Pikëpamje mbi modernizmin dhe modernitetin. Pjesa II

Në fillim të tekstit Beck përpiqet të sqarojë domethënien e modernitetit refleksiv. Moderniteti refleksiv shihet si një lloj “moderniteti i dytë”. Ndryshimet që po ndodhin dhe që po çojnë në modernitetin e dytë nuk janë ndryshime “normale” tipike të një shoqërie moderne, por janë ndryshime që ndryshojnë gjithë strukturën shoqërore të modernitetit.

Teoria e modernizmit refleksiv nuk duhet kuptuar si një qasje postmoderne sipas Beck, pasi ajo ende përpiqet të konceptojë shkencërisht modernizmin e ri. Në pjesën e parë të tekstit të quajtur “Dallimi midis Shoqërisë së Parë dhe të Dytë Moderne” Beck shpjegon përbërjen e strukturës shoqërore të modernitetit të parë dhe se si ajo po ndryshon.

Sipas tij, Moderniteti i Parë është ajo periudhë që fokusohet tek shteti kombëtar dhe tek individualizmi. Individualizmi është gjithashtu një karakteristikë e kësaj shoqërie, por një individualizëm i lidhur me kufizime sociale si ndarja seksuale e punës. Kjo shoqëri është një shoqëri punësimi ku konsumi mirëqenia plotësojnë njëra-tjetrën dhe ku secili anëtar i shoqërisë duhet të jetë eficent ekonomikisht. Natyra në një shoqëri të tillë konceptohet vetëm si një burim për t’u shfrytëzuar për zhvillim të mëtejshëm.

Racionaliteti dhe shkenca janë në qendër të kësaj shoqërie dhe besohet se do të ketë një zhvillim të përsosur të së dyjave, ku roli kryesor i arsyes është ai ç’mistifikues.

Dhe së fundmi, shoqëria është e ndarë në nënsisteme ku besohet se rritja e specializimit është e mirë. Si ndryshon kjo shoqëri? Sipas Beck në mënyra të ndryshme. Pikësëpari, globalizmi, përveç injorimit të bazës ekonomike të shoqërisë, gjithashtu përpiqet të zhdukë vetë shtetin kombëtar. Individualizmi gjithashtu forcohet. Teksa ky individualizëm shkatërron forcat kufizuese në shoqëri, sipas Beck, ai gjithashtu krijon pasiguri për të ardhmen e marrëdhënieve shoqërore.

Rolet gjinore, rolet e familjes dhe ndarja seksuale e punës po ndryshojnë gjithashtu. Punësimi fleksibël po shkatërron gjithashtu shoqërinë e konsumit dhe sigurinë që sjell punësimi. Dhe së fundmi, kriza ekologjike e ka bërë të pamundur perceptimin e natyrës vetëm si burim. Pse duhet kuptuar ky modernitet i dytë? Në mënyrë që të jemi në gjendje ta ndryshojmë atë, sipas Beck.

Pjesa e dytë quhet “Mungesa e vazhdimësisë në zemër të modernizmit: hipoteza e një thyerjeje historike”. Sipas Beck, për të kuptuar nëse ekziston vazhdimësi ose thyerje midis dy shoqërive moderne, së pari duhet të ndryshojmë mënyrën se si konceptojmë vetë ndryshimin, Moderniteti i dytë nuk mund të kuptohet duke përdorur koncepte nga ai i pari. Dy koncepte të tilla janë koha dhe kombi. Sipas Beck, moderniteti i parë na ka bërë të gjithëve, skllevër të së ardhmes. Ne nuk e dimë se për cilin lloj progresi po luftojmë, por dimë që progres do të ketë, ose duhet të ketë. Beck propozon një pezullim  të kësaj ideje dhe parashtrimin e një tjetre.

Që me të vërtetë ka një thyerje në histori, për shkak të  meta-ndryshimit të mënyrës se si e kuptojmë kohën. Nga ana tjetër, moderniteti i parë këmbëngul se shteti-komb është fillimi dhe mbarimi i gjithçkaje. Historia dhe çdo gjë tjetër konceptohen duke u nisur nga ky shtet kombëtar. Kjo është gjithashtu e gabuar sipas Beck, sepse ka edhe forma të tjera të organizimit që mund të lindin. Kombi nuk do të jetë gjithmonë në gjendje të ripërtërijë veten sipas tij dhe ne  duhet të jemi gjithnjë të vetëdijshëm për “tjetrën” e së ardhmes, që do të thotë pamundësia e parashikimit  të së ardhmes duke u nisur nga e tashmja.

Pjesa e tretë quhet “Format e meta-ndryshimit”. Beck fillon të përshkruajë ndryshimet që rrjedhojnë për shkak të efekteve anësore (pasojave të paqëllimshme) të modernitetit. Me fjalët e tij:

“Në kontekstin e modernitetit refleksiv, termi” efektet anësore” i referohet transformimit të strukturave shoqërore dhe kategorive të mendimit shoqëror”.

