Gjenerimi proçedural është një metodë krijimi përmbajtjeje (content, kontenti) e përdorur shpesh në ndërtimin e videolojrave. Logjika e brendshme që ndiqet këtu është ajo e një algoritmi të posaçëm që gjeneron apo prodhon një botë virtuale bazuar në disa elementë të parapërcaktuar.
Pak më qartë, shfrytëzimi i shablloneve për të krijuar shpejt e lehtë platforma. Në videolojra avantazhi është i qartë, prodhimi është i rastësishëm, prandaj edhe eksperienca është e paparashikueshme. Megjithatë ky gjenerim nuk krijon ndonjë unike, në vetvete. Thjesht ndërton mbi një bazë të dhënash, variante të ndryshme të po së njejtës strukturë, që më pas ndërthuren me njëra-tjetrën.
Arsyeja pse po flasim këtu me terma kompjuterikë është e thjeshtë. Bëjini një pyetje vetes. Sa njerëz në Republikën e Shqipërisë dinë ç’është republika? Dhe sa të tjerë dinë ç’është demokracia?
Çdo mjedis që supozohet se përmban një hapësirë publike të mirëfilltë, këto terma duhet ti ketë të ezauruara, kurse ndërgjegjia publike duhet të jetë aq e fortë sa të ketë përvetësuar konceptin deri në atë pikë sa e kupton nëse gjendja është e keqe apo nëse mosfunksionimi i ngrehinës vjen nga paaftësia e kuadrove të saj, apo të difektit brenda vetë konceptit të Republikës apo Demokracisë.
Kur themi duhet forcuar Demokracia, nuk nënkuptojmë se vetë ajo ka diçka të pariparueshme. E njejta gjë me Republikën. Nënkuptohet vetëm se një forcë e fshehtë çon në mosfunksionime.
Sigurisht që nuk ka model perfekt por na lypet të përpiqemi të zvogëlojmë mundësinë e dështimit.
Përjetojmë fazat e fundit të modernitetit. Dhe kjo epokë gjeneron arketipat e saj hartues dhe administrativë.
Është idiotizëm sot të flitet për teologë në administratë, apo Papë në krye të shtetit, korrespondues ndaj pushtetit perandorak, dinastik. Flasim për pushtet të mirëfilltë, të vërtetë, jo për përbindësha teokratikë që mundohen të shkrijnë laicitetin e shtetit modern me me insinuatat e prapakthesave fetare. Pra nuk po duam këtu të ndërtojmë një Iran ose një Jemen.
Në Europë nuk ka më dijetarë të fesë, në çështjet e drejtësisë nuk ka më teologë-juristë, papa dhe perandori janë varrosur me kohë, përveç ndonjë Lichtensteini ku princi zotëron gjithë kapitalin ekonomik dhe ndonjë Vatikani, një pikë e vogël në hartën e botës. Dinë Shqiptarët ç’është mirëqenia ekonomike afatgjatë? Apo ç’nënkuptohet me “mendim të lirë”. Sot si për ironi të fatit dhe të historisë, liria ime mbaron aty ku fillon ajo e tjetrit, përderisa ky tjetër më imponohet mua në të ashtuquajturën sferë publike me fjalët rrënqethëse “Po ç’punë ke ti, ç’merresh me vendin, shiko punën tënde”. Nëse unë, dhe unët e tjerë do të ishim ca mikrohapësira si punë elektronesh të lirë, ku secili ka “opinionin e tij”, dhe pashmangshmërisht kjo çon në pohimin se asnjë opinion nuk ka vlerë, sigurisht që puna ime nuk do i duhej askujt, do sundoheshim nga tirania e /opinionit/. Rrjedhimisht kombi këtu, si popull i nyjëzuar, do të ishte i tillë vetëm në emër dhe jo në realitet.
Mendoni makro! Mbase do t’ju rikthehet shpresa për ndryshim. Ata sipër mendojnë makro, kurse ne këtu poshtë detyrohemi të mendojmë mikro për nga makropërmasat e sipërme.
Natyrisht që çështja prapë bie në rrafshin e sovranitetit. Mbreti sundon por nuk qeveris!
Ku me sundim nënkuptohet garantimi i rendit të përgjithshëm në një shoqëri. Kjo, e krahasueshme me konceptin filozofik gjerman Sachverhalt, situata. Sovrani është garantuesi i situatës, në të njejtën kohë i së vërtetës. Është ai pushtetar që vendos rregullat thelbësore, përtej luftrave administrative dhe garave partiake. Në një situatë normale, ky skeptër mbretëror duhet ti përkasë popullit. Populli duhet të jetë sovrani, jo nominal, tipar i regjimit të së thënës, por i vërtetë. Nëpërmjet votës duhet të zgjedhë përfaqësuesit e tij, nëpërmjet ndërgjegjes civile duhet të marrë pjesë në sferën publike, të jetë aktiv në polis-in përkatës, sepse vetëm kështu rendi mund të garantohet. Në tiraninë e /opinionit/, mbizotëron motoja “Secili për vete, Zoti për asnjë”, pasi Zotin e hodhëm nga dritarja. Të gjitha veprimet në sferën publike marrin trajtën e një reagimi ndaj situatës, por ky reagim nuk kapërcehet, kështu mbetet i pafuqishëm për të ndryshuar gjë.
