Pandershmëria intelektuale nuk është e njejtë me hajdutërinë. Kjo e fundit ka të bëjë me përvetësimin e pronës intelektuale. Shembuj të hajdutërisë intelektuale kemi plot, që nga plagjiaturat e doktoraturave e deri tek librat e shkruar copy-paste nga interneti e të përkthyera atypëraty, automatikisht.
Pandershmëria intelektuale nga ana tjetër është një fenomen me pasoja shumë të thella për një shoqëri, dhe ka të bëjë me mosshqyrtimin e drejtë të një teksti, autori, apo të një ideje.
Pjesë e pandershmërisë intelektuale është edhe paanësia fiktive e disave, të cilët supozohen se duhet të këqyrin e gjykojnë duke vënë në përdorim arsyen, dhe jo preferencat ideologjike vetjake.
Le të japim një shembull. Nëse shtrojmë pyetjen “çfarë është një gjë”, na duhet medoemos ta gjykojmë në mënyrë të paanshme, duke e parë dhe kuptuar atë nga mekanizmi i vet i brendshëm, jo duke i bashkangjitur gjykime të shtuara ideologjike. Pyetjes “ç’farë është fashizmi”, e majta i përgjigjet ndryshe, e djathta ndryshe, konservatorët ndryshe etj.
Në të gjitha këto raste nuk i jemi përgjigjur pyetjes në fjalë, por vetëm kemi udhëtuar nëpër shtigje të dyshimta. Në këto raste funksionon një logjikë e dështuar përsa i përket domethënies së fashizmit. Mbase do bëhej mirë nëse të gjithë këto përgjigje të jepeshin në formate të tilla si: “Fashizmi i parë nga e majta”, “Fashizmi i parë nga e djathta”, e të tjera.
Shtuar kësaj, “Fashizmi i parë nga media e nga liberalët”, përfundon pothuajse gjithmonë në damkosjen e çdo individi pak më djathtas nga qendra. Filani është fashist, i parë nga media, Fisteku është komunist, i parë nga fashistët, këto polarizime kaq ekstreme ekzistojnë vetëm në mendjen e autorëve. Rrallëherë ndodh që analistët e sotëm politikë të mundohen të kuptojnë fashizmin nga vetë pena e goja e fashistëve.
Duket sikur fashizmi është bërë sharja e preferuar nga të gjitha krahët. Ndërkaq, të damkosurve me fjalën e mallkuar u hiqet viza në mënyrë të menjëhershme. Kjo lloj praktike e shndërron mjedisin e diskutimeve politike në një lojë fajësimi e shfajësimi. Filani duhet fajësuar për tu diskredituar, kurse fisteku duhet të shfajësohet për të mbijetuar. Damkosja nuk është e mjaftueshme, madje nuk është asgjë. Përveç një pikënisjeje.
Pandershmërisë intelektuale i shtohet dhe përtacia, në shumë raste. Përtacia padashje e shndërron një mendimtar në monolit. Duke bërë kështu, damka mund ti vihet më lehtë, meqë mendimtari konsiderohet si i ngurtë në qëndrimet e tij nga fillimi deri në fund. Mendimtari monolit nuk ekziston asgjëkundi përveçse në disa raste të rralla, rastet e njeriut kokëmushkë e të palëkundur. Mohimi i fazave të ndryshme të zhvillimit intelektual të një personi i jep mundësinë më të mirë atyre që duan ta damkosin në bazë të një deklarate të hershme. Ca përtaci e ca pandershmëri së bashku, përbëjnë shumicën e komenteve intelektuale të sotme mbi një mendimtar apo ide.
Këtyre njerëzve u duhet të prekin realitetin fort e të kuptojnë se nuk ndodhemi më në vitet 30. Fashizmi ka vdekur, kurse komunizmi është ripaketuar, është bërë gjë tjetër. Nga ana tjetër liberalizmin klasik zor se e gjen më. Natyrisht që kudo ka ca fashistë, ca komunistë të vjetër e ca liberalë të vjetër, po për sa kohë këto fraksione të vogla nuk janë faktorë politikë të rëndësishëm, hija e asnjërës prej ideologjive nuk po bie sërish mbi Europën. Kohët ndryshojnë.
Megjithatë rasti më flagrant i pandershmërisë intelektuale të ushtruar mbi korpusin e një mendimtari të caktuar është ai i Julius Evolës, apo “fashistit të preferuar” të Steve Bannon.
