Në rajonin tranzicional të Europës kontinent, përbashkohen disa faktorë historikë dhe kulturorë që përbëjnë tragjedinë më të madhe të kontinentit.
Rajoni përkufizohet si tranzicional, sepse përbën anën tjetër të ish Perdes së Hekurt, pra ky rajon, përveç së qenit krijesë historikisht e flijuar për interesat e Perëndimit apo Rusisë, kërkon edhe të futet në Perëndim, pra i nënshtrohet edhe një përkufizimi identitar perëndimor.
Ky rajon qëndron në mënyrë të çuditshme “midis dy botësh”, gjithashtu karakteristikë e veçantë është edhe të qëndruarit pezull në kohë, pra në një gjëndje të përhershme pritjeje, për tu integruar në njërën anë apo tjetrën.
Fundja me gjendje tranzicionale, nënkuptohet procesi i përshtatjes me një mentalitet të ri, dhe jo thjesht ndryshimi i sistemit ekonomik. Megjithatë, disa shtete ia kanë dalë të mbahen fort pas parmakëve të qëndresës dhe të triumfojnë, duke patur parasysh gjithmonë parimin e së keqes më të vogël.
Histori të tilla suksesi gjejmë në Hungari, Poloni dhe Estoni (Lugina e Silikonit në Europë). Megjithatë rreziku është gjithmonë i pranishëm, pasi entiteti i quajtur Perëndim, po përjeton një krizë ekzistenciale të sajën, kurse Rusia vazhdon të ndjekë metodën e vjetër famëkeqe që e njohim të gjithë.
Rajoni tranzicional nuk ka krizë ekzistenciale, shpirtërore. Por historikisht ka pasur një krizë ekzistenciale të njëmendtë. E thënë më qartë, rajoni tranzicional ka qenë fushëbeteja historike e dy rrëfenjave të zhdërvjellëta dhe të karakterizuara nga një aftësi e pamasë për tiu përshtatur kohës dhe nevojës. Në njërën anë ka qëndruar regjimi i fuqive të mëdha të perëndimit, kurse nga ana tjetër, Moskovizmi.
Ç’ka qenë Rajoni tranzicional para ndarjes në kampe të luftës së ftohtë? Ka qenë rajon periferik, i perandorive të ndryshme. Ka qenë një Komonuelth Polako-Lituanez i ndarë në tresh nga dinastitë Hohenzollern, Romanov e Habsburg, një Ballkan nën Perandorinë Osmane, e raste të tjera si këto.
Rrjedhimisht, ky rajon, që sipas studiuesve të gjeopolitikës cilësohet edhe si “Europa-në-midis-të-“ (kujt?) , nuk ka pasur ndonjëherë ambicie të ndërtojë rrëfenjën e vet, por vetëm ka luftuar për mbijetesë.
Krahasuar me entitete si Dukati i Madh i Moskës, i cili shfrytëzoi kushtet historike të formuara nga mbërritja e mongolëve në Europë, Rajoni Tranzicional, si entitet gjeopolitik, kurrë nuk arriti të luftojë për të mirën e përbashkët.
Çfarë e përbashkon Rajonin Tranzicional? Ai nuk është një qytetërim. Kultura është diverse. Besimet fetare janë diverse, modelet ekonomike po ashtu. Historikisht shumica e shteteve të rajonit tranzicional
nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Pasi ishte e destinuar të mos ekzistonte asnjë lloj lidhjeje mes këtyre vendesh.
Rajoni i Tranzicionit të Përhershëm në fakt është në mënyrë të pastër e të qartë, një krijesë fatkeqe e historisë. Në çdo epokë, Rajoni i Tranzicionit të Përhershëm thjesht ka mundur të përgatitet për sprovën e ardhshme.
Pikërisht këtu i gjejmë fillesat e mundshme të një poli pa rrëfenjë. Ekziston një projekt gjeopolitik, gjysmë i vdekur, që i shtin frikën si Zotërinjve të Brukselit, ashtu edhe Kremlinit.
Ky projekt quhet Iniciativa Intermarium.
Iniciativa Intermarium, ose Międzymorze (midis dy deteve), ishte një projekt gjeopolitik i konceptuar nga Józef Piłsudski, një personalitet i shquar polak. Piłsudski, pas luftës së parë botërore arriti të kuptojë tërësisht rrezikun që i kanosej Europës Lindore nga Rusia Bolshevike.
Europa Lindore në ato vite ishte goditur rëndë nga Komunizmi i Luftës, një teori ekonomike e aplikuar nga Vladimir Lenin, për ti ardhur në ndihmë Ushtrisë së Kuqe, me qëllim që kjo e fundit të fitonte luftën.
Komunizmi i Luftës ishte një teori çmendurake, që përfshinte shtetëzimin e gjithë industrive të mëdha, heqjen e parave nga qarkullimi dhe përçarjen e fshatarësisë në dy kampe kundërshtare.
Strategjia e Vladimir Lenin megjithatë dështoi në mënyrë spektakolare, çdo hap që ndërmerrej sa vinte e thellonte krizën duke krijuar edhe revolta të mëdha të fshatarësisë kundër bolshevikëve.
Njëra prej këtyre ishte rebelimi i Kronstadt-it, një zonë që cilësohej si bastioni më fanatik i bolshevizmit, e prapësëprapë u ngrit kundër regjimit. Pas këtyre ngjarjeve, Lenini i këshilluar nga Trotski, hoqi dorë nga shok-komunizmi dhe ndërmorri ca praktika më pragmatiste që përmblidhen tek NEP-i i famshëm, përmirësuesi i situatës së nderë pas ngritjes së bolshevikëve në pushtet.
Gjithsesi Piłsudski u mundua të organizonte Europën Lindore në një bllok të vetëm.
