Vetë titulli i artikullit është i përkthyer nga gjuha angleze. The right side of history(ana e duhur e historisë, ana e drejtë e historisë) mund të kuptohet në mënyra të ndryshme. Në kohët e fundit fraza është përdorur shumë nga presidenti Barack Obama. Ana e drejtë e historisë ishte një ndër shprehjet kryesore të tij. Amerika pra është në anën e drejtë të historisë. Ose dhe nëqoftëse nuk është duhet të jetë. Ata që nuk janë në anën e drejtë të historisë do i dënojë historia.
Ndoshta do harrohen, ndoshta do konsiderohen si shembull i keq për brezat e ardhshëm dhe ndoshta thjesht nuk do triumfojnë. Ky lloj i të menduari nuk është i ri. Duhet vetëm të kujtojmë Hrushovin i cili me vetëbesim të plotë u thoshte ambasadorëve perëndimorë se historia ishte në anën e komunizmit. Të tilla lajthitje ka plot. Por lind pyetja: nga ka ardhur kjo lloj ndërgjegjeje historike në radhë të parë? Për epokën moderne mund të themi se Hegeli ka qenë ndikuesi kryesor. Me idenë e shpirtit absolut i cili shpalosej në histori dhe me idenë se historia gjithmonë shihet si shpalosje e lirisë deri në arritjen e absolutes, mund të themi se Hegeli bëri një revolucion teleologjik në historinë e filozofisë.
Është e vërtetë që Hegeli e pranonte faktin se nuk e dinte se si do shpalosej historia. Kjo ama nuk i ndaloi dot sharlatanët e tjerë mbas Hegelit që të deklaronin se ishin ata të gjithëditurit. Marks në shek 19 por dhe persona deluzionalë te shek 20 por më pak të dëmshëm si Kojeve apo Fukuyama mendonin se e dinin si historia do shpalosej.
Këtu është e nevojshme të bëjmë një dallim. Personat si Fukuyama nuk janë dhe aq të dëmshëm. Maksimumi që Fukuyama arriti me idetë e tij „të rrezikshme“ ishte zgjatja e vetëkënaqësisë së Amerikës që kishte ca kohë që ndihej kështu. Problemi kryesor janë autorë të cilët deklarojnë se e dinë se cili do jetë fundi i historisë dhe se si historia do shpaloset dhe kërkojnë ndërhyrje aktive, ndonjëherë(si me Marksin) dhe të dhunshme për arritjen e këtij qëllimi.
Duhet kuptuar që çështja bëhet serioze në momentin që historia hyn në lojë. Njerëzit duan të jenë në anën e duhur të historisë dhe e mbrojnë atë që e mendojnë se është ana e duhur me fanatizëm. Dhe me një fanatizëm më të madh se sa ai me të cilin kalorësit e kryqëzatave mbronin Jeruzalemin. Ia vlen pra të thuhet, ngjashëm më Goebbels-in, por jo njësoj: Duhet ti bindësh se ndodhen në anën e duhur të historisë dhe trupin ta falin vetë.
Dikush mund të thotë se kjo që sapo thamë nuk është e vërtetë. Se sot njerëzit kërkojnë vetëm kënaqësinë dhe nuk u interesojnë më gjëra si ana e drejtë e historisë. Deri diku kanë të drejtë por duhet kuptuar se dhe forma e tanishme e sjelljes njerëzore prapë bazohet mbi një teleologji historike, më konkretisht ajo progresiviste. Për më shumë mbi këtë temë lexoni artikullin tonë të mëparshëm.
Por ky artikull nuk është manual mashtrimi për lidera të ardhshëm të cilët duan të bindin popullsinë se ajo që ata thonë është ana e drejtë e historisë. Në këtë artikull dua të shqyrtoj shkurt se sa të gënjeshtërta kanë qenë shumica e rasteve kur shqiptarët kanë besuar se qëndronin në anën e duhur te historisë.
Fillojmë me rastin e krijimit të shtetit shqiptar. Si tërë vendet e ish pernadorisë osmane dhe ne ndoqëm rrjedhën e historisë. Me vonesë, e vërtetë, por prapë mund të themi se ky ishte një ndër rastet e rralla kur vërtet kuptuam se cila ishte ana e duhur e historisë dhe e ndoqëm atë. Më pas? Më pas jo. Erdhi një kohë e paqartë, ndonëse me figura të ndritura kur shpirti dhe e ardhmja e Shqipërisë u vunë në pikëpyetje. Ishte koha e Konicës, Nolit, Totos dhe shumë shqiptarëve të tjerë me vlera.
