Heronjtë janë të lodhur

Çdo epokë ka mitologjinë që meriton. E jona e ka kthyer rininë në idhullin e vet të kudondodhur, të cilës i ka rezervuar një kult të përhershëm dhe mbytës. Duket sikur shqetësimi kryesor i bashkëkohësve është të qenit i ri ose, duke mos qenë, të shfaqurit si i tillë. Dhe është abuzimi me këtë përkufizim që lind (ose duhet të lindte) dyshimin. Mbi rininë duhet të shtrojmë të njëjtën pyetje që bënte Jean Baudrillard lidhur me të renë: në një botë ku çdo gjë e duan të re, si ka mundësi që ka kaq pak rinovim? Njëkohësisht, bash kur rinia merr një kuptim magjik, si ka mundësi që vlerat mbizotëruese që drejtojnë mentalitetin e përbashkët të të rinjve (mirëqenia materiale minimale, humanitarizmi, asistenca, etj.) janë vlera si «për pleq»?  Si të bindesh për paradoksin e një shoqërie që mban rininë në flamujt e vet dhe që nuk pranon, në ideologjinë dhe vlerat e saja, shijen për rrezikun, sfidën, luftimin?

Por, pikësëpari, çfarë është rinia?

Nga pikëpamja etologjike, përfaqëson fazën e formimit të njeriut të rritur, më saktë kalimin nga fëmijëria në moshën e pjekur. Gjatë kësaj periudhe, që pak a shumë shkon nga tetëmbëdhjetë në njëzetepesë vjeç, fiziologjia njerëzore njeh fazën më të lartë të dinamizmit. Njeriu, krijesë me rini këmbëngulës, jeton në këtë fazë të ekzistencës me nevojën për kureshtje dhe aventurë, nevojë që mund të arrijë deri në sakrifikimin e jetës. Kur hyn në moshën e pjekurisë, njeriu është në gjendje (dhe kjo e dallon nga kafsha) të ruajë këto cilësi të rinisë, si etja për përvoja dhe shija për rrezikun, pasi nuk është asnjëherë qenie e kompletuar. Asgjë e habitshme, kështu janë gjërat, për sa kohë shumë kultura e paraqesin «njeriun tipik» si një individ i ri.

Ajo është mosha e statujave antike që mund të admirohen në Muze; është edhe mosha e luftëtarëve kinezë të gdhendjeve të epokës Ming.
Edhe në shoqëritë tradicionale, ato përpara revolucionit industrial, njerëzit nuk hynin më vonë në moshën e përgjegjësisë. Nuk kishte fazë kalimtare ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së rritur. Në Romë kalohej menjëherë nga veshja pretekstea (1) në togën burrërore. Gjatë Mesjetës, sapo një çirak fillonte të punonte, pavarësisht moshës, hynte në botën e të rriturve. Gjeneralët e Napoleon Banapartit shpeshherë ishin nga njëzet deri në njëzetepesë vjeç, po aq sa komandantët e betejës së Kunaksës, përshkruar nga Senofonti që udhëhiqte në betejë trupat e Spartës. Vlerat e rinisë ishin të integruara në mënyrë organike në bashkësinë shoqërore, me të drejta të barabarta me ato të moshës së pjekur dhe pleqërisë, që përfaqësonin mendimin dhe përvojën.

Një palë baraspeshonte tjetrën, pa përplasje. Sigurisht që rinia mblidhej gjatë festave tradicionale, por jo si «klasa e moshës» (në kuptimin që sot ka një «moshë të tretë»). Shpeshherë bëhej fjalë për të mbledhur të rinjtë që ishin për t’u martuar ose ata që arrinin në moshën e mbajtjes së armëve. Rini nënkuptonte plotësisht një gjë të kundërt me sot: jo një fëmijëri të dytë e stërzgjatur, por hyrjen në botën e burrave, në botën e vërtetë. Për t’i rënë shkurt, nuk kishte rini, por «djalëri» që ndërthurej në vlerat sociale.

Rinia e konsideruar si klasë apo vlerë fillon e shfaqet vetëm në epokën romantike, e pastaj sidomos me revolucionin industrial.Rritja e jetëgjatësisë mesatare detyron shtyrjen e moshës së përgjegjësisë. Një moshë e ndërmjetme fillon të shfaqet ndërmjet fëmijërisë dhe jetës profesionale. Në shoqëritë tradicionale, me nivel të ulët shkollimi, ishte komuniteti që përçonte dijen te individët, duke përzier të gjitha klasat e moshave.

