Albanomics: Si mund të na ndihmojë Keynes ne krijimin e një ideali te ekonomistit shqiptar?

 

John Maynard Keynes, siç e kemi përmendur dhe në artikuj të tjerë më pare, ka qenë një autor me ide që kanë ndryshuar shpesh gjatë viteve. Në fillimet e veta, si ithtar i shkollës se Kembrixhit dhe si student I Alfred Marshall në Kings College, Keynes ishte liberal. Më vonë u kthye gradualisht në nje person që ishte pro politikave nacionaliste dhe proteksioniste dhe në fund u be internacionalist që ishte pro tregtisë së lirë por dhe pro ligjeve rregulluese në ekonominë boterore. Ajo që nuk kemi shpjeguar në artikujt e mëparshëm eshte arsyeja pse Keynes pësoi një transformim kaq radikal të ideve të veta. Shumica e ekonomistëve qëndrojnë brenda nje paradigme ekonomike gjatë gjithë jetës së tyre, qoftë kjo liberale, marksiste apo keynesiane. Pse atëherë Keynes ishte ndryshe? Per ta shpjeguar këtë do përqëndrohem te studimi që i ka bërë Camarosano Keynes-it.

Joseph Camarosano si studiues i historisë së ideve ekonomike dhe njohës i mirë i Keynes përpiqet ti japë përgjigje pyetjes, nëse Keynes ishte proteksionist apo pro tregtisë së lirë në librin e tij : “John Maynard Keynes : Free trader or Protectionist?”. Përgjigja që jep Cammarosano është që Keynes ishte dhe proteksionist dhe pro tregtisë së lirë në periudha të ndryshme të jetës.

Në fillim, sipas Cammarosanos, Keynes nuk ishte shumë ndryshe nga ekonomistët e tjerë liberalë. Në fillimet e veta Keynes ishte pro standardit të arit, pro tregtisë së lirë dhe kundër çdo lloj mase proteksioniste të mundshme. Në librin  “Pasojat ekonomike te paqes” , Keynes tregohet i tmerruar ndaj masave të ndryshme proteksioniste të marra nga vendet europiane pas Luftës se Parë Botërore. Sipas Cammarosanos Keynes ishte liberal sepse Anglia deri pas Luftës së Parë Botërore ishte fuqia kryesore në Europe. Të gjitha shtetet në një sistem botëror të standardit të arit duhet të merrnin masa të dhimbshme për balancimin e ekonomive të tyre.

Masa që shumë shpesh çonin në papunësi dhe deflacion te skajshëm. Të gjithë shtetet perveç shtetit që kontrollonte financën botërore : në këtë rast Anglia. Anglia ishte i vetmi vend në botë që mund të vendoste normat e interesit të bankës qëndrore sipas nevojës së ekonomisë së brëndshme. Të tjerët vendosnin normat e interesit jo sipas nevojave të brëndshme por në atë masë sa për të shmangur imbalancat e jashtme ndaj ekonomive të tjera. Ky liberalizëm ekstrem i Keynes ndryshoi jo shumë kohë mbasi shkruajti “Pasojat ekonomike te paqes”.

Mbas Luftës së Parë Botërore pati një përpjekje për të rivendosur standardin e arit në nivel botëror. Anglia vendosi të bëhej pjesë e këtij standardi duke vendosur të kishte të njëjtën vlerë të poundit që kishte pasur dhe para luftës. Kjo solli që monedha angleze të ishte e mbivlerësuar krahasuar me monedhat e tjera. Anglia u detyra mbas ca vitesh ta braktiste standardin e arit. Keynes ishte një ndër personat që e kundërshtoi më egër nga të tëre rivendosjen e standardit të arit ne Angli. Keynes parashikoi të gjitha çfarë ndodhën me vone, duke thënë madje se një ditë Anglia se s’bën do dilte nga ky regjim monetar.

Në nje artikull te mevonshëm Keynes jep si këshillë për Anglinë masa proteksioniste doganore me qëllimin e ndreqjes së balancës së pagesave. Këto ishin ide që Keynes-in e mëparshëm do e kishin tmerruar. Tani nuk e tmerrojnë më, madje këshillon vetë Anglinë që ti ndjekë si politika. çfarw ndryshoi? Pozicioni i Anglisë. Tani ishte Amerika qendra kryesore financiare dhe ekonomike botërore dhe Anglia nuk kishte më lirinë e mëparshme për të vendosur si i donte qejfi normat e interesit.

