Tokë dhe Det: Dy rrëfenja të kundërta. Pjesa III

Thamë në pjesën e dytë të kësaj eseje se Euraziatizmi gjysmë-zyrtar ka një histori të gjatë e jo shumë të hetuar mirë nga studiuesit tanë.

Para së gjithash kjo histori duhet nxjerrë mirë në dritë, pasi edhe nëse do të dëshironim të ishte ndryshe, Alexandr Dugin nuk është koka e vetme e kësaj lëvizjeje e as strumbullari vetmitar që dërgon kukullat ngado.

Flijimi i historisë për hir të projektit gjeopolitik, është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është shfrytëzimi i feve të ndryshme për të krijuar përçarje.

Në konfuzionin e sotëm botëror, këto gjëra janë të vështira për tu qëmtuar. Sidomos kur synohet kapja e simpatizantëve duke i goditur aty ku i dhemb më shumë, tek besimi fetar.

Natyrisht ka dhe nga ato raste kur me anë të besimit justifikohet terrorizmi edhe kasaphana, por kjo për të cilën ne flasim, është diçka ndryshe. Në kohët tona justifikohen konflikte gjeopolitike me anë të besimit fetar. Kremlini nuk mund të dalë hapur duke i mbajtur krahun njërës apo tjetrës anë në këto punë, përveçse nëpërmjet propagandës shtetërore që mundohet të bindë njerëzinë për ndershmërinë e Patriarkanës së Moskës, edhe pse ka shumë prova që na çojnë në qendrime të kundërta.

A ëshë përplasja e besimeve fetare thelbi i luftrave të sotme?

Jo. Por ndonjë gjeopolitikan tek-tuk do të pohonte të kundërtën e ca më shumë. Ca më shumë konsiston në ndërthurjen e kontekstit gjeopolitik me atë fetar, e filozofik, duke i vënë kurorën në kokë konfliktit gjeopolitik e duke e konsideruar atë si parësor, diktues të rregullave të fesë, e mbi të gjitha, tregues të një konflikti primordial.

Përralla e zakonshme rrëfen se Ortodoksia, e përfaqësuar ndershmërisht nga organet e KGB-së Ruse, është e destinuar eskatologjikisht, të formojë aleancë me Islamin (me Iranin apo Turqinë kjo nuk dihet, se me Arabinë Saudite jo e jo, pasi është kundër skenarit gjeopolitik)  kundër Hebrenjve e aleatëve të tyrë, Katolikëve (në histori nuk dihet rast kur katolikët kanë qenë në aleancë me hebrenjtë, por shenjtëria e gjeopolitikanëve ka aftësi ta krijojë historinë nga hiçi).

Më shpesh këto përralla artikulohen nga njerëz të kualifikuar për këtë punë, mes tyresh është edhe Shejhu Imran Hosein, disa herë i përmendur në mediat tona.

Ky Shejh, zakonisht bën spekulime mbi kuptimin e disa hadithëve eskatologjikë që kanë të bëjnë me aleancën mes Rumit dhe Islamit.

Bagazhi ideologjik i Imran Hosein nuk është i varfër, dhe për pasojë ai ka shpërndarë deklarata gjeostrategjike kudo ku ka mundur. Shumica e këtyre deklaratave bien ndesh thellë me doktrinën islame, prandaj në komunitetet ndërkombëtare myslimane këshillohet ti qëndrohet larg këtij njeriu pasi ai ka një axhendë të caktuar dhe më e rëndësishmja, axhendë politike.

Kështu pra, për ironi të fatit, vetë strumbullarët e Euraziatizmit gjysmë-zyrtar, filluan ti bëjnë planet mes rrethanash jo shumë të kënaqshme. Shtuar kësaj, ata ndodheshin shumë larg së qenit të përvuajtur e të devotshëm nga ana fetare.

Kjo histori fillon si gjithmonë, në Rusinë Sovjetike.

De-stalinizimi i hapi udhë mendimit disident përgjatë viteve 1960-1970 që shënjuan në Rusi, pikun e aktivitetit okult dhe krijimin e një nëntoke aktive, boheme deri në ekstazë.

Instanca më e zhvilluar dhe më e degjeneruar e këtij dhjetë-vjeçari ishte Rrethi Iuzhinski.

Rrethi Iuzhinski u formua nga shkrimtari dhe matematikani Yuri Mamleev. Teksa grupet e tjera disidente kërkonin aktivizëm politik, rrethi i Mamleev kërkonte të arratisej nga nihilizmi përmes artit. Një art që mori përmasa groteske dhe vdekatare.

Fillimisht anëtarët e këtij rrethi mblidheshin tek garsoniera modeste e Mamleev, ku më shumë se 50 vetë shtrëngoheshin si në kuti sardelesh, për të dëgjuar idhullin e tyre. Mamleev importoi doktrina ezoterike të shumëllojshme duke filluar që nga Kabala, e deri tek Hermetizmi, Gnosticizmi dhe autorë të Epokës së Re Perëndimore.

