Tokë dhe Det: Dy rrëfenja të kundërta. Pjesa VI

Amerika ka arritur të triumfojë aty ku dështoi Europa. Në krijimin e një ideje kontinentaliste. Krahasuar me kontinentin e vjetër të luftrave të panumërta, zbulimi i botës së re i dha frymë një botëkuptimi të ri, botëkuptimit amerikan, ose idesë amerikane.

Ideja Amerikane në vetvete ndahet në dy drejtime të ndryshme. Drejtimi i parë mbështetet në vizionin e Thomas Jefferson, për një Amerikë gjithëpërfshirëse, mikpritëse ndaj gjithë popujve të botës, një tokë e re e premtuar ku secilit do ti ofrohej barazi e mundësive për të jetuar një jetë sa më të mirë e prodhimtare.

Drejtimi i dytë mbështetet në vizionin e John Adams, sipas tij pikat e Deklaratës së Pavarësisë duhet të jenë të vlefshme vetëm për amerikanët dhe shtetin amerikan. Gjithashtu sipas tij Amerika nuk duhet të përpiqet të importojë sistemin e saj të vlerave apo ti bashkangjisë vetvetes një mision historik për çlirimin e popujve të botës nga tirania, shtuar kësaj dhe përforcimin e demokracisë botërore.

Mund ta themi me siguri të plotë se deri në sot ka mbijetuar ideja e Jefferson. Jefferson gjithashtu hodhi bazat e një koncepti ekspansionist në strategjinë ndërkombëtare të Amerikës.

Koncepti quhet “Perandoria e Lirisë”. Perandoria e Lirisë supozohet se do të shtrihet në të gjithë botën, duke importuar konceptin e saj të lirisë, liria amerikane.

Megjithatë, “Perandoria e Lirisë” nuk është e tillë, përveçse në emër. Ajo në fakt përfaqëson përpjekjet e një republikanizmi të vërtetë amerikan, kundër aristokracisë dhe monarkisë.

Taktika e preferuar e Perandorisë së Lirisë, është intervencioni, ose ndërhyrja në çështjet e shteteve të tjera për të mbrojtur demokracinë.
Është pak ironike që përdoren terma të tillë, intervenim për mbrojtjen e demokracisë, ndërhyrje në punët e të tjerëve. Kjo është në tërësi logjika e së majtës, që denoncon parimet e Perandorisë së Lirisë, duke i konsideruar ato si të gënjeshtërta, si fasadë, e ambicieve imperialiste të një shteti relativisht të ri e ambicioz.

Kjo mënyrë e të menduarit të gjërave është paska kontradiktore. Janë të njejtët njerëz që në shumicën e rasteve mbronin ndërhyrjet e Bashkimit Sovjetik në vendet e Traktatit të Varshavës sa herë që këto shtete kërkonin të shkëputeshin nga Blloku Lindor. Pse duhet ti cilësojmë si të drejta këto argumente kur si njëra palë e si tjetra kërkojnë fronin e botës? Apo për shkak të parrullave.

Parrullat këtu janë të njësojta, njëra anë importon lirinë, tjetra pretendon se çliron popujt e botës nga kapitalizmi.Pra si çdo herë tjetër kemi të bëjmë me rrëfenja specifike që kërkojnë të krijojnë një rend botëror të caktuar.

Megjithatë, Perandoria e Lirisë tregohet e sinqertë për disa gjëra. Ka dhe avantazhe.Së pari Perandoria e Lirisë nuk imiton modelet despotike të Lindjes së Mesme e të Largët. Pavarësisht pasojave, rendi amerikan nuk të heq kokën për agjitacion e propagandë. Shtuar kësaj ajo nuk ka pse të ndërtojë regjime teokratike. Të paktën jo në dukje.

Gjithsesi nëse e këqyrim mirë Idenë Amerikanë, zbulojmë se edhe ajo e ka një thelb. Thelbi i Idesë Amerikanë është Frontieri. Ideja Amerikane përfaqëson etjen për territore të reja, për vizione të reja mbi të gjitha.

