U nisa të shkruaj këtë artikull për shkak të një lajmi të cilin e pashë rastësisht. Një grup personash kishin bërë tubim në Beograd, shumica prej tyre serbë. Qëllimi i tubimit ishte njohja e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në luftën në Kosovë. Mesazhi i artikullit ishte që kudo, dhe në Ballkan, ka përpjekje për paqe. Problemi është: Sa saktësisht e paraqet realitetin ky artikull?
Të tille artikuj janë gjë e zakonshme në perëndim. Mediat perëndimore nuk gënjejnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë por paraqesin një imazh të realitetit të cilin atyre, ose mjeshtërve të tyre u pëlqen më shumë që të paraqitet. Në Gjermani përshembull, janë dhënë dhe vazhdohen jepen lajme(ndonëse jo me të njëjtin intensitet) të refugjatëve të ndryshëm sirianë që janë integruar më së miri në Gjermani.
Pa treguar natyrisht një pjesë tjetër shumë të madhe të cilët nuk janë integruar ose i janë futur dhe rrugës së krimit. E njëjta gjë dhe me këtë artikullin. Pse 200 serbë thonë që duhet të njihen krimet ndaj shqiptarëve nuk do të thotë që kombi serb përfaqësohet nga këta 200 serbë. Nuk do të thotë që politika dhe diplomacia serbe do i marrin parasysh këta 200 serbë. Por puna shkon dhe më tej. Kjo përpjekje për të nxjerrë artikuj të tillë është përpjekje e „Europës që do paqen mes kombeve“. Artikulli çuditërisht ishte postuar në një media shqiptare, gjë që e bën dhe më të çuditshëm faktin se nuk kishte pasur asnjë lloj frymë kritike që të merrej me faktin se çfare bëjnë miliona serbë të tjerë që nuk pranojnë genocidin ndaj shqiptarëve. Ose që e pranojnë por u pëlqen.
Shumica e proponentëve të paqes mes kombeve në Ballkan ndjekin vijën europiane të propagandës e cila është si vijon: Luftë në Europë ka pasur po më nuk do të ketë. Franca dhe Gjermania kanë qenë armiq të egër gjatë dy luftërave botërore por me krijimin e bashkimit europian dhe lidhjeve ekonomike Gjermani-Francë, u arrit paqja mes kombeve të Europës. Tani ky model po përpiqe të përdoret dhe në Ballkan, të paktën kështu thotë BE dhe ithtarët e saj në Shqipëri. Por poshtë artikujve të bukur dhe propagandës fshihet një realitet ndryshe.
Fillimisht BE-së nuk i intereson aspak paqja apo pajtimi mes kombeve për hir të paqes apo pajtimit. Është e ditur botërisht që politika e jashtme e BE-së në Ballkan përqëndrohet vetëm në diçka: stabiliteti. Nuk ka rëndësi që turqit dhe arabët po nderhyjnë shumë në Bosnje, nuk ka rëndësi që Greqia dhe Serbia(së shpejti dhe Italia) kanë investime të mëdha kineze, nuk ka rëndësi që Maqedonia ka pafund borxhe ndaj Kinës, nuk ka rëndësi që desh ndodhi një grusht shteti në Mal të Zi, mbështetur nga Rusia. Rëndësi ka të duket sikur ka stabilitet. Rëndësi ka që mos të ketë luftra civile si ne 1997 në Shqipëri. Luftra civile të cilat kërkojnë që fuqitë e mëdha të ndërhyjnë për ruajtjen e stabilitetit(sepse vetë e ndritëm). Nuk duhet të ketë luftëra të tipit maqedonas, të cilat kërkojnë që fuqitë e mëdha të vrasin mendjen se si do arrihet paqja(sepse prapë vetë e ndritëm).
Nuk duhet të ketë genocide sepse për të ndaluar genocidet duhet të nisen ushtarë Europianë për ti ndaluar(sepse vetë e ndritëm). Nuk duhet të ketë ndryshim kufinjsh sepse kështu ndizen qindra dëshira popujsh të ndryshëm në Ballkan për ndryshim kufinjsh. Me këtë të fundit bie dakord por jo parimisht. Bie dakord thjesht sepse ikën Trepça nga Kosova.
Pra gjërat nuk duhet të levizin. Popujt varfërohen, marrin arratinë dhe vendet braktisen. Ama gjërat nuk duhet të levizin sepse po levizën shkaktojnë dhimbje koke për BE-më. Personalisht më pëlqen ta quaj politikën e BE-së , politika e rehatit dhe të bërit sikur. E rehatit sepse nuk duan çarje koke në Ballkan dhe e të bërit sikur sepse bëjnë sikur u interesojnë ndërhyrjet kineze, turke , ruse etj por nuk bëjnë gjë për ti ndaluar.
Vetë Franca dhe Gjermania janë tmerrësisht të ndërlidhura për sa i përket tregtisë me Kinen. Italia po kërkon të bëhet pjesë e Rrugës së Mendafshit. Por gjithsesi bëjmë sikur na intereson. Uji është i qelbur, dhe që të pastrohet duhet të levizë. Lëvizja ama nuk lejohet nga BE-ja. Pyetja që del ështe: A ndalojnë këtu problemet?
