Refleksion: Sovraniteti monetar dhe Shqipëria.

Ëndrra e shqiptarëve ka qenë dhe vazhdon të jetë hyrja në Bashkimin Europian. Kohët e fundit shqiptarët janë ndjerë të zhgënjyer nga figura të ndryshme si Fleckenstein, Vlahutin etj. Por ky nuk është qëllimi im në këtë artikull. Hyrja në BE mund të na japë favore të ndryshme përshembull në eksportimin e mallrave brenda BE-së, gjë që tani nuk ndodh pasi nuk arrijmë standardet që kërkohen për këto mallra. Lëvizja e lirë, studimi në vende të ndryshme të BE, tregu I përbashket janë të gjitha pozitive për Shqipërine. Por hyrja në eurozonë nuk është pozitive.

Në literaturën e ekonomisë politike të Bashkimit Europian pranohet hapur fakti se me hyrjen në eurozonë janë rritur imbalancat e jashtme makroekonomike të vendeve jugore të BE. Rryma kryesore që përpiqen ta shpjegojë këtë fenomen është rryma e llojeve të ndryshme të kapitalizmit me perfaqësues si Obstfeld, Rogoff, Shambaugh, Scharpf etj . Kjo rrymë sheh dy lloje kapitalizmi. Kapitalizmi eksportues I vendeve veriore, te cilat nuk mbështeten ne tregun e brendshëm, mbajnë inflacionin e ulët dhe kostot e punës të ulëta dhe kapitalizmi I vendeve të Europës Jugore I cili tenton drejt një inflacioni më të lartë dhe drejt kostos së punës më të lartë se sa ai verior.

Këto dy lloje kapitalizmi balanconin njëri tjetrin deri në momentin që monedhat ishin të ndryshme. Nje zhvlerësim I monedhës së vendeve jugore I bënte produktet e këtyre vendeve më të lira dhe më kompetitive. Me vendosjen e një monedhe të përbashkët, vlera nominale e së cilës është e zhvlerësuar në krahasim me vlerën reale të markës gjermane, dhe e mbivlerësuar në krahasim me vlerën reale te ekonomive jugore, dalin probleme pasi ekonomitë jugore vazhdojnë të perjetojnë defiçite tregtare të cilat nuk mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë pa kolaps total të këtyre shteteve. Si mbijetuan keto shtete?

Duke u perpjekur të mbulojnë pjesën e defiçitit tregtar të balancës së pagesave me anë të borxheve të marra kryesisht nga vendet veriore të cilat kanë pasur sufiçite tregtare. Përfaqësues kryesor I këtyre vendeve është dhe Gjermania. A u pranua ky si problem nga BE? Dhe nëse po cfarë zgjidhje iu dha?

BE këmbëngul te konkurrenca. Rritja e aftësise kompetitive të shteteve duhet të jetë zgjidhja. Konkurrenca si koncept mikroekonomik ka të mirat e veta por si koncept nuk mund të përdoret pa ngurrim në çështje makro. Është e vërtetë që vende si Greqia, Spanja, Portugalia etj nuk investuan sa duhet në sektorin eksportues të ekonomisë së tyre. Është e vërtetë që kostot e punës në këto vende janë të larta në krahasim me sa duhet të jenë që të jenë kompetitive. Pyetja që nuk bëhet është pse këto vende arriten te lulezojnë para hyrjes në eurozonë por jo mbas hyrjes. Nëqoftëse këto vende do ishin përtace, jo kompetitive etj, siç është dhe dogma e cila dëgjohet shumë sot, duhet të kishim çdo të drejtë të mundshme per ti sharë apo gjykuar, Nëse dhe vetëm nëse do vazhdonin të kishin pavarësine e tyre monetare.

Nëse fenomeni i imbalancave të theksuara të jashtme ekonomike do kishte ndodhur në një situate sovraniteti monetar çdo europian duhet ti përçmonte me të drejtë këto vende, thjesht për arsyen se do ishte vetë faji I këtyre vendeve. Faji I këtyre vendeve në këtë rast, konsiston thjesht në faktin që vendosën ti bashkohen eurozonës. Ndonjëherë, si në rastin e Italisë pa parashikuar se çfarë mund të ndodhte dhe pa marrë parasysh ngritjen e Gjermanisë, e cila meqënëse ra fjala, përpara krijimit të eurozonës e quanin “Njeriu I semurë I Europës”.

