minimum, norma shkatërrohet në gjendjen e përjashtimit. Megjithatë, përjashtimi mbetet i përdorshëm nga jurisprudenca sepse të dy elementet, norma si edhe vendimi, qëndrojnë brenda kornizës juridike.

Do të ishte një shtrembërim i shkëputjes skematike mes sociologjisë dhe jurisprudencës, nëse dikush do të thoshte se gjendja e jashtëzakonshme nuk ka vlerë juridike, pra është thjesht “sociologji”. Përjashtimi i jashtëzakonshëm është çka nuk mund të përfshihet; ai e mohon kodifikimin e përgjithshëm, por në të njejtën kohë zbulon një element specifikisht juridik – vendimin në pastërtinë absolute. Përjashtimi shfaqet në formën e tij absolute kur një situatë në të cilën recetat ligjore mund të jenë të vlefshme, së pari duhet të sillen. Çdo normë e përgjithshme kërkon një kornizë normale të jetës së përditshme, në të cilën faktikisht mund të aplikohet dhe e cila është subjekt i funksionit të saj rregullator. Norma kërkon një medium homogjen. Kjo situatë normale efektive nuk është thjesht një “presupozim sipërfaqësor” që një jurist mund ta injorojë; ajo situatë i përket saktësisht vleftës së vetë imanente. Nuk ekziston normë që është e aplikueshme ndaj kaosit. Që një rend ligjor të ketë kuptim, duhet të ekzistojë një situatë normale, ku sovran është ai që përfundimisht vendos nëse kjo situatë normale aktualisht ekziston.

Çdo ligj është “ligj i situates”. Sovrani prodhon dhe garanton situatën në totalitetin e saj. Ai ka monopolin mbi këtë vendim të fundit. Pra këtu qëndron esenca e sovranitetit të shtetit i cili duhet përkufizuar juridikisht me korrektësi, jo si monopoli i shtrëngimit apo i sundimit, por si monopoli i vendimit. Gjendja e jashtëzakonshme zbulon esencën e autoritetit shtetëror. Vendimi ndahet këtu nga norma ligjore dhe (për ta formuluar paradoksalisht) autoriteti provon se për të prodhuar ligje, nuk ka nevojë të bazohet mbi ligje.

Gjendja e jashtëzakonshme ishte diçka e papërfytyrueshme për doktrinën e shtetit kushtetues të John Locke dhe për shekullin e XVIII. Ftillimi i gjallë mbi kuptimin e gjendjes së jashtëzakonshme që u reflektua në doktrinën e ligjit natyror të shekullit XVII, shumë shpejt humbi në atë të XVIII, kur një rend relativisht i qëndrueshëm u themelua. Ligji i emergjencës nuk ishte fare ligj për Kantin. Teoria bashkëkohore e shtetit zbulon spektaklin interesant të dy tendencave në përballje me njëra tjetrën, tendenca racionaliste e cila injoron emergjencën, dhe tendenca e ligjit natyror e cila është e interesuar për emergjencën dhe nxirret nga një grumbull idesh thelbësisht të ndryshme. Është e dukshme që një neo-Kantian si Kelsen, nuk di ç’të bëjë me përjashtimin. Por duhet të jetë me interes për racionalistin, që vetë sistemi ligjor mund t’a parashikojë gjendjen e jashtëzakonshme dhe “pezullon vetveten.”

Që një normë ose urdhër ose një pikë referimi të “vendosi vetveten”, i duket e besueshme përkrahësvetë të këtij lloj racionalizmi juridik. Por se si bashkimi sistematik dhe rendi mund të pezullojë vetveten në një çështje konkrete është vështirë për t’u interpretuar, e përsëri mbetet një problem juridik për sa kohë gjendja e jashtëzakonshme është e dallueshme nga një kaos juridik, nga çdo lloj anarkie. Tendenca e konstitucionalizmit liberal për të rregulluar përjashtimin sa më saktë të jetë e mundur do të thotë, fundja, që përpiqet për të saktësuar në detaj rastin në të cilën ligji pezullon vetveten. Nga e merr ligji këtë force, dhe si është logjikisht e mundur që një normë është e vlefshme përveç një rasti konkret që nuk mund ta përcaktojë faktikisht në një mënyrë përfundimtare?