Në këtë kohë Keynes e quan standardin e arit „relike të vjetëruar“ dhe „monarki absolute despotike që ose duhet të zhduket ose të kthehet në monarki parlamentare“. Ne vitin 1933 Keynes fillon dhe nxjerr ide deri diku ekstreme proteksioniste. Libër kryesor të kësaj kohe mund të permendim „National Self Sufficiency“.

Për nga fundi i  Luftës së Dytë Botërore dhe Konferencës Bretton Woods Keynes prapë ndryshon idetë e tij në menyrë radikale. Tani Keynes bëhet internacionalist dhe propozon International Çlearing Union. Këtë , sipas Cammarosanos, e bën sepse Anglia dhe Europa ishin në rrënoja dhe vetëm një sistem tregtar I këtij tipi mund ta shpëtonte Anglinë totalisht pa u varur nga SHBA-të. Ideja e Keynes nuk u mor parasysh gjatë konferencës së Bretton Woods dhe pozicioni amerikan fitoi. Amerika në këtë mënyrë siguroi dhe hegjemoninë e vet ekonomike. Por Keynes të paktën u përpoq.

Sipas Cammarosanos Keynes përpiqej të bënte si të vertetë universale ekonomike atë që ishte e vërtetë ekonomike për Anglinë. Një nga aspektet më pak të diskutuara të jetës së Keynes ka qenë patriotizmi i tij. Dhe kjo është e gabuar pasi ka qenë një ndër anglezët më patrioë që kanë ekzistuar. Nuk e dimë nëse Keynes këtë e bënte në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo. Rëndësi ka që mendonte për Anglinë sa herë shkruante mbi standardin e arit apo balancat e pagesave. Tani për tiu rikthyer temës kryesore: çfarë mund të mesojmë nga Keynes?

Shqipëria është nje vend i vogël ku kryesisht mbizotërojnë idetë liberale qe gëlltiten nga studentët pa u menduar se çfarë po gëlltisin. Këta studentë më vonë shkaktojnë dëmë të pariparueshme në ekonominë shqiptare dhe sikur të jenë njerëzit më të ndershëm ne botë (ndonëse shpesh dhe nuk janë). Kjo për shkakun e thjeshtë se teoritë liberale mund të jenë po dhe mund te mos jenë ato që i nevojiten Shqiperisë në këtë pikë.

Një “Albanomics” në këtë rast mund të shihet si një projekt i dyfishtë: Fillimisht përpjekje për të kuptuar ekonominë shqiptare dhe përpjëkjë për ti dhënë zgjidhje ekonomisë shqiptare. Përpjekje për të kuptuar pasi nuk kuptojmë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm si mbi teorinë por dhe mbi realitetin e ekonomisë shqiptare. Kush ka në dore bankat, kapitalin, bankën qëndrore, politikat fiskale e monetare etj. Pas kuptimit vjen perpjekja për të dhënë zgjidhje. Recetat e gatshme të FMN, idetë e dhëna nga këshilltarë të ndryshëm të huaj etj nuk do e shpëtojnë Shqipërine. Vetëm për arsyen e thjeshtë se këta persona nuk mendojnë dot për Shqipërine siç mendonte Keynes për Anglinë kur shkruante librat e tij.

Albanomics duhet të kuptohet si nje projekt post-ideologjik, të paktën me sa është e mundur. Ashtu siç jemi shprehur në artikujt e deri tanishëm një post-ideologji në çështjet gjeopolitike, ku fokusi ka qenë më shumë mbijetesa se rrëfenja, ashtu na duhet dhe një post-ideologji e shprehur në projektin Albanomics. Përndryshe, përveç të tjerash, do rritet mosha e pensionit deri në 75 vjeç nëqoftëse vazhdohet si është bërë deri tani.

Ekonomisti shqiptar ideal duhet të mendojë në termat e ekonomisë shqiptare. Për ta permbledhur : Na duhen ekonomistë dhe jo llogaritarë të indoktrinuar. Na duhen shqiptarë dhe jo ndërkombëtarë. Na duhen mendimtarë dhe jo gëlltitës idesh pa ripërtypje. Na duhen gjetës zgjidhjesh dhe jo zbatues recetash të gatshme të ardhura nga jashtë.

Këtë mund ta shihni dhe si një parashtrim të parimeve ekonomike të levizjes sonë. Brerore ju fton të na shkruani dhe të bashkëpunoni më tej me ne për sa kohë keni një vizion ekonomik që shkon përtej banales se sotshme.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019