Përgjigjen në këtë rast po e jap mbi Shqipërinë: Jo problemet nuk ndalojnë këtu. BE-ja u ka thënë jo deshirave tona për bashkim kombëtar në mënyrë të vazhdueshme. Rasti i fundit ishte i Vlahutin e cila tha se nuk do ketë bashkim doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Jo nuk duhet të përpiqeni që mos të ketë por nuk do të ketë. Ndërkohë nga ana tjetër serbëve nuk u vihen të tilla kushte kaq drastike. Si shpjegohet kjo? Mund të ketë shumë mundësi. Nje mundësi është që nga indiferenca totale e vendeve kryesore të BE-së ndaj Ballkanit dalin monstra të ndryshme të cilat kanë interes në Ballkan por jo për mirë. Munnd të jetë politikë e qëllimshme e BE-së.
Bashkimi kombëtar shqiptar do krijonte një force deri diku dominante në Ballkanin jugperëndimor, nëse dhe do bashkoheshim ekonomikisht. Ndryshimi i balancave të pushtetit ndoshta nuk i pëlqen BE-së. Mund të jetë një favorizim i qëllimshem i Serbisë për shkak të anës fetare. Mund të jetë favorizim i Serbisë pasi vetë i kemi shitur interesat kombëtare pa pritur madje as ndonjë qindarkë apo ndonjë ndërtim hidroçentrali në shkëmbim. Nuk e dimë arsyen sepse dhe universitetet dhe figurat intelektuale shqiptare nuk i hyjnë këtyre çështjeve thellë ose mbrojnë BE-në në ato që thonë.
Por nuk ka shumë rëndësi arsyeja. Ajo që shqiptari mesatar duhet të kuptojë është që nuk ka aleatë të përjetshëm. Koha kur kishim miqte gjermanë apo austro-hungarezë ka ikur. Duhet të duam njëherë veten në mënyrë që më pas të na duan të tjerët. Nëqoftëse qënkemi në anën e humbësve, mos na duhet ta duam këtë stabilitet që ekziston tani? Ndonëse është stabilitet në kurrizin tonë?
Natyrisht ai që është i dobët duhet të ketë frikë nga lëvizja. Lëvizja është e paparashikueshme. Nesër e kemi territorin kaq sa është, pasnesër mund të kemi thjesht gjysmën. Sot jemi 3 milion, nesër mund të zhdukemi si komb. Por problemi qëndron këtu. Sado e sigurt të na duket si paqe dhe qetësi kjo moslëvizje dhe stabilitet, nën ujët e qeta ka krokodilë që thjesht presin rastin. Serbia sot mund të mos jetë agresive në mënyrë direkte por gjërat ndryshojnë. Rendet botërore ndryshojnë dhe ndoshta vijnë rende të tjera që nuk u intereson dhe aq stabiliteti në Ballkan. Të fshehësh kokën si struci ndërkohë që armiqtë fuqizohen nuk është zgjidhje. Atëherë çfarë duhet të bëjmë nëse jemi të pafuqishëm dhe skemi gjë në dorë?
Fillimisht ndryshim të sistemit politik dhe të politikanëve që kemi. Më pas fuqizim ekonomik të Shqipërisë sa më shumë të jetë e mundur. Shqipëria duhet të jetë si qëndra ku do bashkohen pjesa tjetër e territoreve shqiptare. Por a do na lejohet marrja frymë është pyetja? Dhe nëse nuk na lejohet duhet të marrim frymë se do vdesim po nuk morëm është përgjigja. Diplomacia jonë me fuqitë e mëdha duhet të jetë e tipit: „Tërhiq perin, mos e këput.“ . Natyrisht nëqoftëse nje fuqi si Gjermania apo Amerika do të na shkatërrojë na shkatërron. Diplomacia jonë duhet të konsistojë në mos të çuarit e punëve deri aty. Dhe nëse shkojnë deri aty duhet të jemi si Vietnami që u kushtoi amerikanëve pafund jetë ushtarësh.
Parimi i Vietnamit, siç, po e quaj këtu duhet të na ndjekë gjithmonë, si komb i vogël që jemi. Mund të na pushtojnë, mund të përpiqen të na zhdukin por dhe grerëza të shkakton dhimbje nëse të ngul thumbin në sy. Pse nuk po i bëjmë këto gjëra tani?
Sepse nuk identifikohemi aspak me kombin tonë. Për shqiptarin kombi fillon e mbaron te ndeshja e futbollit. Për të pasur pra, çfarëdo lloj projekti kombëtar, gjeopolitik apo ekonomik duhet që shqiptari të gërmojë thellë në veten e tij, e të mbledhë copat e shpirtit të shkërmoqur me përdhuni këto 77 vitet e fundit. Hapat për këtë proçes do i parashtrojmë në një artikull tjetër.
This blog post has been Digiproved © 2019