Ai jep si shembull mënyrën se si teknologjitë e reja pengojnë bazat institucionale. Një mënyrë e dytë për të parë efektet anësore është ajo e diskursit që rrjedh nga pasiguria që sillet nga gjërat e reja. Pasiguritë rreth teknologjive të reja sjellin diskutim publik. Meta-ndryshimi këtu është arritur sepse vetë teknologjia (një premtim i modernitetit të parë) po vihet në pikëpyetje. Pas kësaj ai vazhdon të diskutojë ndryshimet ekstreme që ndodhin për shkak të individualizmit. Siç u përmend përpara individualizmi solli emancipim, por edhe një shpërbërje të strukturave të caktuara shoqërore. Sipas Beck:

Moderniteti refleksiv mund të shihet si një fushë e gjerë e eksperimentit social ku, nën presionin e globalizimit, lloje të ndryshme të lidhjeve shoqërore post-tradicionale dhe komuniteteve të imagjinuara pas kombit, po mundohen të pohojnë vetveten në konkurrencë me njëra-tjetrën.

Kjo është, sipas tij, moderniteti refleksiv. Më pas vijon të diskutojë meta-ndryshimin që vjen nga dyshimi i vetë racionalitetit.

Një pjesë e rëndësishme e modernitetit refleksiv është pikërisht dyshimi i bazës konjitive dhe epistemologjike të racionalitetit. Refleksioni, megjithatë, na ofron mundësinë për të vënë në dyshim bazën e racionalitetit dhe dhënien e alternativave. Në pjesën e fundit të këtij pjese ai përshkruan shpërbërjen e dallimeve themelore. Ai jep shembullin e dikotomisë natyrë/shoqëri dhe sesi kjo po ndryshon. Sipas teorisë së modernitetit refleksiv, në të ardhmen do të ketë një shumëllojshmëri përkufizimesh mbi këtë çështje.

Pjesa e fundit quhet “Kriteret e Testimit për Praninë e Modernitetit Refleksiv”. Këtu Beck përpiqet ta bëjë këtë teori më të hapur për testim. Dy kriteret e para kanë të bëjnë me kufijtë. Kufijtë socialë shumohen, shndërrohen në jo-kufizues dhe përkufizimi i vetë kufijve ndryshon. Ndryshe nga kufijtë postmodernë, të cilët konsiderohen si të ligjshëm, kufijtë e modernitetit refleksiv konsiderohen si artificialë, por ende “institucionalizohen në proçedura sistematike”. Një arsye tjetër sipas tij përse kufijtë po shumohen është për shkak të llojeve të ndryshme të dijes që konsiderohen si të vlefshme në Modernitetin e Dytë.

Vendimmarrja në këtë lloj situate gjithmonë është e detyruar të marrë parasysh efektet anësore. Objektiviteti ekziston , por prodhon më shumë konflikte, sipas Beck. Beck pastaj fillon të analizojë se si kriteret e përmendura më parë ndikojnë në subjektivitetin e modernitetit të dytë.

Në Modernitetin  e Dytë nuk ka asnjë lloj qartësie të ndarjes objekt/subjekt. Dija e individit bëhet e qëllimshme dhe ai është i vetëdijshëm për të. Kjo ndodh për shkak se ka krizë, dhe dija  duhet të jetë e qëllimshme (një shembull që jep ai është kriza ekologjike). Institucionet që krijuan “individin linear”: dhe familjen bërthamë, janë zhdukur.

Ka një lloj objektiviteti në këtë individ të ri, por një pasiguri të dijes. Më pas ai flet përsëri për kufijtë.

Kufijtë i krijuan individët duke i kufizuar ato. Me ekzistencën dhe pranimin e kufijve të shumëfishtë, njerëzit janë pjesë e shumë grupeve në të njëjtën kohë. Në anën tjetër, rrjetet krijohen, nuk kanë qenë gjithmonë aty. Subjekti në këtë situatë nuk është më zotërues i rrethanave.

Beck thotë:

Subjekti bëhet pjesë e një rrjeti të vetë-përzgjedhur që lejon lidhjen dhe komunikimin, por gjithashtu e bën atë objekt të zgjedhjeve dhe vendimeve të të tjerëve. Në vend që të jetë planifikues dhe sundimtar i jetës së tij, i udhëhequr nga parime të paracaktuara, subjekti transformohet në një pjesë konstitutive të një konteksti që përcakton subjektivitetin e tij ku brenda të cilit ushtron fuqi të përbashkëta vendimmarrëse.

Sipas Beck, teoria e modernitetit refleksiv do të na bënte të kuptojmë më mirë globalizimin dhe modernitetin e ri, do të largohej nga konceptet e vjetra sociologjike, do të na bënte të vetëdijshëm për atë që kombi është apo nuk është dhe për mundësitë e reja të formave kozmopolitane të jetës.

 

Shënim: “Pikëpamje mbi modernizmin dhe modernitetin” ka vetëm qëllim përshkrues, dhe do të vazhdojë të përshkruajë pikëpamjet e autorëve të ndryshëm mbi këtë epokë dhe shpirt të kohës.

Këto shkrime nuk pasqyrojnë pikëpamjet e vetë stafit të faqes, por janë vetëm një përpjekje për të përvijuar denjësisht mendime të ndryshme, qoftë edhe të kundërta. I cilësojmë këto shkrime të nevojshmë për të ndërtuar një tablo sa më të plotë që sigurisht një ditë do mund të kritikohet.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019