Artikullin po e filloj duke përmendur Keynes dhe kapitullin e tij mbi merkantilizmin ne Teorinë e Përgjithshme të Punësimit, Interesit dhe Parasë. Sipas Keynes ka dy rryma kryesore mendimi per sa i përket çështjeve monetare. Nga njëra anë kemi merkantilistët të cilët mendojnë se një balancë e favorshme tregtie, eksportet e shumta dhe një hyrje e madhe e parase në vend jane te favorshme. Nga ana tjetër kemi liberalët që mendojnë se merkantilistët shqetësohen kot për të tilla çështje dhe se politika të tilla demtojnë ndarjen ndërkombëtare të punës duke i varfëruar të gjithë. Cilat janë disa nga politikat e ndjekura nga merkantilistët?
Keynes përmend merkantilistët e shekujve të mëparshëm por ekonomia e shekujve 17 apo 18 është shumë me e ndryshme se ekonomitë moderne. Gjithsesi disa tipare mbeten universale. Merkantilistët kryesisht përqëndrohen në arritjen e një balanci tregtar pozitiv, balanci pagesash pozitiv, një përpjekje për grumbullim parash(por jo qarkullim të madh parash që çon në inflacion). Zakonisht kjo shoqërohet me devaluim të monedhës si përpjekje për të eksportuar më lirë, ulje të kostove të punës dhe deflacion të përgjithshëm për të shkatërruar kundërshtarët tregtarë etj. Në këtë mënyrë mund të mendojmë se shekulli i merkantilizmit ka mbaruar dhe se jetojmë në shekullin e liberalizmit. Dhe në një shekull liberal pyetja është: çfarë lloj liberalizmi?
Keynes në një pasazh në kapitullin e tij mbi merkantilizmin shkruan: „Nën ndikimin e kësaj teorie të gabuar Londra shpiku teknikën më të rrezikshme që mund të imagjinohet për mbajtjen e ekuilibrit, konkretisht, teknikën e interesit bankar dhe paritetit te ngurtë të shkëmbimit të monedhës“. Për cilën teori e kishte fjalën Keynes?
Keynes nuk e kishte fjalën per teorinë merkantiliste por për atë liberale.
Sipas teorive liberale të shekullit të 19, të cilat gjetën përdorim dhe në kohën pas luftës së parë botërore, çështjet monetare dhe të ekuilibrave makroekonomike ndërkombëtarë zgjidheshin vetiu. Mjafton që të lejoheshin „tregjet e lira“. Për këtë arsye u shpik standardi i arit. Standardi i arit sipas liberalëve ishte kulminimi i „tregjeve të lira“. Standardi I arit siguronte konvertimin e çdo monedhe të mundshme në ar dhe të arit në çdo monedhë të ndryshme. Pa pyetur fare se çfarë ndodh me shtetet nëqoftëse paraja lëviz pa pasur asnjë lloj barriere të mundshme dhe pa patur mundësi korrigjimi të vlerës së monedhës.
Keynes e konsideroi standardin e arit si një ndër mekanizmat më shkatërrues të paqes mes kombeve. Shtetet në një situatë të tillë do të detyroheshin se sbën të merrnin masa proteksioniste ndaj shteteve të tjera pasi do ishte mënyra e vetme e mundshme që të kishin balancë tregtare pozitive. Është e ngjashme me argumentat që kam parashtruar te artikulli mbi euron. Spiralja e deflacionit, mosndryshueshmëria e vlerës së monedhës, zhdukja e çdo lloj mekanizmi të mundshëm për mbrojtjen e ekonomisë së brendshme etj. Më interesantja është që nuk është e vetmja ngjashmëri.
Keynes kur shkruante mbi merkantilizmin dhe balancën e pagesave shkruante në një kohe kur, jo vetëm merkantilizmi, por dhe problemet që merkantilizmi përpiqej të zgjidhte shiheshin si një fiksim idiot me gjëra të vjetra të shekujve të kaluar. Balancat fundja, zgjidheshin automatikisht me standardin e arit sipas teoricieneve liberalë. Madje thjesht përmendja e ndonje autori merkantilist gjatë argumentimit shihej si idiotizëm në rastin më të mire ose rrezik për paqen botërore në rastin më të keq.
“Nëqoftëse mallrat nuk kalojnë ndërmjet kufinjve do kalojnë ushtarët” ishte refreni liberal që dëgjohej tërë kohës. Kjo duket tmerrësisht shumë e ngjashme me shumicën e akademikëve dhe autorëve, të cilët argumentonin pro Euros. Personat që argumentonin kundër Euros ose që përpiqeshin ti bënin të ditur njerëzve që problemet nuk zgjidheshin aq kollaj si me shkop magjik u quajtën të çmendur, të çuditshëm, jashtë kohës, proteksionistë, merkantilistë dhe qindra epitete të tjera. Në rastin më të mirë thjesht u injoruan.
Për Keynes merkantilistët janë intelektualisht më të ndershëm. Është e vërtetë, thotë Keynes, që merkantilistët nuk arritën të zgjidhnin problemin e çështjeve monetare dhe të balancës së pagesave. Zgjidhja merkantiliste ishte zgjidhje në kurriz të shteteve të tjera që mund të çonte ne përkeqësim të madh të marrëdhenieve tregtare madje deri në luftë. Të paktën merkantilistët e pranonin këtë thoshte Keynes. Shkolla klasike(liberale) sipas Keynes ndërtonte teorira pa kuptuar realitetin ekonomik fare. Pyetja së cilës nuk i jemi përgjigjur akoma është në çfarë lloj liberalizmi po jetojmë?