Frontieri nuk është vetëm një kufi, përtej së cilit presin toka të reja të paprekura, gati për tu kolonizuar. Ai është edhe një vizion historik. Vizion sipas të cilit Amerika duhet të jetë ajo fuqi botërore që kapërcen gjithë “kufinjtë”, qofshin këta shkencorë, politikë, territorialë, socialë. Por kapërcimi i kufinjve këtu nuk nënkupton një përkeqësim të vlerave. Sipas idesë së progresit, duke kapërcyer kufinjtë, arrijmë të përmirësojmë vetveten. Gjejmë mënyra të reja, nga të cilat nuk duhet pasur frikë.

Amerika deri më sot ia ka arritur të integrojë vizione të reja, në strukturën e saj.  Por çdo e mirë e ka një të keqe, dhe prapësëprapë qëndron pyetja, po sikur rritja e pakufishme të bëhet vetëm për hir të rritjes, dhe jo për të garantuar lirinë, demokracinë, etj. Në këtë skenar Amerika nuk është më mbrojtësja e botës, por as mbrojtësja e interesave të saj. Skenari dikton që Amerika duhet ti nënshtrohet ca të paktëve, me kapitale të mëdha ekonomike në duar.

Në njëfarë mënyre Ideja Amerikanë përbën një fazë të re të ideve iluministe. Për rritje dhe progres, dhe për liri, barazi e vëllazëri nga ana tjetër.

Në rolin e saj si Perandori e Lirisë, Amerika e injoroi rrezikun që i kanosej nga ana tjetër e botës. Ky rrezik është Kina. Në rastin e Kinës, duket qartë që mbizotëroi etja për “rritje”, e jo për Perandori të Lirisë.

Një paqe jetëshkurtër që rrezikon të kthehet në luftë të madhe e të rrezikshme në  dekadat e ardhshme. Njeriu që shkoi kundër rrymës përsa i përket Kinës, ishte Donald Trump. Edhe pse së fundmi Demokratët janë rradhitur krahas tij në lidhje me Kinën.

Ideja Amerikane nuk është domosdoshmërisht rrëfenja. Nëse Amerika do të kishte disa pikëpamje më racionale për jetën, për vlerat njerëzore, Ideja Amerikane nuk do ishte aq e keqe.

Së pari kjo Ide, është moderne, sigurisht. Rrëfenja amerikane e sotme, e ka marrë peng Idenë, pasi ajo propagandon disa lloje vlerash, të rrezikshme për njerëzimin. Vlera të cilat shpërbëjnë kohezionin social të një komuniteti, që relativizojnë disa kuptimësi kyçe, që shembin traditat e djegin “idhujt”.

Lexuesi e di mirë se për çfarë po flasim.

Por nga ana tjetër, Amerikanët më së miri mund ta marrin në duar fatin e tyre e ta përmbysin rendin e brendshëm. Mjafton të kenë parasysh të mesmen e artë, që fatkeqësisht nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë për qëllime të mira. Disa kufinj duhen lënë aty, e të mos kapërcehen.

Gjeostrategjikisht, Amerika sot për sot po përqëndrohet në Azi. Është një lëvizje e saktë por jo e mirëmenduar. Po të mendohej qartë më përpara, kërcënimi kinez nuk do ekzistonte.

Tani për tani Amerika është aleate e Shqipërisë. Nuk dimë si do jetë në të ardhmen. Gjithsesi më kujtohet një thënië e vjetër. Nuk ka aleancë mes një vendi të fortë dhe një vendi të dobët.

Ka marrëdhënie varësie. Është e vërtetë që jemi të varur nga Amerika, por nëmos ajo, do të ishte një fuqi tjetër që do na merrte nën çadrën e saj, dhe në shkrimet pararendëse e kemi shpjeguar mirë se si do dukej Shqipëria nën çadrën Euraziatike.

Fundja i gjithë ky lëmsh mund të zgjidhet nëse i peshojmë mirë punët. Le të peshojmë të mirat e të këqijat e këtij rendi amerikan të sotshëm, e ti ballafaqojmë me të mirat e të këqijat e një blloku që kërkon të zëvëndësojë këtë të sotmin. Fitoftë e keqja më e vogël, pasi e mira zor se gjendet.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019