Të flasësh për Atlantizmin nuk është e lehtë. Duke qenë se është ideja dominante sot në botën perëndimore, shumë nga tiparet e saj janë bërë pjesë e pandashme e mënyrës se si e perceptojmë anën tjetër të botës. Shqipëria në këtë rast nuk ka mundur të zgjedhë për arsye që dihen. Një shkarpë e vetme thyhet lehtësisht, këtë mësim e morëm me luftën në Kosovë. Politika izolacioniste e Enver Hoxhës nuk zgjati dot shumë. Që të jesh si Koreja e Veriut, duhet të kesh një Kinë nga mbrapa që të mbështet.
Vetëkuptohet që blloku Atlantik është fuqi detare. Në dallim me ambiciet tokësore të Euraziatizmit, Atlantizmi kërkon një bashkëpunim të ngushtë të Europës me Amerikën. Bashkëpunim ky, apo marrëdhënie ndërvarësie, që ka filluar aty nga përfundimi i luftës së dytë botërore, ku Europa e shkatërruar i hodhi sytë nga Amerika e paprekur nga lufta. Një shembull i fryteve Atlantiste, është NATO. NATO, si një aleancë ushtarake ndërqeveritare, garanton sigurinë e sferës Atlantiste.
Dua që nëpërmjet këtij shembulli të qartësoj ambiciet e një Euraziatizmi si ai i Dugin. Të jesh Euraziatik, në këtë rast nënkupton të punosh drejt shpërbërjes së NATO-s, ose ta denoncosh atë si një hordhi kriminelësh që ndërhyn ku i do qejfi. Kjo e fundit është edhe taktika e preferuar e së majtës, sidomos e komunistëve. Njëri nga këta tipa është edhe Noam Chomsky, anarko-komunist i njohur që e quan ndërhyrjen e NATO-s, “Imperializëm Humanitar”.
Sigurisht këto komente, janë bërë pa studiuar mirë kontekstin e ngjarjeve, të aktorëve, ose të agresorëve. Kjo taktikë zakonisht ka për tendencë mbushjen e kategorive ideologjike me gjëra të paqena, me shpresë së kështu e ashtu apriori, deklarata do të bëjë sens vetëm për hir të përmbajtjes së saj morale.
Shpesh ndodh që Atlantizmi të ngatërrohet me një ide tjetër, më popullore në Amerikë. Kontinentalizmi. Kontinentalizmi kërkon ruajtjen e hegjemonisë Amerikane në kontinent. Duke vepruar kështu, Shtetet e Bashkuara, në njëfarë mënyre sigurojnë kufijtë e tyre të jashtëm, për të pasur lirinë e të kapërcyerit në Europë. Taktikë homologe do të ishte plani Rus me BEE-në. Kontinentalizmi është i lidhur ngushtë me idenë e Manifest Destiny dhe Doktrinën Monroe.
Manifest Destiny ka përfunduar. Sipas kësaj ideje amerikanët supozohej se ishin të destinuar, nëpërmjet një mandati hyjnor, për të pushtuar dhe kontrolluar të gjithë kontinentin. Kjo gjë u arrit.
Qëllimet e Manifest Destiny u mishëruan tek ideja e Frontier-eve, ose kufinjve. Frontieri është kufiri përgjatë të cilit, amerikanët do të zgjeronin zotërimet. Kjo politikë ekspansioni përmbushi profecinë jozyrtare sipas të cilës e vetmja mënyrë që Bota e Re do mund të mbijetonte dhe ti merrte skeptrin e kurorën së vjetrës, do ishte nëpërmjet konsolidimit të një veçantie tyren.
Doktrina Monroe, më vonë, u propozua nga presidenti amerikan James Monroe. Me qëllim përforcimin e profecisë jozyrtare, duhej nxjerrë një politikë e re nga furrnaltat. Kjo ishte politika e mosndërhyrjes së Europës në kontinentin amerikan. çdo ndërhyrje europiane do të konsiderohej si agresion i hapur ndaj Shteteve të Bashkuara. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara nuk do të ngatërroheshin me punët e Europës.
Po ta rivlerësojmë këtë veprim të Shteteve të Bashkuara, do të thoshim se kjo ishte doktrina kyç, që mundësoi krijimin e një hegjemonie ndërkontinentale. Duke mundësuar shmangien e luftrave në kontinentin mëmë, Amerikanët siguruan zhvillimin ekonomik e territorial që do të ishte tepër i nevojshëm për ta shtrënguar Europën në një periudhë të mëvonshme.
