Koncepti i absorbimit është një ndër konceptet më kyçe në makroekonomi dhe kryesisht në ekonominë e zhvillimit. Meqenëse si Shqipëri jemi vend në zhvillim, mendova të shkruaj një artikull mbi konceptin e absorbimit dhe implikimet gjeopolitike të këtij koncepti për vendin tonë. Absorbimi në makroekonomi është niveli total i shpenzimit për mallra apo shërbime në një shtet. Absorbimi është shuma e tërë mallrave dhe shërbimeve të konsumuara në një shtet, qofshin këto mallra dhe shërbime te prodhuara në vend apo importe. Vendet që tentojnë të konsumojnë shumë dhe të përqëndrohen në një treg të brendshëm kanë dhe nivele më të larta absorbimi se vendet e tjera. Po ku qëndron problemi dhe pse qenka kaq i rëndësishem si koncept?
Le të shënojmë me A absorbimin real dhe me Y nivelin e të ardhurave reale të një shteti. Nqs A është më e madhe se Y zakonisht ka problem me balancën e pagesave. Shumica e resurseve të një vendi përqëndrohen në zgjerimin e tregut të brendshëm dhe rritjen e kërkeses agregate pa pasur parasysh imbalancat e jashtme makro qe kjo mund të sjellë. Rast tipik të një problemi të tillë kemi vendet e Amerikes Latine. Shume kriza te balancës së pagesave të vendeve të Amerikes Latine janë shkaktuar pikerisht nga një përqëndrim më i madh seç duhej në tregun e brendshëm. Defiçitet ne Current Account kane qenë të pamundura për tu tejkaluar, rrjedhimisht ka pasur kriza monetare. Dhe çfarë ndodh nëqoftëse nuk mund të paguash? Mbërrin FMN-ja.
FMN historikisht ka ndjekur një politikë të tillë: Në rast absorbimi të tejskajshëm shteti duhet të përpiqet të ulë konsumin sa më shumë të jetë e mundur dhe të përqëndrojë resurset(paratë) në sektorin eksportues. Kjo jo vetëm e bën ekonominë më konkurruese dhe më të fortë në arenën boterore por tejkalon krizën pasi shteti përsëri ka mundësi të fitojë monedhë të huaj me anë të eksporteve. Të paktën teorikisht duhet të ndodhë. Ky është versioni neoliberal i zgjidhjes së krizës dhe versioni që zakonisht implementohet.
Problemi me këtë pikëpamje qëndron te fakti se jo gjithmonë shteti vërtet e merr veten mbas një terapie kaq ekstreme dhe nga ana tjetër dhe nëqoftëse e merr veten kostoja sociale është shumë e lartë. Kjo lloj terapie gjithmonë shoqërohet me zvogëlim të madh të tregut të brendshëm, me austeritet që çon në më shumë austeritet dhe që e kthen ekonominë kombëtare në një rreth vicioz recesioni. Gjithsesi ai që është në krizë duhet të bindet dhe FMN nuk jep gjithmonë atë që është më e mira për atë që është në krizë por për stabilitetin makro të përgjithshëm.
Nga ana tjetër kemi social-demokratë dhe Keynesianë që me të drejtë kritikojnë terapinë e mësipërme. Sistemi në të cilin jetojmë thonë Keynesianët është sistem i padrejtë dhe jo vetëm i padrejtë por dhe dinamit botëror pasi rrit pabarazitë ekonomike mes shteteve dhe mund të çojë ne luftë të hapur. Jo vetëm rrit pabarazitë por dëmton dhe vetë shtetet e mëdha të cilat supozohet të përfitojnë nga politikat neoliberalo-merkantiliste. Rritja ekonomike dhe punësimi thonë Keynesianët nuk duhet të bazohet aspak në rritje ekonomike ku një shtet e vjedh këtë rritje apo punësim nga një shtet tjetër.(Me vjedhje në këtë rast nënkuptojmë eksportet e tepërta dhe mospranimin e zhvillimit të tregut të brendshëm nga një shtet i madh merkantilist.).
Nëqoftëse të gjithë eksportojmë, pyesin Keynesianët, kush do importojë? Projekti Keynesian, ndër të tjera, ka qënë dhe një projekt që përpiqej ti jepte shteteve një farë pavarësie me të cilën të zhvillonin ekonomitë e tyre. Pavarësi nga merkantilizmi dhe liberalizmi i tejskajshem, pavarësi nga standardi i arit etj. Për këtë arsye Keynesianët mendojnë se tërë sistemi boteror nuk duhet të bazohet aq shumë mbi këtë lloj konkurrimi ekstrem mbi eksportet siç po ndodh sot. Të mëdhenjtë dëmtohen nga shtete dhe më të mëdha dhe të mesmit dëmtojnë më të vegjlit fare. Të vegjëlve nuk u mbetet aspak mundësi për të marrë frymë. Keynesianët pra teorikisht kanë shumë të drejtë. Problemi prapë qëndron: çfarë duhet të bëjmë me Shqiperinë?
