Establishmenti ose qendra e pushtetit. Pjesa II

Në këtë pjesë do të flasim për mediat dhe akademinë në Europë. Cilat kritere duhet të përmbushen që mediat dhe akademia të quhen pjesë e establishmentit?

Fillojmë me mediat. A ndjekin mediat një linjë të caktuar nga politika? Këtu, duhet pasur parasysh se nuk po flasim për media të vogla. Po flasim për gazetat dhe portalet kryesore që lexohen nga njerëzit në përditshmëri. Mund të themi se mediat ndjekin patjetër interesat e pronarëve të tyre. Wall Street Journal nuk mund të tregohet shumë entuziaste për luftën tregtare me Kinën pasi pronari është Jeff Bezos, themeluesi i Amazon.

Të tillë shembuj kemi plot. Por, nëqoftëse do të na duhej të përshkruanim mediat në Europë duke u mbështetur te kategoritë e zhvilluara në artikullin e mëparshëm, në çfarë përfundimi do dilnim?

Kulturalisht mund të themi që, sot për sot, mediat janë armiku numër një i një shoqërie të shëndetshme. Janë mediat që po krijojnë profetë të rremë si Gretha Thunberg, janë mediat që po përpiqen të shpërndajnë koncepte idiote si „gender pay gap“ (hendeku i pagës ndërmjet dy gjinive), janë mediat që po shkatërrojnë çdo koncept të familjes bërthamë dhe ç`është më e rëndësishmja, janë mediat që po përpiqen të krijojnë njerëz të kapluar nga faje dhe pendesa të kota.

Fajtorë se janë të bardhë, europianë, meshkuj apo se nuk janë gay. Ka ndonjë gazetë tek tuk e cila nuk është konforme ndaj rregullave të të qenit politikisht korrekt por këto siç thamë janë media të vogla dhe jo kryesore. Interesant është për tu përmendur rasti i Gjermanisë. Para vitit 2015, përsa i përket çështjes së azilantëve, ne Gjermani kishte opinione të ndryshme në media.

Mbas vitit 2015 dhe fluksit të madh të azilantëve, çuditërisht, 99% e tërë artikujve ishin pozitive. Artikujt flisnin mbi azilantë që arritën të integroheshin, azilantë që donin Gjermaninë dhe i ishin mirënjohës politikës së dyerve të hapura etj. Kjo të bën të dyshosh. Mund të themi se mënyra se si mediat flisnin mbi ngjarjen ishte një nga arsyet pse njerëzit u nxehën dhe më shumë nga sa ishin nxehur nga hyrja pa kontroll e azilantëve. Çdo gjë negative nuk përmendej kurse çdo gjë pozitive amplifikohej.

A kemi të bëjmë këtu me një plan të qëllimshëm? Do ishte budallallëk të thonim se këto artikuj ishin vërtet artikuj kritikë dhe se gazetarët po i shkruanin këto artikuj objektivisht. Natyrisht, këto „komplote“ nuk bëhen nga njerëz okultë që rrinë ulur në tavolina të rrumbullakëta dhe pijnë gjak fëmijësh. Bëhen nga njerëz si unë e ti por me më shumë pushtet.

Të tilla raste kaq të dukshme janë të rralla në mediat perëndimore. Artikujt kritikë ekzistojnë, ama janë disa caqe që nuk duhen kaluar dhe disa tema që nuk duhen trajtuar. Të thuash se ishte gabim që Gjermania mori azilantët është tabu edhe në kohët e sotme.

Të thuash se nuk ka diskriminim ndaj femrave në shoqëritë perëndimore europiane është tabu. Të thuash profesorët, në vend të : profesorët dhe profesoreshat dhe profesorët gay, prapë është tabu.

Përsa i përket çështjeve ekonomike, ndryshe nga Amerika ku shteti social shihet si komunizëm dhe ku politikat sociale konsiderohen si tiranike(në media të paktën), në Europë ka më shumë liri. Artikujt shkruhen nga neoliberalë, Keynesianë, marksistë etj. Natyrisht, mendimi neoliberal dominon në gazetat e mëdha financiare si Bloomberg, FT, The Economist etj, por dhe këtu herë pas here ndonjë mendim jo neoliberal ndodh që të tolerohet.

Në gazeta të tjera më pak ndërkombëtare ke dhe më shumë artikuj që janë kundër ortodoksisë ekonomike të sotme.

Për sa i përket çështjeve gjeopolitike, mediat në të tëra vendet europiane kanë një gjë të përbashkët: pohimin e BE-së si një projekt i suksesshëm, me qëllime të mira, që ndoshta duhet reformuar. Zgjidhje përtej BE-së nuk ka sipas këtyre mediave. Europa do ketë kaos, luftëra, ekonomi të shpartalluara dhe njerëzit do shohin tmerre të papara nëqoftëse BE ndalon së ekzistuari.

Ka shumë pak, për mos të thënë aspak media kritike ndaj BE-së. Përsa i përket çështjeve të tjera me karakter gjeostrategjik, mund të thuhet se shumica e mediave(përveç mediave ruse si RT etj) deri para zgjedhjes së Trump kanë qenë atlanticiste në opinionet e shprehura. Mbas zgjedhjes së Trump shumë filluan të sulmojnë Amerikën dhe presidentin e zgjedhur, por duhet thënë se frika e mediave europiane(dhe atyre që drejtojne këto media), nuk ështe Trump në vetvete po fundi i liberalizmit pa kufi të deritanishëm.