Duke nisur nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, arsimimi i detyruar dhe shërbimi ushtarak bëhen bashkë me familjen e zvogëluar në bërthamë për të izoluar rininë në mënyrë funksionale. Njëkohësisht vihet re nisja e një procesi gerontokratik(2): punësimet marrin strukturë karriere; përcaktohen kufij moshe për ushtrimin e përgjegjësive.
Duke nisur nga viti 1890 veprat mbi adoleshentët bëhen më të shpeshta. Djalëria adoleshenciale kthehet në vlerë, e formësuar nga tema aventurash dhe luftërash. Skautizmi lind me forma qartësisht paraushtarake. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak i kthen ushtritë evropiane nga trupa profesionistësh të moshave të përziera në bashkime të rinisë kombëtare. Kudo vihet re lulëzimi i lëvizjeve të rinisë në uniformë, që synojnë të bëhen mbartës të një rigjenerimi social dhe politik. Nëpër kolegje dhe lice të rinjtë do të mësojnë të jetojnë bashkë dhe të dallohen si kategori më vete.

Ndërmjet viteve 1890 dhe 1910, letërsia fillon të pasionohet me adoleshencën dhe në shtyp shfaqen një seri reportazhesh mbi rininë: vetëm në vitin 1912 në Francë do të numërohen pesë të tillë. Raymond Radiguet dhe Colette në romanet e tyre, ilustrojnë kultin e rinisë «të shfajësueshme në çdo teprim të vetin», ndërsa në vitin 1926 Montherlant do të vinte re se po zhvillohej një fenomen i ri «adoleshentizmi», një rival i ri i feminizmit. Ndërkohë, bazuar mbi himnizimin e rinisë, shpeshherë e kuptuar dhe si mbartëse e një rinovimi pagan, lind dhe zhvillohet kulti i sportit dhe olimpismit. Për të çliruar rininë nga zgjedha borgjeze e familjes, Gide-ja do të lëshonte të famshmen «Familje, unë ju urrej», dhe regjimet totalitare dhe autoritare që lindin në Rusi, Gjermani, Itali, Greqi, Hungari, etj., e quajnë veten «diktatura e rinisë».

Modernizmi i teknikës së re, ai i pionierëve të aviacionit apo i heronjve të shpejtësisë automobilistike, interpretohet si kompetencë e rinisë, po ashtu edhe – si për paradoks – një farë dëshire për rikthimin te natyra, që aq mirë përfaqësohet nga lëvizje si ajo e Wandervogel-it(3) në Gjermani. Në të dy rastet kemi të njëjtën shtysë për pastërti të egër dhe agresive, të njëjtin përvetësim nga ana e rinisë e një funksioni krijues dhe luftarak që ishte harruar nga bota borgjeze. Hap pas hapi, «adoleshentizmin» e zëvendëson epoka e teen agers-ave. Rinia «bie» në funksione tregtimi: në nivel ideologjik dhe fjalimesh, kap majën, por në fakt vlerat rinore thërrmohen. Të jesh i ri nuk do të thotë më të dhurosh jetën për një kauzë, por «të konsumosh» një nënkulturë të fabrikuar për të rinjtë.

Ashtu si me ushtritë, funksionarët e burokratët – pavarësisht moshës së re të rekrutimit – shoqëritë perëndimore, duke përdorur dinamizmin formal të idealit rinor trashëguar nga periudha e para luftës, përpiqen të zbusin rininë. Duke nisur nga vitet pesëdhjetë, vihen re dy lëvizje paradoksale: rinia humbet organizatat e veta, institucionet e veta, të cilat shoqëria e konsumit i cilëson si shumë «ushtarake»; ideologjia, më shumë se kurrë, lartëson rininë si fraksion social i cili ka të drejtat e veta (demaskohet «racizmi antirinor») që po ashtu ka dhe një kulturë të vetën, atë të teen agers-ave, me frymëzim amerikan. Rinia kthehet në një surrogat të proletariatit, dhe dishepujt e shkollës së Frankfurtit hapin temën e luftës së brezave. Nga njëra anë shoqëria individualizohet dhe rinia e organizuar fizikisht zhduket; nga ana tjetër, ideologjia dhe kultura ngrenë atë që nuk është tjetër gjë veçse shëmbëlltyrë e rinisë.

Në vendet perëndimore, hyrja në treg e moshave të ndryshme të pasluftës, përkoi me lindjen e një «kulture për të rinjtë», e cila u shfaq fillimisht në Shtetet e Bashkuara. E nisur në vitet pesëdhjetë nga një varg filmash, në të cilët James Dean është heroi, e më pas vijuar për tridhjetë vite me modën e veshjeve (xhinset), modën muzikore (rock, pop, disko, etj), ushqimore dhe idologjike, kjo kulturë e rinisë, me nënshtrim anglo-amerikan dhe prirje internacionaliste, kishte si funksion shkëputjen e gjeneratave të reja nga kulturat përkatëse kombëtare dhe përfshirjen e tyre në «shoqërinë e re të konsumit» të mbizotëruar nga normat kulturore amerikane.