Ngado që ta kapësh këtë rast, përfundimi gjithmonë është i tillë: Julius Evola është një neo-fashist okultist që frymëzoi fashistët e pasluftës për të kryer akte terroriste, kishte miqësi me Musolinin dhe simpati për Hitlerin.
E vërteta ama është krejt ndryshe. Kjo e vërtetë lëndon edhe kritikët e Evolës, por edhe disa fansa të tij të cilët tani për tani do ti quajmë intelektualisht përtacë, dhe jo të pandershëm.
Filozofi italian Julius Evola u vu përsëri në ballë të të gjitha thashethemeve për një ripërtëritje të fashizmit në Perëndim. Arsyeja ishte Steve Bannon, një nacionalist amerikan që deklaronte se i pëlqenin doktrinat e Julius Evolës dhe Rene Guenon. Në fakt Bannon është shumë larg Evolës dhe Guenon-it, për disa arsye, por gjithashtu edhe kritikët e tij nuk bënë mirë me nisjen e një gjuetie shtrigash pa sens.
Julius Evola është një filozof radikal. Jo radikal vitrine, por nga ato të vërtetët, me një botëkuptim të pasur e të veçantë, tejet i kundërvënë ndaj çdo gjëje moderne, kryesisht me një mospëlqim të thellë për epokën iluministe, produkt i së cilës ishte dhe fashizmi. Evola shpall një revoltë kundër botës moderne. Dhe një rikthim në Traditë. Kështu do të thonin fansat e tij.
Të dyja këto shpallje në pamje të parë janë paradoksale. Revolta është në thelb moderne, kurse Tradita nuk ka kuptim nëse i duhet të rikthehemi. Me rikthim nënkuptojmë përpjekjet për ti dhënë formë sërish nga hiçi, parimeve që duhet të ishin ripërtërirë e përçuar nëpër epoka. Nëse lexojmë librin e parë të Evolës, Imperializmi Pagan, kuptojmë se të riut Evola, ia ka ënda të shkruajë poetikisht, si Niçja.
Me kaq mjaftohen ca nga fansat e tij. Ndodh shpesh që këta fansa të jenë o fashistë o nazistë.
Diku më tej, lexojmë librin e tij të fundit, “Shalo Tigrin”. Në këtë libër Evola paraqitet shumë ndryshe. Mendimi i është pjekur pas shumë vitesh përpjekjesh për të arritur qëllimin e tij. Në këtë libër Evola pohon se nuk mundemi thjesht ti “rikthehemi” Traditës, pasi një qëndrim i vërtetë Tradicional nuk i pranon rikthimet. Gjithashtu libri, përveç diagnozës së kohëve moderne, të vonshme, është edhe një manual, për aristokratët e shpirtit. Këta të fundit nuk janë fuhrerët e së ardhmes, por vetëm njërëz të cilët shpirtërisht nuk i përkasin epokës, dhe kërkojnë një rrugëdalje.
Shkurtimisht në këto dy paragrafë kemi arritur të kuptojmë se Julius Evola nuk është një monolit. Rrugëtimi i tij intelektual përmban shumë faza të cilat duhen ezauruar të gjitha nëse do mund ta kuptojmë domethënien e Rrugës Evoliane.
Po Tradita çfarë është?
Fansat entuziastë do na përgjigjeshin kështu: janë zakonet e një populli, sjelljet e tyre të përditshme, kodi i jetesës nga një periudhë e shkuar, janë ato pikturat klasike të shekullit të 17 që shpesh dekorohen me citate të Evolës.
Jo. Tradita jo pa arsye shkruhet me T të madhe. Nuk nënkupton të fiksohesh pas një epoke historike të caktuar. Tradita është metahistorike, është përçimi i parimeve, ku rendi imanent kuptohet si pasqyrë e transhendentes, në kundërshti me botën e sekularizuar ku sferat janë të shkëputura dhe transhendentja cilësohet si e gënjeshtërt, një përrallë primitive.
E kundërta e kësaj është bota moderne që pohon vetëm vetveten, dhe idenë e progresit të pandalshëm. Tradicionalizmi përkundrazi, mbështetet në një model ciklik të historisë.
Me kaq kemi thënë shumë pak, por le të shërbejë si një hyrje ndaj të gjitha qartësimeve të mëtejshme që do të bëhen në bazë të parimit të ndershmërisë intelektuale dhe jopërtacisë.
This blog post has been Digiproved © 2019