Rasti më aktual i shfrytëzimit të Doktrinës Monroe për të siguruar hegjemoninë kontinentale, është Venezuela, ku SHBA paralajmëron Rusinë të mos ndërhyjë e të mos ndihmojë diktatorin Maduro.
Nga një pikëpamje gjeostrategjike, do të ishte marrëzi që Shqipëria të shprehej kundër qëndrimit Amerikan për Venezuelën. Gjithashtu nga një pikëpamje morale, do të ishte diçka e papranueshme.
Por siç kemi thënë më parë, për çështjen shqiptare ka rëndësi gjithmonë pikëpamja gjeostrategjike.
Projekti Kontinentalist mund të kuptohet si pararendësi i atij Atlantik. Për ta provuar këtë që thamë, duhet të studiojmë ndodhitë e luftës së ftohtë.
Ishte Plani Marshall ai që vulosi praninë e Amerikës në Europë. Kurse Lufta e Ftohtë u bë fusha e mejdanit të luftrave hegjemonike.
Deri më sot nuk është sqaruar mirë se cili është roli i Amerikës në Europë. Është e drejtë të thuhet se përgjatë luftës së ftohtë, Europa do të ishte gllabëruar nga Bashkimi Sovjetik po të mos kish marrë Amerika rolin e rojtarit. Ky skenar përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme, por pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Europa u përpoq të merrte një rol disi ndryshe. Këtë copë here, ajo filloi të përpiqej ta shndërronte marrëdhënien në bashkëpunim të vërtetë e jo vetëm të kishte rol pasiv.
Pikërisht këtu ndihet më e fortë jehona e fjalëve të Zbigniew Brzezinskit. Europa ishte akoma e dobët, nuk mund të formonte një bllok të sajin tërësisht të pavarur pa u lëshuar dorë blloqeve të tjera. Nën përkujdesjet e Amerikës, Europa papritmas u bë përtace.
A mund të ketë Atlantizëm pa Amerikën?
Absolutisht jo. Europa nuk ka fuqi ushtarake sa për të siguruar kufijtë e saj të jashtëm. Pa Amerikën, NATO mbaron. Sigurisht kjo nuk do të thotë se Europa duhet të rrijë për shtatë palë qejfe duke i deleguar çdo kontribut monetar ushtarak Amerikës.
Nga ana tjetër, ambiciet momentale të një Macroni apo një Merkeli për një “ushtri europiane”, duket se u bëjnë jehonë veprave të fundit të një Europe të Bashkuar në dobësim e sipër. Në të njejtën kohë që Europa e Bashkuar, ose më qartë, Franca dhe Gjermania synojnë të ftojnë ekonomikisht në shtëpitë e tyrë Kinën dhe Rusinë, kjo strukturë e dobësuar përballet me sfida të mëdha. Sfida që këto kohët e fundit e kanë rrënuar konceptin e të bërit pjesë “Në Europë”, duke dëmtuar dhe vetë kuptimin e fjalës “Europë”.
A mund të ketë Atlantizëm pa Europën?
Përgjigja është po e njejta. Jo. Pa kontinentin e vjetër, Amerika do të izolonte vetveten, duke mos pasur më influencë në botë. Rehabilitimi i Europës si një fuqi madhore do të kërkonte një “aleancë të shkurtër” me Kinën, që në të ardhmen mund të jetë fatale.
Pra, në vazhdë të ngjarjeve të fundit, na duhet të kritikojmë fillimisht Europën, pastaj të merremi me Amerikën. Të dyja rrafshet e rrëfenjës Atlantike qëndrojnë jo në baraspeshë përsa i përket premtimeve që bëhen për të ardhmen.
Amerika dhe Europa nuk janë “njësoj”, idetë e tyre janë goxha të ndryshme, por historia i ka vënë në një pozicion të çuditshëm. Në një rrëfenjë të vetme, lëvrohen dy profeci të ndryshme.
Rrëfenja “Europiane”, në ditët e sotme ka filluar të ngjajë paksa me grahmat e fundit të Sëmurit të Bosforit, qëmoti.
Në mënyrë tejet klasike, në pjesën tjetër, do të ekzaminojmë tiparet e rrëfenjës Europiane. Do të vizatojmë një drejtëz nga Kontinenti i Vjetër për tek Bota e Re. Një drejtëz që pashmangshmërisht nxjerr në pah fajet e reja e të vjetra që e çuan djepin e qytetërimit deri në këtë pikë.
Fati u tregua mizor që i dha një rol pasiv Europës. Natyrisht që këtu pjesërisht vlejnë fjalët ogurzeza të Oswald Spengler. Perëndimi ra.
This blog post has been Digiproved © 2019