Krijohej kështu një «klasë e re internacionale», që në fakt përbënte kategorinë e parë të konsumatorëve plotësisht «perëndimor». Ideja e rinisë, trashëguar nga përpara luftës, kështu shfrytëzohej si mjet tregtar dhe, pak a shumë me vetëdije, boshatisej nga brendia e kuptimit dhe i hiqej çdo energji revolucionare. Gjeneratat e reja, të lindura pas traumës së luftës, ofronin, ndryshe nga prindërit e tyre, përparësinë e shkëputjes më me lehtësi nga traditat e veçanta. Kultura e të rinjve, e ashtuquajtur protestuese dhe çliruese, ishte përpjekja e parë e madhe për masivizimin dhe njëjësimin kulturor dhe ekonomik që u bë mbi një gjeneratë «kavie». Ky proces kulmoi në fundin e viteve shtatëdhjetë – është epoka e Woodstock-ut – në çastin kur të rinjtë njëzetvjeçar përbënin shumicën. Më pas, fenomeni pëson një ndalesë, por rinia mbetet gjithmonë laboratori i eksperimenteve të perëndizmit, të modave dhe sjelljeve të tij.

Pra, duket e nevojshme të vështrojmë me pak kritik dhe dyshim doktrinat e «luftës së brezave», që e mbështet Marcuse për shembull, dhe mbi vlefshmërinë e lëvizjeve protestuese që mobilizonin rininë deri në gjysmën e viteve shtatëdhjetë. Këto, ashtu si dhe kulturat underground me pretendimin e «prishjes» me botën borgjeze, jo vetëm që u rikuperuan nga Sistemi, por më keq, i dhanë limfë të re. Në fakt, funksioni i «ideologjisë së prishjes» mes breznive ishte integrimi i rinisë, me anë të një procesi asimilimi të detyruar, në një formë të re të kapitalizmit botëror, teknokrat dhe jo më bazuar mbi plëng por mbi një stil «amerikanomorf» dhe mbi sjellje shthurëse, të cilat synoni shkëputjen e rinisë nga specifikat morale etno-kombëtare.

Qëndrimet antiborgjeze dhe pamja revolucionare e kundërkulturës nuk duhet të ushqejnë iluzione: ato mbartin një ideologji trullosjeje dhe modele sjelljesh që çojnë direkt te super individualizmi dhe te kulti i mirëqenies materiale minimale. Theodor Adorno ka të paktën meritën e vërtetimit se muzikat ritmike nuk kanë veçse shëmbëlltyrën e revoltës, dhe qëllimi i vërtetë i tyre është çmobilizimi i rinisë, përpara se ta kushtëzojnë te konsumizmi.

Prandaj, nuk duhet të habitemi që teoritë e luftës me brezave, lëvizjet protestuese dhe stili rebel i kundërkulturave njohën rënien e tyre në fillim të viteve tetëdhjetë: me arritjen e integrimit në «amerikanosferën», nuk nevojiten më, përveçse në forma më të askete, pothuajse akademike dhe në të vërtetë konservatore. Një kundërkulturë e vërtetë e brezave të rinj, në rinovim të vazhdueshëm dhe mbartëse e temave vërtetë mobilizuese të heroizmit dhe të aventurës, do të frikësonte kulturën humanitariste-borgjeze.

Më mirë është individualizmi i prishjes së rreme dhe i pseudo veçimit, në të cilin pasqyrohen të rinjtë e «njëjësuar» të sotëm dhe prindërit e tyre, teen-agers-at e viteve gjashtëdhjetë, që përfytyrojnë veten si të mbetur të rinj, por që nuk kanë qenë kurrë të tillë. Shumë studime sociologjike bashkëkohore, mes tyre dhe ato të Qendrës së Komunikimit të Përparuar, vënë re lindjen e dy tipave mentaliteti mes të rinjve: «njëjësimin» – apo integrimin – që përbën shumicën, dhe «veçimin» – apo mospërshtatjen – që përbën ende pakicën, por që është në rritjen te subjektet nën njëzet vjeç.

