Kauzat e mëdha kanë vdekur. Ose të paktën kështu thuhet shpesh sot. E vetmja gjë që i ka mbetur njeriut për të bërë është të ndjekë kënaqësinë e radhës. Meqë të gjitha problemet e botës po marrin fund një nga një, shkenca po zbulon të gjitha misteret, mjekësia po zgjat jetën e njeriut, ideologjitë e ndryshme me karakter emancipues po promovojnë shkallë-shkallë, çlirimin e njeriut nga çdo barriere, familjare, kombëtare, racore, gjinore etj, e vetmja gjë që na ka ngelur të bëjmë është të ulemi para televizorit dhe të mirëpresim rezultatet e ndritura të një progresivizmi të pafundmë.
Rëndësi ka harmonia, dhe jo qëndrimet apo bindjet. Njeriu i Ri duhet ti përshtatet situatës me zgjuarsi duke shmangur të gjitha temat politike dhe sociale me ndjeshmëri të madhe. Koha e zgjidhjes së problemeve duke u shkuar deri në palcë, ka kaluar. Harmonia e re do të ndërtohet në bazë të kacapitetit të çdo anëtari për të qenë sa më shumë apatik – tolerant.
Së fundmi një dokument i Kombeve të Bashkuara u bëri jehonë utopive të së kaluarës, duke vënë theks të fortë tek aspekti humanist i Axhendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, sikur ky plan, i zbatuar nga ushtritë e stërmëdha të OJQ-ve do të na hapë dyert drejt tokës së premtuar të paqes, drejtësisë, mirëqenies e të tjera, të gjitha në një kontekst global, pasi shoqëria e nesërme do të jetë globale, të gjitha kauzat e panevojshmë do të kenë vdekur.
Bota një ditë do të jetë e çdokujt – dhe në të njejtën kohë e askujt.
Me kësolloj përrallash ushqehen qytetarët e botës së parë. Para së gjithash kjo axhendë, jo vetëm ajo e 2030s, por ajo globale, përfshirëse, e larmishme, paqësore, trumbeton parimin e së Mirës. Është e Mira Supreme ajo që do na nxjerrë të gjithëve në dritë. Një e mirë apatike, parimisht.
Njeriu i Ri duhet të jetë sa më apatik dhe i prirur drejt harmonisë. Nuk ka rëndësi se çfarë pasojash shoqërore sjell aksh ligj, rëndësi ka se ai do promovojë paqe, larmishmëri, përfshirje, dhe mbi të gjitha, nuk do të lëndojë njeri. Progresivizmi ka një ide të mangët për lëndimin. Lëndimet fizike duhen shmangur me çdo kusht, kurse ato mendore që tëhuajësojnë, që promovojnë humbjen e gjithë vlerave të një individi nuk kanë rëndësi.
Gati çdo gjë do të jetë e lakueshme në të ardhmen. Njeriu do mund ta ripërkufizojë vetveten siç dëshiron ai, dhe kjo metodë e inxhinierimit social do të garantojë paqen, larmishmërinë, përfshirjen, drejtësinë etj.
Europa sot për sot po përdor sedativë, sedativë ekonomikë. Qytetari i botës së parë kurohet me qejfe të momentit që të mos hapë më sytë e ti bëjë qëndresë lajthitjes së radhës.
Imperativi etik i planeve ekonomike të sotme është maksimizimi i kënaqësisë. Shembulli i përkryer i këtij plani në veprim e sipër është Gjermania. Gjermania i injekton qytetarët e saj me sedativë të kënaqësisë, u thotë injoroni të ardhmen e kombit Gjerman, pasi për sa kohë motori ekonomik punon, nuk ju duhet gjë tjetër. Ky lloj imperativi, si vegël e një imperativi më të madh global, qëndërzohet rreth individit, të zhveshur nga çdo cilësi e pa lakueshme. Në një hark kohor afatgjatë, synimet ndryshojnë.
