Postulat.

Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja.
Me kthetrat e saj të ndyra ajo më shqeu përsëgjalli.Kënga ime papritmas u kthye në një ulurimë shurdhonjëse.Dhe unë besnik i trupit tim të shëndoshë, i tronditur qëndroj në këmbë dhe vërej se ato ligje të psikologjisë nëpër të cilat ecën jeta dhe zhvillimi i njerëzve, janë të vërteta dhe sundojnë. Vetëm njerëzit që meritojnë dhe duhet të jetojnë, janë në lartësinë e vdekjes, e shikojnë këtë drejt për së drejti; pa frikë dhe pa tmerr.

Sa më i pazhvilluar të jetë njeriu, aq më tepër i trembet vdekjes. Jeta, që s’ka një qëllim, është një jetë kafshe. Jeta, që nuk ka një dëshirë supreme, një shtytje të ngutur për të kuptuar dhe për të rritur një shkallë më të lartë e më të kulturuar, jeta, që nuk është një përpjekje e vazhduar për botëkuptimin e rregulla më të plotësuara e më të përsosura, ajo nuk është jetë.

Edhe sot vazhdoj të rroj duke menduar. Ajo udhë, që më solli në këtë “abys”, udha e mendimit të sinqertë dhe e pasjes së një qëllimi në jetë, nuk është e gabuar. I vdekur mund të jesh më i madh dhe më i fuqishëm sesa të gjallët. Më tepër na udhëheqin të vdekurit, sesa të gjallët. Madhëria dhe forca e një njeriu plotësohen mbasi vdes. Miq dhe shokë pata pak në jetën time, gjithsej nja pesë a gjashtë.

Vetëm me ata u kuptova plotësisht dhe, kur ndënja me ta, qava hallet, ndjeva një lartësim në brendësirën time, ndjeva vlerën e të qënurit gjallë. Nga hiçi erdha, në hiçin shkojmë. Ai çast i shkurtër, që quhet jetë, duhet ta mbushim me fisnikëri, me shpirtngrohtësi, me gjallëri, dhe sidomos me mendim. Sa je gjallë digju, dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen. Po të mos qe dielli prej zjarri dhe duke u djegur, s’do kish as jetë, as botë … Mendja dhe shpirti e tundin dhe e mbrujnë lëndën.

 

Letra e fundit e shkruar natën para ekzekutimit në kalanë e Gjirokastrës, 11-12 korrik 1937.
Ismet Toto