Mediat gjermane specifikisht kanë filluar kohët e fundit të kenë një ton anti-amerikan më të theksuar. Raportimi i çështjeve si Nord Stream 2 (Projekti i gazit me Rusinë), lufta tregtare ndaj Kinës dhe BE, ndërhyrjet ushtarake amerikane etj, tregojnë një frymë më skeptike ndaj SHBA-ve. Nga ana tjetër ama, prapë ekziston një numër i mirë artikujsh pro-amerikane.

A ndihmojnë mediat europiane pra në krijimin e establishmentit? Ndihmojnë por ndonjëherë nuk është shumë e qartë se çfarë duan. Në çështjet kulturore dhe sociale situata është shumë e qartë. Pluralizmi i mendimit vazhdon të ekzistojë në çështje gjeopolitike dhe ekonomike.

Ama siç e përmendëm dhe njëherë, gjithmonë ka caqe që nuk kalohen dhe tema që nuk përmenden.

Tema e dytë që do trajtojmë janë universitetet.

Situata në universitete është më ndryshe në krahasim me mediat. Përsa i përket çështjeve kulturore në universitetet europiane të sotme rrallëherë ekzistojnë mendime ndryshe. Njerëzit duhet të jenë feministë, pro ideve queer dhe LGBT, postmodernistë e relativistë kulturorë, anti nacionalistë etj. Kush del kundër rrezikon. Kjo praktikë e përndjekjes sociale përforcohet duke pasur parasysh strukturën e universiteteve. Askush nuk guxon të ndërmarrë një projekt intelektual kundër shumicës, sepse tëhuajësohet, nuk merr fonde dhe nuk ka mundësi as të punësohet.

Universitetet europiane të sotme janë vende ku lulëzon konformizmi dhe madje dhe frika, dhe jo vende ku lulëzon guximi intelektual dhe larmishmëria.

Për sa i përket çështjeve ekonomike situata varion. Neoliberalët dominojnë fakultetet e ekonomisë deri në pikën ku neoliberalizmi po shihet si „shkencë ekzakte“. Keynesianët dhe marksistët dominojnë shkencat sociale. Të paktën ka njëfare larmishmërie.

Problemi këtu qëndron te fakti se personat praktikë, domethënë bankierët apo liderët ekonomikë të së nesërmes, janë kryesisht të zhytur në ideologji neoliberale.

Për sa i përket çështjeve gjeopolitike dhe këtu mund të themi se personat pro BE janë dominues. Mendimi pro BE dominon çdo aspekt të mësimdhënies. Kritikët e BE-së janë të paktë dhe kryesisht vijnë nga rrethe marksiste të tipit Varoufakis etj. Studentët duhet të binden se BE është e vetmja zgjidhje. Ky është mesazhi që përçojnë universitetet e sotme europiane. Përsa i përket çështjeve të tjera gjeopolitike, është më e vështire të thuash diçka me siguri.

Personalisht mund te flas thjesht për universitetet gjermane dhe jo për tërë Europën. Në universitetet gjermane dominon fryma pro kineze. Në shumë pak kurse të ofruara bëhet kritikë e fortë ndaj Kinës. Askush nuk imagjinon dot, lëre më të planifikojë një reagim ekonomik apo politik ndaj Kinës. Është dhe e padëshirueshmë. Ideologjia europiane është ideologjia e mirëqenies. Ndalimi i marrëdhenieve tregtare me Kinën do të sillte probleme ekonomike. Nga ana tjetër Gjermania, dhe deri diku dhe Europa në përgjithësi këmbëngul në multilateralizëm.

Multilateralizmi dhe zgjidhja paqësore e gjërave është ajo që duhet të arrijë politika dhe diplomacia. Kjo lloj fryme arrin ekstremet e saj në Gjermani. Në universitete, deri para pak kohësh, nuk jepeshin kurse mbi gjeopolitikën, pasi disa themelues të gjeopolitikës kanë qenë nazistë. Të paktën kjo është arsyeja zyrtare që jepet.

Arsyeja e vërtete, mendoj, është fakti se drejtuesit e universiteteve mendojnë se europianëve nuk u duhet mësuar si të mendojnë strategjikisht. Europianët duhet të mendojnë thjesht me koncepte të tipit multilateralizëm etj. Rusia, të paktën në universitetet gjermane, nuk është ndonjë temë me rëndësi të madhe.

Mund të themi ama se mendimet dominuese që ekzistojnë në universitete janë mendime shumë të ngjashme me mendimet që ka klasa politike aktuale mbi kulturën, ekonominë dhe gjeopolitikën. Konformizmi dhe frika që vjen për shkaqe ekonomike i hedhin gurin e fundit arkivolit të universitetit europian të sotshëm. Dhe ky imazh ironikisht, është ndryshe nga imazhi që universitetet duan të projektojnë.

Profesorët e sotëm e shohin veten si rebelë intelektualë. Universitetet paraqiten si qendra ku zhvillohet mendimi kritik. Në fakt ne universitetet e sotme mund të ndodhë cdo gjë përveç mendimit të vërtetë kritik dhe anti-konformizmit.

Po e mbyll me këto fjalë:
Universitetet e sotme europiane janë fundi i mendimit. Më mirë të jesh një gazetar europian se sa një profesor apo student europian. Të paktën të parët kanë pak më shumë liri.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019