Tokë dhe Det: Dy rrëfenja të kundërta. Pjesa II

Thamë në pjesën e parë, se Rusia angazhohet në një luftë mes të pabarabartësh me Perëndimin. Por ashtu si çdo luftë tjetër, edhe kjo ka rregullat e saj. Fuqia ekonomike për momentin, qendron tek aftësia e bllokut perëndimor për të vënë sanksione, me qëllim zvogëlimin e arsenalit veprues të një shteti apo një grupi shtetesh. Me ndërhyrjen në Krime, Rusia i ka dhënë një mesazh të qartë Perëndimit, që ajo nuk ka frikë të veprojë ndryshe, madje edhe duke krijuar situata të paparashikueshme në Europë.

Pra, në këtë rast, Rusia tregoi dhëmbët duke përdorur një metodë të vjetër por shumë efikase që quhet “proxy warfare”, ose shqip, duke mos pasur një term më të mirë, “luftë proxy”. Me luftë “proxy” kuptojmë atë lloj përplasjeje të armatosur mes dy ose më shumë grupesh, apo vendesh, që nga ana e tyre përfaqësojnë interesat e vendeve më të mëdha.

Lufta në Ukrainë, përbën një përplasje të tillë, proxy. Rebelët në Donetsk e Luhansk përfaqësojnë interesin Rus në rajon, kurse qeveria Ukrainase, duke u përpjekur të mbrohet nga agresioni i huaj, ka marrë anën e Perëndimit. Themi agresion, sepse Rusia për shumë kohë është përpjekur të ndërhyjë në Ukrainë nëpërmjet rregullit të dytë, të luftës mes të pabarabartësh.

Rregulli i dytë ka të bëjë me subversionin. Subversioni është çështje më vete. Nënkupton ndërhyrjen aktive në punët e një shteti tjetër, me anë të agjentëve, organizatave apo individëve që kërkojnë të influencojnë opinionin publik për qëllime të caktuara. Aktiviteti subversiv kërkon ta paraqesë agresorin si shpëtimtar. Duke vepruar kështu, shmanget përplasja e hapur, gjë që në rastin tonë, Rusia nuk mund ta bëjë pa vënë në rrezik shumë gjëra. Kështu ndodhi edhe në Ukrainë. Rusia në fillim provoi taktikën subversive, dhe më vonë ndërhyri haptazi.

Pati një thyerje të ambicieve Ruse në Ukrainë, që u manifestua në revolucionin Euromaidan. Një revolucion totalisht popullor, ku çuditërisht, Sovrani u tregua i aftë të vendosë për fatin e vendit. Situata degjeneroi deri në këtë pikë për shkak të disa arsyeve. Së pari, ishte Presidenti Putin ai që kishte deklaruar se kërkonte futjen e Ukrainës në BEE. Futja në BEE nënkupton largimin nga Perëndimi pasi një vend anëtar i BEE nuk mund të jetë njëherazi pjesë e BE. Yanukovich mbajti peng procesin e afrimit me BE-në, teksa populli Ukrainas u ngrit në protesta mbarëkombëtare kundër qeverisë Yanukovych.

I gjithë mundi subversiv, shkoi kot, dhe e vetmja gjë që kishte mbetur, ishte nxitja e separatistëve në lindje të Ukrainës. Çka u tha më sipër, përbën shembullin më të qartë të mënyrës sesi Rusia lufton kundër Perëndimit dhe se si kërkon të fitojë mbështetjen e fqinjëve. Mjaftoni të shikoni kush u radhit në anën pro-ruse, dhe në atë anti-ruse, për të kuptuar sa pozitiv do ishte roli i Rusisë për kombin Ukrainas.

Megjithatë, fokusi jonë është rrëfenja, prandaj do ta lëmë pak menjëanë luftën proxy, dhe do të merremi me subversionin.