Të «njëjësuarit» pasi e luftojnë, kthehen te Sistemi, pasi pak a shumë në mënyrë të vetëdijshme kuptojnë që mbartin të njëjtat vlera. Të çmagjepsur nga virtytet e «revolucionarizmit», këta borgjezë të vegjël ruajnë nga «e majta» idetë humanitare, mjedisore dhe pacifiste. E ardhmja e shpresuar është ajo e një bote ku «paqja» duhet të ruhet me çdo kusht. Vlerat mbizotëruese nuk janë më revolucioni social, dhe as ambicia vetjake e «kuadrove të rinj e dinamikë», por siguria dhe qetësia e një jete private pa shtrëngime, me një liri të rafinuar me shije estetike, me shumë kohë të lirë dhe me të ardhura «të mjaftueshme». «Të njëjësuarve» nuk u interesojnë shumë problemet e mëdha sociale apo kombëtare edhe pse – si konsumator të mëdhenj të shtypit – qajnë për Poloninë dhe mirëpresin gjithmonë Amnesty International-in. Nëse militojnë e bëjnë për «cilësinë e jetesës», për të ndërtuar që shoqëri të qetë dhe të gëzuar. Dinamizmi dhe fuqia kombëtare janë të kritikueshme për këta ndjekës të një petainizmi të ftohtë. Të dashuruar me videoregjistratorin dhe revistat praktike, aventurat i imagjinojnë nën palmat e një Club Méditerranée, dhe e përjetojnë lirinë seksuale me prokurë. Kanë nevojë të rrethohen nga programe televizive, muzikë dhe njerëz të buzëqeshur që krijojnë ndjesinë e sigurisë. Për ata jeta është pikësëpari jetë private, foleja apo guaska, e largët nga furia e militantizmit dhe garës së vërtetë.

«Të veçuarit», që përbëjnë 20% të të rinjve nga 15 në 25 vjeç, ndryshe nga «të njëjësuarit» nuk përfshihen. Nuk protestojnë e as miratojnë, nuk interesohen. Nuk janë utopistë, e mbyllen në narcizmin e tyre duke ngritur, në shumicën e rasteve, mikro grupe të copëzuar ku secili ka stilin e vet. Shpeshherë krijimtaria e tyre është për t’u vlerësuar, por është e drejtuar nga sfera vetjake apo në ngritjen e botëve të vogla përbërë nga shëmbëlltyra dhe ëndrra. Njëkohësisht fëmijë të përjetshëm dhe të rritur të zhgënjyer, këta të rinj bëhen skizofrenë: punojnë për të jetuar – shpeshherë në punë të përkohshme – por jeta e tyre gjendet diku tjetër. Janë të shpërqendruar si në lidhje me punën ashtu edhe me shoqërinë.

Përjetësisht në kërkim të arratisë, e shtyjnë psikikën e tyre në veçime kulturore dhe indiference ideologjike që nuk i pengon në integrimin efektiv në ambientin social.  Në fund të fundit duhet «të konsumosh», dhe sigurisht që nuk heqin dorë nga kjo. Shteti – Asistencë nuk ka pse të ankohet nga këta të rinj, skizofrenia e të cilëve i lë dorë të lirë çdo diktature administrative të tipit mëmësor. Rënia e ambicieve, vartësia kërthizore dhe mentaliteti i neo-tribuve janë pararendëse të një mentaliteti të përshtatshëm për strukturat ekonomike të një shoqërie të merkantilizuar, me papunësi të lartë, me rritje të ulët të të ardhurave dhe e mbizotëruar nga një asistencë burokratike të përgjithshme.
Ja ku është e qartë tkurrja e ndjenjave për të cilën flet Baudrilland-i: përballë bollëkut të përhapur të stileve, tekave fetishe dhe vlerave intime, kemi një heshtje të madhe: nga rinia nuk vjen asnjë diskutim, asnjë projekt, asnjë ideal.
Në këtë epokë ku grumbullimi i madh nuk është ushtria, por rinia, të gjithë flasin, si për të kompensuar, për rininë.

Jetojmë një psikozë rinie.
Nga momenti që nuk është më një prirje e shpirtit ajo kthehet qëllim në vetvete. Në pamje dhe fizik, kjo rini false do të jetë e përjetshme, çka përshtatet më së miri me një shoqëri të lidhur vetëm me të tashmen. Një kulturë e vërtetë rinore do të parashtronte adoleshencën si një kalim drejt botës së rritur, një gjendje të përkohshme. I rrituri i vërtetë – vir-i i romakëve, kalós kagathòs-i (4) i grekëve – përmbante rininë dionisiake dhe vetëzotrimin apollonian, por mbi të gjitha nuk nënkuptonte «mbetjen» i ri, pikërisht për të vënë në jetë, për sa i rritur dhe zot i vetvetes, atë pjesë të shpirtit të tij që, çfarëdo që të ndodhte, mbetet gjithmonë krijuese dhe rinore. Ne jemi mjaft larg nga ky kuptim organik i njeriut…