Do të ishte racionalizëm këmbëngulës nëse thuhet se gjendja e jashtëzakonshme nuk provon asgjë dhe që vetëm normalja mund të jetë objekt interesi shkencor. Përjashtimi i jashtëzakonshëm ngatërron unitetin dhe rendin e skemës racionaliste. Jo rrallëherë haset një argument i ngjashëm në teorinë pozitiviste të shtetit. Pyetjes se si proçedohet në mungesë të një ligji buxhetor, Gerhard Anschutz u përgjigj se kjo nuk ishte fare pyetje ligjore. “Nuk ka vetëm një hendek në ligj, pra në tekstin e kushtetutës, por për më tepër tek ligji si një i tërë, që në asnjë mënyrë nuk mund të mbushet nga operacione konceptuale juridike. Këtu ndalet e drejta publike.”

Pikërisht një filozofi e jetës konkrete nuk duhet të tërhiqet nga përjashtimi i jashtëzakonshëm dhe rasti ekstrem, por duhet të jetë e interesuar për të në shkallën më të lartë. Përjashtimi mund të jetë më i rëndësishëm për të sesa rregulli, jo për shkak të ndonjë ironie romantike për paradoksin, por sepse serioziteti i një (insight?) shkon më thellë sesa përgjithësimet e qarta të nxjerra nga ajo që përsërit rregullisht vetveten. Përjashtimi është më interesant se rregulli. Rregulli nuk provon asgjë; përjashtimi çdo gjë: jo vetëm që konfirmon rregullin por dhe ekzistencën e tij e që rrjedh vetëm nga përjashtimi. Në përjashtim e jashtëzakonshëm fuqia e jetës reale shpërthen përmes kores së një mekanizmi që është bërë i plogësht nga përsëritja.

Një teolog protestant që demonstroi intensitetin jetik të mundëshem në reflektimin teologjik në shekullin XIX thoshte: “Përjashtimi shpjegon të përgjithshmen dhe vetveten. Dhe nëse dikush dëshiron të studiojë në mënyrë korrekte të përgjithsmen, vetëm duhet të shikojë përreth për një përjashtim të vërtetë. Ai zbulon gjithçka më qartë sesa e përgjithshmja. Biseda të pafundme për të përgjithshmen bëhen të mërzitshme; ka përjashtime. Nëse ato nuk mund të shpjegohen, atëhere e përgjithshmja gjithashtu nuk mund të shpjegohet. Vështirësia zakonisht nuk vërehet sepse e përgjithshmja nuk mendohet me passion por me një sipërfaqësi të rehatshme. Nga ana tjetër përjashtimi mendon për të përgjithshmen me pasion intensiv.”

 

  1. Termi i përdorur nga Schmitt është përjashtim por në kuptimin dhe kuadrin e çështjeve që trajtohen në ese me përjashtim do të kuptojmë, siç edhe do të përdoret nga ne në përkthim, gjendjen e jashtëzakonshme. Për ta legjitimuar këtë risjellim këtu shënimin nga përkthyesi tek botimi anglisht i Teologjisë Politike (tek i cili është bazuar edhe ky përkthim) në lidhje me këtë çështje. “Në kontekstin e veprës së Schmitt, një gjendje e jashtëzakonshme përfshin çdo lloj të ashpër rrëmuje ekonomike apo politike që kërkojnë aplikimin e masave të jashtëzakonshme.” Carl Schmitt, Political Theology, The MIT Press, Massachussetts, 1985, f. 5. Po ashtu, merret në këtë rast në konsiderat argumenti i Orgest Azizit si përkthyesi i Gjendjes së jashtëzakonshme nga Giorgio Agamben në shqip, për zgjedhjen e termit gjendje e jashtëzakonshme ose përjashtim i jashtëzakonshëm në rastet e termit stato di eccezione ose thjesht eccezione. “Në shqip, termit eccezione i përgjigjen dy fjalë: në rastin logjik është <përjashtimi>, si kur themi se <përjashtimi vërteton rregullin>; në rastin politik, atë të një situate që është në kufijtë e rendit politico-juridik, ose jashtë tyre, kemi të bëjmë me <gjendje ose situatë të jashtëzakonshme>…Kur në tekst përdoret sintagma stato di eccezione e kemi përkthyer me <gjendje e jashtëzakonshme>. Kur eccezione përdoret i vetëm si emër, e kemi përkthyer me togfjalëshin <përjashtim i jashtëzakonshëm>, për të theksuar se bëhet fjalë për një gjendje, në kuptimin statik, dhe jo për veprimin (logjik dhe politik) të përjashtimit (esclusione, psh.: parimi i së tretës së përjashtuar). Giorgio Agamben, Gjendja e jashtëzakonshme, Zenit Editions, Tiranë, 2016, f. 8.

Përkthyer e përshtatur nga libri “Political Theology”