Euraziatizmi zyrtar bashkë me atë gjysmë-zyrtar bëjnë subversion, por në mënyra të ndryshme. Sot për sot, platforma më e mirë për subversion është interneti. Kjo hapësirë e madhe e decentralizuar, zvogëlon botën duke ta sjellë atë në shtëpinë tënde. Vetëkuptohet pra, pse mënyra më eficente për të bërë subversion, është ajo online, kurse ajo offline, rezervohet vetëm për shtete me rëndësi të madhe për aspiratat gjeopolitike të një blloku.

Euraziatizmi zyrtar në mënyrë krejtësisht pragmatike jep e merr nëpër internet për të influencuar shtete të ndryshme. Raporti Mueller përshembull provoi me fakte që Rusia kishte filluar të ndërhynte në punët e Amerikës që në vitin 2014, pra në kohën e Obamës. Ndërhyrja ishte offline dhe online, pra subversion i pastër.

Ish agjenti i KGB-së, Yuri Bezmenov, ndër të tjerash përmendte në leksionet e tij se KGB-ja harxhon 10 deri 15% të buxhetit për veprime konkrete, ndërsa pjesa tjetër shkon tek përpilimi i ideve subversive.

Shteti Rus normalisht përpiqet të ndërhyjë përmes shërbimeve të tij sekrete, por këtu nuk mund të bëjmë spekulime në bazë të kësaj metode. Jo. Neve na intereson ana tjetër e medaljes. Agjentët informalë të quajtur “oligarkë”. Janë miliarderët e Rusisë, ata që vunë pasuri pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ose të paktën disa prej tyre, që mbështesin me fonde Euraziatizmin gjysmë-zyrtar.

Duke u rikthyer tek shembulli Ukrainas, njëri prej këta oligarkësh që shërben si burim parash për rebelët, është famëkeqi Konstantin Malofeev. Sipas studiuesit Anton Shekhovstov, është ky njeri që gjithashtu u jep fonde grupeve të ndryshme Euraziatike nëpër botë. Pra kemi të bëjmë me njëfarë veprimtarie të koordinuar, aktorëve të së cilës, do ti referohemi tani e tutje me fjalët “Grupi i Malofeev-it”

Ku qendron ideja e Aleksandr Dugin në mes të gjithë kësaj rrëmuje? Në zemër të stuhisë.

Dugin është një njeri relativisht i panjohur në Ballkan, e aq më pak në Shqipëri. Meqenëse idetë e njerëzve të tillë nuk ngjisin mirë me politikën e ditës, emrat e tyre janë lënë në harresë. Por mungesa e një veprimi të menjëhershëm nuk do të thotë se nuk ka plane afatgjatë.

Tiparet e rrëfenjës Euraziatike sa vijnë e shtresëzohen në djepin e Euraziatizmit gjysmë-zyrtar.

Fillesat e Alexandr Dugin ishin modeste. Biri i një zyrtari sovjetik të rangut të lartë, në rininë e tij ai u përzie shumë me studime okulte. Nga teoritë gnostike të perëndeshave të bardha, e  deri tek doktrina e njohur e Aleister Crowley-t, thelema, aventurat djallëzore të Duginit përfunduan në përjashtimin nga shkolla e aviacionit  dhe në ndëshkimin e babait të tij nga regjimi.

Më pas, Dugin u tërhoq nëpër  hije dhe nuk u dëgjua më  derisa u bë anëtar i Partisë Nacional  Bolshevike të Eduard Limonov, ku nguli themele si një figurë me ndikim.

Megjithatë ai kurrë nuk u vu  në qendër të vëmendjes derisa shkroi magnum opus-in e tij, Themelet e Gjeopolitikës: E Ardhmja e Rusisë Bashkëkohore.

Themelet e Gjeopolitikës është një libër me anë të të cilit, Dugin arriti të ngjitë shkallët e hierarkisë institucionale Ruse. Çuditërisht, Dugin kurrë nuk e lejoi shpërndarjen e librit në Perëndim dhe si pasojë  The Foundations of Geopolitics nuk u përkthye kurrë në anglisht. Arsyet për këtë ishin si më poshtë. Para së gjithash, FoG ishte në favor të një përpjekje të sintetizuar e cila do të justifikonte statusin e rusëve  si një popull mesianik , i destinuar të sundojë botën.