Tani të rikthehemi te Shqipëria. Çfarë gjërash pozitive mund të kishte hyrja në eurozonë për Shqipërine? E vetmja gjë pozitive që mund të mendojmë është fakti I normave të ulta të interesit. Banka Qëndrore Europiane po përpiqet me çdo kusht të stimulojë eurozonën me norma të ulta interesi. Kjo dhe pasi ka kaluar goxha kohë që nga kriza e 2008s. Dhe mesa po shohim nuk ka shumë mundësi qe në një kohë të afërt këto norma interesi të rriten. Kreditimi dhe normat e ulta të interesit , siç e kemi përmendur në një artikull të mëparshëm do sillnin zhvillim ekonomik. Më shumë kreditim do të thotë rritje e konsumit dhe investimeve, do të thotë rritje e kerkesës agregate, zhvillim I tregut të brendshem dhe ekonomisë vendase, të paktën deri në pikën kur bëhemi te ndërgjegjshëm mbi problemin e imbalancave të jashtme. Në këtë pikë pastaj duhet të pyesim veten se çfarë duhet të bejmë.

Nëse shohim defiçite të jashtëzakonshme tregtare, nuk kemi sovranitetin monetar per të bërë proteksionizem dhe të përqëndrohemi thjesht te tregu I brendshëm, do përfundojmë si Spanja, Portugalia, Greqia etj. A është e mundur në radhë të parë , te krijohet ekonomi eksporti? Si mund të zhvillohet një ekonomi e duhur eksporti? Siç thote FMN, duke hequr burime nga tregu I brendshëm, duke ulur sa më shumë rrogat dhe duke krijuar austeritet, thjesht në mënyrë që te fokusohemi te eksporti? Apo mund të krijohet ekonomia e eksportit si një fazë e dytë mbas krijimit të tregut të brendshëm? A është e mundur ne radhë te krijohet një ekonomi eksporti, sidomos kur ka shumë konkurrentë të tjerë ne tregun europian?

Çfarë do eksportojmë, si do eksportojmë? Nëse nuk do jemi ekonomi eksporti a do futemi në borxhe si Spanja apo Portugalia? Si do I paguajmë këto borxhe? Këto janë të gjitha pyetje shume legjitime që duhen bërë përpara futjes në eurozonë. Janë gjithashtu pyetje që nuk bëhen nga shumica e personave në Shqipëri, qofshin këta qytetarë të thjeshtë, qofshin “intelektualë” me mastera të shumtë ne studime europiane apo marrëdhënie ndërkombëtare , por që janë pro çdo gjëje që thotë BE, dhe që në mënyrë te ndërgjegjshme apo jo shohin zgjidhjen e çdo gjëje te futja e Shqipërise ne BE, dhe në eurozonë!

Përtej intelektualëve të tipit “Eurozona fushë me lule” ka pastaj dhe intelektualë shqiptarë që I kuptojnë rreziqet e eurozonës, por të dëshpëruar nga fakti që, për momentin kemi sovranitet monetar thjesht në emër por jo në realitet, thonë që do jetë më mirë të hyjmë ne eurozonë.

Sepse:

  • Fundja borxhet e Shqipërise po rriten që po rriten me këtë klasë politike që kemi. Më mirë të rriten dhe të paktën të rritet dhe rroga e shqiptarit mesatar.
  • Fundja nuk kemi sovranitet monetar dhe të paktën kështu përfitojmë nga normat e interesit të tanishme te ECB.

Problemi me këtë lloj të menduari është fakti se nesër pasnesër, dhe nëqftëse në Shqipëri do kemi një klasë politike të ndershme, kjo klasë politike do I ketë duart e lidhura, dhe nuk do ta përdorë dot sovranitetin monetar për të mirën e vendit, pasi nuk do ketë me sovranitet monetar por do jemi në eurozonë. Dalja nga ky union do jetë e veshtirë, qoftë sepse mund të ketë vështirësi ekonomikë për Shqipërine me rivendosjen e lekut mbasi kemi hyrë njëherë në Euro, ose dhe për arsye të tipit grek.

Me arsye të tipit grek nënkuptojmë kërcënime të mundshme që mund ti bëhen shtetit shqiptar për mos të dalë nga eurozona pasi kështu destabilizohet Euro-ja. Greqia, nëqoftëse I kujtohet lexuesit, nuk e rivendosi dot dhrahminë gjatë krizës greke, ndonëse donte.

Per ta mbyllur artikullin po përmend prapë Keynes. Sipas Keynes, ne teorinë e tij të përgjithshme në kapitullin mbi merkantilizmin, sovraniteti monetar jo vetëm që supozohej të sillte paqe në nivel ekonomik ndërkombëtar por për një shtet është një ndër gjërat më të rëndësishme për mos të thënë gjëja më e rëndësishme. Nëse e kemi thjesht në emër duhet të përpiqemi ta fitojmë dhe në realitet dhe neqoftëse sdo e kishim fare prape duhet të benim përpjekje që ta fitonim.

Konkluzioni: Hyrje në BE e Shqiperisë? Ndoshta po, ndoshta jo. Më shumë do kishim përfitime se sa humbje nga një hyrje në BE. Hyrje e Shqipërisë ne eurozonë? Absolutisht jo.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019