Keynesianët e shohin si blasfemi zgjidhjen e tipit neoliberal. Por problemi prapë qëndron. Kriza është krizë. Duhet pasur në mendje që Shqipëria nuk është Italia që ka potencialin të rrezojë BE-në dhe të krijojë një efekt domino në ndryshimin total të ekonomisë ndërkombëtare. Shqipëria nuk është as Amerika ku mund të vijë një president alternativ që kërkon ndryshim të ekonomisë ndërkombëtare. Nëqoftëse Shqipëria vazhdon një përqëndrim të plotë në tregun e brendshëm dhe nuk heq dorë nga nje vizion i tillë dhe mbas një krize te balancës së pagesave atëherë do kemi probleme shumë të mëdha.
Çfarë na mbetet të bëjmë? Kjo ndoshta është pyetja më e vështirë përgjigja e së cilës do ndikojë planin e zhvillimit ekonomik shqiptar në të ardhmen(nëse do e kemi ndonjëherë një plan të tillë serioz).
Disa mundësi janë:
- Alternim i tregut të brendshëm me atë të jashtëm. Jo përqëndrim total në eksporte por as të tillë total në treg të brendshëm. Mundësisht menaxhim I tregut të brendshëm në mënyrë që konsumi të drejtohet mirë, dhe të zhvillojë ekonomitë e eksportit. Eksporti I pasurive natyrore si nafta mund të na ndihmonte për të rregulluar balancën e pagesave nëse padashje tentojmë drejt tregut të brendshëm më shumë seç duhet. Kjo gjithmonë nëse arrijmë ti mbajmë burimet natyrore në dorën tonë dhe ti shfrytezojmë për interesat tona kombëtare.
- Austeritet proto-fashist dhe zhvillim I ekonomisë kombëtare deri në arritjen e një dominance eksportesh në rajon. Dominanca e eksporteve në rajon do na mundësonte mbrojtjen e deri dikushme nga aktorë më të mëdhenj dhe më dominues. Kjo strategji gjithmonë do të duhej të shoqërohej gjithashtu me forcim ushtarak te jashtëzakonshëm dhe prirje të popullsisë për të sakrifikuar të sotmen për të nesërmen. Një bashkim territorial dhe krijimi I Shqipërisë Etnike mundet të lejonte fillimin e këtij projekti pasi do na kthente në lojtar të paktën të barabartë me lojtarët e tjerë. Si mekanizëm kryesor konkret për arritjen e këtij qëllimi ekonomik sugjerohet të jenë Clearing Unions të tipit që përdori Gjermania Naziste ndaj Polonisë para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
- Bashkëpunim gjeopolitik dhe ideologjik me një aktor tjetër që momentalisht është kundër këtij rendi ekonomik botëror. Social-demokracia dhe Keynesianizmi lulëzojnë në vende si Spanja, Italia, Portugalia etj. Sidomos në Itali fryma anti-neoliberalizëm është shumë e theksuar. Problemi kryesor me këtë lloj zgjidhjeje është fakti se nuk e dimë nëse lëvizjet e reja sinqerisht janë Keynesiane në formën që pretendojnë të jenë apo janë më shumë lëvizje populiste pa shtyllë kurrizore, ashtu sic ishte dhe Varoufakis që e la postin e ministrit mbas ca muajsh se e stresonte me shumë seç duhej dhe nuk flinte mjaftueshëm natën. Problemi me zgjidhjen e fundit është se përmban më shumë idealizëm seç duhet. Keynesianizëm të plotë nuk ka pasur kurrë. Aq Keynesianizëm sa ka pasur ka mjaftuar ti japi shumë mirëqenie botës. Por të plotë nuk ka pasur kurrë sepse vetë shtetet kane pasur frikë të heqin shumë dorë nga sovraniteti ose sepse kanë mbrojtur interesa specifike të ndryshme. Neqoftëse zgjedhim këtë rrugë, nuk e dimë nëse më vonë vërtet do të jemi partnerë të vërtetë gjeopolitikë me keto shtete. Mund dhe të përdoremi në emer te Keynesianizmit dhe të kthehemi në një koloni, jo më të shteteve që na kane shfrytëzuar deri tani, por të shteteve të reja, qe do përdorin Keynesianizmin për veten e tyre dhe do I thonë mirupafshim solidaritetit midis popujve.
Tre zgjidhjet e mësipërme janë thjesht disa mundësi që mund të zhvillohen dhe më tej si koncepte ose dhe të miksohen me njëra tjetrën si strategji. Me artikullin e mësipërm doja ti bëja lexuesve të qartë problemet për të cilat duhet të mendojmë mbasi të fillojmë e të “dalim nga gropa”. Lexuesit kjo mund ti duket e çuditshme pasi nuk e mendon dot Shqipërinë jashtë grope dhe mund të pyesë pse mendojmë se çfarë do ndodhë pasnesër nëse nesër prapë do jemi në gropë. Përgjigja ime: Nëse vërtet dalim nga gropa nuk do dalim pa plan. Në momentin që krijon një sistem ekonomik, ai sistem ekonomik lidhet pashmangshmërisht dhe me një vizion të caktuar gjeopolitik. Gjithashtu, në momentin që ndjek një vizion të caktuar gjeopolitik dhe gjeoekonomik, ndryshimi I këtij sistemi me një sistem tjetër bëhet shumë I vështire. Kështu që duhet të mendojmë se çfarë duam, cfarë jemi gati të bëjmë për atë që duam dhe si duam ta arrijmë atë që duam. Artikulli I mësipërm është thjesht një përpjekje për ti bërë lexuesit më të ndërgjegjshëm ndaj këtyre të vertetave.
This blog post has been Digiproved © 2019