Politizimi i tregtisë

Lexuesit mund ti duket sikur po përsërisim të njëjtat tema, pasi disa terma po i dëgjon më shpesh seç duhet. Lufta tregtare Amerikë-Kinë, globalizimi etj. Duhet kuptuar se këto janë disa nga termat më të rëndësishme të politikës së sotme botërore dhe për këtë arsye duhen trajtuar dhe në detaje. Në artikullin e sotëm do flasim për atë që shumë kritikë e quajnë politizimi i tregtisë. Në fund të artikullit do merremi dhe me implikimet e kësaj ideje për Shqipërinë dhe zonën e Ballkanit.

Në mediat botërore filloi të flitet për një „politizim“ të tregtisë disa kohë mbas fillimit të luftës tregtare Amerikë-Kinë. Trumpi e kishte gabim sipas këtyre mediave sepse po përdorte mjete tregtare për të arritur qëllime politike. Tregtia pra po përdorej si vegël për të ruajtur hegjemoninë e SHBA-së ne botë. Dikush mund të pyesë: Ku qëndron problemi?

Sipas kritikëvë të mësipërm tregtia është diçka shumë delikate. Mjafton një luhatje e lehtë e vlerës së monedhës, mjafton një pasiguri e vogël që tregjet të jenë të pasigurta, eksportet dhe importet të zvogëlohen, vendet e punës të shkurtohen etj. Kritikët gjithashtu përmendin vitet 30 në të cilat proteksionizmi shkaktoi një rënie të jashtëzakonshme të aktivitetit ekonomik global. Masat në luftra tregtare u morën nga të tërë dhe të gjithë u dëmtuan.

Kritikët këtu kanë të drejtë deri diku. Është e vërtetë që luftrat tregtare masive nuk i hyjnë në punë askujt. Të pakten ekonomikisht, pasi për sa i përket zhvendosjeve të balancave të pushteteve mund të ketë ndryshime të konsiderueshme. Por ka dy probleme shumë të mëdha më mënyrën e të menduarit të  kritikëve të politizimit të tregtisë.

E para: Shtetkombet funksionojnë si shtetkombe. Kina apo Amerika nuk kanë pse tolerojnë kushtë të padrejta në tregti. Gjithashtu qëllimet politike jo gjithmonë përkojnë me qëllimet tregtare të shteteve. Dhe në fund fitojnë gjithmonë qëllimet politike, dhe nëqoftëse është e nevojshme të niset një luftë botërore në mënyrë që të fitojnë. Nëse tërë ekonomia reale dhe baza industriale e një vendi zhvendoset në Kinë, pse duhet ti interesojë atij vendi ekonomia botërore dhe mospolitizimi i tregtisë.

Pra thënë shkurt, sado të përpiqen kritikët për të ruajtur „balancën“ e ekonomisë botërore, pra për mos të pasur shkëputje apo ndërprerje të globalizimit dhe të lëvizjes së mallrave, nëse një shtet nuk përfiton nga mospolitizimi i tregtisë atëherë ai do e politizojë tregtinë. Dhe nëqoftëse ka mjaftueshëm pushtet tërë tregtia do politizohet pasi ky shtet do japë shembullin dhe për shtetet e tjera. Dhe kjo është frika më e madhe e krtitikëve të mësipërm. Politizimi i tregtisë në shumë vende.

Globalizimi është si forca e natyrës: i pakontrollueshëm. Politizimi i tregtisë përpiqet të krijojë kontroll. Nëse shohim rritjen e tregtisë ne globalizim mund të themi: Bota ka pësuar rritje ekonomike. Por duhet kuptuar që „bota“ nuk i intereson dhe aq humbësve të kësaj loje. Nejse kthehemi te politizimi i tregtisë në shumë vende.

Në një artikull të Foreign Policy përshkruhet lufta tregtare e tanishme ndërmjet Japonisë dhe Koresë. Autori i artikullit e quan çmenduri. Autori nuk arrin të kuptojë se si tregtia mund të përdoret për një çështje kombëtare politike që nuk ka të bëjë aspak me tregtinë.

Në këtë rast, çështje historike që për të nuk kanë shumë vlerë në krahasim më tregtinë e humbur. Autori harron ama se kombet nuk janë thjesht kontejnerë ku mallrat hyjnë dhe dalin por kanë histori, kulture, krenari dhe mund të sakrifikojnë dhe tregtinë në emër të këtyre të parave. Jo se është diçka shumë e zgjuar në rastin e Koresë dhe Japonisë pasi në këtë rast bëhen shënjestër më e lehtë për Kinën por prapë parimi qëndron. Autori i këtij artikulli fajëson Amerikën e cila me anë të luftës tregtare me Kinën dhe me anë të përdorimit të shpeshtë të sanksioneve e bëri politizimin e tregtisë „trendy“.

Konkluzioni: Mos bëj tregti në radhë të parë me shtete me të cilët nesër mund të kesh probleme madhore. Sepse nëqoftëse bën, lufta tregtare do jetë e pashmangshme.