Shkrimet e tij karakterizoheshin nga një uri për limite eksperienciale, dhunë, vdekje dhe vetërealizime psikopatike. Idhtarët e Mamleev kryenin rituale okulte ekstreme, orgjira ku përdorimi i substancave supozohej të amplifikonte kësolloj aktivitetesh “transhendentale”. Simpatizantët e tij e krahasojnë me Kafkën apo Gogolin, por Mamleev fare mirë mund të konsiderohet si bashkëkohës i Georges Bataille.

Për pasojë, Bashkimi Sovjetik filloi ti censurojë aktivitetet okulte. Ujët u derdhën deri në atë pikë ku sistemi hoqi nga qarkullimi madje dhe literaturën teozofike e cila tolerohej më përpara. Mamleev e nuhati rrezikun që i afrohej dhe emigroi për në Shtetet e Bashkuara në vitin 1973.

Largimi i Mamleev e la Rrethin Iuzhinski praktikisht jetim e me pikëpyetje të mëdha për të ardhmen.

Gjendja e hutimit ama zgjati fare pak, pasi Rrethi gjeti drejtuesit e rinj tek dishepujt e Mamleev, Evgenii Golovin dhe Geidar Djemal.

Golovin dhe Djemal i dhanë frymë politike Rrethit. Gjithashtu ata zbuluan tekstet Perenialiste, të Julius Evola dhe Rene Guenon. Mbledhjet okulte vazhduan të mbaheshin me fanatizëm të theksuar. Mund të thuhet me siguri që Golovin gjeti tek Evola justifikimin filozofik për gjeopolitikën imperialiste të Aleksandr Dugin.

Dugin hyri në skenë pak vonë, në vitin 1980 ai takoi Geidar Djemal. Boshti ideologjik i Rrethit Iuzhinksi sapo ishte formuar në tërësi, tashmë ishte koha për veprim. Përgjatë këtij viti ai publikoi dhe librin e parë të Evolës, “Imperializmi Pagan”, në formën e një samidzat-i. Samidzatet ishin doreshkrime te kaluara dorë më dorë në fshehtësi. Është ironike që Dugin i jepte kaq shumë rëndësi këtij libri kur vetë Evola në autobiografinë e tij intelektuale, “Path of Cinnabar”, e kishte konsideruar si librin e tij më të keq.

Në vitin 1988 Dugin bashkë me Djemal iu bashkuan frontit patriotik rus Pamiat, ku pas një kohe të shkurtër u përjashtuan si propagandistë satanikë.

Pas rënies së perdes së hekurt, Dugin formoi lidhje me institutin GRECE në Europë, i themeluar nga filozofi francez Alain de Benoist dhe Jean Thriart. Ndërveprimet mes këtyre personave i vunë vulën strategjisë Euraziatike për të ardhmen e një Europe që do përqafonte Rusinë si alternativë.

Në vitin 1998, u kristalizuan përfundimisht të gjitha përpjekjet e Rrethit Iuzhinski përkundrejt përhapjes së ideve Duginiste në Europë. U krijua Universiteti i Ri, që më tepër i ngjan një ngrehine kontradiktash dhe mashtrimesh sesa një ambjenti akademik të mirëfilltë.

Studentët inkurajohen të lexojnë veprat e Rene Guenon, Julius Evola, dhe Martin Heidegger. Se çfarë ky i fundit ka të bëjë me dijet tradicionaliste, veç Dugin dhe Djemal e dinë. Katër profesorët më të rëndësishëm të universitetit, janë Mamleev, Golovin, Dugin dhe Djemal.

Silabusi i Mamleev quhet “Mësimet Patriotike të Rusisë së Përjetshme”, më vonë Mamleev e shndërroi këtë silabus në libër, “Rusia e Përjetshme”. Libri ka të bëjë me rëndësinë e shpirtit Rus, nevojën për ripëtëritje morale, si dhe misionin mesianik të Rusisë.

Mark Sedgewick, sharlatani i vetëquajtur “kërkues shkencor”, e trajton  veprimtarinë e rrethit Iuzhinksi si rizgjim të ideve Perenialiste, në librin e tij mbi Tradicionalizmin. Cektësia e mendimit të Sedgewick, kombinuar me edukimin e tij tipik perëndimor të universiteteve teatër amerikanë, ka kontribuuar në krijimin e një imazhi negativ të Perenializmit, i cili si shkollë mendimi jo vetëm që nuk kuptohet nga studiuesit “profesionalë”, por edhe asociohet gabimisht me fashizmin apo me sisteme totalitare të llojeve të tjera.

Kimera që Iuzhinskinët kërkojnë tia imponojnë botës, nuk është as ide e re e as diçka për tu patur frikë. Ata që kërkojnë me të vertetë dije Tradicionale, bëjnë mirë tu distancohen këtyre doktrinave. Kurse ata pak filozofë të shkollës Perenialiste, të lihen të qetë e të pashqetësuar nga makinacionet delirante të Euraziatizmit. Me kaq, e mbyllim komentin tonë për rrëfenjën Euraziatike.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019