Ai kombinon qasje teorike Perenialiste të deformuara dhe postmoderne, duke marrë hua nga veprat e Rene Guenon për të legjitimuar dikotominë e tij Lindje-Perëndim. Së dyti, në këtë libër, hodhi skicën për një plan shumë të ndërlikuar ndërkombëtar për organizimin e shumë qelizave operative që do të çonin përpara Euraziatizmin. Marrë nga FoG: “Rusia nuk mund të ekzistojë në një formë tjetër përvecse asaj perandorake” Një mënyrë kjo e ndërlikuar për të shprehur etjen për Weltmacht, të Euraziatizmit.

Dugin dhe Malofeev janë gjithashtu të lidhur me njëri tjetrin. Shumë portale lajmesh i janë referuar Dugin si “truri i Putin”, megjithatë Dugin nuk është i lidhur drejtpërdrejt me Putin. Përkundrazi, lidhjet e tij rrjedhin përmes Rrjetit Euroaziatik, duke përfshirë Igor Girkin-Strelkov, njeriun e tij në Donbas.

Euraziatizmi përfiton së pari nga paqartësitë e qëllimshme që mundohet të formojë. Idhtarët perëndimorë të Aleksandr Dugin, lexojnë Teorinë e katërt politike, por nuk kanë mundësi ti qasen Osnovi Geopolitiki për arsye të dukshme. Ekziston një barrierë gjuhësore që njëkohesisht mban të ndarë sferën anglofone nga sferat lindore dhe botëkuptimet e tyre përkatëse. Prandaj rëndom bëhemi dëshmitarë të një idealizimi të  pavend ku lindja  supozohet se ka mbetur e paprekur nga nihilizmi perëndimor.

Kjo perspektivë e gabuar e dinamikës vepruese lindore, vjen si pasojë e shfrytëzimit të teksteve Perenialiste nga “filozofi”  Dugin. Dugin lë menjëanë kontekstin historik, duke mbushur trungun e kundërvënieve gjeopolitike me përmbajtje ahistorike, që thellohen deri në të qënit anti-histori. A flitet me fakte historike? Jo. Historia i flijohet projektit gjeopolitik.

Fundja pse gjithë ky mundim për të hyjnizuar përpjekjet perandorake Ruse? Çfarë tjetër do të donte një perëndimor i zhgenyer përveçse shpëtimit të shpirtit?

Një Rusi e sëmurë nga oligarkia, nga varfëria, nga informaliteti dhe klandestinizmi, nuk ka ç’ti ofrojë shpirtit të zbrazët të perëndimit, që urinë e tij për transhendencë e përkthen në këndellje sipërfaqësore dhe shfrenime të moralit.

Pikërisht këtu i gjejmë fillesat e paradoksit më madhor, Gjeopolitikës Eskatologjike.

Çështjet e së mbrames normalisht i përkasin hermenutikës. Këto çështje, pavarësisht shpirtit historik, gjithmonë e kanë munduar dhe do ta mundojnë njeriun.

Problemet fillojnë në çastin kur shpallet një nevojë për të rrëshqitur politikisht në rrafshin eskatologjik , tipike kjo e kohëve postmoderne që i ngrënë monument çrregullsisë dhe të anasjellave të gënjeshtërta.

Kështu, rrëfenja, si gjithmonë, ndërtohet mbi themele empirikisht të dobëta. Bashkimi Sovjetik perceptohet gabimisht si forcues i kanaleve shpirtërore Ruse, kur në të vërtetë thjesht sa vrau shpirtin e Rusisë, bashkë me shpirtrat fatkeqë të Traktatit të Varshavës. Ky forcim i supozuar propagandohet nga grupet Nacional-Bolshevike të cilat i mbijetuan de-nazistifikimit, duke u rimarrë famën e para luftës, veçanërisht në perëndim.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019