Megjithatë, në gjuhën e popullit shpesh thuhet “populli qeveris”, pra e kundërta e popullit sovran.
Nëse populli do të qeveriste, atëherë pjesëmarrja do të zgjatohej deri në përfshirjen e drejtpërdrejtë në proçesin e administrimit të situatës.
Qeverisja, në situatën ideale duhet të jetë manifestim i vullnetit të sovranit, por sot shikojmë të kundërtën. Qeveritari duhet edhe të pësojë, jo vetëm të veprojë. Nëse bën gabime, duhet të gjykohet nga sovrani, dhe ti jepet dënimi i duhur, nëse ulet në karrige, duhet ta kuptojë rolin e tij si rojtari i vazhdimësisë, si administratori i një kështjelle të madhe. Ky administrator duhet të jetë i vetëndërgjegjshëm se prania e tij në këtë godinë është e përkohshme, godina vetë është e paprekshme, kurse ai vetë është, jo vetëm i prekshëm por edhe i dënueshëm.
Këto gjëra janë thënë shumë herë e vazhdojnë e thuhen, po i përsërisim këtu për inerci.
Pra na lejoni edhe një pyetje tjetër. ç’është politika? Shumica me një lodhje mendore të thellë do të thonin se politika është ajo çka dëgjohet përditë në televizor, x parti apo y individ. Afera të vogla e të mëdha, dhe ligjërime të cekëta, partizanizma. Nuk do të kishin faj pasi aq dinë. Dhe kur dinë aq, e bëjnë më pak, a mund ti fajësojmë studentët kur thanë se protesta e tyre ishte apolitike? Kur në fakt ishte e kundërta. Protesta studentore ishte më shumë politike sesa çdo gjë tjetër që ka ndodhur këto tridhjetë vitet e fundit.
Problemi qendron edhe se cilës pale i duhet ti zëmë besë. Partisë së jashtme që pretendon se bën politikë, apo partisë së brendshme që edhe ajo pretendon të njejtën gjë. Duket sikur kuptimin e konceptit “politikë” e kemi humbur, por jo vetëm kaq. Bashkë me “politikën”, kemi humbur demokracinë, bashkë me të sovranin dhe qeveritarin, republikën, madje dhe “individin” bashkë me kolektiven.
E gjurmojmë zanafillën e kësaj krize të mendimit tek tranzicioni i dytë, pra ky që na pruri në “pluralizëm”, politik? Apo pluralizëm mendimi? Opinioni?
Mos të keqkuptohemi, komunizmi për ne duhej shkulur që në filizat e tij. Por a i kemi marrë parasysh premisat e tranzicionit?
Për të kuptuar kush bën ligjin sot, duhet të kuptojmë cili ishte ligji i pashkruar themeltar që u zotua të na jepte kalim të sigurt nëpër pengesat e tranzicionit të dytë. Ka tre arketipa të mundshëm qeverisjeje në një vend. Diku tjetër do ti përshkruajmë, dimë vetëm që tek i joni sundon-qeveris ai më i papërgjegjshmi. Karrieristi.
Karrieristi e sheh politikën si biznes prandaj nuk i duhet të përpiqet shumë për të ardhmen. Kur politika bëhet biznes, grupi shndërrohet në turmën e të ardhurve nga të katër anët për një copë leku. Karrieristi e shikon karrigen si garantuese të rendit personal. Nga rendi personal pastaj, drejt e në rendin klanor. Karrieristi e di shumë mirë se sistemi është i ndrequr në atë mënyrë, sa personi i tij nuk do të kërcënohet në rast dështimi, prandaj katër vjetshat janë vetëm një xhiro e shkurtër për në zyrë. Motoja e këtyre njerëzve është “Pasi të vdes unë, bota le të shkatërrohet”.
Shteti kështu, bëhet mejhane.
Duke u rikthyer tek gjenerimi proçedural, duam të themi se kjo është arsyeja pse të gjitha programet e partive duken njëlloj. Përsëriten të njejtat fjalë pa pushim. Integrim, mirëqenie, luftë kundër korrupsionit. Dhe anasjelltas. Karrieristët, mirë e bukur dinë të qendisin programet e tyre me disa fjalë të parapërcaktuara. Demokraci, republikë, sovranitet etj. Duke gjeneruar planet për të ardhmen, karrieristët kanë prodhuar pikërisht atë pranishmërinë jo të vërtetë për të cilën folëm në trajtesat mbi konceptet e Mencius Moldbug. Flasim për ambjente virtuale, që prapësprapë duken si të vërteta, megjithëse nuk janë.
Pyetja e vetme të cilën duhet tia bëni vetes të gjithë ju që e lexoni këtë është: Cili është sovrani në këtë situatë?
This blog post has been Digiproved © 2019