Tek Federata Intermarium u planifikua të përfshiheshin këto shtete: Jugosllavia, Finlanda, Bjellorusia, Shtetet Baltike, Polonia, Hungaria, Rumania dhe Cekosllovakia. Sigurisht, që Polonia do të “kujdesej” për federatën e re.
Këtu vëmë re murtajën më të keqe që ka pllakosur Europën Lindore. Interesat e ngushta të disa vendeve penguan të mirën e përbashkët. Ndoshta ky është edhe rasti më flagrant i një nacionalizmi idiot që zbaton pandërgjegjshmërisht parimin “Përça e sundo”. Duke mos qenë të aftë për tu bashkuar në një entitet të vetëm, Europa Lindore u fragmentarizua vendçe, Lindje-Perëndim.
Gjermania mbështeste nacionalizmat jo-polakë, nga ana tjetër Amerika nuk i qëndronte më besnike idealizmit të Presidentit Ëoodroë Ëilson, Bolshevikët donin të siguronin korridorin për në Europë, Rusët e Bardhë kërkonin ringritjen e Perandorisë, kurse vetë vendet e rajonit u zunë në çark si minj, duke u grindur mes vete.
Bullgaria, Shqipëria dhe Greqia nuk u ftuan për të marrë pjesë në këtë federatë. Nga një anë Piłsudski kishte të meta të mëdha, ai bëri një plan tendencioz. Iniciativa Intermarium në zanafillë të saj ishte krijuar për të siguruar hegjemoninë polake e jo bashkëpunim të njëmendtë mes shteteve të Europës Lindore. Intermarium do të ishte pasardhës i Komonuelthit Polako-Lituanez.
Situata për Shqipërinë do të mbetej e pafavorshme sikur Intermarium-i i Marshall Piłsudskit do të ishte krijuar asokohe
Po të vëmë në punë imagjinatën, mund të nxjerrim një tjetër fakt në dritë. Lufta e Dytë Botërore nuk do ishte bërë me aq lehtësi nëse Intermarium do të krijonte një bllok të çeliktë mes Gjermanisë dhe Rusisë Sovjetike. Piłsudski ishte kujdesur edhe për krijimin e një teorie të veçantë, Prometeanizmit. Prometeanizmi kërkonte shpërbërjen e perandorisë Ruse. Kështu, marshalli kërkonte një heqje qafe të dhimbjeve të kokës që vinin nga ambiciet e frontit lindor.
Pas pozicionimit në kampe të kundërta para luftës së dytë botërore, kasaphana vijoi, duke e damkosur Europën Lindore, bashkë me Ballkanin. Tanimë, vendet që kishin luftuar për liri nga bolshevikët, cilësoheshin si kuislingë të paturp, kurse bashkëpunëtorët e rrezikut të kuq morën shpërblimin e merituar.
Diplomacia e perdes së hekurt nuk ndryshoi mendim për Rajonin Tranzicional. Pati në fakt edhe situata të tipit “Doktrina Sonnenfeldt”, një hipotezë e ngritur nga Kissinger për ta braktisur tërësisht rajonin në dorë të Sovjetikëve, me shprese se do arrihej një situatë e favorshme për të aplikuar strategji të përmbajtjes.
Intermarium u fut në skutat e historisë për të mos dalë më. Si ide, përmbante shumë aspekte pozitive, që mund të përmirësoheshin për të krijuar një bashkëpunim të vërtetë mes shteteve të Tokës së Askujt, në Europë.
Kohët e fundit kanë nisur të qarkullojnë përsëri fjalë për ringritjen e kësaj ideje. Kësaj here, idhtarët e Intermarium, i kanë në dorë të gjithë shembujt historikë nga të cilët mund të nxjerrin mësime.
Në një Intermarium të ri hipotetik, theksi do të vihej tek detyra historike që shtetet e Rajonit Tranzicional kanë kundrejt popujve të tyre. Do të ishte një pol pa rrëfenjë, një inciativë e përbashkët, ku kultura të ndryshme dhe besime fetare arrijnë ti bëjnë vetes një dhuratë të paçmueshme. Dhurata është konceptimi i vetes sipas vetes. Le ti hiqet rajonit fjala “tranzicional”, dhe tranzicioni të përmbushet.
Që të arrihet kjo gjë, Polonia duhet bjerë dakort me Ukrainën, ndërsa Ukraina duhet të dëbojë një herë e mirë Rusët nga kufiri.
Duket sikur Intermarium është një ëndërr në diell. Mbase mund të jetë. Por një gjë dihet me siguri, një Intermarium i decentralizuar, është skenar ku e ku më realist sesa një Eurazi nën thundrën e Rusisë.
Megjithatë ekziston dhe një paksa më e ndryshme, që ndodhet akoma në fazën e foshnjërisë.
Quhet Trimarium, ose më mirë, midis tre deteve. Trimarium kërkon krijimin e një shufre të çeliktë për ta mbajtur Gjermaninë larg Rusisë. Deri më tani kjo shufër është konceptuar vetëm në nivelin e një bashkëpunimi ekonomik.
Skenari më i mirë do të ishte një bashkim i gjithë njësisë gjeopolitike të njohur si “Europa-në-midis-të-“.
Sigurisht, kjo është një gjë shumë e vështirë për tu arritur. Ballkani përjeton luftën e vet të ftohtë, kurse Europa Lindore akoma nuk ka vënë mend përsa i përket Kinës.
Gjithsesi, pse të mos propozojmë, e të mos imagjinojmë? Një imagjinatë e tillë është ku e ku më e vlefshme sesa ngelja pezull apo bërja pjesë në rrëfenjë.
This blog post has been Digiproved © 2019