Një nga faktorët më të rendësishëm për ruajtjen e palcës së një kombi është kujtesa kombëtare. Nëpërmjet kujtesës kombëtare një komb rigjeneron kapacitetet e tij për të ardhmen, brenda saj përmblidhen të gjitha veprat e mëdha, përpjekjet për tia dalë mbanë, si dhe njerëzit e mëdhenj që kanë lënë gjurmët e tyre në histori për të shpëtuar komunitetin në momentet e tij më të errëta.
Përbërës të kësaj kujtese janë edhe ato vende të shenjta, të cilat konfigurohen si të tilla në bazë të të çelurit një portë të re prej nga ku pohohet edhe një herë përbashkësia e komunitetit dhe vullneti i anëtarëve të saj për ta ndarë jetën së bashku, si në kohë të mira ashtu edhe në kohë të këqija.
Përveç vendeve të shenjta, janë njërzit ata që përbëjnë elementin më të rëndësishëm. Pa njerëz të mëdhenj një komb nuk është asgjë. Njerëzit e mëdhenj janë ata që tregohen të gatshëm për të sakrifikuar çdo gjë për kombin. Nuk thuhet kot, se heronjtë mbeten në përjetësi për shkak të thirrjes që u lënë brezave pas tyre. Ata janë mes nesh si fenerë të ndritur që na kujtojnë nga përtejvarrit se ka ardhur koha për vepra të reja. Cdo kohë ka luftën e saj.
Kujtesa kombëtare është në rrezik. Mbi të gjitha në rrezik qëndron postulati “ç’kemi qene e çfarë duhet të bëhemi”. Shkëputja e retrospektivës nga perspektiva çon në krijimin e rreziqeve afatgjata, pasi në këtë situatë nuk kemi më të bëjmë me menaxhimin e vogëlsirave, por me vendosjen e fatit të kombit. Pra, qeverisja zakonisht nuk i duhet lënë në dorë shkëputësve.
Shpesh thuhet se traumat e mëdha harrohen për 200 deri në 300 vjet. Pasi shekujt kalojnë, komuniteti i përshtatet situatave të reja duke pranuar gjendjen e përgjithshme ashtu siç u vjen. Kjo gjë fatmirësisht nuk na ka ndodhur, edhe pse na ka munguar një rojtar i fuqishëm, administrimi i trojeve nga vetë ne, nëpërmjet institucionesh tërësish tonash, dhe një mënyre jetese tërësisht tonën. Flas këtu për pushtimin nga Perandoria Osmane.
Kohët e fundit bota ka filluar së tepërmi të anojë për nga kritikja, mendimi kritik, apo të qenit negativ për çdo gjë, të gjesh thumba edhe në sipërfaqet më të lëmuara. Kësaj tendence i bashkangjitet dhe të shikuarit e historisë në mënyrë kritike. Historiografia kritike është mjeti pra, më i mirë për ti zbritur mitet në tokë ose për ti bërë njerëzit e mëdhenj të një kombi, njerëz të vegjël.
Vallë këta historianë kritikë, a mundohen të kritikojnë idhujt e tyre? Shumicën e kohës jo, pasi metodologjia e historiografisë kritike sot për sot ka kapërcyer shtigjet e njëanshmërisë duke u shndërruar në vegël hegjemonike. Duhet të pajtohemi me të shkuarën, thotë historiografia kritike. Që ta shohim të ardhmen në mënyrë korrekte. Këtu s’kemi të bëjmë më me shkëputje por me shtrembërime të historisë.
Natyrisht që historia e shkruar në kohën e komunizmit ka shumë të meta, përmban shumë nga direktivat e nomenklaturës për të krijuar përfytyrime të rreme në popullatë, pra shkurt e qartë përbën një rast flagrant të inxhinierimit social, apo programimit të një populli.
Megjithatë kufijtë duhen vënë diku. Jo çdo shkresë historikë është fabrikim. Sidomos kur kemi të bëjmë me një sistem që me përdhuni u mundua të çrrënjoste të mirat e kombit e të ndërtonte njeriun e ri socialist. Termi Nacional-Komunizëm është paradoks, përveç rastit kur flasim për ndonjë ideologji sllave nacional-bolshevike.
Kujtesa kombëtare mund të shpërbëhet edhe në rastet kur as retrospektiva e as perspektiva nuk ekziston.
Këtu kemi të bëjmë me një problem social të vetë shqiptarëve, apo problemi i harresës kolektive.
Harresa kolektive merr shumë forma por më e spikatura është ajo që manifestohet nga prania e një mendësie sot-për-sot. Mendësia sot për sot vihet re më shumë në ato pjesë të popullsisë që janë të pllakosura nga një nivel i lartë i demoralizimit. Është pikërisht ky demoralizim që zhduk çdo shpresë për të ardhmen, e në të njejtën kohë zhduk mundësitë e përhapjes të një lëmi kulturor e social që bën të mundur përforcimin e kujtesës kombëtare.
Rrugëdalja e përkohshme nga demoralizimi është mendësia sot-për-sot. Është gjendja që të zhyt në shijimin e një momenti të përhershëm, ose qetësia kobzezë që vjen si pasojë e një mbijetese të sforcuar, në mes të një mjedisi armiqësor. Kujtesa kombëtare është e lidhur fort me traditën. Përçimi i traditës kombëtare përforcon lidhjet, por në mjedisin e mendësisë sot-për-sot, tradita nuk ekziston, ajo hidhet poshtë për tu zëvëndësuar nga ndjekja e asaj që ndodhet sa më afër.
Paaftësia për të shikuar drejt së ardhmes përkthehet edhe në një mospasje e dëshirës për tu ballafaquar me të shkuarën. Qoftë kjo një e shkuar e mbushur me ngjarje politike, me vepra të ndryshme të mira ose të këqija. Kjo është e njëra nga tiparet e tranzicionit të dytë shqiptar.
Mos të qenit i aftë për tu ngulitur mirë në kohë duke i pasur të qarta edhe konceptet e së tashmes, së ardhmes e së shkuarës. Kështu koha na paraqitet e ngatërruar, lesh e li, ku fytyrat e djeshme janë po njësoj me ato të sotmet, ku asgjë nuk ndryshon e asgjë nuk ecën përpara. Kur qytetarit të thjeshtë nuk i jepet mundësia për të jetuar traditën e tij kombëtare në përditshmëri, lëmet e larta kulturore nuk merren fare parasysh.
Përfocimi i kujtesës kombëtare ka nevojë edhe për mediume, të promovuara sigurisht më së pari nga shteti shqiptar. Një shtet i shkëputur nga postulati “ç’kemi qenë e ç’duhet të bëhemi” nuk është i aftë për tia ofruar publikut këto mediume.
Në kundërvënie me kujtesën kombëtare qëndron e ashtuquajtura mendësi kozmopolitane. Në mjedisin kozmpolit nuk ka asnjë lloj kujtese, ka vetëm harresë e lëvizje pafund. Mendësia kozmopolitane bazohet në parimin e lëvizjeve pafund, në të mospasurin e një tabani të fortë.
Sot më e pëlqyeshme nga bota është po kjo mendësi. Nuk mendojmë se kjo gjë vjen nga shtimi i ndjesive humaniste, po të ishtë kështu, do të pohohej fakti se çdokush ka një përkatësi, e se zhdukja e përkatësive i ofron njeriut vetëm një gjysmëjetë, përherë në lëvizje e i gjendur në mes të askundit.
This blog post has been Digiproved © 2019