Miturizimit të botës të të rriturve i korrespondon ajo që mund ta quajmë, me një neologjizëm barbar, «madhorimi» i fëmijëve dhe të rinjve në përgjithësi. Fëmija-mbret i viteve pesëdhjetë e gjashtëdhjetë është bërë një i ri i sprovuar, por prindërit e tij kanë mbetur idiotë që vazhdojnë të lexojnë Topolinon. Shtiren si të rinj dhe mendojnë se mjafton të vishesh, sillesh dhe flasësh për të mbetur të tillë.

Këto anë fëmijërore të kulturës së masave kompensohen nga një shpalosje e përgjithshme e «esprit de sérieu».
Liberalizimi i sjelljeve, i programuar si një moral i ri, nuk e maskon si duhet ngurtësimin e raporteve. Etiketat shoqërore dhe funksionalizmi i përhapur i jetës së përditshme shuajnë çdo hare, çdo natyrshmëri në raportet shoqërore. Këndimi, e qeshura, mimika, zënkat, nuk karakterizojnë më lidhjet njerëzore, të cilat në pamje të parë «janë pa shtrëngime», por në të vërtetë të burgosura në rrethe të ngurta. Festat e rinisë janë vallëzime të trishta apo çiftime elektronike me simulatorët e «luftërave yjore», pasuesit e tashmë të tejkaluarve flipper.
Zhdukja e djalërisë nga raportet shoqërore nga ana tjetër përkon me intelektualizmin që mbizotëron në epokën tonë. L’esprit de gjeometrie kudo tejkalon l’ésprit de finesse, dhe kjo bashkë me «sferën letrare» për të cilën flet Aldous Huxley është gëlltitur nga «kultura matematikore».

Të rinjtë e sotëm janë njëkohësisht të formuar, madje dhe në mënyrë të tepruar, në matematikë dhe njëkohësisht neoparak në gjuhën e tyre, në sjellje, në stilin e veshjes, në shijet muzikore, etj.Rritja e shpirtit super analitik shkatërron çdo freski në sjelljet e shoqërisë si e tërë. Rinia moderne rrezikon seriozisht të jetë pararoja e një borgjezie të re, barbarisht ndjekëse e qetësisë dhe e rehatisë elektronike, e kufizuar nga pragmatizmi teknologjik dhe e latuar në ndjeshmëri nga kontakti me nënkulturën amerikane.

Çdo gjë ndodh sikur, si për të kompensuar plakjen demografike dhe instalimin e vlerave të barazisë së masave, ideologjia sociale të ketë krijuar një përfytyrim djalërie dhe të ketë burgosur rininë në një botë artificiale, për të parandaluar kështu rebelimin kundër kësaj gjendjeje.Por hilja mund të kthehet kundër. Ideatorët e rinisë së rreme të kenë kujdes: për sa kohë dikush i vëzhgon, çdo gjë është e mundur. Rinia, në mos sot nesër, mund ta dëgjojë. Ashtu si lumi i jetës, ajo rikthehet gjithmonë pas një breznie. Dhe ka nga ata që vëzhgojnë. Ata mbjellin. Jo për këtë botë. Jo për këtë rini, por për tjetrën, atë që vjen.

 

1) Veshja preatextea – veshje me cepat prej leshi ngjyrë të purpurt që mbahej nga djemtë deri në moshën 17-18 vjeçare dhe që më pas zëvendësohej me togën burrërore. Sipas Monchablon-it femrat mbanin veshjen pretekste deri sa martoheshin.
2) Nga greqishtja e vjetër, geron – i moshuar. Gerontokraci – një formë oligarkie ku udhëheqësit kanë një moshë shumë më të lartë se pjesa tjetër e popullsisë. 
3) Lëvizje rinore gjermane që zë fill prej vitit 1896. Ishte një organizatë që nxiste “kthimin në natyrë”, himnizonte lirinë dhe vetë-përgjegjësitë, shpirtin e aventurës dhe ndjenjat nacionaliste. 
4) Ideali i perfeksionit fizik dhe moral të njeriut në antikitet.

 

Guillaume Faye

Botuar në “Nutrika”, nr. 3, Tiranë, mars 2017.                                                                                                                      

Shkëputur nga: https://8mvsk.wordpress.com/2019/03/10/heronjte-jane-te-lodhur/

  • Post author:
  • Post category:Huazime