Liberalizmi i shekullit të 19 ishte liberalizëm i egër. Liberalizëm që nuk pyeste për interesa shtetërore si punësimi, mirëmbajtja e ekonomisë së brendshme etj. Mbas 2 luftërash botërore dhe një ripërpjekjeje mbas Luftës se Parë Botërore per rikthimin e standardit të arit, erdhi ajo që John Ruggie në 1982 e quajti embedded liberalism(liberalizmi I ngulitur). Sipas liberalizmit të ngulitur(embedded) sistemi botëror do ishte sistem liberal por duke I lejuar mundësi të ndryshme shteteve për të mbrojtur ekonomitë e tyre nga papunësia dhe tërë pasojat negative te liberalizmit te llojit të shekullit të 19.
Keynesianizmi u bë teoria kryesore e viteve 1950-1960 deri në fillim te viteve 1970. Politikanët e kishin fjalën “punësim të plotë” gjithë kohën në gojë dhe e kuptonin se duhet të ndiqnin politika Keynesiane nëse donin të rizgjidheshin në pushtet. Por më pas erdhën vitet 70 dhe 80. Erdhi Friedman, Reagan dhe Thatcher. Ishte koha e personave që filluan të urrenin ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Erdhi koha e dishepujve që sot I kemi dhe në Universitetin e Henri Çilit.
Liberalizmi i ngulitur filloi të bëhët përsëri liberalizëm i çngulitur, pra liberalizëm pa asnjë lloj kontrolli. Çregulacionet në çdo aspekt të mundshëm të ekonomisë, laissez-faire ekstrem dhe zhdukja e çdo lloj barriere ndaj depërtimit të kapitalit sollën pasojat e tyre.
Dhe mbas kësaj periudhe të shkurtër, ku gjithë këshillat e FMN dhe institucioneve të tjera ishin liberale, ku Fukuyama shpallte në mënyrë madhështore se kishte arritur fundi I historisë dhe se tregjet e lira fituan, ku muzika e diskove te viteve 80 dhe 90 si lanë njerëzit të shihnin mirë se çfarë po ndodhte me ekonomitë e vendeve të tyre, erdhi koha e krizave të Azisë.
Aziatikët, më të mençur mesa duket se sa europianët dhe miqtë e tyre transatlantikë, ose të paktën më pak të vetëkënaqur, vendosën se ky lloj liberalizmi nuk ishte dhe aq I mirë dhe morën masa për të mbrojtur ekonomitë e tyre. Masa mori dhe Gjermania. Perdori Euron dhe fanatizmin fetar të tregut të lirë për ta dominuar Eurozonën, ndërkohë që vazhdon e flitet për tregti të lirë e të drejtë brënda Euros.
E ardhmja? Nuk dihet me saktësi. Nëse përpiqemi të bëjmë krahasime me epokat e mëparshme na duhet të themi se i tillë lloj liberalizmi është eksploziv për sa i përket anës sociale. Liberalizmi i shekullit të 19 vërtet solli rritje ekonomike në disa vende por çoi në probleme sociale tejet të mëdha. Ka madje teoricienë që e lidhin Luftën e Parë Botërore me liberalizmin e shekullit të 19.
Koha mbas Luftës se Parë Botërore, përpjekjet për të rivendosur standardin e arit nuk çuan në tregti më të lirë apo të drejtë por thjesht në shtim të proteksionizmit nga vendet e prekura nga defiçitet makroekonomike që solli ky standard për pjesën më të madhe të botës. A do kemi merkantilizëm dhe kriza ekonomike nga luftërat tregtare , a do kemi rivendosje të Keynesianizmit dhe të një sistemi më pak të çmendur ekonomik botëror, a do kemi luftra dhe ndryshim rendi botëror mbas luftërave, kjo nuk dihet. Një gjë ama është e sigurt. Liberalizëm të tipit ekstrem nuk do ketë më së shpejti. Për arsyen e thjeshtë se cçn në kolaps nëse vazhdohet të praktikohet.
Si Shqiptarë ndonjë gjë të madhe nuk kemi në dorë për sa I përket vendosjes së rendeve të reja botërore. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të përgatitemi si shpirtërisht dhe intelektualisht për fundin e këtij liberalizmi ekstrem dhe se si duhet të navigojmë në botën e re që do krijohet.
Dhe për ta mbyllur një fjali të shkurtër: Fabrika neoliberale e Çilit nuk e ndryshon dot rrjedhën e historisë. Sa më shpejt ta kuptojmë aq më mirë për ne. Shqiptarët duhet të fillojnë të rrihen sa më shumë të jetë e mundur dhe me rryma të tjera intelektuale që shkojnë përtej Friedman dhe Hayek. Përndryshe do vazhdojmë të ulërasim çregulacion kur të tjerët po ndryshojnë mendje. Dhe kjo s’është gjë e mirë. Njeriu me deluzione, në një shoqëri të egër, ku nuk ka fare spitale që të kujdesen për të çmendurit, mënjanohet nga shoqëria dhe vdes. Kjo mund ti ndodhë dhe Shqipërisë.
This blog post has been Digiproved © 2019