Problemi i dytë është ai  i hipokrizisë së vetë kritikëve. Kritikët bëjnë sikur nuk ka pasur ndonjëherë politizim të tregtisë para luftës tregtare amerikane. Harrojnë se vetë futja e Kinës në OBT ishte e politizuar. Harrojnë masat proteksioniste kineze ndër vite etj. Kritikëve u intereson vetëm rritja. Më saktë fryrja. E quaj fryrje sepse është rritje që nuk pyet per: komb, etikë, mirëqenie etj. Nëqoftëse një shtet importon shumë dhe ka treg të madh, dhe njëkohësisht prodhon lirë, ky shtet është një ëngjëll i vërtetë për kritikët. Ndonëse ky shtet mund të jetë genocidal, agresiv, diktatorial etj. Kjo nuk ka aspak rëndësi. Rëndësi ka mos të „politizohet tregtia“.

Fatkeqësisht dhe fatmirësisht për Shqipërinë tregtia sa po vjen e po politizohet më shumë. Fakteqësisht sepse do humbim mjetet me të cilat kemi mbijetuar deri tani pra: remitancat, ndonjë call center tek tuk etj. Fatmirësisht sepse do na hapen sytë dhe do kuptojmë se duhet të bëjmë diçka në nivel kombëtar nëqoftëse nuk duam të vdesim ekonomikisht. Gjithashtu fatmirësisht sepse deri tani jemi detyruar të bëjmë tregti të lirë me shtete të cilat duan të na shohin të zhdukur.

Si është gjëndja tani në Shqipëri përsa i përket tregtisë së lirë?

Shqipëria ka momentalisht 3 marrëveshje kryesore për sa i përket tregtisë së lire: EFTA, CEFTA dhe FTA.

EFTA është marrëveshja e tregtisë së lirë me vendet e BE-së dhe të Zonës Ekonomike Europiane. Nga nje pozicion totalisht kombëtar shpresojmë në shkërmoqjen e BE-së pasi marrëveshjet tregtare me disa shtete njëkohësisht do jenë më të favorshmë për ne se sa marrëveshjet tregtare me një organizëm i cili përfaqëson shumë shtete si BE-ja.

CEFTA është marrëveshje e tregtisë së lirë me vendet e Ballkanit dhe vendet e Europës Qendrore. Këtë marrëveshje e kemi përmendur dhe një herë tjetër. CEFTA është një marrëveshje tregtie e lirë e orkestruar nga BE-ja. Në CEFTA janë futur vende që nuk kanë lidhje politikisht me njeri tjetrin ose janë armiq të hapur me njeri tjetrin. Dita kur do vijë fundi i CEFTA-s do jetë dita kur do marrim frymë lirisht.
Në rast politizimi të mëtejshëm të tregtisë dhe në rast të një globalizimi më pak të theksuar Brerore ka këto ide për tregtinë rajonale:

  • Bashkimi kombëtar duhet kryer se s‘bën pa pyetur për pasojat që mund të vijnë nga bashkimi. Bëhemi fuqi e madhe jo vetëm ushtarake por dhe tregtare. Një treg më i madh do të thotë fuqi më e madhe për negocim.
  • Propozojmë ndalim total të tregtisë me Greqinë dhe Serbinë. Dogana mbi 200% për çdo mall serb dhe grek. Ndalimi i CEFTA-s do na jepte mundësine e marrëveshjeve unilaterale tregtare me shtete të tjera në Ballkan. Në këtë rast si kusht për marrëveshje tregtare të lirë me ne duhet vënë mospatja e një marrëveshje tregtie të lirë me Serbinë. Kjo funksionon vetëm në rastin e bashkimit kombëtar pasi vetëm në këtë rast kemi një treg mjaftueshëm të madh për të bërë dhe presion. Serbia pra duhet „rrethuar“ me anë të marrëveshjeve të tilla.

Për sa i përket FTA-së, pra marrëveshjes me Turqinë, këtë do ta trajtojmë më në detaj në një artikull tjetër. Këtu duhet thënë shkurt se një ndër klauzolat më dëmtuese për ekonominë shqiptarë në stadin e tanishëm është ajo e tregtisë së lirë bujqësore. Dihet se bujqësia turke është më e zhvilluar teknologjikisht dhe ka mundësi të ofrojë çmime më të lira se sa Shqipëria.

Dhe në rast se çmimet vendase janë më të lira dihet se interesat e importuesve shqiptare mbizotërojnë mbi interesat e pjesës më të madhe të popullit shqiptar. Dhe duke pasur parasysh se heqja e doganës bëhet për të njëjtat produkte nga të dyja anët e kufirit kjo marrëveshje nuk bën sens. I vetmi kuptim i kësaj marrëveshjeje është dëmtimi i bujqësisë shqiptare. Por këtë do e trajtojmë më në detaj në një artikull tjetër ku do përmendim dhe klauzolën e produkteve industriale.

Politizimi i tregtisë na ofron një mundësi në rast se ngrihemi në këmbë dhe marrim fatin tonë në dorë. Nëse jo, do shkatërrohemi.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019