Praktikisht ndryshimet e mëdha duan nja dy shekuj që të shpalosen mirë e mirë. Vetëm pasi stuhia ka kaluar mund të bëhen analiza mbi të shkuarën dhe mbi mënyrën sesi erdhëm deri “këtu”.
Këto lloj parimesh vlejnë për individin apatik, parimet e tjera përqëndrohen tek grupi, pa patur nevojë për të trumbetuar utopinë.
Historia fillon kështu:
Qoshja e Ballkanit e quajtur Shqipëri kërkon të futet në Europë. Kjo përkthehet kështu: “Shteti Shqiptar do të provojë projektin europian me shpresë së do ti garantojë të ardhmen”.
Projekti Europian kërkon harmoni mes popujve, duke injoruar të drejtat e secilit prej tyre, ose duke i sakrifikuar ato për një udhëheqës rajonal, i cili ka projektuar mjaftueshëm forcë sa për ti bindur elitat se e ardhmja i përket vetëm atij.
Nga ana tjetër Shqiptarët historikisht kanë qenë kryeneçë, por këto kohë, energjitë kanë shteruar. Prandaj duhet të nxitohemi të rikarikojmë palcën tonë të lodhur me energji të reja utopike.
Kthehemi pak prapa në kohë, dhe qëmtojmë se Enver Hoxha premtonte një të ardhme plot lumturi, kurse projekti europian premton një të ardhme plot kënaqësi. Të dyja kanë nga një bisht nga mbrapa. Lumturia enveriste i mbajti shqiptarët të izoluar nga pjesa tjetër e botës, mbylli kufinjtë, duke i paraqitur njeriut shqiptar një mandat pa kthim prapa. Kjo është toka jote, fati yt, ulu dhe thyej kurrizin. Brezat e ardhshëm do të jetojnë në parajsën tokësore.
Kënaqësia europiane premton të kundërtën. Kufinjtë janë të hapura, derdhuni në Europë, fatin tënd e zgjedh vetë, toka s’ka qenë kurrë e jotja (kombet janë konstrukt modern), vrapo dhe thyej këmbët. Kështu duke kërcyer nga një ekstrem për tek tjetri, e ardhmja e Shqiptarëve është me pikëpyetje. Ekonomia e grupit duhet të zëvëndësojë atë të individit të zbrazët, ose kolektivës po njësoj të zbrazët. Tranzicioni na ka mësuar se utopitë janë të rrezikshme, por po i njejti tranzicion lufton që ti përkasë një utopie të re.
Njeriut shqiptar po i mësohet me përdhuni se në të vërtetë, çdo gjë që deri tanimë i ka dhënë formë ekzistencës së tij është një konstrukt që mund të fshihet nga faqja e dheut me një të rënë të lapsit. Asgjë nuk ështe e tij. As historia, as kombi, as pragu i shtëpisë, madje as vetja e tij.
Frytet e përsiatjeve të tilla na bëjnë të kruajmë kokën mbi kuptimin e vërtetë të irracionalizmit, që kundërshtarët e kombëtarizmit e kanë në majë të gjuhës. Cili individ është më shumë në përputhje me irracionalen, apatiku që vrapon pas kënaqësisë për ti injektuar qetësues ekzistencës së tij të zbrazët, apo njeriu-shqiptar që lufton për të tijën?
Natyrisht që shtresa të ndryshme të shoqërisë kësaj pyetjeje do i përgjigjeshin sipas mënyrës së tyre. Një i varfër do të kërkojë bukën e përditshme më së pari, pastaj do të mendojë për atdheun.
Ama të mendosh për atdheun, do të thotë se ke menduar edhe për të ardhmen tënde, edhe pak më tej, për të ardhmen e brezave në vijim. Le të kërkojmë të mesmen e artë, larg utopive.
Rruga e re nuk premton utopi. As maksimizimin e kënaqësisë, as lumturinë e përkryer. Rruga e re premton vetëm një të ardhme të sigurt, që me punë e vepra do mund të na nxjerrë në dritë e larg errësirës.
This blog post has been Digiproved © 2019