Më pas erdhi koha e Zogut. Këtu mund të themi se e vetmja arsye pse ishim në rrjedhen e duhur të historisë ishte fakti se po ndërtonim një shtet me tipare të vërteta të një shteti si banka qëndrore etj. Por ishte vonë. Po shihnim rrjedhën e një historie të cilën shumica e vendeve europiane e kishin lënë mbrapa me kohë. Më pas erdhi lufta të cilës nuk mundëm ti shmangeshim.
Gjatë kësaj kohe, përveç tradhtarëve patëm dhe figura si Mid‘hat Frashëri të cilët u përpoqën ta drejtojnë Shqipërinë politikisht drejt asaj që e panë si fuqinë fitimtare, të paktën deri në atë moment. Fatkeqësisht si çdo bast me fatin, të cilin vërtet mund ta fitosh por dhe mund ta humbësh, këtë e humbëm.
Më pas erdhi komunizmi. Kjo është pjesë e keqkuptuar si e historise botërore por dhe e historisë shqiptare për mendimin tim. Le të fillojmë me komunizmin si ide historike triumfante. Deri në rënien e bashkimit sovjetik askush nuk e dinte me siguri se cila ideologji do fitonte. Ose të paktën kështu dukej në pamje të parë. Sistemi i krimbur sovjetik ama dukej që po binte në kolaps për të tërë ata që dy pare mend.
Të paktën mbas viteve 60-70. Madje vetë ideologjia e Containment(Përmbajtjes) e Kennan bazohej mbi supozimin se ky sistem do binte. Ama ndërkohë që faktet flisnin, të dyja anët ishin të sigurta në fitoren e secilës ideologji. Amerikanët me të drejtë, sovjetikët pa të drejtë.
Por fundja nuk ka shumë rëndësi. Dhe nëqoftëse do kishte ndodhur e kundërta besoj se amerikanët, ashtu si sovjetikët do e kishin mbrojtur ideologjinë e tyre deri në pikën e fundit të gjakut.
Vijmë të Shqipëria. Ka shumë teori për triumfin e komunizmit në Shqipëri. I besoj teorisë së ndarjes së zonave të influencës nga fuqitë e mëdha. Në mos Enveri dikush tjetër do vinte. Gati 50 vite komunizëm dhe shkatërrim nuk ishin gjë tjetër veçe spektakël. Po po, spektakël. Njerëzit që nuk shihnin dot faktet sepse nuk ekzistonin më, shihnin spektaklin. Gati 50 vite spektakël kur rezultati po shihej që në vitet 60-70. Spektaklit i erdhi fundi në vitet 90.
Më pas u bindëm se ana e duhur e historisë ishte Europa dhe Bashkimi Europian. U bindëm nga OJQ-të e ndryshme dhe nga dëshira jonë për të qenë si Europa. Tani dhe kjo dëshirë po venitet. Dhe rreziku qëndron se grupime të ndryshme mund të proklamojnë se e dinë anën e drejtë të historisë dhe se populli mund të besojë në të tilla ide. Ku mund të mbështetemi atëherë?
Mendimi jonë është se mund të mbështetemi te faktet. Ne këtu te Brerore nuk e dimë se si historia do shpaloset. Nuk besojmë në supremacinë e përjetshmë amerikane ashtu si nuk besojmë se fundi i historisë do dominohet nga multilateralizmi apo globalizmi por më butë, ashtu si nuk besojmë se Kina do dominojë fundin e historisë dhe do çlirojë popujt e robëruar.(çudi madje se si nuk ka dalë deri tani ndonjë Hegelian kinez.)
Ajo që shohim janë faktet. Aleancat që ishin po bien, gjërat po ndryshojnë dhe i vetmi „konstrukt“ ku popujt ende mund të mbështeten është shteti komb. Prandaj jemi nacionalistë. Sepse po fryn era e nacionalizmit kudo. Dhe duhet të jesh naiv i përmasave shumë të mëdha që mos të përpiqesh t‘i kthesh velat andej nga fryn era. Të përpiqemi pra që mos të jemi dhe njëherë në anën e gabuar të historisë.
